Monday, December 28, 2009

What's up? “Jali”, dhëndri i Berishës shkatërron për interesat e tij duke përdorur Bankën Botërore

“Jali”, dhëndri i Berishës shkatërron për interesat e tij duke përdorur Bankën Botërore
Nga Tema
Gazeta nis botimin e dosjeve më të bujshme të këtij viti. Që në fillim të vitit, një pjesëtar i Familjes kryeministrore, dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, vihet në qendër të medies për skandalin e prishjes së disa ndërtimeve në Jalë, për interesa të tij private dhe korruptive, por duke përdorur një projekt të Bankës Botërore. Gazeta “TemA” ka ndjekur çdo hap të këtij skandali, që implikoi Bankën Botërore dhe u cilësua si ndër më të rëndët në historinë e saj. Deri më tani nuk ka asnjë fajtor për këtë skandal, ndërsa qeveria shqiptare ka bërë atë që di të bëjë më mirë, të mbrojë fajtorin


Hetim dhëndrit të Berishës për skandalin me projektin e Bankës Botërore në bregdetin e jugut

31.01.2009

Një projekt i Bankës Botërore (BB) i parashikuar për të mbrojtur zonën bregdetare shqiptare u përdor për prishjen selektive të pjesëve të një fshati në jug të Shqipërisë duke lënë shumë familje pa strehë, sipas një raporti të brendshëm, i cili thekson dyshimet për korrupsion dhe përpjekjet e zyrtarëve të BB për të fshehur ngjarjen.
Një raport i brendshëm i International Development Association, IDA, i siguruar nga Balkan Insight, tregon që një projekt i BB në zonën bregdetare në jug të Shqipërisë ndihmoi për shkatërrimin e ndërtimeve pa leje në fshatin Jalë, pa respektuar politikën e BB për zhvendosjen me forcë.
Hetimet e një inspektimi zbuluan se menaxhimi i BB nuk përputhej me politikat e saj në lidhje me dizajnin, vlerën dhe implementimin e projektit, duke dëmtuar banorët vendas. Inspektimi zbuloi gjithashtu se BB asistoi në shkatërrim duke i bërë presion policisë ndërtimore lokale të vepronte duke i pajisur me mjete dhe foto satelitore.
Përveç mospërputhjes së projektit me politikat e BB, hetuesit theksuan edhe dyshimet për korrupsion dhe ankesat se shkatërrimi i ndërtimeve të Jalës ishte pjesë e një skeme më të gjerë për ta zhvilluar zonën si plazh turistik. Ndërsa paneli i inspektorëve nuk e përcakton vlerën e korrupsionit, ai konkludon se shkatërrimi selektiv i bërë nga policia ndërtimore ndihmon synimin për të pastruar zonën.
Paneli i inspektimit e akuzon gjithashtu menaxhimin e BB për keqinterpretim faktesh gjatë hetimit dhe për pengim të hetimit duke i fshehur të dhënat, ndërsa thekson mosmbajtjen mend në mënyrë të pazakonshme të fakteve dhe ngjarjeve të rëndësishme nga stafi. Hetuesit thonë se disa nga pjesëtarët e stafit të BB, në qendër dhe në terren, ishin “trajnuar” të japin informacion pabesueshmërisht konsistent, por keqorientues ose fakte të gabuara.
***
Pamjet televizive të shkatërrimit shkaktuan zhurmë. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, që përfaqëson zonën në parlament, kritikoi kryeministrin, Sali Berisha, duke deklaruar se shkatërrimi bëhej për interesa biznesi të afërta me të. Berisha e mohoi dhe një zëdhënës tha se ai “është i interesuar vetëm për një gjë, ligjin dhe vetëm ligjin, dhe çdo interpretim përtej këtij konteksti ligjor është spekulim dhe i pavërtetë.”
Paneli hetimor gjeti një lidhje direkte mes projektit dhe shkatërrimeve në Jalë dhe e përshkroi rolin e projektit si “shtrim rruge” për shkatërrimin.
ipas raportit, treguesit e projektit zbulojnë një lidhje aktive mes projektit dhe policisë ndërtimore, për shkak të faktit se fotografitë satelitore të financuara nga projekti identifikuan godinat që do të prisheshin.”
Hetimi zbuloi gjithashtu se projekti i ofroi policisë ndërtimore pajisje për të bërë shkatërrimin, përfshi kamera dixhitale, GP dhe kompjuterë.
***
Në mars 2007, rreth dy javë para urdhrit për prishjen, koordinatori i projektit, Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës, i dërgoi një letër kreut të policisë ndërtimore, ku i kërkonte prishjen e shtëpive pa leje në Jalë. Bashkangjitur me letrën ishin edhe CD me fotografi satelitore të financuara nga projekti, që tregonin shtëpitë që duhet të shkatërroheshin.
Një sërë artikujsh të publikuar në mediet vendase e lidhën procesin me koordinatorin e projektit dhe treguan se kjo bëhej për t’i hapur rrugë një fshati turistik.
Sipas panelit hetimor, në një moment BB përgatiti një deklaratë shtypi në lidhje me dyshimet, por nuk e publikoi, zgjodhi të mos i mohonte publikisht.
I kontaktuar nga Balkan Insight, Malltezi i mohoi akuzat dhe u shfaq në mediet vendase pas shkatërrimit.
“Artikujt ishin të porositur dhe paguar (nga dikush)”, - tha ai, duke shtuar se ai kishte mohuar çdo veprim të paligjshëm në adresë të tij edhe atë kohë, por shtypi shqiptar nuk e kishte botuar përgjigjen e tij.


Banka Botërore bllokon Projektin e Jugut për shkak të dhëndrit të Berishës

02.02.2009

Banka Botërore ka njoftuar pezullimin e financimit të projektit për “Zhvillimin e Integruar të Bregdetit të Jugut” pas konstatimeve të një paneli hetimor se drejtuesit e këtij projekti në Shqipëri kanë keqpërdorur misionin e projektit për interesa të tyre dhe kanë hyrë në konflikt me interesat e popullsisë vendase. Njoftimi është bërë publik prej vetë Bankës dhe pritet mesi i shkurtit, kur Bordi i Drejtorëve në Uashington do të diskutojë mbi raportin e panelit hetimor dhe të dëgjojë dhe një raport hartuar nga drejtuesit lokalë të projektit që drejtohet nga dhëndri i kryeministrit, Jamarbër Malltezi.


Projekti i dhëndrit të Berishës parashikonte dhe lulet që duheshin mbjellë

04.02.2009

Thellohet skandali me projektin e Bankës Botërore. Faksimilet tregojnë se projekti parashikonte gjithçka deri në detaje, në një kohë kur qeveria deklaroi se përcaktohen vetëm kriteret që nuk lejojnë ndërtimin, kurse çfarë dhe ku do ndërtohet do e përcaktojnë bashkitë dhe komunat.
Siç shihet nga fotografitë ajrore dhe nga të dhënat, projekti përcaktonte të gjitha llojet e ndërtimeve, bimësinë, rrugët e gjithçka tjetër në këtë zonë.
I gjithë ky informacion është tentuar t’i fshihet panelit të hetuesve të Bankës Botërore. Ata e kanë pranuar një gjë të tillë vetë.


PS: Hetimin për dhëndrin e Berishës e urdhëroi Banka Botërore, jo opozita

04.02.2009

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha dje se hetimi për skandalin me prishjen e ndërtimeve në Jalë është urdhëruar nga Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore. “Dua të hedh poshtë si të pavërteta, të padenja, fajtore të gjitha aludimet e bëra ditët e fundit mbi këtë raport nga avokatët e familjes Berisha që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Hetimi i veprimeve abuzive mbi Projektin është urdhëruar në datën 1 nëntor 2007 nga Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të BB. Pra, jo nga opozita.
Paneli i Inspektimit është një institucion i ngritur në BB, në bazë të paragrafit 22 të Rezolutës së 93-6 të IDA dhe funksionon në bazë të paragrafit 53 të Procedurës së Funksionimit të Panelit”, - tha Braçe.
Ai deklaroi se opozita e ka denoncuar që në fillim emërimin e dhëndrit të Berishës në këtë detyre. Braçe shtoi se ata kanë denoncuar dhe skandalin e një kompanie pasurish të patundshme, të lidhur me të shoqen e Jamarbër Malltezit.


LSI: Veprimet e Malltezit, për interesa të ngushta klienteliste dhe korruptive

04.02.2009

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dorëheqjen e Jamarbër Malltezit nga projekti i Bankës Botërore dhe shtoi se duhet të dëmshpërblehen banorët e dëmtuar nga abuzimet e dhëndrit të Berishës. “LSI ka denoncuar fort dhe publikisht dy vjet më parë masakrën e konsumuar në Jalë, kur qeveria e Berishës sulmoi me fadromat dhe policinë e saj pronat e banorëve të fshatit Vuno në atë zonë. Edhe dy vjet më parë qeveria bëri veshin e shurdhër dhe me arrogancë vijoi pa hezitim ofensivën e saj, duke shkatërruar pronat dhe duke shtypur qytetarët në Jalë. Qeveria e Berishës sulmoi këto prona me një egërsi të padëgjuar, sepse interesat e ngushta klienteliste dhe korruptive e udhëhoqën për ta bërë këtë. Sot, gjithçka që LSI bëri publike, është vërtetuar qartë dhe problemi është bërë kritik, sepse korrupsioni i lartë qeveritar shkon deri te kryeministri dhe kjo është provuar pa asnjë ekuivok edhe në raportin investigues të panelit inspektues të Bankës Botërore.
Çdo lloj shpjegimi nga ana e ministrit përkatës është pa vlerë, gjithashtu pa asnjë vlerë është edhe çdo lloj shpjegimi nga Tirana i ministrit, ndërkohë që realitetet atje në Jalë janë krejtësisht ndryshe dhe ministri do ta kishte absolutisht të pamundur të përballej me banorët e Jalës. Çdo lloj shpjegimi i ministrit përmbyset, sepse Banka Botërore ndërmori një masë shumë të fortë ndaj këtij projekti të shpërdoruar duke e pezulluar këtë projekt, sepse, në vend që ai të ishte një projekt që do të ndikonte pozitivisht në zonën e bregdetit, ai krijoi kaos, pasiguri, mosbesim dhe dëshpërim në të gjithë komunitetin e zonave të trajtuara nga projekti.
Në këtë situatë skandaloze dhe të paprecedent, në të cilën është katandisur projekti i Bankës Botërore për bregdetin dhe rolit tërësisht negativ, abuziv dhe me ngjyrim të fortë korruptiv të koordinatorit Malltezi, hapi i parë i reflektimit është dorëheqja e Malltezit dhe në rast se kjo nuk ndodh, atëherë kryeministri Berisha në mënyrë të menjëhershme duhet të ushtrojë përgjegjësitë e tij shtetërore dhe të bëjë shkarkimin e Malltezit nga pozicioni që ai mban, si dhe të vihet në dispozicion për të sqaruar gjithçka lidhur me këtë skandal të qeverisë së tij”, - tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili.


Raporti i Fox News: Skandali i dhëndrit të Berishës, më i rëndi në 60 vite të Bankës Botërore

07.02.2009

Menaxherët e Bankës Botërore kanë ofruar informacion fals për bordin e drejtorëve të agjencisë për një projekt evropian me lidhje politike për “pastrimin e bregdetit” me vlerë rreth 39 milionë dollarë, i cili çoi në shkatërrimin dhe varfërimin e një fshati të pafuqishëm shqiptar në 2007 dhe pastaj harxhuan rreth dy vjet për ta fshehur ngjarjen, ka mësuar FOX News.
Njerëz të brendshëm të bankës keqorientuan dhe refuzuan t’i përgjigjen një paneli investiguesish të pavarur, i caktuar nga bordi për të hetuar skandalin, sipas vetë investiguesve.
Burime nga Banka Botërore i thanë FOX News, se raporti i panelit, i cili iu dorëzua bordit 24 anëtarësh në fund të nëntorit, është një nga vlerësimet e pavarura më kritike për qëndrimin e agjencisë ndaj varfërisë në gjithë historinë 60-vjeçare të Bankës. Banka, institucioni më i madh dhe me influencë në botë kundër varfërisë dhe pjesë e sistemit të OKB njëkohësisht, do të financojë 100 miliardë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme për projekte zhvillimi.
Pasi u zbulua raporti në Shqipëri javën e kaluar, Banka nga ana e saj lajmëroi se disbursimi i mëtejshëm i kredisë për projektin shqiptar ishte pezulluar më 9 janar “për shkak çështjeve të caktuara zbatimi dhe politika të veçanta.” Një zëdhënës i BB nuk u prononcua për FOX News.
Skandali, i dukshëm edhe në dokumente që ka siguruar FOX News bën një përshkrim të detajuar për mënyrën se si Banka ka reaguar ndaj veprimeve abuzive dhe korrupsionit të mundshëm të zbuluar prej vetë asaj.
Ai tregon gjithashtu se si projekte që synojnë përmirësimin e mjedisit dhe kushteve të jetesës në pjesët e harruara të botës mund të abuzohen dhe devijohen në emër të Bankës.


Dhëndri i Berishës i shkatërroi shtëpitë, më pas njoftoi Bankën Botërore

19.02.2009

Dhëndri i kryeministrit, Sali Berisha, është përgjegjësi kryesor për masakrën me shtëpitë në Jalë, dhe veprimet e tij kanë përlyer keq Bankën Botërore.
Përfundimet e Raportit të Panelit të Inspektimit faktojnë se ka qenë pikërisht Jamarbër Malltezi që ka kërkuar prishjen duke përdorur emrin e Bankës Botërore, dhe për më keq, pa e informuar këtë të fundit.
I gjithë zinxhiri i veprimeve me këtë projekt lidhet me emrin e Jamarbër Malltezit, por Banka Botërore ka bërë të ditur se ajo nuk heton për qeverinë shqiptare. Megjithatë, Paneli i Inspektimit ka paraqitur fakte të rënda për qeverinë dhe dhëndrin e kryeministrit.
Kështu, projekti për menaxhimin e bregdetit fillon e merr jetë që në periudhën e qeverive paraardhëse, por ndryshe nga sa mashtron qeveria shqiptare, formën e plotë projekti e merr me qeverinë e re, e cila, siç thuhet dhe në raportin e Panelit të Inspektimit, priti disa kohë duke e shtyrë projektin, derisa vendosi stafin dhe synimet e saj për të, për ta miratuar më vonë me në krye dhëndrin e Berishës.
Projekti parashikonte sistemimin e bregdetit tonë, e normalisht një problem kryesor do ishin ndërtimet pa leje. Duke përdorur këtë detaj, Jamarbër Malltezi nis fushatën e tij.
Siç thotë Paneli i Inspektimit, ai kërkoi fillimisht nga Banka që ajo të asistonte Policinë Ndërtimore me aparaturat e nevojshme për të punuar, për të njohur më mirë situatën në terren. Banka dha asistencën e saj për këtë polici, duke mos ditur që në Shqipëri kjo polici është thjesht dhe vetëm shkatërrimore.
Pastaj, një ditë të mirë, duke përdorur emrin dhe logon e Bankës Botërore, Malltezi i kërkon Policisë Ndërtimore që të nisë prishjen e ndërtimeve në këto zona.
Ndërtimorët reagojnë me shpejtësi. Bëhet fjalë për dhëndrin e kryeministrit. Kjo i jep fuqi të menjëhershme Malltezit. Një gjë e tillë nuk lihet pa theksuar në raportin e Panelit të Inspektimit.
Vetëm pasi kompletohet shkatërrimi, Malltezi njofton Bankën këtu në Shqipëri.
Kjo e fundit alarmohet, por është në dilemë, emri i saj është përdorur, por ajo nuk ka njoftuar prishje ndërtimesh. “Do hani me lugë floriri, është një projekt i Bankës Botërore”, - u thonë policët banorëve të pastrehë që mezi kanë ngritur atë pasuri.
Duke qenë se shteti nuk u përfill asnjë kërkesë banorëve, nuk i lejon madje as që të marrin një vendim nga gjykata, edhe pse vendimet e saj nuk para respektohen, banorët i drejtohen Bankës Botërore, duke u kërkuar dëmshpërblim, sepse emri i saj është përdorur në këtë mes.
E thonë madje dhe politikanët e djathtë në parlament. “Shtëpitë i keni të shkatërruara nga Banka Botërore”. Por Banka këtu vazhdon të heshtë. E kjo heshtje duket se do paguhet shtrenjtë prej tyre.
Ndërsa Malltezi vijon punën e tij. Edhe pas prishjes së ndërtimeve në Jalë, siç raportin Paneli i Inspektimit, ai i kërkon Policisë Ndërtimore të tjera prishje, dhe Ndërtimoret ia plotësojnë menjëherë dëshirat dhëndrit të kryeministrit.
Paneli i Inspektimit thotë se janë hedhur dhe dyshime për korrupsion, se prishja e ndërtimeve është bërë për të ndërtuar një resort turistik. Por më tej Paneli nuk shkon dot. Nuk ia lejon juridiksioni. Topi mbetet në fushën e organeve të drejtësisë shqiptare.
Hetimi i Bankës Botërore do të vijojë dhe duket se do ketë dhe koka të prera për këtë heshtje e mosreagim ndaj këtij skandali dhe përdorimi të emrit të saj.
Por në kampin shqiptar asgjë nuk ndodh. Dhëndri i kryeministrit bashkë me të shohin klane brenda Bankës Botërore, e akuzojnë atë për lidhje me mafien dhe deklarojnë se përse nuk flasin shqiptarët dhe Banka Botërore për prishjet e tjera të ndërtimeve përveç Jalës.
Në fakt, duhet të flasin. Të gjitha prishjet mbajnë firmën e Malltezit.


Banka Botërore: “Nuk autorizuam prishje në Jalë, gabim që pranuam emërimin e dhëndrit të Berishës”

25.02.2009

Zyra e Bankës Botërore në Tiranë dha dje shpjegimet e veta lidhur me projektin e shumëdiskutuar të financuar prej saj për bregdetin e Shqipërisë, i cili u bë objekt pas prishjes kryesisht të disa ndërtimeve në Jalë.
Zyra e Bankës Botërore iu referua raportit të grupit të menaxherëve të hartuar në përgjigje të raportit të Panelit të Investigimit. Një raport, i cili, siç u tha dhe në deklaratën e Bordit të Drejtorëve Ekzekutivë, “pranon gabimet serioze në përgatitjen dhe mbikëqyrjen e projektit, si dhe gabimet në komunikimin me vetë bordin”.
Duke iu përgjigjur disa pyetjeve të ngritura nga mediet e këtushme, drejtoresha e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Camille Nuamah, tha se “prishja e objekteve në Jalë nuk ka qenë e autorizuar nga Banka Botërore”. Madje, letërkëmbimin mes Njësisë së Koordinimit të Projektit (pra, palës shqiptare) dhe policisë ndërtimore ajo “e ka marrë në kohën kur prishjet kishin nisur”. Siç dihet, për këto prishje policia ndërtimore u ndihmua nga fotot ajrore të bëra nga projekti i financuar nga Banka.
Zonja Nuamah shpjegoi se “Njësia e Koordinimit të Projektit duhej të ishte sqaruar se fotografitë nuk duhet të përdoreshin si mjet për të vënë në shënjestër prishjen e objekteve”. Ndër gabimet kryesore që pranohen nga Banka është fakti se ajo “nuk ka trajtuar dhe dokumentuar si duhet politikat e saj për shpërnguljen e detyruar” që në një rast të tillë parashikon edhe zhdëmtimin: “Në kohën kur është paraqitur në bord projekti, grupi i menaxherëve gjykonte se kjo politikë nuk aplikohej në këtë rast dhe e konsideronte programin në zbatim të qeverisë shqiptare për prishjen e ndërtimeve si një program jashtë objektit të projektit”, - shkruhet në raport.
Gjithashtu, një tjetër gabim vlerësohet edhe fakti që Banka ka dhënë pëlqimin e saj për emërimin e zoti Jamarbër Malltezi, dhëndër i kryeministrit, Sali Berisha, si koordinator të projektit. Ky quhet “një gjykim i dobët nga ana e Bankës, po të konsiderohet - siç thekson raporti - se një emërim i tillë do të krijonte të paktën perceptimin e konfliktit të interesit dhe rrjedhimisht një rrezik për reputacionin e Bankës Botërore”.


BB: Qeveria të mos bëjë presion mbi gjyqësorin për shkatërrimet e Jalës

24.08.2009

Banka Botërore ka bërë të ditur në një raport të korrikut, të përgatitur nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, në përgjigje të raportit të panelit inspektues, se do të ofrojë asistencë ligjore për të gjithë ata persona të dëmtuar, që do e dërgojnë çështjen në gjykatë.
Banka ka bërë të ditur se do të kontraktohet një vëzhgues i pavarur ndërkombëtar që do të monitorojë të gjithë procesin. Madje ajo thotë se është kontraktuar një person për këtë punë.
Ajo çka bie në sy është se Banka tregohet shumë e prerë me këtë çështje, kur thotë se nuk duhet në asnjë mënyrë që të ndikohet te gjyqësori, i cili do thotë fjalën e fundit për këtë çështje. Banka shton se qeveria duhet të mos bëjë presion e të zbatojë të gjitha vendimet e marra nga gjykata. Banka kërkon që qeveria të ofrojë të gjitha dokumentet e nevojshme për këtë çështje dhe të mos pengojë punën në këtë drejtim.
Në rast se vendimi i gjykatës do të jetë në favor të qytetarëve, atëherë Banka kërkon që qeveria të bëjë kompensim të menjëhershëm të atyre. Në rast të kundërt, pra nëse qeveria refuzon që të bëjë kompensimin, edhe pse politika e saj nuk e lejon, Banka ka bërë të ditur se do jetë ajo që do kompensojë të gjitha dëmet.
Banka ka bërë të ditur gjithashtu se, pasi ka pezulluar projektin në janar të këtij viti, ajo do ta ristrukturojë atë. Në mënyrë më specifike, Banka ka bërë të ditur se do të mbështesë të tilla projekte si pastrimi i disa zonave bregdetare në Porto Romano, do financojë projekte të vogla për furnizimin me ujë, ndërtimin e një terminali pasagjerësh në portin e Sarandës, do synojë menaxhimin më të mirë të zonës së mbrojtur të Butrintit dhe do mbështesë investimet me bazë komunitetin në fshatrat bregdetarë.
Por ajo nuk ka ndërmend në asnjë mënyrë që të financojë projekte që synojnë planifikimin e përdorimit të tokave. Të gjitha fondet që më parë kishin shkuar për këtë qëllim, do rialokohen për projektet e mësipërme.



No comments: