- Përgjigje e disa klerikëve dhe besimtarëve beratas ndaj shkrimeve të botuara në media, ku hidhet baltë mbi shenjtorët dhe drejtuesit e Kishës -
Është për të ardhur keq që në prag të festave të mëdha të Kishës
Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, disa autorë të mediave si dhe disa
përfaqësues të “shoqatave” të ndryshme hedhin baltë mbi shenjtorët dhe
drejtuesit e Kishës.
Kështu po ndodh edhe këto ditë kur pritet të festohet e kremtja e
martirizimit të shën Kozmait në Kolkondas të Fierit. U referohemi
kryesisht shkrimeve të botuara rishtazi në media, të cilat, konkretisht
për shën Kozmain shprehen negativisht dhe me fjalët më ofenduese.
1. Kemi vënë re që të gjithë keqdashësit përdorin për shën Kozmain epitetin shenjtor grek apo i përket kishës greke dhe jo asaj shqiptare.
Shenjtorët kanë dimension universal. Ashtu si në vendin tonë kremtohen
me madhështi shën Joan Pagëzori, shën Joan Vladimiri, shën Nikolla, shën
Gjergji, shën Naumi etj, të cilët nuk janë shenjtor vendas, por
kremtohen gjerësisht mes nesh, kështu edhe shën Joan Kukuzeli nga
Durrësi, një nga themeluesit e muzikës bizantine (kishtare), shën
Nikodhimi i Beratit, shën Asti i Durrësit, shën Lefteri i Vlorës, etj.
kremtohen gjerësisht në gjithë Kishat Orthodhokse në mbarë botën. Shën
Kozmai, si një prej tyre, shkruan me dorën e tij: “Vendlindja ime e rreme tokësore dhe e kotë është nga rrethi i Apokurit”,
pjesë e krahinës së Etolisë, në të cilin ai u lind. Kështu, të gjithë
shenjtorët kanë një gjë të përbashkët që i bën ata universal, të
përbashkët kanë atdheun e tyre të vërtetë, Mbretërinë e Qiejve.
2. Gjithashtu këto ditë kemi lexuar shpifje të ndryshme si ajo e studiuesit Moikom Zeqo: “Në
tërë dokumentet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk
ekziston ndonjë fakt apo dëshmi që Kozmai të jetë kanonizuar edhe si një
shenjtor shqiptar. Kozmai nuk ka qenë i dalluar veçmas dhe Kisha
Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, që nga ftillëzimi i saj
institucional, nuk e ka theksuar asnjëherë Kozmain si një njeri që i ka
shërbyer edhe interesave kombëtare, por edhe fetare të Shqipërisë.”
Shën Kozmai është nderuar si shenjtor në Shqipëri, fill pas
martirizimit të tij. E meqenëse z. Zeqo kërkon fakte, Kryepiskopi i parë
kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Kristofor
Kisi, në vitin 1931 thekson qartë rolin dhe kontributin e shën Kozmait
për Shqipërinë: “Në mbarimin e shekullit të tetëmbëdhjetë
krishterimi i Shqipërisë kishte arritur në një rrezik shumë të madh. Nga
padija e thellë e popullit, nga shtypjet e qeveritarëve të asaj kohe,
nga tmerri që mbretëronte nëpër të krishterët, jeta dhe pasuria e të
cilëve varesh prej mëshirës së më të fortëve, renegacionet, mohimet e
besës, ishin gjëra të shpeshta dhe të zakonshme. Shumë herë ndodhte që
vise të tëra ndërronin fe për shkaqe pa rëndësi.
Në këtë gjendje ardhja e shën Kozmait shënoi një stacion tepër të rëndësishëm për fatin e krishterimit në Shqipëri.
Po si një apostull i ri, i mbushur me entuziazmin e Frymës së Shenjtë
dhe me zemërnxehtësinë e profetëve, ky orator i shkëlqyer i Ungjillit, u
përpoq me fjalimet e tij të larta dhe të ëmbla, t’u japë zemër dhe
kurajë të krishterëve të terrorizuar të atëhershëm dhe t’i përmbante në
traditat fetare atnore. Mund të themi sigurisht se, edhe ato teproja të
pakta të krishterimit që mbeten sot në Shqipërinë e jugut, u detyrohen
këtyre veprimeve.
Merita më e madhe e Shenjtit dhe lartësia e tij tregohen nga kujdesia e
veçantë që shfaqte për kulturën e popullit. Kur vizitonte një katund
apo qytet për të predikuar, mendimi i parë i tij ishte të hapte shkolla,
në të cilat, djemtë e të krishterëve merrnin edukatën darovisht”.
(Jetëshkrimi dhe Akoluthia e Dëshmoit të Ri dhe Isapostollit Shën Kozma,
Kristofor Kisi, Korcë 1931, fq. 3).
Pas Imzot Kristofor Kisit, është Imzot Theofan Noli që bën në vitin
1947 një përmbledhje të shërbesës të përkthyer nga Kristofor Kisi. Ai
shkruan: “Le ta nderojmë o besnik, dhe le ta kurorëzojmë me lule
shën Kozmanë, bukurinë e Dëshmorëve, mburrjen e murgjërve, predikonjësin
e besës, shembullin e priftërinjve, imituesin e mbaruar të Apostujve,
se bën çudira, dhe na dhuron shërime. Le ta përshëndoshim pra, dhe le
t’i thërresim: Gëzohu o ligjëronjës i besës, o kollonë e patronditur e
Kishës. Ruaje Kishën në paqe me ndërmjetime, se ke kurajë përpara
Shpëtimtarit, se derdhe gjakun si një Apostull i tij.” (Kremtore e
Kishës Orthodhokse, përkthyer nga F. S. Noli, Boston 1947).
Ashtu si imzot Kristofor Kisi, edhe Imzot Theofan Noli, e konsideron
shën Kozmain një shenjtor të madh me shumë vlera dhe virtyte në misionin
e tij të shenjtë. Nëse për këta dy klerikë, intelektual dhe atdhetar,
shën Kozmai është një shenjtor që i ka shërbyer dhe ka dhënë një
kontribut të paçmuar për të krishterët e Shqipërisë, atëherë përse këto
gjoja “shoqata atdhetare për identitet e bashkim kombëtar” që kanë si
shembull këta atdhetarë të shquar, keqinterpretojnë bindjet e tyre?
Përse këta intelektual jo të krishterë përzihen në çështjet e besimit të
krishterë orthodhoks duke mos pasur fare njohuri, përbaltin shenjtorët
të cilët populli, për shekuj me radhë, i kremton me shprestari?
Shën Kozmai nuk i përket një kishe vendore. Ai është një shenjtor
ekumenik dhe kremtohet në mbarë dhenë. Shumë kemi parë e dëgjuar këto
ditë. Ata që e martirizuan 235 vite më parë vazhdojnë edhe sot të
tërheqin litarin në grykën e tij. “Fali o Zot se nuk dinë se
ç’bëjnë...”!
Shënim: Ky artikull ju dërgua si përgjigje gazetës "Dita", por ende nuk është botuar...
At Petraq Simsia, At Kristaq Subashi, At Niko Lushi, Dhiakon Anastas Vrapi, Dhiakon Joan Qako
z. Ilia Zaka, znj. Stela Qako, z. Theoktist Postoll, znj. Eli Filipi
No comments:
Post a Comment