Himara Blog: What's coming up
Areas & Sights, News, Articles, Discussion, Photos, Events etc.
We want our blogger to be a place where people discuss and debate ideas that foster stronger communities. We built this for you. Please take care of it. Tolerate broad thinking, but take action against obscene or hateful material. Make it a credible and safe place worth preserving and sharing.
Contact: "akroqeravnos@yahoo.gr"
Saturday, November 03, 2012
Archive Numri i ri i MAPO: Aleanca Kuq e Zi parti Turke
shumicë
ato kanë qenë përpjekje të pakënaqurish: jo të pakënaqurish me staus
quo-në, apo mbrapshtinë a mbrothësinë e punëve, por me hisen e munguar
në tortën e pushtetit, a të aksesit te pushteti. Akronime dy e tre
germëshe ka sa të duash, por përmendja e tyre do të ishte aq e kotë, saç
ka rezultuar i bjerrë edhe besimi i cave që, naivisht, e kanë parë
projektin e tyre ideologjik të reflektuar te këto forca lindur
pakënaqësish e hatërmbetjesh të mëdha.Friday, April 15, 2011
Arkivi: 2007 c'thane Bollano, Llazari, Prifti (7-prill 2007 bloger Himara)

Ne foto nr2: hoteli i Dh Llazarit i stolisur me flamuj.
Zgjedhjet mbaruan. Shumë tension, shumë zhurmë e megjithatë ne jemi po ata që ishim para zgjedhjeve të cilat nuk na bënë as më të lumtur as më të pasur. Por duke shikuar me nje sy kritik rrjedhën e ngjarjeve mund të themi disa gjëra. U ndeshën dy koncepte zhvillimi të Himarës: a) ai qeveritari i përfaqësuar nga Llazari i cili premtoi liberalizim të menjëhershëm të ndërtimeve mbas zgjedhjeve duke theksuar “sipas ligjit” për të maskuar masakrën e re që po planizohet në trojet e Hmarës dhe b) ai i z. Bollano i cili ka vënë si kusht ndërtimet në bazë të një plani urban afat gjatë dhe ruajtjen e traditave kulturore dhe arkiktektonike të zonës në interes të himarjotëve.
Partia në fuqi (PD) kish zgjedhur për zbatimin e projektit të saj z. Lazari me ndihmën direkte të këshilltarit të kryeministrit z. Petraq Milo. Duke ndjekur ndaj bashkisë një politikë bllokuese ndaj investimeve në infrastrukturën e Himrës së pari qeveria e kishte krijuar bazën ku do të sulmohej
pa aftësia e Bollanos: s’ka investime pra ka pa aftësi. Por balancimi i mungesës së fondeve së qeverisë shqiptare nëpërmjet donacioneve të huaja, kryesisht të qeverisë greke, e zbehte këtë armë të Llazarit cili për të sulmuar Bollanon këtu u kap pas “mungesës së zbardhjes” së fondeve.Pra një vazhdim i akuzve të shpeshta të z. Savo Prifti, (ish kryetar i këshillit bashkiak) për moszbardhje të fondeve të ardhura dhe sidomos për shkollën private “omiros” dhe ujesjëllësin në Dhërmi. Por qe një sulm i menduar nga premisa të gabuara. Po ti thuhej kryetarit Bollano, të lumtë që gjatë periudhës tënde u mundësua hapja e shkollës private ku zhvillohen edhe mësime në gjuhën greke, ndoshta Llazari do te merrte disa pikë.
Llazari zgjodhi rrugën të heshtë për këtë pikë kaq nevralgjike për Himarën, dmth arsimimn në gjuhën greke, ndryshe nga z. S. Prifti që heshti vetëm kur erdhi kontrolli i shtetit dhe konstatoi se shkolla e restauruar është pronë e kishës me vendim gjykate, dhe kisha nuk ka nevojë të marrë lejën e Savo Priftit për të restauruar pasurinë e saj. As ujësjellësi i Dhërmiut nuk ja mbushi syrin Z. Lazari, pa le ndërtimi i tendave dhe disa investimeve të tjera të vogla, sepse sipas tij “nuk ka zbardhje të fondeve”. Ndërkaq pala investitore greke u shpreh nëpermjet ish ministrit, deputetit Krisohoidhi “që puna e Bollanos ishte shumë e suksesëshme në drejtim të interesit publik”.
Pra ata që dhanë para për të investuar për Himarën, dmth pala greke, nuk kanë probleme zbardhjeje. Ose siç thuhet “i zoti e jep, tellalli se jep”. Por Bollano ka bërë një zbardhje tjetër: ai ka denoncuar në publik dhe organe shtetërore ndarjen garabitqare të tokave bujqesore edhe sipas ligjit 7501. Llazari as që arriti të dallojë këtë veprim aq kurajoz në interes të himarjotëve, pa le të angazhohej për të vazhduar punën e nisur nga Bollano për pronat. Kështu rruga e zgjedhur nga Llazari për të errësuar arritjet e Bollanos dhe mosvazhduar punën e tij rezultoi e dështuar. Por çfarë premtoi llazari? Liberalizim të ndërtimeve! Ndërsa Bollano ka insistuar të bëhen ndërtime vetëm kur prona është e vërtetuar se i takon atij që ndërton dhe kur plani urbanistik e lejon këtë gjë.
Pra Llazari pa e kuptuar ka rënë në prehërin e trusteve të ndërtimit pas të cilave fshihen klane mafioze me persona nga segmente qeveritare që si parim kanë fitimin personal, duke mos marrë parasysh interesat e himarjotëve, klane të cilët raportohen edhe nga institucione anti-mafia europiane. Llazari premtoi se do te bëjë që festivalet të zhvillohen në Palermo. Pra do te firmosë projektin e përgatitur nga qevera për t’ja dhënë firmës “Rogner” Palermon, projekt që Bollano nuk e ka firmosur. Me këtë shprehje Llazari zbuloi majën e aisbergut, masterplanit që do t’ja japë Himarën shoqërive shumëkombëshe, pamvarësisht nga pronarët legjtimë.
Llazari premtoi që do ti vëllazërojë himarjotët duke u bazuar tek ligji 7501. Ky vëllazërim ka pak gjasa të ngjajë. Përkndrazi është ky ligj që formalisht i ka dhënë përparësi në të drëjtën e pronës disa prëj pjesëtarëvë të një familjeje uke u a mohar këtë të drejtë të pjestarëve tëtjerë a krijuar shere dhe mëri. Konferenca panhimarjotee 2005 kërkoi në vendimet e saj abrogimin e ligjit 7501, Lazari refuzon të njohë këtë vendim së bashku me kshillëtarin e kabinetit kryeministror z. Petraq Milo. Nga ana tjetër partia në pushtet krijoi disa efekte spektakolare në favor të kandidatit të saj z.Llazari me shtrimin e rrugës dhe vendosjen e një transformatori në Qeparo duke synuar te krijojë psikozën se qeveria do të japë para për investime po të votojmë kandidatin e saj ndërsa duhej të jipte llogari për mbështetjen selektive të bashkive “të saja” në kundërshtim me ligjin. Por këto manovra nuk pinë ujë dhe pikërisht në Qeparo ku Lazari e kish mbështetur fitoren, megjithë manipulimet e komisionerëve, ai humbi edhe aty. Himarjotët treguan edhe njëherë se të kesh përkrahjen politike të një qeverie nuk dmth asgjë për ta. Vendosja e flamurit shqiptar në “hotelin” e ndërtuar nga Llazari, ndonse është godinë jo qeveritare, është në kuadrin e këtij konceptimi: “unë kam ndihmën e qeverisë”. Luajtja e kartës “shqiptare” të tij në fakt dha rezultate të ndryshme nga ajo që priste ai.
Ndërsa Bollano kur e pyetën, u deklarua për ruajtjen e traditave greke në Himarë, Llazari ngre flamuj shqiptarë, të cilët faktikisht nuk rrezikohen në një territor shqiptar. Përkundrazi rrezikohen interesat e himarjotëve përballë këtij kërcënimi, po të kujtojmë se djemtë himarjotë janë dënuar nga gjykata shqiptare për mbajtjen e flamujve grekë. Kështu fushata elektorale mediatike në favor të Llazarit “shqiptar”, që në fakt e flet shqipen si gjuhë të dytë, në dallim nga e folmja e pastër shqipe e Bollanos, arriti edhe një herë të bashkojë nga njera anë himarjotët rreth PBDNJ dhe Bollanos dhe gjthë të tjerët kundër himarjotëve. Por e drejta për të votuar kryebashkiakun e himarjotëve u takon vetëm atyre! Qoshin në Himarë apo emigracion. Himarjotët me 21 autobuzat që erdhën për te votuar treguan se nuk kanë ndërmend ta braktisin truallin e tyre.
Tuesday, December 07, 2010
Pergjigje e detyruar ndaj nje recitali shpifjesh( e tetorit) .Nga Fortlumturia e Tij,Kryepeshkopi i Tiranes dhe gjithe Shqiperise,Anastasi.
Një udhëtim zyrtar në Gjeorgji më detyroi, për një periudhë kohore, të ndodhem jashtë Shqipërisë. Më kishte ftuar Patriarku i gjithë Gjeorgjisë, Fortlumturia e Tij Ilia, në festimin e madh të 1000-vjetorit të ndërtimit të Kishës Katedrale historike në kryeqytetin e vjetër Mtskheta të Gjeorgjisë, që të isha folësi kryesor në Liturgjinë Hyjnore festive, ku morën pjesë përfaqësues të të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale. Gjithashtu, në Universitetin “Shën Andrea i Parëthirruri” të Tbilisit, u shpalla “Doktor Nderi” i filozofisë. Për shkak të këtij detyrimi nuk pata mundësinë të lexoja të plotë shkrimin e dytë, që z. Kristo Frashëri kishte hartuar ndaj meje (në Gazetën Shqiptare 9-10 tetor 2010). Meqë, përveç karakterizimeve të rënda (“shovinist grek”, “agjent”, “mercenar”, “i paligjshëm”, “dhelpër” etj.), dhe në përgjithësi të sulmit të tij fyes e të padrejtë, që të risjell në kujtesë fjalorin e vjetruar komunist, artikulli është plot me pasaktësi historike dhe me një dizinformim të rrezikshëm, jam i detyruar t’i përgjigjem në mënyrë më të zgjeruar dhe t’i referohem veprës sime.
AKUZA DHE FYERJE TË PABAZA
1. Më habiti tej mase titulli në faqen e parë të Gazetës Shqiptare: “Frashëri, Janullatosi, shovinisti grek...”. Dhe këtë fyerje akuzuesi im e thotë në mënyrë të përsëritur. Është hera e parë që më atribuohet një karakterizim i tillë. Deklaroj, në mënyrë kategorike: nuk jam shovinist dhe nuk kam qenë kurrë i tillë. Qysh në vitin 1962, kam përshkruar në një artikull idealin tim: “Njeriu ekumenik (i mbarëbotshëm)”. Dhe këtë u përpoqa ta jetoj gjatë gjithë rrugëtimit tim. Nëse do të lexonin në Greqi këtë karakterizim të z. Frashëri, do të qeshnin. Edhe emigrantët shqiptarë kishin për të bërë po të njëjtën gjë. Sepse ata e dinë mirë që shpesh bëhem objekt i kritikës nga qarqe të ndryshme shoviniste greke (si edhe nga ato analoge shqiptare). Gazetari i njohur shqiptar z. Gazmend Kapllani, i cili nuk është as orthodhoks, shkruan në gazetën e njohur Ta Nea, 2.5.2006: “... e konsideroj fat dhe nder të veçantë për Shqipërinë ekzistencën e këtij personaliteti në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë... Anastasi përbën një pikë tepër të vyer referimi për të gjithë ne që përpiqemi për bashkekzistencën midis grekëve dhe shqiptarëve. Përbën një pikë të rëndësishme referimi se si është e mundur që bashkekzistenca të mbizotërojë mbi dyshimin tradicional, urtësia të mposhtë propagandën nacionaliste, veprat konkrete të dashurisë të fitojnë zemrat e njerëzve”. I propozoj çdo historiani të hulumtojë librat dhe artikujt e mi, të botuar në shumë gjuhë evropiane, që të gjejë ndonjë frazë për të justifikuar fyerjen “shovinist” dhe epitetet e tjera fyese. Gjithashtu, ata që në Shqipëri kanë ndjekur fjalimet dhe shkrimet e mia, e dinë se sa e pabazë është kjo shpifje. Nëse do të kishte ekzistuar edhe dyshimi më i vogël, nuk do të më kishin nderuar me titullin “Doktor Nderi” 18 Universitete, jo vetëm të Greqisë, por edhe të Amerikës, Italisë, Rumanisë, Qipros, Gjeorgjisë, Shqipërisë; as nuk do të më kishin zgjedhur kaq shumë herë, për dhjetëvjeçarë me radhë, në pozita qendrore në organizmat ndërkombëtarë (Zëvendëspresident i Konferencës Evropiane të Kishave; Anëtar i Këshillit Evropian të Liderëve Fetarë; President i Këshillit Botëror të Kishave ku marrin pjesë rreth 350 kisha nga mbarë bota; President Nderi i Konferencës Botërore për Fenë dhe Paqen). Organizma që në mënyrë sistematike dhe të pakompromis luftojnë racizmin dhe çdo lloj shovinizmi.
2. Në sulmin e tij të parë, të papritur, z. Frashëri më kishte akuzuar se bekova “arkivolet që kishin brenda eshtra të banorëve shqiptarë, midis të cilave edhe të fëmijëve të vegjël që vdiqën para dhe pas Luftës Italo-greke”. Iu përgjigja kategorikisht se “ e ftoj të thotë kur dhe ku bëra diçka të tillë. Bëhet fjalë për një informacion të pabazë, krejtësisht të gënjeshtërt”. Prisja ose të tregojë me të dhëna konkrete se kur dhe ku ndodhi diçka e tillë, sepse nuk u bë, ose të kërkojë falje. Në vend të kësaj, përsërit pikërisht të njëjtën frazë pa asnjë element provues, me një shpërdorim fjalësh pa lidhje dhe njëkohësisht shton një akuzë të re, që në këtë rast “bëhet fjalë për një akt që i shkon për shtat vetëm një hajduti varresh”. Të tilla thënie të paturpshme, të gënjeshtërta dhe të pambështetura, nuk përbëjnë një kontribut për historinë.
3. Z. Frashëri i rikthehet temës së kishës së Përmetit, duke bërë krahasimin me ato që ndodhën në Tiranë. Në realitet, në Tiranë nuk ekzistonte asnjë gjurmë nga kisha që u shkatërrua për të ndërtuar “Tirana International Hotel”. Dhe do të ishte jo e logjikshme të kërkohej shembja e hotelit. Por në Përmet vazhdojnë të ekzistojnë muret e trashë të kishës së hershme dhe shtesat që u bënë janë relativisht më të vogla e pa ndonjë vlerë estetike. As iu ofrua Kishës ndonjë truall tjetër, sikundër u bë në Tiranë. Ishte një detyrim i qeverisë shqiptare, pas vendosjes së demokracisë, t’i kthente Kishës Orthodhokse vendet e kultit, siç ndodhi edhe në shtetet e tjera ish-komuniste, që ato të rehabilitohen në përdorimin e tyre të parë të shenjtë. Në përgjigjen time të mëparshme theksova: “Ne nuk jemi kundër Shtëpisë së Kulturës, madje u ofruam të gatshëm të kontribuojmë financiarisht për ngritjen e një ndërtese tjetër të madhe në truallin e dhënë për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës”. Me gjithë këto, z. Frashëri, përsërit në mënyrë monotone: “se hirësia e tij, kryepeshkopi A. Janullatos nuk do që Përmeti të ketë një shtëpi kulture shqiptare. Do që ta shndërrojë shtëpinë e kulturës shqiptare në një shtëpi kulture helenike, ndonëse Përmeti nuk ka fare banorë grekë etnikë”. Le të bëjë një vizitë, për t’u siguruar se të gjitha, në vendin ku ndodhet kisha (Liturgjia, Shërbesat e tjera, kopshti etj.) kryhen në gjuhën shqipe. Kisha Orthodhokse ka ekzistuar në shekuj si qendër e kulturës, (e muzikës, ikonografisë, poezisë; ajo ka qenë kryesisht burim dashurie, besimi, solidariteti e krijimtarie), duke pasuruar vlerat kulturore të Shqipërisë. Për sa i takon interesimit tonë të vërtetë për kulturën, kjo tregohet qartazi prej faktit se me përpjekje të mundimshme, grumbulluam fonde të konsiderueshme dhe restauruam 60 monumente të kulturës në Shqipëri, krijuam laboratorë të ikonografisë, restaurimit të ikonave, kore kishtare etj.
4. Në vijim, ai merr përsipër të përshkruajë historinë e Kishës Orthodhokse dhe problemin e ringritjes së saj nga viti 1991, duke i përzier ngjarjet e vërteta me hipoteza fantazuese dhe detaje të pasakta. P.sh. i referohet Tomosit të Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të dhënë nga Patriarkana Ekumenike në vitin 1937. “Kjo kushtetutë ka për historinë e KOASh-it një rëndësi kardinale, mbasi ajo përmban të gjitha prerogativat që e sanksionojnë atë si një kishë kombëtare shqiptare, ashtu siç janë kushtetutat e kishave nacionale ortodokse të vendeve të ndryshme. Një nga pikat e saj të rëndësishme ishte skalitur në nenin 16, ku thuhet se të gjithë peshkopët, në mënyrë specifike kryepeshkopi i KOASh-it, duhet të jenë me kombësi dhe shtetësi shqiptare”. Tomosi përbëhet nga një tekst i pandarë i shkruar në greqisht. Së dyti, nuk përmban asnjë njohje të Statutit të vitit 1929. Në një pikë tjetër, shkruan: “Truri i Kishës Orthodhokse greke ndërhyri shpejt, e bindi Patriarkun Ekumenik, Bartholomeun të dërgojë profesorin Anastas Janullatos si Eksark etj.”. (Artikullshkruesi nuk e njeh faktin, se në janarin e vitit 1991, kur u caktova Eksark, Vartholomeu nuk ishte Patriark. U bë më vonë, më 22.10.1991). Për sa i takon propozimit të orthodhoksëve të Amerikës, Patriarkana kishte qartësuar në atë kohë se u zgjodh si eksark hierarku konkret jo se ishte grek, por sepse ishte i vetmi nga bota Orthodhokse që kishte eksperiencë të madhe në fushën e punës hierapostullore dhe të formimit të Kishave të reja, ishte i pranuar nga mbarë bota Orthodhokse dhe më në përgjithësi nga ajo e Krishterë. Nga viti 1983 deri në vitin 1991 kam qenë President i Komisionit Botëror të Hierapostullimit dhe Ungjillëzimit të Këshillit Botëror të Kishave dhe kisha qenë kryetari i Asamblesë së Këshillit Botëror të Kishave të Krishtera në San Antonio, Teksas (1989). Me gjithë ngurrimet e para, vetë atë Artur Liolini, në tetor të vitit 2002, në një intervistë të tij dhënë “Zërit të Amerikës”, midis të tjerash tha: “Si shqiptarë ne duhet të gjykojmë çdo individ në bazë të veprave të tij dhe jo thjesht nisur nga origjina e tij etnike. Kam bindjen se Kryepiskopi Anastas do të ishte një person i jashtëzakonshëm për çdo komb dhe jo vetëm për grekët apo shqiptarët. Në shumë mënyra ai duhet parë si episkop Orthodhoks ndërkombëtar, i cili ka ofruar një mesazh universal. Në rast se Imzot Fan Noli do të ishte i gjallë sot, unë besoj se ai dhe Kryepiskopi Anastas do të ishin miq dhe kolegë”. Në një letër të tij drejtuar Atë Luka Veronis, 13.10.2002, i thekson përsëri këto fjalë: “Frazat e mësipërme shprehin opinionin tim të ndershëm dhe tërësinë e mendimeve të mia dhe nuk janë një lavdërim sa për të kaluar radhën. Vepra e Kryepiskopit flet vetë”. Gjithashtu Atë Liolini ka dërguar shumë letra dhe ka telefonuar shumë herë Kryepiskopin, duke i shprehur atij gëzimin dhe miratimin për veprën e kryer prej tij. Z. Frashëri kufizon këndin e tij optik në vitet e para të dhjetëvjeçarit të viteve 90-të, duke injoruar vazhdimësinë dhe marrëdhëniet që janë zhvilluar që nga ajo kohë me Kishën Shqiptare të Amerikës.
5. Në një pikë tjetër, ai pohon: “A. Janullatos shpejt e ngriti shtabin e tij në Korfuz”. Në Korfuz nuk kisha shkuar që nga viti 1984, deri në vitin 2007, kur u shpalla “Doktor Nderi” i Filozofisë nga Departamenti i Historisë së Universitetit Jonian. Në vazhdim më paraqet se bashkëpunova nga koha kur mbërrita në Shqipëri, me mitropolitin Sebastianos. Bëhet fjalë për një pohim krejtësisht të pavërtetë. Për ata që kanë dijeni, është e njohur se qarqet që lidhen me klerikun e mësipërm, kanë pasur gjithmonë një qëndrim mohues ndaj nesh. Por aty ku z. Frashëri arriti kulmin e agresionit shpifës të paepur kundër meje, është kur parashtron “një marrëveshje të kobshme”, sikundër e karakterizon ai vetë. Deklaroj me përgjegjësi se këtë tekst, që përbëhet nga dhjetë pika, është hera e parë që e shikoj. Kam një mosnjohje të plotë, dhe ende sot, për emrat që e nënshkruajnë; madje e konsideroj tekstin tërësisht pa lidhje dhe mashtrues. Më shumë ngjason me provokacione idioto-djallëzore- nuk e di se të kujt qarqeve nacionaliste shqiptare apo greke, të cilat u ndërmorën në fillimet e shërbesës sime si Kryepiskop, që të krijonin ngatërresa dhe të hidhnin baltë. Teksti në fjalë prezantohet si një farë programi dhe krijon përshtypjen se këto “aktivitete të programuara”, u realizuan. Por përsëri e siguroj se kam mosdije të plotë për ekzistencën e vetë programit dhe vetëkuptohet edhe të çdo lloj zbatimi të tij. Z. Frashëri vazhdon: “Pasi pranoi propozimin grek, kryepeshkopi Bartolomeu i parashtroi Presidentit të Shqipërisë, Ramiz Alia, kërkesën për ta pranuar Anastas Janullatosin si eksark dhe në të njëjtën kohë kërkesën për të pranuar në krye të katër dioqezave shqiptare (Durrësit, Korçës, Beratit, Gjirokastrës) katër peshkopë grekë...” Përsëri i ngatërron ngjarjet. Patriarku Vartholome nuk ka komunikuar me Presidentin Ramiz Alia. Kur u bë zgjedhja e Kryepiskopit dhe e tre mitropolitëve të tjerë, më 24.6.1992, z. Ramiz. Alia nuk ishte më president.
ZGJEDHJA DHE FRONËZIMI
6. Por, për të pasur një përshkrim të saktë të ngjarjeve të vitit 1992, dhe që të mos lihen gjërat të mjegullta në të ardhmen, është e nevojshme t’iu referohem këtyre ngjarjeve në mënyrë përmbledhëse, sepse z. Frashëri ndërmori t’i paraqesë, duke i ngatërruar enkas me kaq shumë shpifje dhe pasaktësi. Kur për 23 vite me radhë, ishte shpërbërë çdo strukturë fetare në vend, i vetmi autoritet që kishte përgjegjësinë dhe mundësinë për të marrë iniciativa për ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, ishte Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës. Kjo njihet nga të gjitha Kishat Orthodhokse si e para për nga radha dhe përgjegjëse për Kishat nevojtare. Për ndërmarrjen e veprimeve të duhura, sigurisht që mori edhe mendimin e përgjegjshëm të nomokanonologëve dhe theologëve me eksperiencë. Në fund të vitit 1990, ndërsa kisha qenë për 18 vjet profesor i Historisë së Feve, në Universitetin Kombëtar Kapodistrian të Athinës dhe Episkop, Drejtor i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, m’u kërkua nga Patriarkana Ekumenike të shkoj në Shqipëri, e cila sapo kishte dalë nga periudha e gjatë e persekutimit ateist, për të shqyrtuar kushtet e reja fetare dhe mundësitë për ringritjen e Kishës Orthodhokse. Një detyrë të tillë nuk e kisha menduar kurrë. Perspektiva ime ishte hierapostullimi në Afrikë, ku edhe ndodhesha në atë kohë.
Sikundër e përmenda, vetëm një vit më parë, më 1989, në San Antonio të Teksasit, në SHBA, në Ansamblenë Hierapostolike Botërore të Këshillit Botëror të Kishave, kryetar i së cilës isha, në fjalimin tim: “U bëftë vullneti Yt - Hierapostullim në gjurmët e Krishtit”, përshkrova vendet ku të krishterët përballeshin me shumë vështirësi e midis të tjerave theksova “gabimin e madh dhe mëkatin e ne të krishterëve: “... që tregohemi indiferentë për padrejtësitë në Evropë, si p.sh. në Shqipëri, ku shtypen 400.000 të krishterë (atëherë nuk i dija numrat e saktë), të cilëve Kushtetuta e vendit u ndalon çdo shprehje të besimit, madje edhe të drejtën themeltare për të besuar”. Mbërrita në Tiranë sapo u dha miratimi i autoriteteve shqiptare, më 17.7.1991. Gjatë vizitës sime në Shqipëri, konstatova shkretimin e frikshëm që kishte shkaktuar persekutimi i egër. Veprimi im i parë ishte krijimi i një strukture elementare kishtare për përfaqësimin e Kishës lokale. Prandaj edhe thirrëm (1-2.8.1991), një Ansamble të Përgjithshme Kleriko-Laike, me pjesëmarrjen e 15 klerikëve të mbetur dhe 30 përfaqësuesve laikë të krahinave kishtare të Shqipërisë. Në Ansamble u shqyrtua në mënyrë të hollësishme gjendja postkomuniste dhe u zgjodhën katër epitropë arkihieratikë dhe një Këshill i Përgjithshëm kleriko-laik me 13 anëtarë.
Përpjekja jonë kryesore ishte kërkimi i personave të përshtatshëm me shtetësi shqiptare për t’i dorëzuar si episkopë; e kryesisht gjetja e kandidaturës së kryepiskopit, qoftë edhe nga rreshtat e laikëve të arsimuar, të cilët ishin të pamartuar. Fatkeqësisht, diçka e tillë ishte e pamundur. Të gjithë dhe gjithçka koincidonin në një mendim, se ringritja e Kishës lokale ishte e paarritshme e bazuar ekskluzivisht në mundësitë e brendshme. Në maj të vitit 1992, po bëhesha gati për t’u kthyer përsëri në detyrimet e mia të Universitetit. Isha propozuar edhe si anëtar i Akdemisë së Athinës. Atëherë, shumë klerikë dhe laikë të Kishës së Shqipërisë, pavarësisht origjinës, m’u lutën të qëndroja dhe të ndërmarr veprën e ringritjes së Kishës së shkatërruar. Një përfaqësi e Këshillit të Përgjithshëm Kishtar vizitoi Patriarkanën Ekumenike (5-8.6.1992), për herë të parë pas persekutimit dhe kërkoi zgjedhjen e Eksarkut Patriarkal si Primat i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Nuk bëhej fjalë për ofrimin e ndonjë froni; Kryepiskopata nuk dispononte as edhe një dhomë të vetme, as një fije letër dhe as lekë. Ishte caktimi i një apostullimi kryqi, në një rajon të vështirë dhe të shkretuar. Më 24.6.1992, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike e zgjodhi me votim unanim eksarkun e deriatëhershëm Kryepiskop të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, si dhe zgjodhi tre Mitropolitë të tjerë, për krijimin e Sinodit lokal. Ky veprim bazohej në faktin se Patriarkana Ekumenike ka përgjegjësinë për Kishat në nevojë dhe se ishte ajo që i kishte dhënë Autoqefalinë Kishës së Shqipërisë. Si rrjedhojë, ajo vetëm mund të ndërmerrte iniciativën për krijimin, në një kohë sa më të shkurtër të Kishës lokale. Mbi 23 vite ishte shfuqizuar çdo strukturë e Kishës lokale dhe për disa teologë orthodhoksë, përderisa nuk ekzistonte Kisha lokale, nuk ekzistonte as autoqefalia.
Me zgjedhjen e Kryepiskopit, Patriarkana Ekumenike nuk u interesua të heqë Autoqefalinë, por ndodhi pikërisht e kundërta, e siguroi atë. Për të mos lënë asnjë lloj ngurrimi, Patriarkana vendosi të përshpejtojë procedurat. Dhe për të rivendosur strukturën kishtare në mënyrë thelbësore, zgjodhi pra kryepiskopin, sepse Kisha Orthodhokse nuk mund të kuptohet pa episkop. Në lidhje me Patriarkanën Ekumenike z. Frashëri herë shprehet pozitivisht, herë në mënyrë mohuese. Por e njeh autoritetin, eksperiencën nomokanonike dhe veprimet e Patriarkanës Ekumenike të vitit 1937. Ndërsa ato që i takojnë vitit 1992, në mënyrë arbitrare, i vë në pikëpyetje. Në mënyrë të përsëritur i referohet Tomosit të Autoqefalisë, që u dha nga Patriarkana Ekumenike në vitin 1937. Por duket qartë se nuk e ka lexuar. Ai mbështet tezën se “në përputhje me të Drejtën Kanoniko-Kishtare, është në fuqi Statuti i vitit 1929, që u miratua nga Patriarkana Ekumenike në Tomosin e vitit 1937”. Dhe mendon se, “kur u zgjodh kryepeshkopi, nuk ekzistonte një Sinod i Shenjtë i Kishës së Shqipërisë që ka të drejtën të zgjedhë Kryepeshkopin e Shqipërisë”. Por pikërisht për këtë arsye ishte e domosdoshme të zgjidhej, pa vonesë, Kryepiskopi nga Sinodi i Patriarkanës Ekumenike, që i kishte dhënë Kishës së Shqipërisë Autoqefalinë. Pas qëndrimit në pritje që zgjati një javë, Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë z. Sali Berisha më bëri të ditur (30.6.1992), se më pranon si kryepiskop, por në asnjë mënyrë nuk do të pranonte ardhjen e hierarkëve të tjerë me origjinë greke. Të njëjtën gjë i përsëriti delegacionit të Patriarkanës të përbërë nga tre vetë, që e vizitoi më 4 korrik 1992.
Pas kësaj u bë fronëzimi në Kishën Katedrale të Tiranës më 2 gusht 1992, në prani të të gjithë klerikëve e laikëve, përfaqësues të krahinave të Shqipërisë. Liturgjia Hyjnore përfundoi rregullisht. Po kështu edhe ceremonia e thjeshtë e fronëzimit. Nga fundi, një grup, nën drejtimin e deputetit mysliman z. Uran Butka, u futën në kishë dhe hodhën gjithashtu parulla kundër Kryepiskopit. (Jashtë kishës ndodheshin edhe dy deputetë të tjerë jo orthodhoksë A. Baleta dhe B. Reso në mbështetje të tyre.) Siç del edhe nga artikulli i z. Xoxe që u ribotua në gazetën tuaj, 28.09.2010, si edhe nga intervista e z. Bardhyl Fico, ish- Sekretar i Komitetit Shtetëror të Kulteve, botuar po këtu, ky veprim çdo gjë tjetër ishte veçse spontan jo. Ishte planifikuar një natë më parë nga qarqe politike. Më pas, në “Tirana International Hotel” nuk u bë asnjë shërbesë ose akt kishtar. Thjesht u dha një drekë zyrtare e rastit. Z. Frashëri këmbëngul në përshkrimin e ngjarjeve të 2 gushtit 1992, se fronëzimi u bë në lobin e hotel Tirana. Janë botuar dëshmi të shumta nga dëshmitarë okularë që mbështesin përshkrimin tim (si ajo e prof. Teodor Papapavlit, e A. Llukanit (Tirana Observer, 19.10.2010), e P. Barkës (Albania, 13.10.210 dhe në gazetën Shekulli, 14.10.2010) dhe janë dërguar dëshmi të tjera të shumta nga Berati, Tirana, Durrësi, Përmeti etj., të nënshkruara nga qindra vetë, që nuk janë botuar ende. Z. Frashëri pohon se “Sipas kanoneve kishtare, një prift apo një peshkop, apo një kryepeshkop i Kishës Ortodokse quhet i fronëzuar kur në solemnitetin e Asamblesë Kishtare të gjithë besnikët që ndodhen në atë çast në kishë i përgjigjen pyetjes nëse kandidati i propozuar miratohet, në termin tradicional bizantin “aksios” (pëlqehet). Nëse një pjesë e besnikëve të pranishëm në kishë përgjigjet “anaksios” (jo i pëlqyer, pra i pamerituar, i padenjë), ai quhet i pamiratuar... në rastin tonë është Anastas Janullatos”. Dhe këtë e thotë në mënyrë të përsëritur me fraza të ndryshme. Bëhet fjalë për një dizinformim shumë të madh. E ftoj z. Frashëri të thotë se cili kanon kishtar e përmban pohimin e tij. Nuk ekziston asnjë kanon i tillë; asnjë urdhëresë që ka lidhje me këtë.
Meqë z. Frashëri i rikthehet shpesh kësaj teorie mbi “pavlefshmërinë e zgjedhjes”, jam i detyruar të jem më analitik në shtjellimin e saj: Si fillim, ai ngatërron procedurën e Zgjedhjes me atë të Fronëzimit. Zgjedhja, që u bë nga Patriarkana Ekumenike më 24 qershor 1992, ishte një fakt i kryer sipas së Drejtës Kishtare. U bë e njohur me Letra Patriarkale zyrtare drejtuar të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale, që të përfshinin përsëri në Diptikët e tyre, pas 40 vjet mungese, emrin e Kishës së Shqipërisë, si edhe emrin e Primatit të saj. Pohimi i z. Frashëri se fronëzimi (lë të kuptohet edhe zgjedhja), i Kryepiskopit, u bë i pavlerë automatikisht meqë një grup i vogël thirrën “i padenjë”, është nga ana e të Drejtës Kanonike, krejtësisht i pabazë. Asnjë Kanon i Kishës Orthodhokse nuk e mbështet një teori të tillë (i interesuari mund të sigurohet për këtë duke shfletuar librat që kanë lidhje, si p.sh. A. Alivizato, Kanonet e Shenjta, J. A. Rali-M. Potli, Kushtetuta e kanoneve të shenjta dhe hyjnore, një vepër gjashtëvëllimëshe, Uratorja e Madhe etj.) Shën Simeoni i Selanikut (1429), që i referohet temës së dorëzimit të episkopit dhe të fronëzimit, qartëson se “Aksios” është përshëndetja që i bëhet klerikut të sapodorëzuar ose të sapofronëzuar “... i dorëzuari thirret i denjë meqë është denjësuar nga Perëndia... dhe duhet të jetojë i denjë sipas veprës dhe e pranon fjalën “aksios- i denjë” si një urim” (Mbi Kishën Hyjnore). Fronëzimi bëhet brenda kohëzgjatjes së Liturgjisë Hyjnore (pas “Himnit Trishenjtor”), të Liturgjisë së parë festive të Kryepiskopit të ri. Gjithashtu, element bazë i ceremonisë (nuk bëhet fjalë për mister), është leximi në të i praktikës së Sinodit që e ka zgjedhur, gjë që u krye në mënyrë të rregullt. Grupi që organizoi atëherë atë ndërmarrje të zhurmshme, vinte nga edukimi ateist i shumë dhjetëvjeçarëve para viteve 90-të dhe nuk ishte në gjendje të njohë mjaftueshëm të Drejtën Kanonike Orthodhokse dhe, duke pranuar mendimin e papërgjegjshëm të një personi gjysmë të arsimuar, mendoi se zbuloi një argument të madh për të goditur kryepiskopin e ri. Por këta zëra të tyre, madje edhe të shumicës jo ortho

dhokse, nuk sollën asnjë pasojë kanonike, as përbëjnë një akt pavlefshmërie. Fronëzimi ishte
kryer gjatë kohës së Liturgjisë Hyjnore, e cila tashmë kishte përfunduar. Sulmi i tyre i vonuar shërbeu vetëm për shfrytëzim mediatik dhe për krijimin e përshtypjeve në publikun që ka mosnjohje për çështjet e Orthodhoksisë. Prandaj edhe u braktis shumë shpejt.
Aty ku z. Frashëri kalon çdo kufi logjike dhe mirësjelljeje është kur pohon, se “pika më e dobët e fronëzimit të tij si kryepeshkop i Shqipërisë është fakti se deri sot pas 18 vjetësh, ai nuk ka botuar asnjë procesverbal të hartuar në kohën e fronëzimit dhe të nënshkruar nga peshkopët që u ndodhën në kohën e fronëzimit, që të deklarojnë me përgjegjësi se në ceremoninë solemne të 2 gushtit 1992, të mbajtur në katedralen e Tiranës, ai, Hirësia e tij Anastas Janullatos, u zgjodh njëzëri në përshtatje me kanonet tradicionale kishtare Kryepeshkop i KOASH-it. Pa një procesverbal të tillë, të gjitha deklaratat që ai ka bërë poshtë e përpjetë janë pa vlerë, madje mund ta themi me plot gojën, janë mashtrime”.
Dhe përsëri z. Frashëri tregon se nuk ka asnjë njohje të traditës orthodhokse. Ngatërron Zgjedhjen me Fronëzimin. Zgjedhja ishte kryer tashmë në Patriarkanën Ekumenike dhe Fronëzimi ishte një rrjedhojë e saj, një ceremoni që nuk ka nevojë as për firmat e atyre që qenë të pranishëm dhe as për miratime të tjera. E tërë procedura e vendosjes dhe e pranimit të një primati Orthodhoks vuloset me regjistrimin e tij në të gjithë diptikët e Kishave Orthodhokse dhe kujtimin (thirrjen) e emrit të tij nga të gjithë primatët e tjerë sa herë që këta meshojnë. Kjo ka 18 vjet që kryhet në mbarë Botën Orthodhokse, sa herë meshojnë Patriarkët dhe Kryepiskopët primatë të Kishës Orthodhokse.
Theksoj faktin se Kisha Orthodhokse përbën një trup shpirtëror unik. Veprimet e çdo Kishe lokale ndiqen dhe kontrollohen nga mbarë bota Orthodhokse. Në mënyrë të veçantë vendosja e Primatit të ri të Kishës lokale vuloset nga ana nomokanonike me Letrat Paqësore, të cilat Primati i ri ua dërgon Primatëve të Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale dhe merr njëkohësisht edhe përgjigjet e tyre zyrtare. Në këtë mënyrë përfundon vendosja e tij në majën e një Kishe lokale dhe njohja e tij nga Kishat e tjera Orthodhokse. Z. Frashëri dhe grupi që e ndihmon, pas 18 vjetësh përpiqet të sjellë përsëri në skenë teorinë mbi pavlefshmërinë, për të shkaktuar një zhurmë e cila nuk ka kurrfarë rëndësie thelbësore. Për të qenë në një stil me z. Frashëri, qoftë edhe për pak, dua të shtoj si profesor emeritus dhe ish- dekan i Fakultetit Theologjik të Universitetit Kapodistrian të Athinës, se meqë ai vetë nuk ka bërë studime sistematike theologjike, mirë është të mos dalë me kaq këmbëngulje në përfundime për çështje që i njeh në mënyrë sipërfaqësore, sepse ekspozohet botërisht.
Me gjithë pranimin fillestar të Presidentit të atëhershëm të Republikës, autoritetet shqiptare, me një sërë veprimesh, botime nëpër gazeta, krijimin e një grupimi kundërshtar orthodhoksësh dhe jo orthodhoksë, madje edhe me përgatitjen e projektligjeve, synuan dëbimin e Kryepiskopit të ri. Zëri i Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës së Shqipërisë, që e kujtoi z. Frashëri, me gjithë retorikën e tij plot llafazanëri ra në boshllëk. Shumica dërrmuese e orthodhoksëve e injoroi. Përfaqësuesit orthodhoksë, në një mbledhje të jashtëzakonshme kleriko-laike në Durrës, më 21.1.1993, shpallën se nuk bëhet fjalë që të pranojnë largimin e Kryepiskopit. Në vjeshtë të vitit 1994, me projektkushtetutën, u ndërmor përsëri largimi i Kryepiskopit. Por përfundimisht, kjo e fundit u hodh poshtë në referendumin e datës 6.11.1994. Shumica dërrmuese e orthodhoksëve ishte përcaktuese në rezultatin e këtij votimi, pavarësisht origjinës etnike (shqiptarë, grekë, arumunë, sllavë), dhe u bashkua rreth Kryepiskopit me një përkushtim shpirtëror. Orthodhoksët e Korçës nisën të parët të mbledhin firma për qëndrimin e Kryepiskopit dhe shembullin e tyre e ndoqën Orthodhoksët e qyteteve të tjera. Numri i firmave arriti në 80.000, pavarësisht nga bindjet dhe kahu politik. I ngjashëm ishte edhe qëndrimi i tyre sa i takon edhe projektkushtetutës.
Nga viti 1994, zhurma e vënies në dyshim u shter, madje edhe z. Frashëri na vizitoi shumë herë në godinën e Kryepiskopatës në raste festash, pa më shprehur asnjëherë ngurrimet e tij të vjetra. Shkakton ilaritet fraza e tij: “Në fakt, A. Janullatosi është kryepeshkop i pleqve dhe i plakave”- kur njihet mirë mosha e tij. Nëse mundet, le të vijë në një Liturgji të thjeshtë Hyjnore të së Dielës (gjë që nuk e ka bërë për kaq shumë vite), për të parë se kisha është plot e përplot me të gjitha moshat, veçanërisht me të rinj. Vijoi vepra krijuese e zhvillimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që iu referova përmbledhtazi në fund të përgjigjes sime të mëparshme, rëndësia e së cilës njihet si nga Orthodhoksët e Shqipërisë, ashtu edhe më gjerë, nga bota Orthodhokse dhe në përgjithësi ajo e krishterë.
Në korrik të vitit 1996, pa një marrëveshje të re me politikën shqiptare ose me palën kishtare, u thirra si Kryepiskop të shkoj në Konstandinopojë për të kryer dorëzimet e mitropolitëve që ishin zgjedhur në vitin 1992. Nuk pranova ta bëj një gjë të tillë, duke i qëndruar besnik atyre për të cilat kishim rënë dakord me Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Pasuan ditë të dhimbshme, sepse isha i detyruar, në një klimë të mosbesimit të dyfishtë, të jap shpjegime, në mënyrë të përsëritur, ndaj të dy palëve, se nuk është e mundur të arrihet në zgjidhjen e duhur të problemit me veprime të njëanshme, por vetëm me procedura konsensuale, që si qëllim ekskluziv të tyrin duhet të kishin progresin e pandalshëm të Kishës së Shqipërisë. Qarqe të ndryshme nacionaliste të Greqisë filluan polemikën e ashpër kundër meje. Si përfundim, çështja e formimit të Sinodit të Shenjtë u zgjidh pas shumë negocimesh të mundimshme të përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike, të Kishës së Shqipërisë dhe të autoriteteve shqiptare (nëntor 1997-korrik 1998), me pranimin e përbashkët të formatit që të pranohej mitropoliti i zgjedhur me origjinë arvanitase, Hirësia e Tij Ignati dhe të zgjidheshin dy shqiptarë: Arkimandriti Joan Pelushi si Mitropolit i Korçës dhe Ikonomi Kozma Qirjo si Episkop i Apollonisë. Kjo është shkurtimisht historia e fillimit të ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. STATUTI
7. Z. Frashëri përpiqet të tregojë se Kryepiskopi është “i paligjshëm” dhe nxjerr përfundimin se cili është, sipas tij, Statuti në fuqi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Që lexuesit e interesuar të qartësohen, po përmend përmbledhtazi faktet që kanë lidhje me këtë pikë. Kisha e Shqipërisë njohu në të kaluarën dy statute: më i vjetri i vitit 1929 dhe më i riu i vitit 1950. I fundit u bë ligji i shtetit, duke shfuqizuar ligjërisht të mëparshmin me dekretin nr. 1065, të 4 majit të vitit 1950. Por edhe ky dekret pushoi së pasuri fuqi ligjërisht me dekretin nr. 4337, të 11 nëntorit 1967. Sikundër e kishte theksuar në vitin 1992 juristi Teodor Papapavli, profesor i Jurisprudencës: “... me dekretin e fundit janë shfuqizuar të gjitha statutet e komuniteteve fetare. Shteti i sotëm demokratik shqiptar në vitin 1992 nuk ka akoma kushtetutë. Dispozitat Kryesore Kushtetuese, të miratuara nga parlamenti pluralist nuk e trajtojnë këtë çështje. Në boshllëkun legjislativ ekzistues, për mendimin tonë, vlejnë kanonet e sinodeve ekumenike dhe aktet ndërkombëtare që garantojnë lirinë e besimeve fetare” (“Rilindja Demokratike”, 16. 9. 1992).
Disavantazhi kryesor i këtyre dy statuteve ishte se u krijuan dhe u imponuan nga regjime politike që s’kishin lidhje me Kishën Orthodhokse dhe në shumë gjëra armiqësore ndaj saj. Sepse institucionalizonin varësi të Kishës nga pushteti shtetëror. Statuti i parë, i vitit 1929, u bë kur Shqipëria ishte monarki. Dhe i dyti, i vitit 1950, kur në vend ishte vendosur regjimi ateist dhe partia në fuqi donte të kontrollonte tërësisht Kishën. Të dy anashkalonin parime themeltare kishtare. Kisha Orthodhokse nuk u themelua në shekullin e 20-të dhe ka kanone që në mënyrë diakronike janë përcaktues dhe të detyrueshëm për të gjitha Kishat Orthodhokse në mbarë botën. Statutet e tyre thjesht mbi bazë të këtyre kanoneve, përcaktonin marrëdhëniet me udhëheqjet e ndryshme politike që erdhën në Shqipëri. Të dy këto statute që u institucionalizuan me ligje, u shfuqizuan përsëri me ligj kur u shfuqizuan sistemet e vjetra politike.
Shteti shqiptar nuk u shpërbë në vitin 1990 nga një revolucion. Si rrjedhojë pati vazhdimësi ligjore dhe legjislative. Në bazë të Kushtetutës në fuqi të vitit 1998 të Republikës së Shqipërisë shumë nga dispozitat e statuteve të mësipërm, si dhe kushtet që ato caktojnë, bien në kundërshtim dhe janë krejtësisht antikushtetuese. Për t’u përballur me boshllëkun që u krijua nga koha që pasoi shkatërrimin e Kishës së Shqipërisë, një Ansamble e Përgjithshme e veçantë kishtare (me përfaqësues të krahinave të ndryshme të Shqipërisë), që u mblodh në Durrës më 21 janar 1993, vendosi, për periudhën e tranzicionit pas vendosjes së demokracisë, pranimin e përkohshëm të atyre neneve të Statutit të vitit 1950 që nuk binin ndesh me kushtet bashkëkohore, ndërsa, në të njëjtën kohë pranoi zgjedhjen e Kryepiskopit njëzëri dhe i shfaqi atij besimin e saj. Gjithashtu u vendos që të pritej Kushtetuta e re e Shqipërisë, që, mbi bazë të parimeve që ajo do të caktonte, të krijohej Statuti i ri. Esencialisht, jeta dhe administrimi i Kishës do të vijonin të rregulloheshin nga kanonet apostolike dhe sinodike të Kishës Orthodhokse, të cilat kanë fuqi për të gjitha Kishat autoqefale lokale.
Kushtetuta e re e Republikës së Shqipërisë, që u votua në vitin 1998, përcaktoi karakterin laik të shtetit dhe me dy nenet e saj, (neni 10 dhe 24) sanksionoi plotësisht lirinë fetare dhe pavarësinë e komuniteteve fetare. Me ratifikimin e Kushtetutës së re, filloi puna për hartimin e Projektstatutit të Kishës sonë. Gjithashtu u kërkua edhe mendimi i specialistëve në çështjet nomokanonike të Orthodhoksisë. Më 4 nëntor 2006, u thirr në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” pranë Manastirit të Shenjtë të Shën Vlashit në Durrës, një Ansamble e veçantë Kleriko-laike, në të cilën merrnin pjesë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, Këshilli Kishtar Kleriko-laik, të gjithë klerikët, si edhe përfaqësuesit laikë të Kryepiskopatës, të Mitropolive me një përfaqësim të drejtë të burrave, grave dhe të rinjve. Kjo Asamble Kleriko-laike e përbërë nga 257 anëtarë në tërësinë e saj, studioi dhe pranoi njëzëri Projektin e Statutit të ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Dhe ky Statut u miratua përfundimisht nga Sinodi i Shenjtë, më 6 nëntor 2006.
Ky Statut, i bazuar në Traditën Orthodhokse, përcakton struktura të qarta dhe elastike administrative, me përparësi “kungimin në Krishtin” dhe me perspektivë “dëshminë dhe shërbimin e Kishës në botën moderne”. Sipas Nenit 10 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, u nënshkrua më 24 tetor 2008, Marrëveshja e parashikuar nga Kushtetuta midis Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, e cila në vazhdim u ratifikua në Kuvendin Popullor të Shqipërisë.
Në fund, më 22 janar 2009, kjo Marrëveshje u dekretua nga Presidenti i Republikës z. Bamir Topi dhe u bë ligj i shtetit (Nr. 10057/22.1.2010- Fletorja Zyrtare nr. 7 dt. 4. 2. 2009 fq. 138-146). Në vijim të kësaj, pas depozitimit të dokumentacionit të parashikuar, Gjykata e Tiranës e njohu edhe ligjërisht si person juridik Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë sipas regjimit juridik të Shqipërisë, e cila administrohet dhe rregullohet sipas Statutit të lartpërmendur. Historia është një lumë që rrjedh. Kisha përshtatet me kushtet e reja. Dhe sa kanë nostalgji vitin 1929, vetëm mbeten dhe jetojnë në botën e tyre ikonike.
DEKLARATA
8. Në epilogun e tij z. Frashëri i rikthehet deklaratës sime që kisha bërë në lidhje me vrasjen e Aristotel Gumës dhe e kombinon me ndërhyrje të tjera. Ngjarjet në fjalë kanë ndodhur si më poshtë: Më 12 gusht 2010, ndërsa ndodhesha në Gjirokastër, u vura në dijeni nga dëshmitarë me një autoritet të padiskutueshëm se një djalë i ri, anëtar i Kishës sonë, ishte masakruar egërsisht meqë fliste greqisht dhe se kjo kishte ngjallur revoltën dhe zemërimin e bashkëqytetarëve të tij, me pasojë bllokimin për shumë orë të rrugës kryesore në zonën e Himarës. E konsiderova si detyrim timin të kontribuoj me një deklaratë që të paqtohej situata. Po e risjell edhe një herë deklaratën time: “Me hidhërim të veçantë marr pjesë në dhimbjen e thellë që ka shkaktuar vrasja e Aristotel Gumës, në Himarë. Ngushëlloj me gjithë shpirt familjen e tij dhe lutem që Perëndia të prehë në paqe shpirtin e tij: Veprime të tilla dhune të paargumentuar, të dënueshme pa asnjë ekuivok nga çdo person me arsye, përbëjnë kërcënim për cenimin e klimës së bashkekzistencës paqësore, për të cilën të gjithë qytetarët e përgjegjshëm të Shqipërisë kanë bërë vazhdimisht përpjekje. Dhe për më tepër janë rrezik për të ndezur përplasje dhe urrejtje të reja. Në këtë moment kritik prej çdokujt kërkohet përgjegjshmëri dhe gjakftohtësi, shmangie të akteve të vetëgjyqësisë, investigim për të vërtetën dhe imponim të drejtësisë. Për më tepër është e domosdoshme që të intensifikohen përpjekjet që të sigurohen liritë e çdo qytetari dhe në përgjithësi të të drejtave të njeriut”.
Sikundër e kam theksuar edhe në përgjigjen time të mëparshme, ndërhyrje të ngjashme për të vërtetën dhe paqen kam bërë jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri, në ditët kritike p.sh. thirrja e bërë më 6 mars 1997: “Në këto orë të vështira që kalon vendi, dy fjalë të thjeshta- në lutje- kam për të thënë si Kryepiskop Orthodhoks drejtuar në çdo kahje: Jo më gjak tjetër! Jo më konflikt! Jo armëve! Jo urrejtje në zemër. Vetëm me vetëkontroll, pendim, të vërtetë, falje dhe pajtim mund të sigurohet pajtimi esencial dhe të çelet rruga për një të ardhme më të mirë”.
Deklarata e bërë për qetësimin e situatës, më 12 gusht e jo “më 13 shtator” siç e shpreh ai vetë gabimisht, dhe vendosjen e paqes, arriti aty sa e ktheu z. Frashëri- siç e pohon edhe ai vetë- në një kundërshtar të fortë të Kryepiskopit. Sa u takon deklaratave që u bënë më pas nga palë të ndryshme, nuk kisha asnjë komunikim me askënd. Ai përmend dy persona të komunitetit grek dhe ministrin plotësues të Greqisë (të cilit madje nuk ia di as emrin, shkruan Delavekura, ndërsa ishte z. Dh. Drutsas), por lë mënjanë- në teorinë e tij “mbi konspiracionin” në të cilin gjoja mora pjesë - që të shënojë se në atë merrte pjesë edhe ... Kryeministri i vendit z. Sali Berisha me deklaratën e mëposhtme në dt. 14/08/2010: “Vrasja e një njeriu në çdo rast, por me qellim është një krim i shëmtuar dhe i dënueshëm. Motivet, në rast se faktohen ato që thuhen janë edhe më të shëmtuara. Qeveria ka kërkuar dhe kërkon nga organet e rendit që të bëjnë çdo përpjekje për të vendosur autorin kryesor të këtij krimi para drejtësisë.
E theksoj edhe një herë, në rast se faktohen motivet që njoftojnë mediat, por edhe njerëz të tjerë, kjo e bën këtë krim edhe më mizor. Është një gjest i një fanatizmi të verbër ekstrem. Nuk besoj të këtë shqiptarë, që nuk e dinë se komuniteti në atë qytet është bilingual dhe jo sot, edhe 100 vjet më parë, por edhe 200 vjet më parë. Të përgjigjesh në gjuhën që preferon, të përgjigjesh dhe të ndodhë kjo, është shumë e rëndë. Sidoqoftë, këto do t’i hetojë dhe saktësojë drejtësia.
Organet e rendit duhet që autorin ta vendosin para ligjit. Unë shfrytëzoj edhe këtë rast, pasi jam lidhur edhe me Kryetarin e Bashkisë dhe i kam përcjellë familjes ngushëllimet, t’i shprehë sërish familjes ngushëllimet, sepse është një akt i shëmtuar të vrasësh dikë duke u kthyer në shtëpinë e vet. Është një akt barbar”.
Z. Frashëri mbërrin në kulmin e aktakuzës duke dhënë përsëri urdhër të braktis vendin.
Por ai nuk ka ndonjë rol institucional në Kishën Orthodhokse dhe as në qeverinë e Shqipërisë.
Shumica dërrmuese e Orthodhoksëve, gjithë këto vite ndjek pa kurrfarë paragjykimi veprën e madhe të kryer nga Kryepiskopi dhe e mbështet me besimin dhe dashurinë e tyre. Të gjitha Kishat Orthodhokse e njohin veprën e tij të jashtëzakonshme dhe e mbështesin, e njëjta gjë ndodh me organizmat e mëdhenj ndërkristianë dhe ndërfetarë, të cilët i përmenda në fillim.
Kontributi im në shkencë, në kishë, në përafrimin ndërkristian dhe në dialogun ndërfetar njihet botërisht. Këtë, midis të tjerave, e dëshmojnë edhe 24 çmime e dekorata, që janë dhënë nga Kisha Orthodhokse dhe vende të ndryshme. Në këtë vit edhe me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Republikës së Shqipërisë. Fjalët e ashpra fyese që përsërit, “shovinist grek”, “agjent i shovinizmit grek në Shqipëri “ etj., janë produkte të një pasioni dhe fantazie të sëmurë, e cila i përket një epoke të kaluar. Është gjerësisht e njohur se bëj pjesë ndër ata grekë të cilët e duan, sigurisht, atdheun e tyre, por njëkohësisht respektojnë dhe duan atdhetë e njerëzve të tjerë dhe duan të kontribuojnë me sinqeritet në solidaritetin, miqësinë dhe bashkëpunimin e popujve.
Z. Frashëri dhe ata që janë rrotull tij përpiqen të ndërtojnë “bunkerë” të rinj në fantazinë e atyre që nuk kanë njohje dhe të kultivojnë përsëri dyshime, frikëra e urrejtje. Nuk kam menduar kurrë ndonjë veprim antishqiptar. E aq më shumë, ta kem realizuar në praktikë. Me përkushtim në Perëndinë dhe në sigurinë se besimi, shpresa dhe dashuria, janë gjërat më të vyera për çdo popull, luftoj prej 19 vitesh, me respekt ndaj çdo njeriu, pavarësisht bindjeve të tij fetare, politike apo të llojeve të tjera; marr pjesë në sprovat e privimeve, shpresave të popullit shqiptar, duke bërë përpjekje për paqen, bashkekzistencën paqësore dhe progresin. Me hirin e Perëndisë dhe ndihmën e bashkëpunëtorëve të zgjedhur, realizuam përveç ndërtimit të 150 kishave, vepra të jashtëzakonshme në fushën e arsimit (dhamë bursa për qindra fëmijë e të rinj), të shëndetit, përkujdesjes sociale, zhvillimit bujqësor, duke ofruar ndihmë në qindra-mijëra njerëz. Kryem vepra infrastrukture, që pasardhësi im të gjejë një Kishë Orthodhokse të formuar. Sigurisht, ata që janë të verbuar nga paragjykimet dhe pasioni i palogjikshëm nuk i shikojnë të gjitha këto. Dhe kur i përshkruajmë ato, si në përgjigjen time të mëparshme, i anashkalojnë.
Por veprat mbeten dhe flasin e do të flasin vetë, në çdo kohë. Dhe do të dëshmojnë, se kush përfundimisht punoi në të vërtetë, në periudhën kritike paskomuniste të vendit, për progresin e popullit shqiptar. Qarqe të caktuara në Shqipëri, por edhe në Greqi, preferojnë të merren me dyshime dhe fantazma të së kaluarës. Personalisht, besoj në nevojën e mirëkuptimit dhe të pajtimit të popujve, në bashkëpunimin e sinqertë dhe në solidaritetin, në rrugën e përbashkët drejt së ardhmes në Bashkimin Evropian. Dhe në këtë qëllim synojnë të gjitha përpjekjet e mia.
KRISTO FRASHËRIN E "KANË GËNJYER"
| Teologët Andrea Llukani dhe Teodor Papapavli replikojnë me profesorin Kristo Frashëri për debatin me kryepeshkopin |
| Last Updated ( Tuesday, 19 October 2010 14:19 |
Monday, December 28, 2009
What's up? “Jali”, dhëndri i Berishës shkatërron për interesat e tij duke përdorur Bankën Botërore
Gazeta nis botimin e dosjeve më të bujshme të këtij viti. Që në fillim të vitit, një pjesëtar i Familjes kryeministrore, dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, vihet në qendër të medies për skandalin e prishjes së disa ndërtimeve në Jalë, për interesa të tij private dhe korruptive, por duke përdorur një projekt të Bankës Botërore. Gazeta “TemA” ka ndjekur çdo hap të këtij skandali, që implikoi Bankën Botërore dhe u cilësua si ndër më të rëndët në historinë e saj. Deri më tani nuk ka asnjë fajtor për këtë skandal, ndërsa qeveria shqiptare ka bërë atë që di të bëjë më mirë, të mbrojë fajtorin
Hetim dhëndrit të Berishës për skandalin me projektin e Bankës Botërore në bregdetin e jugut
31.01.2009
Një projekt i Bankës Botërore (BB) i parashikuar për të mbrojtur zonën bregdetare shqiptare u përdor për prishjen selektive të pjesëve të një fshati në jug të Shqipërisë duke lënë shumë familje pa strehë, sipas një raporti të brendshëm, i cili thekson dyshimet për korrupsion dhe përpjekjet e zyrtarëve të BB për të fshehur ngjarjen.
Një raport i brendshëm i International Development Association, IDA, i siguruar nga Balkan Insight, tregon që një projekt i BB në zonën bregdetare në jug të Shqipërisë ndihmoi për shkatërrimin e ndërtimeve pa leje në fshatin Jalë, pa respektuar politikën e BB për zhvendosjen me forcë.
Hetimet e një inspektimi zbuluan se menaxhimi i BB nuk përputhej me politikat e saj në lidhje me dizajnin, vlerën dhe implementimin e projektit, duke dëmtuar banorët vendas. Inspektimi zbuloi gjithashtu se BB asistoi në shkatërrim duke i bërë presion policisë ndërtimore lokale të vepronte duke i pajisur me mjete dhe foto satelitore.
Përveç mospërputhjes së projektit me politikat e BB, hetuesit theksuan edhe dyshimet për korrupsion dhe ankesat se shkatërrimi i ndërtimeve të Jalës ishte pjesë e një skeme më të gjerë për ta zhvilluar zonën si plazh turistik. Ndërsa paneli i inspektorëve nuk e përcakton vlerën e korrupsionit, ai konkludon se shkatërrimi selektiv i bërë nga policia ndërtimore ndihmon synimin për të pastruar zonën.
Paneli i inspektimit e akuzon gjithashtu menaxhimin e BB për keqinterpretim faktesh gjatë hetimit dhe për pengim të hetimit duke i fshehur të dhënat, ndërsa thekson mosmbajtjen mend në mënyrë të pazakonshme të fakteve dhe ngjarjeve të rëndësishme nga stafi. Hetuesit thonë se disa nga pjesëtarët e stafit të BB, në qendër dhe në terren, ishin “trajnuar” të japin informacion pabesueshmërisht konsistent, por keqorientues ose fakte të gabuara.
***
Pamjet televizive të shkatërrimit shkaktuan zhurmë. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, që përfaqëson zonën në parlament, kritikoi kryeministrin, Sali Berisha, duke deklaruar se shkatërrimi bëhej për interesa biznesi të afërta me të. Berisha e mohoi dhe një zëdhënës tha se ai “është i interesuar vetëm për një gjë, ligjin dhe vetëm ligjin, dhe çdo interpretim përtej këtij konteksti ligjor është spekulim dhe i pavërtetë.”
Paneli hetimor gjeti një lidhje direkte mes projektit dhe shkatërrimeve në Jalë dhe e përshkroi rolin e projektit si “shtrim rruge” për shkatërrimin.
ipas raportit, treguesit e projektit zbulojnë një lidhje aktive mes projektit dhe policisë ndërtimore, për shkak të faktit se fotografitë satelitore të financuara nga projekti identifikuan godinat që do të prisheshin.”
Hetimi zbuloi gjithashtu se projekti i ofroi policisë ndërtimore pajisje për të bërë shkatërrimin, përfshi kamera dixhitale, GP dhe kompjuterë.
***
Në mars 2007, rreth dy javë para urdhrit për prishjen, koordinatori i projektit, Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës, i dërgoi një letër kreut të policisë ndërtimore, ku i kërkonte prishjen e shtëpive pa leje në Jalë. Bashkangjitur me letrën ishin edhe CD me fotografi satelitore të financuara nga projekti, që tregonin shtëpitë që duhet të shkatërroheshin.
Një sërë artikujsh të publikuar në mediet vendase e lidhën procesin me koordinatorin e projektit dhe treguan se kjo bëhej për t’i hapur rrugë një fshati turistik.
Sipas panelit hetimor, në një moment BB përgatiti një deklaratë shtypi në lidhje me dyshimet, por nuk e publikoi, zgjodhi të mos i mohonte publikisht.
I kontaktuar nga Balkan Insight, Malltezi i mohoi akuzat dhe u shfaq në mediet vendase pas shkatërrimit.
“Artikujt ishin të porositur dhe paguar (nga dikush)”, - tha ai, duke shtuar se ai kishte mohuar çdo veprim të paligjshëm në adresë të tij edhe atë kohë, por shtypi shqiptar nuk e kishte botuar përgjigjen e tij.
Banka Botërore bllokon Projektin e Jugut për shkak të dhëndrit të Berishës
02.02.2009
Banka Botërore ka njoftuar pezullimin e financimit të projektit për “Zhvillimin e Integruar të Bregdetit të Jugut” pas konstatimeve të një paneli hetimor se drejtuesit e këtij projekti në Shqipëri kanë keqpërdorur misionin e projektit për interesa të tyre dhe kanë hyrë në konflikt me interesat e popullsisë vendase. Njoftimi është bërë publik prej vetë Bankës dhe pritet mesi i shkurtit, kur Bordi i Drejtorëve në Uashington do të diskutojë mbi raportin e panelit hetimor dhe të dëgjojë dhe një raport hartuar nga drejtuesit lokalë të projektit që drejtohet nga dhëndri i kryeministrit, Jamarbër Malltezi.
Projekti i dhëndrit të Berishës parashikonte dhe lulet që duheshin mbjellë
04.02.2009
Thellohet skandali me projektin e Bankës Botërore. Faksimilet tregojnë se projekti parashikonte gjithçka deri në detaje, në një kohë kur qeveria deklaroi se përcaktohen vetëm kriteret që nuk lejojnë ndërtimin, kurse çfarë dhe ku do ndërtohet do e përcaktojnë bashkitë dhe komunat.
Siç shihet nga fotografitë ajrore dhe nga të dhënat, projekti përcaktonte të gjitha llojet e ndërtimeve, bimësinë, rrugët e gjithçka tjetër në këtë zonë.
I gjithë ky informacion është tentuar t’i fshihet panelit të hetuesve të Bankës Botërore. Ata e kanë pranuar një gjë të tillë vetë.
PS: Hetimin për dhëndrin e Berishës e urdhëroi Banka Botërore, jo opozita
04.02.2009
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha dje se hetimi për skandalin me prishjen e ndërtimeve në Jalë është urdhëruar nga Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore. “Dua të hedh poshtë si të pavërteta, të padenja, fajtore të gjitha aludimet e bëra ditët e fundit mbi këtë raport nga avokatët e familjes Berisha që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Hetimi i veprimeve abuzive mbi Projektin është urdhëruar në datën 1 nëntor 2007 nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të BB. Pra, jo nga opozita.
Paneli i Inspektimit është një institucion i ngritur në BB, në bazë të paragrafit 22 të Rezolutës së 93-6 të IDA dhe funksionon në bazë të paragrafit 53 të Procedurës së Funksionimit të Panelit”, - tha Braçe.
Ai deklaroi se opozita e ka denoncuar që në fillim emërimin e dhëndrit të Berishës në këtë detyre. Braçe shtoi se ata kanë denoncuar dhe skandalin e një kompanie pasurish të patundshme, të lidhur me të shoqen e Jamarbër Malltezit.
LSI: Veprimet e Malltezit, për interesa të ngushta klienteliste dhe korruptive
04.02.2009
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dorëheqjen e Jamarbër Malltezit nga projekti i Bankës Botërore dhe shtoi se duhet të dëmshpërblehen banorët e dëmtuar nga abuzimet e dhëndrit të Berishës. “LSI ka denoncuar fort dhe publikisht dy vjet më parë masakrën e konsumuar në Jalë, kur qeveria e Berishës sulmoi me fadromat dhe policinë e saj pronat e banorëve të fshatit Vuno në atë zonë. Edhe dy vjet më parë qeveria bëri veshin e shurdhër dhe me arrogancë vijoi pa hezitim ofensivën e saj, duke shkatërruar pronat dhe duke shtypur qytetarët në Jalë. Qeveria e Berishës sulmoi këto prona me një egërsi të padëgjuar, sepse interesat e ngushta klienteliste dhe korruptive e udhëhoqën për ta bërë këtë. Sot, gjithçka që LSI bëri publike, është vërtetuar qartë dhe problemi është bërë kritik, sepse korrupsioni i lartë qeveritar shkon deri te kryeministri dhe kjo është provuar pa asnjë ekuivok edhe në raportin investigues të panelit inspektues të Bankës Botërore.
Çdo lloj shpjegimi nga ana e ministrit përkatës është pa vlerë, gjithashtu pa asnjë vlerë është edhe çdo lloj shpjegimi nga Tirana i ministrit, ndërkohë që realitetet atje në Jalë janë krejtësisht ndryshe dhe ministri do ta kishte absolutisht të pamundur të përballej me banorët e Jalës. Çdo lloj shpjegimi i ministrit përmbyset, sepse Banka Botërore ndërmori një masë shumë të fortë ndaj këtij projekti të shpërdoruar duke e pezulluar këtë projekt, sepse, në vend që ai të ishte një projekt që do të ndikonte pozitivisht në zonën e bregdetit, ai krijoi kaos, pasiguri, mosbesim dhe dëshpërim në të gjithë komunitetin e zonave të trajtuara nga projekti.
Në këtë situatë skandaloze dhe të paprecedent, në të cilën është katandisur projekti i Bankës Botërore për bregdetin dhe rolit tërësisht negativ, abuziv dhe me ngjyrim të fortë korruptiv të koordinatorit Malltezi, hapi i parë i reflektimit është dorëheqja e Malltezit dhe në rast se kjo nuk ndodh, atëherë kryeministri Berisha në mënyrë të menjëhershme duhet të ushtrojë përgjegjësitë e tij shtetërore dhe të bëjë shkarkimin e Malltezit nga pozicioni që ai mban, si dhe të vihet në dispozicion për të sqaruar gjithçka lidhur me këtë skandal të qeverisë së tij”, - tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili.
Raporti i Fox News: Skandali i dhëndrit të Berishës, më i rëndi në 60 vite të Bankës Botërore
07.02.2009
Menaxherët e Bankës Botërore kanë ofruar informacion fals për bordin e drejtorëve të agjencisë për një projekt evropian me lidhje politike për “pastrimin e bregdetit” me vlerë rreth 39 milionë dollarë, i cili çoi në shkatërrimin dhe varfërimin e një fshati të pafuqishëm shqiptar në 2007 dhe pastaj harxhuan rreth dy vjet për ta fshehur ngjarjen, ka mësuar FOX News.
Njerëz të brendshëm të bankës keqorientuan dhe refuzuan t’i përgjigjen një paneli investiguesish të pavarur, i caktuar nga bordi për të hetuar skandalin, sipas vetë investiguesve.
Burime nga Banka Botërore i thanë FOX News, se raporti i panelit, i cili iu dorëzua bordit 24 anëtarësh në fund të nëntorit, është një nga vlerësimet e pavarura më kritike për qëndrimin e agjencisë ndaj varfërisë në gjithë historinë 60-vjeçare të Bankës. Banka, institucioni më i madh dhe me influencë në botë kundër varfërisë dhe pjesë e sistemit të OKB njëkohësisht, do të financojë 100 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme për projekte zhvillimi.
Pasi u zbulua raporti në Shqipëri javën e kaluar, Banka nga ana e saj lajmëroi se disbursimi i mëtejshëm i kredisë për projektin shqiptar ishte pezulluar më 9 janar “për shkak çështjeve të caktuara zbatimi dhe politika të veçanta.” Një zëdhënës i BB nuk u prononcua për FOX News.
Skandali, i dukshëm edhe në dokumente që ka siguruar FOX News bën një përshkrim të detajuar për mënyrën se si Banka ka reaguar ndaj veprimeve abuzive dhe korrupsionit të mundshëm të zbuluar prej vetë asaj.
Ai tregon gjithashtu se si projekte që synojnë përmirësimin e mjedisit dhe kushteve të jetesës në pjesët e harruara të botës mund të abuzohen dhe devijohen në emër të Bankës.
Dhëndri i Berishës i shkatërroi shtëpitë, më pas njoftoi Bankën Botërore
19.02.2009
Dhëndri i kryeministrit, Sali Berisha, është përgjegjësi kryesor për masakrën me shtëpitë në Jalë, dhe veprimet e tij kanë përlyer keq Bankën Botërore.
Përfundimet e Raportit të Panelit të Inspektimit faktojnë se ka qenë pikërisht Jamarbër Malltezi që ka kërkuar prishjen duke përdorur emrin e Bankës Botërore, dhe për më keq, pa e informuar këtë të fundit.
I gjithë zinxhiri i veprimeve me këtë projekt lidhet me emrin e Jamarbër Malltezit, por Banka Botërore ka bërë të ditur se ajo nuk heton për qeverinë shqiptare. Megjithatë, Paneli i Inspektimit ka paraqitur fakte të rënda për qeverinë dhe dhëndrin e kryeministrit.
Kështu, projekti për menaxhimin e bregdetit fillon e merr jetë që në periudhën e qeverive paraardhëse, por ndryshe nga sa mashtron qeveria shqiptare, formën e plotë projekti e merr me qeverinë e re, e cila, siç thuhet dhe në raportin e Panelit të Inspektimit, priti disa kohë duke e shtyrë projektin, derisa vendosi stafin dhe synimet e saj për të, për ta miratuar më vonë me në krye dhëndrin e Berishës.
Projekti parashikonte sistemimin e bregdetit tonë, e normalisht një problem kryesor do ishin ndërtimet pa leje. Duke përdorur këtë detaj, Jamarbër Malltezi nis fushatën e tij.
Siç thotë Paneli i Inspektimit, ai kërkoi fillimisht nga Banka që ajo të asistonte Policinë Ndërtimore me aparaturat e nevojshme për të punuar, për të njohur më mirë situatën në terren. Banka dha asistencën e saj për këtë polici, duke mos ditur që në Shqipëri kjo polici është thjesht dhe vetëm shkatërrimore.
Pastaj, një ditë të mirë, duke përdorur emrin dhe logon e Bankës Botërore, Malltezi i kërkon Policisë Ndërtimore që të nisë prishjen e ndërtimeve në këto zona.
Ndërtimorët reagojnë me shpejtësi. Bëhet fjalë për dhëndrin e kryeministrit. Kjo i jep fuqi të menjëhershme Malltezit. Një gjë e tillë nuk lihet pa theksuar në raportin e Panelit të Inspektimit.
Vetëm pasi kompletohet shkatërrimi, Malltezi njofton Bankën këtu në Shqipëri.
Kjo e fundit alarmohet, por është në dilemë, emri i saj është përdorur, por ajo nuk ka njoftuar prishje ndërtimesh. “Do hani me lugë floriri, është një projekt i Bankës Botërore”, - u thonë policët banorëve të pastrehë që mezi kanë ngritur atë pasuri.
Duke qenë se shteti nuk u përfill asnjë kërkesë banorëve, nuk i lejon madje as që të marrin një vendim nga gjykata, edhe pse vendimet e saj nuk para respektohen, banorët i drejtohen Bankës Botërore, duke u kërkuar dëmshpërblim, sepse emri i saj është përdorur në këtë mes.
E thonë madje dhe politikanët e djathtë në parlament. “Shtëpitë i keni të shkatërruara nga Banka Botërore”. Por Banka këtu vazhdon të heshtë. E kjo heshtje duket se do paguhet shtrenjtë prej tyre.
Ndërsa Malltezi vijon punën e tij. Edhe pas prishjes së ndërtimeve në Jalë, siç raportin Paneli i Inspektimit, ai i kërkon Policisë Ndërtimore të tjera prishje, dhe Ndërtimoret ia plotësojnë menjëherë dëshirat dhëndrit të kryeministrit.
Paneli i Inspektimit thotë se janë hedhur dhe dyshime për korrupsion, se prishja e ndërtimeve është bërë për të ndërtuar një resort turistik. Por më tej Paneli nuk shkon dot. Nuk ia lejon juridiksioni. Topi mbetet në fushën e organeve të drejtësisë shqiptare.
Hetimi i Bankës Botërore do të vijojë dhe duket se do ketë dhe koka të prera për këtë heshtje e mosreagim ndaj këtij skandali dhe përdorimi të emrit të saj.
Por në kampin shqiptar asgjë nuk ndodh. Dhëndri i kryeministrit bashkë me të shohin klane brenda Bankës Botërore, e akuzojnë atë për lidhje me mafien dhe deklarojnë se përse nuk flasin shqiptarët dhe Banka Botërore për prishjet e tjera të ndërtimeve përveç Jalës.
Në fakt, duhet të flasin. Të gjitha prishjet mbajnë firmën e Malltezit.
Banka Botërore: “Nuk autorizuam prishje në Jalë, gabim që pranuam emërimin e dhëndrit të Berishës”
25.02.2009
Zyra e Bankës Botërore në Tiranë dha dje shpjegimet e veta lidhur me projektin e shumëdiskutuar të financuar prej saj për bregdetin e Shqipërisë, i cili u bë objekt pas prishjes kryesisht të disa ndërtimeve në Jalë.
Zyra e Bankës Botërore iu referua raportit të grupit të menaxherëve të hartuar në përgjigje të raportit të Panelit të Investigimit. Një raport, i cili, siç u tha dhe në deklaratën e Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë, “pranon gabimet serioze në përgatitjen dhe mbikëqyrjen e projektit, si dhe gabimet në komunikimin me vetë bordin”.
Duke iu përgjigjur disa pyetjeve të ngritura nga mediet e këtushme, drejtoresha e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nuamah, tha se “prishja e objekteve në Jalë nuk ka qenë e autorizuar nga Banka Botërore”. Madje, letërkëmbimin mes Njësisë së Koordinimit të Projektit (pra, palës shqiptare) dhe policisë ndërtimore ajo “e ka marrë në kohën kur prishjet kishin nisur”. Siç dihet, për këto prishje policia ndërtimore u ndihmua nga fotot ajrore të bëra nga projekti i financuar nga Banka.
Zonja Nuamah shpjegoi se “Njësia e Koordinimit të Projektit duhej të ishte sqaruar se fotografitë nuk duhet të përdoreshin si mjet për të vënë në shënjestër prishjen e objekteve”. Ndër gabimet kryesore që pranohen nga Banka është fakti se ajo “nuk ka trajtuar dhe dokumentuar si duhet politikat e saj për shpërnguljen e detyruar” që në një rast të tillë parashikon edhe zhdëmtimin: “Në kohën kur është paraqitur në bord projekti, grupi i menaxherëve gjykonte se kjo politikë nuk aplikohej në këtë rast dhe e konsideronte programin në zbatim të qeverisë shqiptare për prishjen e ndërtimeve si një program jashtë objektit të projektit”, - shkruhet në raport.
Gjithashtu, një tjetër gabim vlerësohet edhe fakti që Banka ka dhënë pëlqimin e saj për emërimin e zoti Jamarbër Malltezi, dhëndër i kryeministrit, Sali Berisha, si koordinator të projektit. Ky quhet “një gjykim i dobët nga ana e Bankës, po të konsiderohet - siç thekson raporti - se një emërim i tillë do të krijonte të paktën perceptimin e konfliktit të interesit dhe rrjedhimisht një rrezik për reputacionin e Bankës Botërore”.
BB: Qeveria të mos bëjë presion mbi gjyqësorin për shkatërrimet e Jalës
24.08.2009
Banka Botërore ka bërë të ditur në një raport të korrikut, të përgatitur nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, në përgjigje të raportit të panelit inspektues, se do të ofrojë asistencë ligjore për të gjithë ata persona të dëmtuar, që do e dërgojnë çështjen në gjykatë.
Banka ka bërë të ditur se do të kontraktohet një vëzhgues i pavarur ndërkombëtar që do të monitorojë të gjithë procesin. Madje ajo thotë se është kontraktuar një person për këtë punë.
Ajo çka bie në sy është se Banka tregohet shumë e prerë me këtë çështje, kur thotë se nuk duhet në asnjë mënyrë që të ndikohet te gjyqësori, i cili do thotë fjalën e fundit për këtë çështje. Banka shton se qeveria duhet të mos bëjë presion e të zbatojë të gjitha vendimet e marra nga gjykata. Banka kërkon që qeveria të ofrojë të gjitha dokumentet e nevojshme për këtë çështje dhe të mos pengojë punën në këtë drejtim.
Në rast se vendimi i gjykatës do të jetë në favor të qytetarëve, atëherë Banka kërkon që qeveria të bëjë kompensim të menjëhershëm të atyre. Në rast të kundërt, pra nëse qeveria refuzon që të bëjë kompensimin, edhe pse politika e saj nuk e lejon, Banka ka bërë të ditur se do jetë ajo që do kompensojë të gjitha dëmet.
Banka ka bërë të ditur gjithashtu se, pasi ka pezulluar projektin në janar të këtij viti, ajo do ta ristrukturojë atë. Në mënyrë më specifike, Banka ka bërë të ditur se do të mbështesë të tilla projekte si pastrimi i disa zonave bregdetare në Porto Romano, do financojë projekte të vogla për furnizimin me ujë, ndërtimin e një terminali pasagjerësh në portin e Sarandës, do synojë menaxhimin më të mirë të zonës së mbrojtur të Butrintit dhe do mbështesë investimet me bazë komunitetin në fshatrat bregdetarë.
Por ajo nuk ka ndërmend në asnjë mënyrë që të financojë projekte që synojnë planifikimin e përdorimit të tokave. Të gjitha fondet që më parë kishin shkuar për këtë qëllim, do rialokohen për projektet e mësipërme.

Këto ditë në shtyp Prof. Dr. Kristo Frashëri ka replikuar me Fortlumturinë e Tij, Kryeepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastasin në lidhje me ceremoninë e fronëzimit. Si dëshmitar okular i ceremonisë së fronëzimit dhe si njohës i historisë kishtare e kanoneve të kishës jam i bindur se Kristo Frashërin e kanë gënjyer. Kam qenë i pranishëm në ceremoninë e datës 2 gusht 1992 që u zhvillua në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë, gjithashtu edhe në drekën e shtruar në Hotel Tirana dhe deklaroj me bindje të plotë se ceremonia e fronëzimit u krye në kishë sipas tipikosë së fronëzimit që përdoret në Kishën Ortodokse dhe jo në Hotel Tirana siç pretendon profesori i nderuar. Me gjithë respektin që kam për historianin Kristo Frashëri dua t’i kujtoj atij se pas shumë të vërtetave që na ka thënë me anë të botimeve historike, këtë herë na tha një të pavërtetë, të cilën me siguri që ia kanë thënë, sepse ai nuk ka qenë i pranishëm në ceremoninë e fronëzimit.Për të sqaruar rrethanat po i kujtoj Prof. Dr. Kristo Frashërit se pika kulmore e ceremonisë së fronëzimit është momenti kur dy mitropolitët e Patriarkanës i dorëzojnë Kryeepiskopit shkopin baritor, si simbol të autoritetit mbi grigjën e tij. Ky veprim pasohet nga thirrjet tri herë "Aksios" (i denjë) nga të pranishmit. Kjo ndodhi edhe më 2 gusht të vitit 1992 në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë. Për ta bërë më të qartë këtë moment kulmor të ceremonisë po e konkretizoj me një fragment nga Uratorja. "......pastaj të gjithë klerikët e shpien Peshkopin e ri në fronin peshkopal përpara Derës së Bukur, dhe atje Peshkopi i parë i dorëzon shkopin baritor duke thënë: -Merre këtë shkop baritor, që ta ruash grigjën, të cilën ta ka besuar Krishti; dhe bëhu mbështetje dhe përkrahje për ata, që janë të bindur; dhe tregoju udhën të pabindurve dhe të arratisurve me butësi dhe me ëmbëlsi". Po ta vini re në filmimet që janë shpërndarë ditët e fundit në internet duket qartë se Kryeepiskopi Anastas qëndron në fronin dhespotik duke mbajtur në dorë shkopin baritor, pra është i fronëzuar. Çdo veprim që u krye më 2 gusht të vitit 1992 në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit të Hyjlindëses në Tiranë u bë sipas tipikosë së fronëzimit që përdoret në Kishën Ortodokse dhe përmes një entuzjazmi të besimtarëve dhe klerikëve të pranishëm, ndërsa kundërshtarët e fronëzimit erdhën në kishë në përfundim të ceremonisë, në kohën që po bëheshin përshëndetjet e rastit. Fronëzimin e Fortlumturisë së Tij, Prof. Dr. Anastasit e njohën menjëherë të gjitha Kishat Ortodokse Autoqefale dhe e shkruajtën emrin e tij në Diptikë. Gjithashtu gjatë Liturgjive Hyjnore që celebrojnë primatët e Kishave Ortodokse Autoqefale në mbarë botën ndërmjet të tjerëve përmendet edhe emri i Kryeepiskopit Anastas. Për të qenë më i saktë le të ndjekim zhvillimet historike të atyre viteve.