Tuesday, December 07, 2010

Pergjigje e detyruar ndaj nje recitali shpifjesh( e tetorit) .Nga Fortlumturia e Tij,Kryepeshkopi i Tiranes dhe gjithe Shqiperise,Anastasi.

nga Enoria e Shen Theodhorit Vlore më 2010-10-31 në orën 11:21.MD

Një udhëtim zyrtar në Gjeorgji më detyroi, për një periudhë kohore, të ndodhem jashtë Shqipërisë. Më kishte ftuar Patriarku i gjithë Gjeorgjisë, Fortlumturia e Tij Ilia, në festimin e madh të 1000-vjetorit të ndërtimit të Kishës Katedrale historike në kryeqytetin e vjetër Mtskheta të Gjeorgjisë, që të isha folësi kryesor në Liturgjinë Hyjnore festive, ku morën pjesë përfaqësues të të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale. Gjithashtu, në Universitetin “Shën Andrea i Parëthirruri” të Tbilisit, u shpalla “Doktor Nderi” i filozofisë. Për shkak të këtij detyrimi nuk pata mundësinë të lexoja të plotë shkrimin e dytë, që z. Kristo Frashëri kishte hartuar ndaj meje (në Gazetën Shqiptare 9-10 tetor 2010). Meqë, përveç karakterizimeve të rënda (“shovinist grek”, “agjent”, “mercenar”, “i paligjshëm”, “dhelpër” etj.), dhe në përgjithësi të sulmit të tij fyes e të padrejtë, që të risjell në kujtesë fjalorin e vjetruar komunist, artikulli është plot me pasaktësi historike dhe me një dizinformim të rrezikshëm, jam i detyruar t’i përgjigjem në mënyrë më të zgjeruar dhe t’i referohem veprës sime.

AKUZA DHE FYERJE TË PABAZA

1. Më habiti tej mase titulli në faqen e parë të Gazetës Shqiptare: “Frashëri, Janullatosi, shovinisti grek...”. Dhe këtë fyerje akuzuesi im e thotë në mënyrë të përsëritur. Është hera e parë që më atribuohet një karakterizim i tillë. Deklaroj, në mënyrë kategorike: nuk jam shovinist dhe nuk kam qenë kurrë i tillë. Qysh në vitin 1962, kam përshkruar në një artikull idealin tim: “Njeriu ekumenik (i mbarëbotshëm)”. Dhe këtë u përpoqa ta jetoj gjatë gjithë rrugëtimit tim. Nëse do të lexonin në Greqi këtë karakterizim të z. Frashëri, do të qeshnin. Edhe emigrantët shqiptarë kishin për të bërë po të njëjtën gjë. Sepse ata e dinë mirë që shpesh bëhem objekt i kritikës nga qarqe të ndryshme shoviniste greke (si edhe nga ato analoge shqiptare). Gazetari i njohur shqiptar z. Gazmend Kapllani, i cili nuk është as orthodhoks, shkruan në gazetën e njohur Ta Nea, 2.5.2006: “... e konsideroj fat dhe nder të veçantë për Shqipërinë ekzistencën e këtij personaliteti në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë... Anastasi përbën një pikë tepër të vyer referimi për të gjithë ne që përpiqemi për bashkekzistencën midis grekëve dhe shqiptarëve. Përbën një pikë të rëndësishme referimi se si është e mundur që bashkekzistenca të mbizotërojë mbi dyshimin tradicional, urtësia të mposhtë propagandën nacionaliste, veprat konkrete të dashurisë të fitojnë zemrat e njerëzve”. I propozoj çdo historiani të hulumtojë librat dhe artikujt e mi, të botuar në shumë gjuhë evropiane, që të gjejë ndonjë frazë për të justifikuar fyerjen “shovinist” dhe epitetet e tjera fyese. Gjithashtu, ata që në Shqipëri kanë ndjekur fjalimet dhe shkrimet e mia, e dinë se sa e pabazë është kjo shpifje. Nëse do të kishte ekzistuar edhe dyshimi më i vogël, nuk do të më kishin nderuar me titullin “Doktor Nderi” 18 Universitete, jo vetëm të Greqisë, por edhe të Amerikës, Italisë, Rumanisë, Qipros, Gjeorgjisë, Shqipërisë; as nuk do të më kishin zgjedhur kaq shumë herë, për dhjetëvjeçarë me radhë, në pozita qendrore në organizmat ndërkombëtarë (Zëvendëspresident i Konferencës Evropiane të Kishave; Anëtar i Këshillit Evropian të Liderëve Fetarë; President i Këshillit Botëror të Kishave ku marrin pjesë rreth 350 kisha nga mbarë bota; President Nderi i Konferencës Botërore për Fenë dhe Paqen). Organizma që në mënyrë sistematike dhe të pakompromis luftojnë racizmin dhe çdo lloj shovinizmi.

2. Në sulmin e tij të parë, të papritur, z. Frashëri më kishte akuzuar se bekova “arkivolet që kishin brenda eshtra të banorëve shqiptarë, midis të cilave edhe të fëmijëve të vegjël që vdiqën para dhe pas Luftës Italo-greke”. Iu përgjigja kategorikisht se “ e ftoj të thotë kur dhe ku bëra diçka të tillë. Bëhet fjalë për një informacion të pabazë, krejtësisht të gënjeshtërt”. Prisja ose të tregojë me të dhëna konkrete se kur dhe ku ndodhi diçka e tillë, sepse nuk u bë, ose të kërkojë falje. Në vend të kësaj, përsërit pikërisht të njëjtën frazë pa asnjë element provues, me një shpërdorim fjalësh pa lidhje dhe njëkohësisht shton një akuzë të re, që në këtë rast “bëhet fjalë për një akt që i shkon për shtat vetëm një hajduti varresh”. Të tilla thënie të paturpshme, të gënjeshtërta dhe të pambështetura, nuk përbëjnë një kontribut për historinë.

3. Z. Frashëri i rikthehet temës së kishës së Përmetit, duke bërë krahasimin me ato që ndodhën në Tiranë. Në realitet, në Tiranë nuk ekzistonte asnjë gjurmë nga kisha që u shkatërrua për të ndërtuar “Tirana International Hotel”. Dhe do të ishte jo e logjikshme të kërkohej shembja e hotelit. Por në Përmet vazhdojnë të ekzistojnë muret e trashë të kishës së hershme dhe shtesat që u bënë janë relativisht më të vogla e pa ndonjë vlerë estetike. As iu ofrua Kishës ndonjë truall tjetër, sikundër u bë në Tiranë. Ishte një detyrim i qeverisë shqiptare, pas vendosjes së demokracisë, t’i kthente Kishës Orthodhokse vendet e kultit, siç ndodhi edhe në shtetet e tjera ish-komuniste, që ato të rehabilitohen në përdorimin e tyre të parë të shenjtë. Në përgjigjen time të mëparshme theksova: “Ne nuk jemi kundër Shtëpisë së Kulturës, madje u ofruam të gatshëm të kontribuojmë financiarisht për ngritjen e një ndërtese tjetër të madhe në truallin e dhënë për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës”. Me gjithë këto, z. Frashëri, përsërit në mënyrë monotone: “se hirësia e tij, kryepeshkopi A. Janullatos nuk do që Përmeti të ketë një shtëpi kulture shqiptare. Do që ta shndërrojë shtëpinë e kulturës shqiptare në një shtëpi kulture helenike, ndonëse Përmeti nuk ka fare banorë grekë etnikë”. Le të bëjë një vizitë, për t’u siguruar se të gjitha, në vendin ku ndodhet kisha (Liturgjia, Shërbesat e tjera, kopshti etj.) kryhen në gjuhën shqipe. Kisha Orthodhokse ka ekzistuar në shekuj si qendër e kulturës, (e muzikës, ikonografisë, poezisë; ajo ka qenë kryesisht burim dashurie, besimi, solidariteti e krijimtarie), duke pasuruar vlerat kulturore të Shqipërisë. Për sa i takon interesimit tonë të vërtetë për kulturën, kjo tregohet qartazi prej faktit se me përpjekje të mundimshme, grumbulluam fonde të konsiderueshme dhe restauruam 60 monumente të kulturës në Shqipëri, krijuam laboratorë të ikonografisë, restaurimit të ikonave, kore kishtare etj.

4. Në vijim, ai merr përsipër të përshkruajë historinë e Kishës Orthodhokse dhe problemin e ringritjes së saj nga viti 1991, duke i përzier ngjarjet e vërteta me hipoteza fantazuese dhe detaje të pasakta. P.sh. i referohet Tomosit të Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të dhënë nga Patriarkana Ekumenike në vitin 1937. “Kjo kushtetutë ka për historinë e KOASh-it një rëndësi kardinale, mbasi ajo përmban të gjitha prerogativat që e sanksionojnë atë si një kishë kombëtare shqiptare, ashtu siç janë kushtetutat e kishave nacionale ortodokse të vendeve të ndryshme. Një nga pikat e saj të rëndësishme ishte skalitur në nenin 16, ku thuhet se të gjithë peshkopët, në mënyrë specifike kryepeshkopi i KOASh-it, duhet të jenë me kombësi dhe shtetësi shqiptare”. Tomosi përbëhet nga një tekst i pandarë i shkruar në greqisht. Së dyti, nuk përmban asnjë njohje të Statutit të vitit 1929. Në një pikë tjetër, shkruan: “Truri i Kishës Orthodhokse greke ndërhyri shpejt, e bindi Patriarkun Ekumenik, Bartholomeun të dërgojë profesorin Anastas Janullatos si Eksark etj.”. (Artikullshkruesi nuk e njeh faktin, se në janarin e vitit 1991, kur u caktova Eksark, Vartholomeu nuk ishte Patriark. U bë më vonë, më 22.10.1991). Për sa i takon propozimit të orthodhoksëve të Amerikës, Patriarkana kishte qartësuar në atë kohë se u zgjodh si eksark hierarku konkret jo se ishte grek, por sepse ishte i vetmi nga bota Orthodhokse që kishte eksperiencë të madhe në fushën e punës hierapostullore dhe të formimit të Kishave të reja, ishte i pranuar nga mbarë bota Orthodhokse dhe më në përgjithësi nga ajo e Krishterë. Nga viti 1983 deri në vitin 1991 kam qenë President i Komisionit Botëror të Hierapostullimit dhe Ungjillëzimit të Këshillit Botëror të Kishave dhe kisha qenë kryetari i Asamblesë së Këshillit Botëror të Kishave të Krishtera në San Antonio, Teksas (1989). Me gjithë ngurrimet e para, vetë atë Artur Liolini, në tetor të vitit 2002, në një intervistë të tij dhënë “Zërit të Amerikës”, midis të tjerash tha: “Si shqiptarë ne duhet të gjykojmë çdo individ në bazë të veprave të tij dhe jo thjesht nisur nga origjina e tij etnike. Kam bindjen se Kryepiskopi Anastas do të ishte një person i jashtëzakonshëm për çdo komb dhe jo vetëm për grekët apo shqiptarët. Në shumë mënyra ai duhet parë si episkop Orthodhoks ndërkombëtar, i cili ka ofruar një mesazh universal. Në rast se Imzot Fan Noli do të ishte i gjallë sot, unë besoj se ai dhe Kryepiskopi Anastas do të ishin miq dhe kolegë”. Në një letër të tij drejtuar Atë Luka Veronis, 13.10.2002, i thekson përsëri këto fjalë: “Frazat e mësipërme shprehin opinionin tim të ndershëm dhe tërësinë e mendimeve të mia dhe nuk janë një lavdërim sa për të kaluar radhën. Vepra e Kryepiskopit flet vetë”. Gjithashtu Atë Liolini ka dërguar shumë letra dhe ka telefonuar shumë herë Kryepiskopin, duke i shprehur atij gëzimin dhe miratimin për veprën e kryer prej tij. Z. Frashëri kufizon këndin e tij optik në vitet e para të dhjetëvjeçarit të viteve 90-të, duke injoruar vazhdimësinë dhe marrëdhëniet që janë zhvilluar që nga ajo kohë me Kishën Shqiptare të Amerikës.

5. Në një pikë tjetër, ai pohon: “A. Janullatos shpejt e ngriti shtabin e tij në Korfuz”. Në Korfuz nuk kisha shkuar që nga viti 1984, deri në vitin 2007, kur u shpalla “Doktor Nderi” i Filozofisë nga Departamenti i Historisë së Universitetit Jonian. Në vazhdim më paraqet se bashkëpunova nga koha kur mbërrita në Shqipëri, me mitropolitin Sebastianos. Bëhet fjalë për një pohim krejtësisht të pavërtetë. Për ata që kanë dijeni, është e njohur se qarqet që lidhen me klerikun e mësipërm, kanë pasur gjithmonë një qëndrim mohues ndaj nesh. Por aty ku z. Frashëri arriti kulmin e agresionit shpifës të paepur kundër meje, është kur parashtron “një marrëveshje të kobshme”, sikundër e karakterizon ai vetë. Deklaroj me përgjegjësi se këtë tekst, që përbëhet nga dhjetë pika, është hera e parë që e shikoj. Kam një mosnjohje të plotë, dhe ende sot, për emrat që e nënshkruajnë; madje e konsideroj tekstin tërësisht pa lidhje dhe mashtrues. Më shumë ngjason me provokacione idioto-djallëzore- nuk e di se të kujt qarqeve nacionaliste shqiptare apo greke, të cilat u ndërmorën në fillimet e shërbesës sime si Kryepiskop, që të krijonin ngatërresa dhe të hidhnin baltë. Teksti në fjalë prezantohet si një farë programi dhe krijon përshtypjen se këto “aktivitete të programuara”, u realizuan. Por përsëri e siguroj se kam mosdije të plotë për ekzistencën e vetë programit dhe vetëkuptohet edhe të çdo lloj zbatimi të tij. Z. Frashëri vazhdon: “Pasi pranoi propozimin grek, kryepeshkopi Bartolomeu i parashtroi Presidentit të Shqipërisë, Ramiz Alia, kërkesën për ta pranuar Anastas Janullatosin si eksark dhe në të njëjtën kohë kërkesën për të pranuar në krye të katër dioqezave shqiptare (Durrësit, Korçës, Beratit, Gjirokastrës) katër peshkopë grekë...” Përsëri i ngatërron ngjarjet. Patriarku Vartholome nuk ka komunikuar me Presidentin Ramiz Alia. Kur u bë zgjedhja e Kryepiskopit dhe e tre mitropolitëve të tjerë, më 24.6.1992, z. Ramiz. Alia nuk ishte më president.

ZGJEDHJA DHE FRONËZIMI

6. Por, për të pasur një përshkrim të saktë të ngjarjeve të vitit 1992, dhe që të mos lihen gjërat të mjegullta në të ardhmen, është e nevojshme t’iu referohem këtyre ngjarjeve në mënyrë përmbledhëse, sepse z. Frashëri ndërmori t’i paraqesë, duke i ngatërruar enkas me kaq shumë shpifje dhe pasaktësi. Kur për 23 vite me radhë, ishte shpërbërë çdo strukturë fetare në vend, i vetmi autoritet që kishte përgjegjësinë dhe mundësinë për të marrë iniciativa për ringritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, ishte Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës. Kjo njihet nga të gjitha Kishat Orthodhokse si e para për nga radha dhe përgjegjëse për Kishat nevojtare. Për ndërmarrjen e veprimeve të duhura, sigurisht që mori edhe mendimin e përgjegjshëm të nomokanonologëve dhe theologëve me eksperiencë. Në fund të vitit 1990, ndërsa kisha qenë për 18 vjet profesor i Historisë së Feve, në Universitetin Kombëtar Kapodistrian të Athinës dhe Episkop, Drejtor i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, m’u kërkua nga Patriarkana Ekumenike të shkoj në Shqipëri, e cila sapo kishte dalë nga periudha e gjatë e persekutimit ateist, për të shqyrtuar kushtet e reja fetare dhe mundësitë për ringritjen e Kishës Orthodhokse. Një detyrë të tillë nuk e kisha menduar kurrë. Perspektiva ime ishte hierapostullimi në Afrikë, ku edhe ndodhesha në atë kohë.

Sikundër e përmenda, vetëm një vit më parë, më 1989, në San Antonio të Teksasit, në SHBA, në Ansamblenë Hierapostolike Botërore të Këshillit Botëror të Kishave, kryetar i së cilës isha, në fjalimin tim: “U bëftë vullneti Yt - Hierapostullim në gjurmët e Krishtit”, përshkrova vendet ku të krishterët përballeshin me shumë vështirësi e midis të tjerave theksova “gabimin e madh dhe mëkatin e ne të krishterëve: “... që tregohemi indiferentë për padrejtësitë në Evropë, si p.sh. në Shqipëri, ku shtypen 400.000 të krishterë (atëherë nuk i dija numrat e saktë), të cilëve Kushtetuta e vendit u ndalon çdo shprehje të besimit, madje edhe të drejtën themeltare për të besuar”. Mbërrita në Tiranë sapo u dha miratimi i autoriteteve shqiptare, më 17.7.1991. Gjatë vizitës sime në Shqipëri, konstatova shkretimin e frikshëm që kishte shkaktuar persekutimi i egër. Veprimi im i parë ishte krijimi i një strukture elementare kishtare për përfaqësimin e Kishës lokale. Prandaj edhe thirrëm (1-2.8.1991), një Ansamble të Përgjithshme Kleriko-Laike, me pjesëmarrjen e 15 klerikëve të mbetur dhe 30 përfaqësuesve laikë të krahinave kishtare të Shqipërisë. Në Ansamble u shqyrtua në mënyrë të hollësishme gjendja postkomuniste dhe u zgjodhën katër epitropë arkihieratikë dhe një Këshill i Përgjithshëm kleriko-laik me 13 anëtarë.

Përpjekja jonë kryesore ishte kërkimi i personave të përshtatshëm me shtetësi shqiptare për t’i dorëzuar si episkopë; e kryesisht gjetja e kandidaturës së kryepiskopit, qoftë edhe nga rreshtat e laikëve të arsimuar, të cilët ishin të pamartuar. Fatkeqësisht, diçka e tillë ishte e pamundur. Të gjithë dhe gjithçka koincidonin në një mendim, se ringritja e Kishës lokale ishte e paarritshme e bazuar ekskluzivisht në mundësitë e brendshme. Në maj të vitit 1992, po bëhesha gati për t’u kthyer përsëri në detyrimet e mia të Universitetit. Isha propozuar edhe si anëtar i Akdemisë së Athinës. Atëherë, shumë klerikë dhe laikë të Kishës së Shqipërisë, pavarësisht origjinës, m’u lutën të qëndroja dhe të ndërmarr veprën e ringritjes së Kishës së shkatërruar. Një përfaqësi e Këshillit të Përgjithshëm Kishtar vizitoi Patriarkanën Ekumenike (5-8.6.1992), për herë të parë pas persekutimit dhe kërkoi zgjedhjen e Eksarkut Patriarkal si Primat i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Nuk bëhej fjalë për ofrimin e ndonjë froni; Kryepiskopata nuk dispononte as edhe një dhomë të vetme, as një fije letër dhe as lekë. Ishte caktimi i një apostullimi kryqi, në një rajon të vështirë dhe të shkretuar. Më 24.6.1992, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike e zgjodhi me votim unanim eksarkun e deriatëhershëm Kryepiskop të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, si dhe zgjodhi tre Mitropolitë të tjerë, për krijimin e Sinodit lokal. Ky veprim bazohej në faktin se Patriarkana Ekumenike ka përgjegjësinë për Kishat në nevojë dhe se ishte ajo që i kishte dhënë Autoqefalinë Kishës së Shqipërisë. Si rrjedhojë, ajo vetëm mund të ndërmerrte iniciativën për krijimin, në një kohë sa më të shkurtër të Kishës lokale. Mbi 23 vite ishte shfuqizuar çdo strukturë e Kishës lokale dhe për disa teologë orthodhoksë, përderisa nuk ekzistonte Kisha lokale, nuk ekzistonte as autoqefalia.

Me zgjedhjen e Kryepiskopit, Patriarkana Ekumenike nuk u interesua të heqë Autoqefalinë, por ndodhi pikërisht e kundërta, e siguroi atë. Për të mos lënë asnjë lloj ngurrimi, Patriarkana vendosi të përshpejtojë procedurat. Dhe për të rivendosur strukturën kishtare në mënyrë thelbësore, zgjodhi pra kryepiskopin, sepse Kisha Orthodhokse nuk mund të kuptohet pa episkop. Në lidhje me Patriarkanën Ekumenike z. Frashëri herë shprehet pozitivisht, herë në mënyrë mohuese. Por e njeh autoritetin, eksperiencën nomokanonike dhe veprimet e Patriarkanës Ekumenike të vitit 1937. Ndërsa ato që i takojnë vitit 1992, në mënyrë arbitrare, i vë në pikëpyetje. Në mënyrë të përsëritur i referohet Tomosit të Autoqefalisë, që u dha nga Patriarkana Ekumenike në vitin 1937. Por duket qartë se nuk e ka lexuar. Ai mbështet tezën se “në përputhje me të Drejtën Kanoniko-Kishtare, është në fuqi Statuti i vitit 1929, që u miratua nga Patriarkana Ekumenike në Tomosin e vitit 1937”. Dhe mendon se, “kur u zgjodh kryepeshkopi, nuk ekzistonte një Sinod i Shenjtë i Kishës së Shqipërisë që ka të drejtën të zgjedhë Kryepeshkopin e Shqipërisë”. Por pikërisht për këtë arsye ishte e domosdoshme të zgjidhej, pa vonesë, Kryepiskopi nga Sinodi i Patriarkanës Ekumenike, që i kishte dhënë Kishës së Shqipërisë Autoqefalinë. Pas qëndrimit në pritje që zgjati një javë, Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë z. Sali Berisha më bëri të ditur (30.6.1992), se më pranon si kryepiskop, por në asnjë mënyrë nuk do të pranonte ardhjen e hierarkëve të tjerë me origjinë greke. Të njëjtën gjë i përsëriti delegacionit të Patriarkanës të përbërë nga tre vetë, që e vizitoi më 4 korrik 1992.

Pas kësaj u bë fronëzimi në Kishën Katedrale të Tiranës më 2 gusht 1992, në prani të të gjithë klerikëve e laikëve, përfaqësues të krahinave të Shqipërisë. Liturgjia Hyjnore përfundoi rregullisht. Po kështu edhe ceremonia e thjeshtë e fronëzimit. Nga fundi, një grup, nën drejtimin e deputetit mysliman z. Uran Butka, u futën në kishë dhe hodhën gjithashtu parulla kundër Kryepiskopit. (Jashtë kishës ndodheshin edhe dy deputetë të tjerë jo orthodhoksë A. Baleta dhe B. Reso në mbështetje të tyre.) Siç del edhe nga artikulli i z. Xoxe që u ribotua në gazetën tuaj, 28.09.2010, si edhe nga intervista e z. Bardhyl Fico, ish- Sekretar i Komitetit Shtetëror të Kulteve, botuar po këtu, ky veprim çdo gjë tjetër ishte veçse spontan jo. Ishte planifikuar një natë më parë nga qarqe politike. Më pas, në “Tirana International Hotel” nuk u bë asnjë shërbesë ose akt kishtar. Thjesht u dha një drekë zyrtare e rastit. Z. Frashëri këmbëngul në përshkrimin e ngjarjeve të 2 gushtit 1992, se fronëzimi u bë në lobin e hotel Tirana. Janë botuar dëshmi të shumta nga dëshmitarë okularë që mbështesin përshkrimin tim (si ajo e prof. Teodor Papapavlit, e A. Llukanit (Tirana Observer, 19.10.2010), e P. Barkës (Albania, 13.10.210 dhe në gazetën Shekulli, 14.10.2010) dhe janë dërguar dëshmi të tjera të shumta nga Berati, Tirana, Durrësi, Përmeti etj., të nënshkruara nga qindra vetë, që nuk janë botuar ende. Z. Frashëri pohon se “Sipas kanoneve kishtare, një prift apo një peshkop, apo një kryepeshkop i Kishës Ortodokse quhet i fronëzuar kur në solemnitetin e Asamblesë Kishtare të gjithë besnikët që ndodhen në atë çast në kishë i përgjigjen pyetjes nëse kandidati i propozuar miratohet, në termin tradicional bizantin “aksios” (pëlqehet). Nëse një pjesë e besnikëve të pranishëm në kishë përgjigjet “anaksios” (jo i pëlqyer, pra i pamerituar, i padenjë), ai quhet i pamiratuar... në rastin tonë është Anastas Janullatos”. Dhe këtë e thotë në mënyrë të përsëritur me fraza të ndryshme. Bëhet fjalë për një dizinformim shumë të madh. E ftoj z. Frashëri të thotë se cili kanon kishtar e përmban pohimin e tij. Nuk ekziston asnjë kanon i tillë; asnjë urdhëresë që ka lidhje me këtë.

Meqë z. Frashëri i rikthehet shpesh kësaj teorie mbi “pavlefshmërinë e zgjedhjes”, jam i detyruar të jem më analitik në shtjellimin e saj: Si fillim, ai ngatërron procedurën e Zgjedhjes me atë të Fronëzimit. Zgjedhja, që u bë nga Patriarkana Ekumenike më 24 qershor 1992, ishte një fakt i kryer sipas së Drejtës Kishtare. U bë e njohur me Letra Patriarkale zyrtare drejtuar të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale, që të përfshinin përsëri në Diptikët e tyre, pas 40 vjet mungese, emrin e Kishës së Shqipërisë, si edhe emrin e Primatit të saj. Pohimi i z. Frashëri se fronëzimi (lë të kuptohet edhe zgjedhja), i Kryepiskopit, u bë i pavlerë automatikisht meqë një grup i vogël thirrën “i padenjë”, është nga ana e të Drejtës Kanonike, krejtësisht i pabazë. Asnjë Kanon i Kishës Orthodhokse nuk e mbështet një teori të tillë (i interesuari mund të sigurohet për këtë duke shfletuar librat që kanë lidhje, si p.sh. A. Alivizato, Kanonet e Shenjta, J. A. Rali-M. Potli, Kushtetuta e kanoneve të shenjta dhe hyjnore, një vepër gjashtëvëllimëshe, Uratorja e Madhe etj.) Shën Simeoni i Selanikut (1429), që i referohet temës së dorëzimit të episkopit dhe të fronëzimit, qartëson se “Aksios” është përshëndetja që i bëhet klerikut të sapodorëzuar ose të sapofronëzuar “... i dorëzuari thirret i denjë meqë është denjësuar nga Perëndia... dhe duhet të jetojë i denjë sipas veprës dhe e pranon fjalën “aksios- i denjë” si një urim” (Mbi Kishën Hyjnore). Fronëzimi bëhet brenda kohëzgjatjes së Liturgjisë Hyjnore (pas “Himnit Trishenjtor”), të Liturgjisë së parë festive të Kryepiskopit të ri. Gjithashtu, element bazë i ceremonisë (nuk bëhet fjalë për mister), është leximi në të i praktikës së Sinodit që e ka zgjedhur, gjë që u krye në mënyrë të rregullt. Grupi që organizoi atëherë atë ndërmarrje të zhurmshme, vinte nga edukimi ateist i shumë dhjetëvjeçarëve para viteve 90-të dhe nuk ishte në gjendje të njohë mjaftueshëm të Drejtën Kanonike Orthodhokse dhe, duke pranuar mendimin e papërgjegjshëm të një personi gjysmë të arsimuar, mendoi se zbuloi një argument të madh për të goditur kryepiskopin e ri. Por këta zëra të tyre, madje edhe të shumicës jo ortho

dhokse, nuk sollën asnjë pasojë kanonike, as përbëjnë një akt pavlefshmërie. Fronëzimi ishte

kryer gjatë kohës së Liturgjisë Hyjnore, e cila tashmë kishte përfunduar. Sulmi i tyre i vonuar shërbeu vetëm për shfrytëzim mediatik dhe për krijimin e përshtypjeve në publikun që ka mosnjohje për çështjet e Orthodhoksisë. Prandaj edhe u braktis shumë shpejt.

Aty ku z. Frashëri kalon çdo kufi logjike dhe mirësjelljeje është kur pohon, se “pika më e dobët e fronëzimit të tij si kryepeshkop i Shqipërisë është fakti se deri sot pas 18 vjetësh, ai nuk ka botuar asnjë procesverbal të hartuar në kohën e fronëzimit dhe të nënshkruar nga peshkopët që u ndodhën në kohën e fronëzimit, që të deklarojnë me përgjegjësi se në ceremoninë solemne të 2 gushtit 1992, të mbajtur në katedralen e Tiranës, ai, Hirësia e tij Anastas Janullatos, u zgjodh njëzëri në përshtatje me kanonet tradicionale kishtare Kryepeshkop i KOASH-it. Pa një procesverbal të tillë, të gjitha deklaratat që ai ka bërë poshtë e përpjetë janë pa vlerë, madje mund ta themi me plot gojën, janë mashtrime”.

Dhe përsëri z. Frashëri tregon se nuk ka asnjë njohje të traditës orthodhokse. Ngatërron Zgjedhjen me Fronëzimin. Zgjedhja ishte kryer tashmë në Patriarkanën Ekumenike dhe Fronëzimi ishte një rrjedhojë e saj, një ceremoni që nuk ka nevojë as për firmat e atyre që qenë të pranishëm dhe as për miratime të tjera. E tërë procedura e vendosjes dhe e pranimit të një primati Orthodhoks vuloset me regjistrimin e tij në të gjithë diptikët e Kishave Orthodhokse dhe kujtimin (thirrjen) e emrit të tij nga të gjithë primatët e tjerë sa herë që këta meshojnë. Kjo ka 18 vjet që kryhet në mbarë Botën Orthodhokse, sa herë meshojnë Patriarkët dhe Kryepiskopët primatë të Kishës Orthodhokse.

Theksoj faktin se Kisha Orthodhokse përbën një trup shpirtëror unik. Veprimet e çdo Kishe lokale ndiqen dhe kontrollohen nga mbarë bota Orthodhokse. Në mënyrë të veçantë vendosja e Primatit të ri të Kishës lokale vuloset nga ana nomokanonike me Letrat Paqësore, të cilat Primati i ri ua dërgon Primatëve të Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale dhe merr njëkohësisht edhe përgjigjet e tyre zyrtare. Në këtë mënyrë përfundon vendosja e tij në majën e një Kishe lokale dhe njohja e tij nga Kishat e tjera Orthodhokse. Z. Frashëri dhe grupi që e ndihmon, pas 18 vjetësh përpiqet të sjellë përsëri në skenë teorinë mbi pavlefshmërinë, për të shkaktuar një zhurmë e cila nuk ka kurrfarë rëndësie thelbësore. Për të qenë në një stil me z. Frashëri, qoftë edhe për pak, dua të shtoj si profesor emeritus dhe ish- dekan i Fakultetit Theologjik të Universitetit Kapodistrian të Athinës, se meqë ai vetë nuk ka bërë studime sistematike theologjike, mirë është të mos dalë me kaq këmbëngulje në përfundime për çështje që i njeh në mënyrë sipërfaqësore, sepse ekspozohet botërisht.


Me gjithë pranimin fillestar të Presidentit të atëhershëm të Republikës, autoritetet shqiptare, me një sërë veprimesh, botime nëpër gazeta, krijimin e një grupimi kundërshtar orthodhoksësh dhe jo orthodhoksë, madje edhe me përgatitjen e projektligjeve, synuan dëbimin e Kryepiskopit të ri. Zëri i Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës së Shqipërisë, që e kujtoi z. Frashëri, me gjithë retorikën e tij plot llafazanëri ra në boshllëk. Shumica dërrmuese e orthodhoksëve e injoroi. Përfaqësuesit orthodhoksë, në një mbledhje të jashtëzakonshme kleriko-laike në Durrës, më 21.1.1993, shpallën se nuk bëhet fjalë që të pranojnë largimin e Kryepiskopit. Në vjeshtë të vitit 1994, me projektkushtetutën, u ndërmor përsëri largimi i Kryepiskopit. Por përfundimisht, kjo e fundit u hodh poshtë në referendumin e datës 6.11.1994. Shumica dërrmuese e orthodhoksëve ishte përcaktuese në rezultatin e këtij votimi, pavarësisht origjinës etnike (shqiptarë, grekë, arumunë, sllavë), dhe u bashkua rreth Kryepiskopit me një përkushtim shpirtëror. Orthodhoksët e Korçës nisën të parët të mbledhin firma për qëndrimin e Kryepiskopit dhe shembullin e tyre e ndoqën Orthodhoksët e qyteteve të tjera. Numri i firmave arriti në 80.000, pavarësisht nga bindjet dhe kahu politik. I ngjashëm ishte edhe qëndrimi i tyre sa i takon edhe projektkushtetutës.

Nga viti 1994, zhurma e vënies në dyshim u shter, madje edhe z. Frashëri na vizitoi shumë herë në godinën e Kryepiskopatës në raste festash, pa më shprehur asnjëherë ngurrimet e tij të vjetra. Shkakton ilaritet fraza e tij: “Në fakt, A. Janullatosi është kryepeshkop i pleqve dhe i plakave”- kur njihet mirë mosha e tij. Nëse mundet, le të vijë në një Liturgji të thjeshtë Hyjnore të së Dielës (gjë që nuk e ka bërë për kaq shumë vite), për të parë se kisha është plot e përplot me të gjitha moshat, veçanërisht me të rinj. Vijoi vepra krijuese e zhvillimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që iu referova përmbledhtazi në fund të përgjigjes sime të mëparshme, rëndësia e së cilës njihet si nga Orthodhoksët e Shqipërisë, ashtu edhe më gjerë, nga bota Orthodhokse dhe në përgjithësi ajo e krishterë.

Në korrik të vitit 1996, pa një marrëveshje të re me politikën shqiptare ose me palën kishtare, u thirra si Kryepiskop të shkoj në Konstandinopojë për të kryer dorëzimet e mitropolitëve që ishin zgjedhur në vitin 1992. Nuk pranova ta bëj një gjë të tillë, duke i qëndruar besnik atyre për të cilat kishim rënë dakord me Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Pasuan ditë të dhimbshme, sepse isha i detyruar, në një klimë të mosbesimit të dyfishtë, të jap shpjegime, në mënyrë të përsëritur, ndaj të dy palëve, se nuk është e mundur të arrihet në zgjidhjen e duhur të problemit me veprime të njëanshme, por vetëm me procedura konsensuale, që si qëllim ekskluziv të tyrin duhet të kishin progresin e pandalshëm të Kishës së Shqipërisë. Qarqe të ndryshme nacionaliste të Greqisë filluan polemikën e ashpër kundër meje. Si përfundim, çështja e formimit të Sinodit të Shenjtë u zgjidh pas shumë negocimesh të mundimshme të përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike, të Kishës së Shqipërisë dhe të autoriteteve shqiptare (nëntor 1997-korrik 1998), me pranimin e përbashkët të formatit që të pranohej mitropoliti i zgjedhur me origjinë arvanitase, Hirësia e Tij Ignati dhe të zgjidheshin dy shqiptarë: Arkimandriti Joan Pelushi si Mitropolit i Korçës dhe Ikonomi Kozma Qirjo si Episkop i Apollonisë. Kjo është shkurtimisht historia e fillimit të ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. STATUTI


7. Z. Frashëri përpiqet të tregojë se Kryepiskopi është “i paligjshëm” dhe nxjerr përfundimin se cili është, sipas tij, Statuti në fuqi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Që lexuesit e interesuar të qartësohen, po përmend përmbledhtazi faktet që kanë lidhje me këtë pikë. Kisha e Shqipërisë njohu në të kaluarën dy statute: më i vjetri i vitit 1929 dhe më i riu i vitit 1950. I fundit u bë ligji i shtetit, duke shfuqizuar ligjërisht të mëparshmin me dekretin nr. 1065, të 4 majit të vitit 1950. Por edhe ky dekret pushoi së pasuri fuqi ligjërisht me dekretin nr. 4337, të 11 nëntorit 1967. Sikundër e kishte theksuar në vitin 1992 juristi Teodor Papapavli, profesor i Jurisprudencës: “... me dekretin e fundit janë shfuqizuar të gjitha statutet e komuniteteve fetare. Shteti i sotëm demokratik shqiptar në vitin 1992 nuk ka akoma kushtetutë. Dispozitat Kryesore Kushtetuese, të miratuara nga parlamenti pluralist nuk e trajtojnë këtë çështje. Në boshllëkun legjislativ ekzistues, për mendimin tonë, vlejnë kanonet e sinodeve ekumenike dhe aktet ndërkombëtare që garantojnë lirinë e besimeve fetare” (“Rilindja Demokratike”, 16. 9. 1992).

Disavantazhi kryesor i këtyre dy statuteve ishte se u krijuan dhe u imponuan nga regjime politike që s’kishin lidhje me Kishën Orthodhokse dhe në shumë gjëra armiqësore ndaj saj. Sepse institucionalizonin varësi të Kishës nga pushteti shtetëror. Statuti i parë, i vitit 1929, u bë kur Shqipëria ishte monarki. Dhe i dyti, i vitit 1950, kur në vend ishte vendosur regjimi ateist dhe partia në fuqi donte të kontrollonte tërësisht Kishën. Të dy anashkalonin parime themeltare kishtare. Kisha Orthodhokse nuk u themelua në shekullin e 20-të dhe ka kanone që në mënyrë diakronike janë përcaktues dhe të detyrueshëm për të gjitha Kishat Orthodhokse në mbarë botën. Statutet e tyre thjesht mbi bazë të këtyre kanoneve, përcaktonin marrëdhëniet me udhëheqjet e ndryshme politike që erdhën në Shqipëri. Të dy këto statute që u institucionalizuan me ligje, u shfuqizuan përsëri me ligj kur u shfuqizuan sistemet e vjetra politike.

Shteti shqiptar nuk u shpërbë në vitin 1990 nga një revolucion. Si rrjedhojë pati vazhdimësi ligjore dhe legjislative. Në bazë të Kushtetutës në fuqi të vitit 1998 të Republikës së Shqipërisë shumë nga dispozitat e statuteve të mësipërm, si dhe kushtet që ato caktojnë, bien në kundërshtim dhe janë krejtësisht antikushtetuese. Për t’u përballur me boshllëkun që u krijua nga koha që pasoi shkatërrimin e Kishës së Shqipërisë, një Ansamble e Përgjithshme e veçantë kishtare (me përfaqësues të krahinave të ndryshme të Shqipërisë), që u mblodh në Durrës më 21 janar 1993, vendosi, për periudhën e tranzicionit pas vendosjes së demokracisë, pranimin e përkohshëm të atyre neneve të Statutit të vitit 1950 që nuk binin ndesh me kushtet bashkëkohore, ndërsa, në të njëjtën kohë pranoi zgjedhjen e Kryepiskopit njëzëri dhe i shfaqi atij besimin e saj. Gjithashtu u vendos që të pritej Kushtetuta e re e Shqipërisë, që, mbi bazë të parimeve që ajo do të caktonte, të krijohej Statuti i ri. Esencialisht, jeta dhe administrimi i Kishës do të vijonin të rregulloheshin nga kanonet apostolike dhe sinodike të Kishës Orthodhokse, të cilat kanë fuqi për të gjitha Kishat autoqefale lokale.

Kushtetuta e re e Republikës së Shqipërisë, që u votua në vitin 1998, përcaktoi karakterin laik të shtetit dhe me dy nenet e saj, (neni 10 dhe 24) sanksionoi plotësisht lirinë fetare dhe pavarësinë e komuniteteve fetare. Me ratifikimin e Kushtetutës së re, filloi puna për hartimin e Projektstatutit të Kishës sonë. Gjithashtu u kërkua edhe mendimi i specialistëve në çështjet nomokanonike të Orthodhoksisë. Më 4 nëntor 2006, u thirr në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit” pranë Manastirit të Shenjtë të Shën Vlashit në Durrës, një Ansamble e veçantë Kleriko-laike, në të cilën merrnin pjesë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, Këshilli Kishtar Kleriko-laik, të gjithë klerikët, si edhe përfaqësuesit laikë të Kryepiskopatës, të Mitropolive me një përfaqësim të drejtë të burrave, grave dhe të rinjve. Kjo Asamble Kleriko-laike e përbërë nga 257 anëtarë në tërësinë e saj, studioi dhe pranoi njëzëri Projektin e Statutit të ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Dhe ky Statut u miratua përfundimisht nga Sinodi i Shenjtë, më 6 nëntor 2006.

Ky Statut, i bazuar në Traditën Orthodhokse, përcakton struktura të qarta dhe elastike administrative, me përparësi “kungimin në Krishtin” dhe me perspektivë “dëshminë dhe shërbimin e Kishës në botën moderne”. Sipas Nenit 10 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, u nënshkrua më 24 tetor 2008, Marrëveshja e parashikuar nga Kushtetuta midis Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, e cila në vazhdim u ratifikua në Kuvendin Popullor të Shqipërisë.

Në fund, më 22 janar 2009, kjo Marrëveshje u dekretua nga Presidenti i Republikës z. Bamir Topi dhe u bë ligj i shtetit (Nr. 10057/22.1.2010- Fletorja Zyrtare nr. 7 dt. 4. 2. 2009 fq. 138-146). Në vijim të kësaj, pas depozitimit të dokumentacionit të parashikuar, Gjykata e Tiranës e njohu edhe ligjërisht si person juridik Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë sipas regjimit juridik të Shqipërisë, e cila administrohet dhe rregullohet sipas Statutit të lartpërmendur. Historia është një lumë që rrjedh. Kisha përshtatet me kushtet e reja. Dhe sa kanë nostalgji vitin 1929, vetëm mbeten dhe jetojnë në botën e tyre ikonike.

DEKLARATA

8. Në epilogun e tij z. Frashëri i rikthehet deklaratës sime që kisha bërë në lidhje me vrasjen e Aristotel Gumës dhe e kombinon me ndërhyrje të tjera. Ngjarjet në fjalë kanë ndodhur si më poshtë: Më 12 gusht 2010, ndërsa ndodhesha në Gjirokastër, u vura në dijeni nga dëshmitarë me një autoritet të padiskutueshëm se një djalë i ri, anëtar i Kishës sonë, ishte masakruar egërsisht meqë fliste greqisht dhe se kjo kishte ngjallur revoltën dhe zemërimin e bashkëqytetarëve të tij, me pasojë bllokimin për shumë orë të rrugës kryesore në zonën e Himarës. E konsiderova si detyrim timin të kontribuoj me një deklaratë që të paqtohej situata. Po e risjell edhe një herë deklaratën time: “Me hidhërim të veçantë marr pjesë në dhimbjen e thellë që ka shkaktuar vrasja e Aristotel Gumës, në Himarë. Ngushëlloj me gjithë shpirt familjen e tij dhe lutem që Perëndia të prehë në paqe shpirtin e tij: Veprime të tilla dhune të paargumentuar, të dënueshme pa asnjë ekuivok nga çdo person me arsye, përbëjnë kërcënim për cenimin e klimës së bashkekzistencës paqësore, për të cilën të gjithë qytetarët e përgjegjshëm të Shqipërisë kanë bërë vazhdimisht përpjekje. Dhe për më tepër janë rrezik për të ndezur përplasje dhe urrejtje të reja. Në këtë moment kritik prej çdokujt kërkohet përgjegjshmëri dhe gjakftohtësi, shmangie të akteve të vetëgjyqësisë, investigim për të vërtetën dhe imponim të drejtësisë. Për më tepër është e domosdoshme që të intensifikohen përpjekjet që të sigurohen liritë e çdo qytetari dhe në përgjithësi të të drejtave të njeriut”.

Sikundër e kam theksuar edhe në përgjigjen time të mëparshme, ndërhyrje të ngjashme për të vërtetën dhe paqen kam bërë jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri, në ditët kritike p.sh. thirrja e bërë më 6 mars 1997: “Në këto orë të vështira që kalon vendi, dy fjalë të thjeshta- në lutje- kam për të thënë si Kryepiskop Orthodhoks drejtuar në çdo kahje: Jo më gjak tjetër! Jo më konflikt! Jo armëve! Jo urrejtje në zemër. Vetëm me vetëkontroll, pendim, të vërtetë, falje dhe pajtim mund të sigurohet pajtimi esencial dhe të çelet rruga për një të ardhme më të mirë”.

Deklarata e bërë për qetësimin e situatës, më 12 gusht e jo “më 13 shtator” siç e shpreh ai vetë gabimisht, dhe vendosjen e paqes, arriti aty sa e ktheu z. Frashëri- siç e pohon edhe ai vetë- në një kundërshtar të fortë të Kryepiskopit. Sa u takon deklaratave që u bënë më pas nga palë të ndryshme, nuk kisha asnjë komunikim me askënd. Ai përmend dy persona të komunitetit grek dhe ministrin plotësues të Greqisë (të cilit madje nuk ia di as emrin, shkruan Delavekura, ndërsa ishte z. Dh. Drutsas), por lë mënjanë- në teorinë e tij “mbi konspiracionin” në të cilin gjoja mora pjesë - që të shënojë se në atë merrte pjesë edhe ... Kryeministri i vendit z. Sali Berisha me deklaratën e mëposhtme në dt. 14/08/2010: “Vrasja e një njeriu në çdo rast, por me qellim është një krim i shëmtuar dhe i dënueshëm. Motivet, në rast se faktohen ato që thuhen janë edhe më të shëmtuara. Qeveria ka kërkuar dhe kërkon nga organet e rendit që të bëjnë çdo përpjekje për të vendosur autorin kryesor të këtij krimi para drejtësisë.

E theksoj edhe një herë, në rast se faktohen motivet që njoftojnë mediat, por edhe njerëz të tjerë, kjo e bën këtë krim edhe më mizor. Është një gjest i një fanatizmi të verbër ekstrem. Nuk besoj të këtë shqiptarë, që nuk e dinë se komuniteti në atë qytet është bilingual dhe jo sot, edhe 100 vjet më parë, por edhe 200 vjet më parë. Të përgjigjesh në gjuhën që preferon, të përgjigjesh dhe të ndodhë kjo, është shumë e rëndë. Sidoqoftë, këto do t’i hetojë dhe saktësojë drejtësia.

Organet e rendit duhet që autorin ta vendosin para ligjit. Unë shfrytëzoj edhe këtë rast, pasi jam lidhur edhe me Kryetarin e Bashkisë dhe i kam përcjellë familjes ngushëllimet, t’i shprehë sërish familjes ngushëllimet, sepse është një akt i shëmtuar të vrasësh dikë duke u kthyer në shtëpinë e vet. Është një akt barbar”.

Z. Frashëri mbërrin në kulmin e aktakuzës duke dhënë përsëri urdhër të braktis vendin.

Por ai nuk ka ndonjë rol institucional në Kishën Orthodhokse dhe as në qeverinë e Shqipërisë.

Shumica dërrmuese e Orthodhoksëve, gjithë këto vite ndjek pa kurrfarë paragjykimi veprën e madhe të kryer nga Kryepiskopi dhe e mbështet me besimin dhe dashurinë e tyre. Të gjitha Kishat Orthodhokse e njohin veprën e tij të jashtëzakonshme dhe e mbështesin, e njëjta gjë ndodh me organizmat e mëdhenj ndërkristianë dhe ndërfetarë, të cilët i përmenda në fillim.

Kontributi im në shkencë, në kishë, në përafrimin ndërkristian dhe në dialogun ndërfetar njihet botërisht. Këtë, midis të tjerave, e dëshmojnë edhe 24 çmime e dekorata, që janë dhënë nga Kisha Orthodhokse dhe vende të ndryshme. Në këtë vit edhe me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të Republikës së Shqipërisë. Fjalët e ashpra fyese që përsërit, “shovinist grek”, “agjent i shovinizmit grek në Shqipëri “ etj., janë produkte të një pasioni dhe fantazie të sëmurë, e cila i përket një epoke të kaluar. Është gjerësisht e njohur se bëj pjesë ndër ata grekë të cilët e duan, sigurisht, atdheun e tyre, por njëkohësisht respektojnë dhe duan atdhetë e njerëzve të tjerë dhe duan të kontribuojnë me sinqeritet në solidaritetin, miqësinë dhe bashkëpunimin e popujve.


Z. Frashëri dhe ata që janë rrotull tij përpiqen të ndërtojnë “bunkerë” të rinj në fantazinë e atyre që nuk kanë njohje dhe të kultivojnë përsëri dyshime, frikëra e urrejtje. Nuk kam menduar kurrë ndonjë veprim antishqiptar. E aq më shumë, ta kem realizuar në praktikë. Me përkushtim në Perëndinë dhe në sigurinë se besimi, shpresa dhe dashuria, janë gjërat më të vyera për çdo popull, luftoj prej 19 vitesh, me respekt ndaj çdo njeriu, pavarësisht bindjeve të tij fetare, politike apo të llojeve të tjera; marr pjesë në sprovat e privimeve, shpresave të popullit shqiptar, duke bërë përpjekje për paqen, bashkekzistencën paqësore dhe progresin. Me hirin e Perëndisë dhe ndihmën e bashkëpunëtorëve të zgjedhur, realizuam përveç ndërtimit të 150 kishave, vepra të jashtëzakonshme në fushën e arsimit (dhamë bursa për qindra fëmijë e të rinj), të shëndetit, përkujdesjes sociale, zhvillimit bujqësor, duke ofruar ndihmë në qindra-mijëra njerëz. Kryem vepra infrastrukture, që pasardhësi im të gjejë një Kishë Orthodhokse të formuar. Sigurisht, ata që janë të verbuar nga paragjykimet dhe pasioni i palogjikshëm nuk i shikojnë të gjitha këto. Dhe kur i përshkruajmë ato, si në përgjigjen time të mëparshme, i anashkalojnë.

Por veprat mbeten dhe flasin e do të flasin vetë, në çdo kohë. Dhe do të dëshmojnë, se kush përfundimisht punoi në të vërtetë, në periudhën kritike paskomuniste të vendit, për progresin e popullit shqiptar. Qarqe të caktuara në Shqipëri, por edhe në Greqi, preferojnë të merren me dyshime dhe fantazma të së kaluarës. Personalisht, besoj në nevojën e mirëkuptimit dhe të pajtimit të popujve, në bashkëpunimin e sinqertë dhe në solidaritetin, në rrugën e përbashkët drejt së ardhmes në Bashkimin Evropian. Dhe në këtë qëllim synojnë të gjitha përpjekjet e mia.

No comments: