Kryepiskopi
Anastas: Shën Kozmai u nderua në trevat e Shqipërisë dhe kur jetoi, por
edhe menjëherë pas fjetjes së tij martirike...
Sot, më 24 gusht 2014, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
kremtoi me madhështi kujtimin e Shën Kozma etolosit. Në manastirin që
mban emrin e tij, në Kolkondas, u krye Liturgja Hyjnore Sinodike, që u
kryesua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë,
Fortlumturia e Tij Anastasi, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të
Sinodit të Shenjtë: të Hirësive Mitropolitë, të Beratit Ignatit, të
Korçës Joanit, të Gjrokastrës Dhimitrit, dhe Episkopëve, të Apolonisë
Nikolla, të Krujës Andoni, të Amantias Nathanaili dhe Bylisit Asti, së
bashku edhe me shumë priftërinj e dhjakonë. Qindra besimtarë orthodhoksë
dhe jo vetëm, kryesisht nga zona e Fierit, por edhe nga i gjithë vendi,
si dhe pelegrinë nga Greqia, mbushën kishën qendrore (katholikonin) të
Manastirit dhe mjediset përreth, duke marrë pjesë në gjithë atmosferën
adhuruese të ditës. Shumë prej tyre e kishin kaluar natën me lutje në
manastirin e shenjtorit, siç është tradita shekullore.
Për personin dhe veprimtarinë shpirtërore të Shën Kozmait foli
Hirësia e tij Episkopi i Apolonisë, Nikolla, i cili theksoi
përkushtimin ndaj besimit dhe veprën e jashtëzakonshme të shenjtorit, që
në një kohë të errët e të vështirë ktheu shpresën tek të krishterët
orthodhoksë.
Në
mbarim të Liturgjisë Hyjnore besimtarëve iu drejtua edhe Fortlumturia e
Tij Anastasi, i cili në fjalën e tij iu referua veçanërisht kushteve
historike në të cilat Shën Kozmai zhvilloi veprën e tij hierapostolike,
rrjedhojë e së cilës ishte frenimi i valës të islamizimeve masive dhe
shpëtimi i Orthodhoksisë në këto treva, një realitet i bukur për të
cilin të krishterët e sotëm kaq shumë i detyrohen shenjtorit.
Ditët e fundit pati artikuj në gazeta të ndryshme që arritën deri sa
ta cilësojnë shenjtin “djall” dhe “antishqiptar”, duke tentuar, sikundër
tha Kryepiskopi, ta varin përsëri shenjtorin në laqe prej letrash. Ata,
tha ai, frymëzohen nga formimi ateist dhe duan të vazhdojnë t’i mbajnë
të nënshtruar besimtarët orthodhoksë.
Por këto kohë kanë kaluar dhe kur ofendojnë shenjtorët e Kishës, ose
kur duan të imponojnë mënyrat sesi orthodhoksët do t’i nderojnë ata
shenjtorë, mund të arrijnë vetëm të trondisin tolerancën dhe
bashkëjetesën fetare, që është një realitet, nga të paktët, që Shqipëria
e paraqet me mburrje në familjen bashkëkohore europiane.
Shën Kozmai ishte jo thjesht një klerik i përkushtuar orthodhoks dhe
hierapostull i ndriçuar, por ishte edhe një faktor i progresit dhe për
kushtet e epokës së tij synonte epancipimin shoqëror. I nxiste
besimtarët të mësojnë greqisht si një mjet që ata të njiheshin me të
vërtetën e Ungjillit dhe misteret e Kishës. Në atë kohë ende nuk kishte
asgjë të shkruar apo përkthyer në shqip, ndërsa edhe vetë Ungjilli i
Shenjtë u përkthye disa dhjetëvjeçarë më vonë. Me predikimin e tij Shën
Kozmai emocionoi turmat e besimtarëve në trevat e Shqipërisë së sotme
dhe besimtarët e vlerësuan dhe e deshën edhe për të gjthë veprën e tij
për përparim shoqëror dhe arsimim të masave.
Fortlumturia e Tij Anastasi foli me emocione edhe për vizitën që pati
ditët e fundit në vendin e martirizimit me varje të Shën Kozmait
(Kolkondasi është vendi ku u gjet dhe u varros lipsani i Shën Kozmait
pas ekzekutimit të tij). Fjala është për fshatin Mujalli, në krah të
lumit Seman, në bregun jugor të tij, ku në vendin e martirizimit
ekziston një pemë si ajo ku ishte vendosur laku.
Në fund, besimtarët dhe klerikët morën pjesë edhe në litaninë me lipsanin e shenjtorit.
Më pas, në kompleksin manastirial të rindërtuar plotësisht,
Kryepiskopi dhe të gjithë kryepriftërinjtë pritën besimtarët dhe
pelegrinët.
***
Manastiri i Shën Kozmait është rikonstruktuar plotësisht me kujdesin
dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas. Punimet e gërmimit dhe
largimit të dherave nxorrën në dritë varrin e shenjtorit me pikturë
murale të asaj kohe që mbi dy shekuj më parë, si dhe elemente të tjerë
arkitekturorë me mjaft interes, që ishin mbuluar nga lymi i sjellë nga
përmbytjet e lumit Seman. Gjithashtu, janë ngritur edhe katër kisha të
reja në zona të ndryshme, që i dedikohen kujtimit të Shenjtorit.
***
Kohët e fundit ka pasur një fushatë të orkestruar shpifjesh kundër
shenjtorit, me qëllim denigrimin e veprës së Kryepiskopit Anastas dhe të
gjithë Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale.
P.sh. Një nga sajesat që përdoren, është ajo se nderimi i këtij
martiri të madh nuk ka ekzistuar mes të krishterëve orthodhoksë
shqiptarë; edhe n.q.s. ka filluar, ka filluar pas vitit 1961, kur me
vendim të Patriarkanës Ekumenike u vu në listën e shenjtorëve të nderuar
nga të gjitha Kishat Orthodhokse. Këto nuk janë vërteta, nderimi i tij
si shenjtor lokal nisi nëshek. XVIII, në të gjitha ato zona ku ai dha
një kontribut të jashtëzakonshëm për të zgjuar ndërgjegjen e shtypur të
orthodhoksëve nga nata e gjatë osmane, duke frenuar dukshëm islamizimin e
këtyre trevave. Këtë e dëshmojnë ndërgjegjja e popullit orthodhoks
shqiptar, afresket e ikonat, shërbesa kishtare për shenjtorin, Manastiri
i tij dhe kisha e ndërtuar me kujdesin e Ali PashëTepelenës (1814-1815)
dhe mbi të gjitha, e dëshmon nderimi i madh i gjithë popullit edhe atij
jo orthodhoks, kudo ku ai predikoi.
Dëshmi e këtij nderimi para vitit 1961, që hedh poshtë ato që
pretendojnë antiorthodhoksët, mes shumë të tjerave është ajo që kanë
shkruar e botuar dy nga personalitet më të mëdha të Kishës sonë: Imzot
Theofan Noli dhe Kryepiskopi i parë kanonik, Fortlumturia e Tij
Kristofor Kisi.
Imzot Theofan Noli, në vitin 1947, në Boston, botoi Kremtoren
(Tëkremtet) e Kishës Orthodokse. Në parathënien e tij thotë se:
“Përkthimin... e kemi bërë nga Gerqishtja, me përjashtimin e këndimeve
të Shën Kozmait të Beratit, të cilin e parafrazuam nga versioni shqip i
KryeHirësisë Tij, Imzot Kristofor Kisi, Kryepeshkopit të Shqipërisë”.
Dhe në faqet 754-763 jep shërbesën kishtare të këtij shenjtori.
Pra, Imzot Theofan Noli, që në 1947 (pra për para vitit 1961) e quan
Shën Kozmai i Beratit dhe shërbesën e shenjtorit e merr nga botimi i
vitit 1931 të Imzot Kristofor Kisit, i cili ka shkruar mjaft për Shën
Kozmain.
Pra, për Imzot Theofan Nolin dhe Imzot Kristoforin, si dhe për gjithë
besimtarët orthodhoksë dhe më gjerë në shekuj, Shën Kozmai nuk ishte as
antishqiptar e as "joshenjtor", siç trumbetojnë zotërinjtë
antiorthodhoksë.
Po kështu, i pa parecedent dhe i pa imagjinueshëm për arrogancen dhe
frymën antiorthodhokse ishte dhe një deklaratë e disa shoqatave pa
lidhje me besimin, e cila krijoi revoltë mes besimtarëve orthodhoks edhe
shqetësim per frymën perçarëse që kërkontë të mbillte e të përhapte.
No comments:
Post a Comment