Wednesday, August 02, 2006

Anastasi është sebepi

Anastasi është sebepi
Nga ROBERT GORO
(botuar në gazetën “Tribuna), marre nga NGJALLJA, KORRIK 2006

Mund të duket paradoksale kjo që do të them më poshtë, por besoj se është plotësisht e vërtetë. Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastasi, është personi më I denigruar në Shqipëri, pas Fatos Nanos dhe Sali Berishës. Ndërsa për dy të fundit denigrimi arsyetohet me luftën e egër politike që është zhvilluar në Shqipëri, arsyeja kryesore e denigrimit të Kryepeshkopit është përkatësia kombëtare e tij. Ai është grek dhe si grek nuk ka vend në Shqipëri, aq më pak në krye të grigjës së Perëndisë. Ky është, në mënyrë të përmbledhur thelbi i gjithë sulmeve që i janë bërë Anastasit, që nga ai korrik i largët i 1992-shit, kur ai u fronëzua si primat i Kishës Ortodokse Shqiptare. Në këta 15 vjet, Shqipëria njohu shumë situata të trazuara, por tash së fundi, tensionimet janë zbehur dhe ndoshta zhduken fare. Vetëm furia dhe fuqia e sulmeve ndaj Anastasit ka mbetur e njëjtë. Madje prej disa ditësh, në skalionet e pushkatarëve janë mobilizuar edhe politikanë. Jo detyrimisht nga kampi i të ashtuquajturve nacionalistë, por bash nga kampi që vetëreklamohet si shpresa e vetme për integrimin europian të vendit e të vetë politikës. Dhe kjo mendoj se është tepër shqetësuese! Dhe do të ishte alarmante nëse ata, përfaqësojnë vërtet një shumicë të konsiderueshme të shoqërisë civile shqiptare. Në korrik mbushen plot 15 vjet që kur Fortlumturia e Tij u vendos në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare. Duke e vrarë mendjen se cila do të ishte arritja e tij më e madhe, them se nuk është thjesht rimëkëmbja apo ringjallja e ortodoksisë, apo e fesë nga themelet e shembura, ku e kish flakur komunizmi. Anastasi ringjalli shpirtrat njerëzorë. Në kohën që tipari kryesor i shoqërisë shqiptare ishte humbja e besimit dhe e shpresës, Ai pikërisht atë besim e shpresë u ktheu njerëzve. Dhe, besoj se kjo është vërtet një mrekulli, në një vend ku njerëzit nuk kanë dhe marrëdhëniet më të mira me fenë, në kuptimin e devocionit. Në një vend ku shumica e popullsisë kur iu kërkon të vënë dorën në zemër deklarohen si ateistë, vlerësimi mbarëpopullor për Anastasin mendoj se përbën dhe shenjën më të mirë se besimi e shpresa janë ringjallur e gjëllojnë tek njerëzit tanë. Anastasi nuk është se thjesht u përçon njerëzve “zërin e Zotit” si një komandant i mirë që u përcjell ushtarëve urdhrat e gjeneralit. Anastasi njeriun e ka prekur me sjelljen e me fjalën e tij, me veprën e tij të pabujë, por kaq shumë humanitare, pa i ndarë njerëzit sipas besimeve. Ndoshta shumë pak e dinë se, kur u pranua anëtar i Akademisë së Athinës, institucionit më prestigjioz të Greqisë, në vitin 1993, Anastasi referoi temën “Tradita dhe vizioni i bashkezistencës paqësore të komuniteteve fetare në Shqipëri”. Pse ai gjithmonë ka kërkuar në jetën e veprën e vet të promovojë atë çka bashkon e jo atë që ndan. Kjo frymë e ka karakterizuar Anastasin edhe kur ka vendosur të ndërhyjë në momentet e krizave të rënda mes Shqipërisë e Greqisë, në fillim të viteve 1990 -të. Në qershor 1993, marrëdhëniet mes të dy vendeve u acaruan për shkak se autoritetet shqiptare dëbuan një prift grek, me akuzën për veprimtari antishqiptare. Reagimi I autoriteteve greke ishte i menjëhershëm dhe brenda një jave më shumë se 70 mijë emigrantë shqiptarë ishin dëbuar nga Greqia. Më 1 korrik 1993, me anë të një mesazhi që u transmetua nga radiot kryesore greke, Anastasi i bëri thirrje opinionit vendës që “të mos lejohen informimet e gabuara e të njëanshme, si dhe ekstremizmat, që të përkeqësojnë gjendjen”. Por kur u takua me Kryeministrin e tëhershëm, Micotaqisin, dhe, para këtij takimi deklaroi: “Ditët e fundit kriza në mes Greqisë dhe Shqipërisë u ashpërsua shumë, me viktima e njerëz të pafajshëm. Ndonëse e di se qeveritë e të dy vendeve kanë informacio-net dhe kriteret e tyre, si kryepeshkop i qindramijë ortodoksëve duke iu lutur me zjarr Zotit dhe në emër të Tij, ngre zërin e apelit në çdo drejtim që të bëjnë ç’është e mundur për të ndaluar përfundimisht veprimet e dhunshme dhe t’i jepet fund praktikës së dëbimeve. Marr pjesë në dhimbjen e gjithë njerëzve të përndjekur, pavarësisht nga kombësia dhe besimi fetar, dhe vihem në dispozicion të të gjithëve për gjetjen e zgjidhjeve me frymën e mirëkuptimit”. Sa për histori, pas takimit me Micotaqisin, që zgjati një orë e gjysmë, ritmet e dëbimeve u ulën në mënyrë të ndjeshme dhe shtypi botëror këtë ia atribuoi ndërhyrjes së Anastasit. Dhe, kur unë do ta intervistoja ë nesërmen, kësaj here për BBC-në, Ai do të më thoshte se iniciativa për takimin ishte krejtësisht vetjake dhe se ishte i kënaqur pse ndërhyrja, “do të ndihmonte dinjitetin e mijëra njerëzve”, pra të emigrantëve shqiptarë. Aktiviteti i tij human, është mjaft i madh dhe shumë pak i reklamuar si nga ai vetë, për arsye të modestisë, por edhe nga mediat tona. Ama, nuk mund të harrohet fakti i mbledhjes me iniciativën e vetë Anastasit, i 12 milionë dollarëve si ndihma për refugjatët kosovarë gjatë luftës së 1999-s dhe krijimi i dy kampeve për (vijon në faqen 4) ta. Atëherë nuk doli kush që t’ia refuzonte këtë kontribut, por as t’I thoshte faleminderit. Natyrisht, Anastasi përbën si gjithmonë vetëm një sebep! Arsyeja e vërtetë qëndron shumë më thellë dhe lidhet me vetë fqinjësinë midis Shqipërisë e Greqisë, midis shqiptarëve e grekëve. Është me të vërtetë për t’u habitur se si vendi që mban gati një milion shqiptarë e që secili prej tyre ka të paktën një njeri në Shqipëri, anatemohet gati përditë, si shkaktar i gjithë të këqijave dhe rreziqeve që i kanosen atdheut tonë. Harrohen me dashje faktorë që i përjashtojnë kategorikisht parashikimet e rrezikzinjve. Harrohen me dashje konjukturat e reja politike të krijuara në Evropë e në Ballkan, sidomos tani pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Harrohen me dashje përpjekjet për ta shndërruar Ballkanin në një oaz paqeje, sigurie, bashkëjetese harmonike, ku janë bashkuar edhe përpjekjet e politikës e të shoqërisë civile shqiptare…. Janë këto “harresa” që shndërrojnë në një debat kombëtar propozimin për shpalljen e Anastasit “Qytetar Nderi të Tiranës”, në kohën që nga arkivat e pluhurosur zhvarrosen vendimet e para 70 viteve për të shpallur qytetar nderi të kryeqytetit ministrin e jashtëm fashist Kontin Çiano, apo të para 50 viteve për të shpallur qytetar nderi shefin e atëhershëm të Bashkimit Sovjetik komunist, Nikita Hrushovin. Dhe padyshim janë këto “harresa” që, në kohën kur medaljet e “ndryshme shpërndahen si karamele nga presidenca, nuk u gjet një medalje për Kryepeshkopin Anastas, vepra e të cilit vlerësohet në të gjithë botën, jo detyrimisht nga filogrekët, dhe nëpërkëmbet kaq shumë nga vetë shqiptarët!

No comments: