Thursday, August 28, 2014

Seriali Mero Baze-2K -nje front i ri lufte dhe “The miracle of freedom”

Mero, mjaft njerëz kemi vrarë!
 
 28.08.2014 | 9:41  0
 
Arben Rrozhani
Në një moment sinqeriteti dhe pendesë të thellë, ish-drejtori i gazetës “Albania” po na thoshte pak vite më parë te një lokal poshtë “Zayed Center”: “Bo, bo, sa njerëz kemi vrarë!” Ylli Rakipi kishte pak kohë që e kishte mbyllur gazetën “Albania”, që lindi në kohën e Sali Berishës, u përdor prej tij, pastaj u vu kundër tij dhe provoi të dalë si media e pavarur derisa nuk mund të rronte të mos ia varte më kush dhe gjeti rrugën siç kanë bërë disa gazeta të vogla vitet e fundit, duke u mbyllur. Njerëzit e vrarë nuk ka listë që t’i nxërë, aq shumë janë bërë prej vitit 1995. Këtë batutë të Rakipit, besoj e ke dëgjuar edhe ti Mero, në po të njëjtin lokal, kur u ripajtove me të, pas disa vitesh armiqësi, të cilën vetëm gazetaria militante e krijon. Po Mero, Rakipi ka shumë të drejtë. Shumë njerëz kemi vrarë. Sidomos te ajo gazetë militante, ku ti ishe violinë e parë, Rakipi ishte njeriu i besuar i ish-Presidentit Sali Berisha, ne vegla të bindura të partisë-shtet dhe të gjithë bashkë kemi bërë kërdinë, që veç gazetari nuk mund të quhet. Ne e vramë Sali Berishën dhe PD-në e tij. Jo një, por disa herë, duke e trimëruar pse ua theu dhëmbët në sheshin “Skënderbej” opozitarëve socialistë me kryetarin në burg; duke bërë mocione për qypin me guralecë në selinë rozë, duke e bërë atë president me urra kur vendi digjej më 3 mars 1997; duke shpikur komplotin ndërkombëtar kundër qeverisë së PD-së dhe Presidentit Berisha; duke iu vënë turmave të vrerosura për humbjen e kursimeve të jetës epitetin “banda social-komuniste”, që donin të vinin në Tiranë për të çmontuar qeverinë. Ne e vramë sërish më 3 korrik 1997, duke e nxitur që të nxirrte legalistët të përzierë me demokratë, me në krye mbretin e vetëshpallur, se mos anulohej fitorja e thellë e të majtës mbi PD-në e Berishës. 

Ne e vramë sërish kur arkivolin e Azemit e përdorën si dash për të thyer derën e Kryeministrisë, atëherë kur pushtuan institucionet, rrëmbyen tanket e gardës dhe u ngujuan në selinë e PD-së. Ti dhe të tjerë e vratë sërish në 2004-ën, duke e bindur ujkun që të veshë lëkurën e qengjit, të sajojë KOP-in që na la peshqesh Lulin dhe Majlindën, të përdorë paratë tona për të paguar lobistët e BG&R që Berisha të dukej safi demokrat, jo ai vrasësi i 96-97-ës, dhe që pastaj të na rrinte mbi qafë 8 vjet, duke vrarë për biznesin e të birit në Gërdec, duke ekzekutuar përpara kryeministrisë, duke plaçkitur me monopole dhe koncesione dhe duke na lënë para ikjes një vend të stërshitur dhe të stërlodhur. Po sa herë e vramë Azemin e shkretë! Me ato 25 pyetjet e famshme, jo të gjithat të tuat, për pardesynë e bardhë, tragetin, pastaj duke e lidhur me sindikatat dhe pazaret e tyre, e pastaj me ish-të përndjekurit. Vramë Genc Pollon, duke e bërë shpresë të re për opozitën në Kuvendin e 6-të të PD-së dhe PDR-në e tij, tashmë të harruar si shpresa që do të hiqte salizmin nga Selia Blu. E pompuam aq shumë saqë edhe vetë Genci i shkretë nuk e besonte se do të bëhej parti, ashtu siç nuk u bë dhe që pas disa vitesh u rikthye te PD-ja, për t’u bërë më salist se vetë Saliu, me gjithë Tritan Shehun, pa harruar edhe zëdhënësin Eno Bozdo, me dy n. Ne e vramë Sokol Olldashin, ish-kolegun tonë. E frymë dhe e ngritëm lart këtë djalë të zakonshëm, hamës dhe qejfli lojërash, se ishte strateg i madh politik, se ishte kreu i mafias më të rrezikshme në vend, se ishte qytetari i parë që i duhej Tiranës, se ishte shpresa e re e PD-së, kur në fakt ishte po ai Sokoli që njohëm dikur kur mbushte çantën me bukë me gjalpë dhe me vezë të ziera, ishte drita e syve të Kozetës sonë të dashur, që kishte rënë në lek të madh e të kollajtë dhe u hapërda nëpër lojëra fati, në kënaqësi hedonistike dhe flirte, derisa la kokën. Vramë Ridvan Boden, duke e quajtur ekspertin e shkëlqyer të financave të PD-së, që na la një mal me borxhe pas largimit të tij nga ministër Financash, sërish si në kohën e piramidave dhe sërish me një ekonomi piramidale.

E kë nuk kemi vrarë Mero! Pastaj kur mbaruam duke vrarë të tjerët iu kthyem njëri-tjetrit. Ti nga redaksia e “Zayed Center” ne te redaksia e “Albania”-s, pak metra më tutje. E kishe inatin me flirtin e ri të ish-bashkëpunëtorit tënd, që kishte rregulluar pipëzat me të majtën, për të bërë pallatin mbi ish-shtëpinë e rinisë dhe ti, si opozitar në një llogore me Sali Berishën, nuk mund ta honepsje dot. Dhe filluat betejën e vrasjeve mes njëri-tjetrit: ti i etiketuar si “Mero çorapja” dhe me simbolin e kafkës në faqe të parë disa javë rresht, ndërsa “Tema” jote hapej me bëmat e ish-opozitarit Rakipi. Ajo betejë idiote mbaroi pa fitues dhe ne humbëm lexuesin, së bashku. Tani, disa vite pas kësaj historie të turpshme, ke ndërmend që të vrasësh Koço Kokëdhimën. Për hir të së vërtetës, nuk e ke nisur prej historisë së perversit të Sarandës, por kjo ngjarje sikur ta ka shtuar adrenalinën për të hapur dhe mbyllur gazetën print dhe online, me njërin prej 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, duke e bërë atë shqetësimin kryesor të politikës së sotme, armikun kryesor të pluralizmit politik, të përfaqësimit të popullit në Kuvend, të mënyrës se si duhet të bëjë politikë dhe të mbajë lidhjet me elektoratin që i ka besuar votën. Mero po të tregoj diçka, që ka shumë gjasa të përfundojë si ditar i sekretarit të deputetit K.K. siç po bën këtë javë.. Në nëntor 2011 u largova nga “Shekulli”, me tri rroga minus dhe motivi financiar ishte kryesori që më shtyu t’i bashkohesha nismës së Carlo Bollinos për të drejtuar kompaninë e re mediatike. Në 4 mars 2013 u riktheva. Koço Kokëdhimën e gjeta pak të rënë. Mbi supe kishte 600 milionë lekët e gjobave, që Ridvan Bode nuk pranonte t’ia hiqte bizneseve të tij, në emër të luftës së klasave. Ti e ke provuar vetë se çfarë do të thotë hakmarrje e Sali Berishës, se ta mbylli dhe s’të linte Agim Shehu as të qaseshe të shtypshkronja në ish-Poligrafik. E provoi edhe Ylli Rakipi pas teje që e mbylli gazetën, kur ia rrasën në dorë gjobën që s’mund ta paguante. Koco Kokëdhima nuk kishte lënë gur pa luajtur që të mos e kishte këtë fat.
Kishte qenë prej vitit 1997 dhëmb për dhëmb me çdo pushtet, por pas janarit 2011, kur hapi gazetën “Shekulli” me trutë e derdhur në bulevard të Hekuran Dedës, Berisha donte ta shihte të varur Koço Kokëdhimën. Ti u fute te lista e gazetarëve puçistë, ai te lista e biznesmenëve që duheshin shuar me farë dhe me fis. Ti hape edhe llogari ku dashamirësit të derdhnin kontribute që ta mbaje hapur gazetën. Koço nuk e bëri këtë. Vit pas viti treti dhjamin e mbetur, shiti çdo gjë që mund të shiste, merrte këtu për të vënë atje, e bëri edhe gazetën as mish dhe as peshk. Vetëm e vetëm që pushteti të mos e kishte në grykë të topit, pranoi edhe ftesat për vizitat e festave të fundvitit, që të kish mundësi të dukej se s’ishte antiqeveritar.

 Kur mbeti pa gjë, nuk ngurroi të nxirrte për shitje, megjithëse pa sukses, edhe apartamentin e vajzës. Këto kohë të vështira kanë kaluar, se taksidarët nuk vijnë më siç i sillte Agim Shehu. Nuk ka më luftë klasash për pjesëmarrje në tenderë e në punë publike dhe garën e fiton më i miri. Nuk është as ashtu siç shpif Berisha, që “Abissnet”-i që paska patur Koco Kokëdhima, ka rrëmbyer të gjithë tenderët e qeverisë, në qendër dhe në bazë, kur sipas të dhënave zyrtare qenka i pesti në listë. 

Koço Kokëdhima që ti kërkon ta vrasësh sot, po përjeton shprehjen “This is a miracle of freedom”, nëse do të perifrazonim me sarkazëm Sali Berishën. Nga kjo liri kemi fituar të gjithë, edhe ti, edhe Koço, edhe Ylli, madje edhe Sali Berisha, pushteti ekonomik i të cilit është ende i patrazuar, ndaj është edhe kaq harbut, cinik dhe i pamoralshëm. Koço Kokëdhimën e do sërish të vrarë vetëm Sali Sali Berisha. Ti nuk ke më as motiv, as bindje politike, as mbështetjen e komentuesve të tu online dhe as të shkuarën jo të largët që të thotë: “Mjaft kemi vrarë!”

No comments: