Thursday, February 26, 2009

Berisha konstant ne grabitjen e prones se zones se bregdetit

Berisha: Nuk kemi lekë për kompensim financiar

Emirjon Senja | 26/02/2009 (Shekulli)

Kryeministri konfirmoi faktin se, për shkak të pamundësisë së kompensimit financiar, ish-pronarëve do t'u ofrohen prona në bregdet.

TIRANË - Përfundon procesi i identifikimit të sipërfaqeve të tokave, të cilat do të përdoren për kompensim fizik ndaj pronarëve, në pamundësi për të bërë dëmshpërblimin financiar.


Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se, për kompensimin e ish-pronarëve do të përdoret një sipërfaqe e konsiderueshme trojesh turistike në bregdet.


Ai informoi se, një grup i posaçëm ka punuar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike, për të kompensuar pronarët shqiptarë.


Duke theksuar se këto troje do të mund të përdoren vetëm në përputhje me parimet dhe platformën e zhvillimit të turizmit, kreu i ekzekutivit tha se, në brigjet turistike të deteve dhe liqeneve, janë identifikuar mijëra hektarë, dhe, territoret për këtë qëllim janë bregu i Adriatikut, një pjesë e bregut të Jonit dhe dy liqenet, të Shkodrës dhe të Pogradecit.


Madje, pjesë e fondit për kompensimin e ish-pronarëve mund të jenë edhe zona jashtë Parkut Kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës. Vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave vjen pas kërcënimeve të vazhdueshme të shoqatave të ish-pronarëve se, në rast se qeveria nuk do të zgjidhë problemin e tyre, ata do ta ndëshkonin atë me votë në zgjedhjet e 28 qershorit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha siguroi se tokat, për të cilat bëhet fjalë, janë verifikuar me të gjithë dokumentacionin e duhur si troje publike, çka lejon më tej përcaktimin e procedurës së transferimit e shpërndarjes së tyre.

E ndërgjegjshme se është i pamundur kompensimi financiar i të gjithë sipërfaqes së tokës së zaptuar, qeveria u ofroi ish-pronarëve mundësinë e kompensimit fizik të tyre me troje turistike.


"Vetëm qendra e Tiranës, me çmimin e saj aktual dhe që pothuajse kudo ka pronarët e vet, përbën një bazë monetare aktualisht të papërballueshme, ndaj duhet të përdorim të gjitha mundësitë dhe, mundësia e parë më e madhe, është t'u ofrojë pronarëve troje turistike", - përfundoi ai.


Vetëm një muaj më parë, anëtari i kryesisë së shoqatës Pronësi me Drejtësi, Reshit Vorpsi, deklaroi se sipërfaqja e tokës që duhet kompensuar, është plot 80 milionë m³.


"Vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave vjen pas kërcënimeve të vazhdueshme të shoqatave të ish-pronarëve se, në rast se qeveria nuk do të zgjidhë problemin e tyre, ata do ta ndëshkonin atë me votë në zgjedhjet e 28 qershorit."

No comments: