Wednesday, February 20, 2008

Haraç injorancës

Mar, 19 Shkurt 2008 (Shekulli)
Nga Prof.dr.Rami Memushaj

Letër shtypit dhe kujtdo që i intereson

Zotërinj! Shihni ç'po bëhet me institutet albanologjike, se si po sillen me punonjësit e tyre: si po i fyejnë duke u kërkuar të konkurrojnë për vendin e punës me e-mail, si po i nxjerrin prej zyrave ku punojnë, si po ua marrin me dhunë çelësat, si u bëjnë presione, cilët janë komisarët dhe menaxherët që janë ngarkuar të drejtojnë dhe të menaxhojnë Qendrën e Studimeve Albanologjike, ku kanë punuar dhe ç'kurrikulume kanë këta njerëz. Shihni si po katapultohen në krye të këtyre institucioneve, njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët me albanologjinë, veç ndonjë artikulli kundër gjuhës që përdoret në hapësirat mbarëkombëtare. Shihni se ç'shkurtime drastike të organikave (vetëm 112 vende për të gjithë Qendrën), në një kohë që këto institute i kanë mbyllur shumë sektorë, se nuk kanë pasur punonjës për to. Kjo nuk ka ngjarë në asnjë regjim, sado diktatorial të ketë qenë.

Mos heshtni përballë këtyre sjelljeve brutale që asnjë diktator nuk i ka bërë. Për t'u bindur, shkoni takoni punonjës në Qendrën e Enciklopedisë, takoni drejtues dhe punonjës të këtyre instituteve. Vetë jam rrëqethur kur më treguan për mbledhjet në Ministrinë e Arsimit, ku pesë a gjashtë gardianë u rrinin mbi kokë drejtorëve të këtyre Instituteve për të bërë atë që kërkonin organizuesit e mbledhjes, kur dëgjova që Prof.Emil Lafes i kërkuan të zbrazte kthinën ku punon (një hapësirë 3x2m), se aty do të vendosej drejtori(?) etj.

Nuk duhet heshtur përpara përbaltjes së institucioneve shkencore dhe universiteteve tona, përpara vlerësimit negativ të punonjësve me tituj e grada shkencore të formuar në këto institucione kombëtare dhe mbivlerësimit të atyre që kanë mbrojtur mastera jashtë, mastera që bëhen me 4-5 mijë euro dhe me ca të dhëna për Shqipërinë të nxjerra nga interneti, me rreth 40-50 faqe (sa një temë diplome e nivelit mesatar e mbrojtur në Universitetin e Tiranës).

Mbivlerësimi aprioristik i të diplomuarve në universitetet e huaja, pa pyetur më parë a është diplomuar në Harvard apo në Universitetin e Leçes, në mos janë shfaqje ksenomanie, janë përpjekje për të punësuar fëmijë, kushërinj e militantë që janë pa punë. Po universitet dhe institutet shkencore nuk janë vende pune të rëndomta që t'i mbushësh me militantë.

Pyetja ime për Kryeministrin e vendit dhe ministrin e Arsimit është se pse po goditen kështu institucionet? Reformim duke ruajtur vlerat dhe njerëzit që i kanë krijuar, këtë e duam të gjithë, po jo goditje ballore, pa bërë dallim midis të aftëve dhe të paaftëve. I duhet thënë "ndal" shkatërrimit të institucioneve dhe poshtërimit të inteligjencës. Veprime të tilla, pavarësisht nga qëllimi për të cilin ndërmerren, kanë si rezultat shkatërrimin e vlerave kulturore kombëtare dhe zëvendësimin e tyre me mosvlera ose hiçvlera, kthimin e Shqipërisë në një shkretëtirë kulturore. Këto veprime të kujtojnë pamjet e talebanëve duke shkatërruar me dinamit statujat shekullore të Budës.

Politika e sotme duhet të nxjerrë mësime nga e kaluara e hidhur e shqiptarëve edhe nën shtetin e tyre kombëtar, të cilin e ngritën që t'i mbrothësojë, jo t'i varfërojë materialisht e shpirtërisht. Është për të ardhur keq, që një qeverisje që e quajmë demokratike po vijon traditën komuniste të shkatërrimit të hierarkisë intelektuale të vendit dhe të gjithçkaje që kjo ka bërë për kombin dhe ngrehinën e shtetit. Po nuk u ndërpre kjo politikë e denigrimit dhe e vrasjes së trurit, shqiptarët do t'i paguajnë injorancës një haraç shumë të shtrenjtë.

1 comment:

Anonymous said...

Nuk kam paragjykime per vepren e Memushaj ne teresi, por nqs ato qe shkruan jane si kaitulli i tij per Himaren ne "Himara ne shekuj", atehere Akademia shqiptare e shkencave ka nevoje te spastrohet nga te tille studjues