Wednesday, January 10, 2007

Të mirat që s'ia dimë errësirës!

Agjencitë e organizmit të protestave, ofrojnë ulje çmimesh për të gjithë ata parti politike, subjekte tregtare, individë, shoqata dhe OJQ, që duan të protestojnë për mungesën e energjisë elektrike. Pakënaqësia ndaj KESH-it ka arritur kulmin dhe zgjidhja kërkohet te dorëheqja e drejtorit të KESH-it, ose te "Tundja e Belit" të ministrit Ruli. Protestat ndaj KESH-it është moda më e fundit në Tiranë. A e patë se çfarë ndodhi dje? Në orën 10 del ZMQ protestë kundër KESH-it, një orë më pas del vetë drejtori i KESH-it, gati edhe ky për të protestuar ndaj Korporatës që drejton. Për mungesë kohe "MJAFT!" nxitoi të bëjë një konferencë shtypi, dhe kulmi arriti me daljen e ministrit Ruli që shkoi deri atje sa... mori edhe përgjegjësi për këtë situatë. Askush, përfshi edhe gjithë televizionet edhe gazetat, nuk ndërmori hapin për të parë anët pozitive të situatës në të cilën ndodhemi.

Ka disa njerëz që harrojnë se nuk kanë hapur çadrat prej muajsh e muajsh, e kanë shumë të lehtë të çirren deri në ngjirje për mungesën e dritave. Po, unë e shoh problemin me përfitim të madh, si në pikëpamjen individuale ashtu edhe në planin kombëtar. Madje edhe pak më gjerë. Vetëm se duhet të nxitojmë që të përfitojmë nga situata që kemi gatuar me duart tona dhe me ndihmën e Perëndisë. Mendoj se ka plot të tjerë, që ashtu si edhe unë, kanë përfituar shumë nga mungesa e dritave. E mira nuk ka fund, por siç po njoftohemi edhe më shumë, do të kemi orë pa energji. Në planin personal, mungesa e dritave bën që të mos shoh televizor, duke mos parë televizor nuk shoh lajme, duke mos parë lajme kam shansin që të jem i mirëinformuar për çfarë ndodh në Shqipëri e më gjerë. Në ditët e para kur kufizimet ishin dy apo tri orë, përfitimi nuk ishte shumë i madh. Me shtimin e orëve të errësirës po rriten dhe përfitimet, përveçse nuk shoh dot televizor tani nuk mund të karikoj dot as celularin. Njerëzit që marrin pushim prej celularit janë po aq të rrallë në ditët tona sa edhe speciet në zhdukej që janë marrë në mbrojtje nga UNESCO. E kush e imagjinonte që bash në vitin 2007, ne gjallesat e kësaj bote që sa vjen dhe ngrohet, do të kishim fatin e madh të çlirohemi nga televizori, radio, celulari, kompjuteri, play station dhe madje edhe nga vetë drita elektrike. Të çlirohesh nga puna është një gjë që e ke vetë në dorë, por të çlirohesh nga gjërat që të rrethojnë është mrekullia vetë apo jo? Edhe imagjinata e shfrenuar e skenaristëve të Hollivudit nuk ka arritur kaq larg! Errësirë për shtatë palë qejfe!

Sikur të mos ishin shpikur gjeneratorët, do të ishte një qetësi olimpike dhe Shqipëria do të kthehej në një parajsë akustike ku nuk pipëtin asgjë. Problemi i vetëm që kemi është se ne nuk dimë të shesim të mirat që na vijnë në derë. Me një marketing të mirë, ne mund të ktheheshim në një vend shumë tërheqës për turistët e huaj. Slogani që kemi përdorur deri më tani "Shqipëria, sekreti i fundit" duhet pasuruar me imazhe nga errësira që "ndriçon" nga Vermoshi në Konispol. Kjo nismë dhe jo ato të tipit "Shqipëria një euro" mund të thithin investitorët e huaj dhe gjithfarëlloj të interesuarish pas problemeve të errësirës. (gjithsesi duhet bërë kujdes që gjithë të huajt t'i mbajmë sa më larg Qytetit Studenti në Tiranë që nuk i ikin dritat për arsye të kuptueshme. Sa për Gjirokastrën, ajo larg është vetë kështu që nuk ka problem, le të vazhdojnë të marrin veten në qafë dhe të kenë drita 24 orë). Jemi me fat, se kjo errësirë na ka zënë në mes të dimrit kur orët e ditës janë më të shkurtra dhe kështu duhet nxituar, se me kalimin e ditëve dhe javëve do të na pakësohen orët e errësirës. Ndryshe nga fjala e vjetër popullore, se "puna e natës, gazi i ditës", këto ditë (në fakt netë) po provojnë të kundërtën. Njerëzit vërtet janë fytyrë ngrysur në mëngjes, por kjo nuk duhet marrë si shenjë pakënaqësie, por si problem i përkohshëm derisa të gjithë të mësohemi me shtimin e orëve të gjumit. Në planin kombëtar ne kemi edhe përfitime të tjera, por si çdo gjë e mirë që ia di vlerën vetëm atëherë kur të mungon, edhe me errësirën nuk po dimë të vjelim të mirat që po na sjell. Ja për shembull, është e vërtetë se po thahet liqeni që furnizon hidrocentralet, por në anën tjetër banorët e zonave përreth po ngopen me peshk dhe për më tepër, toka e përfituar nga tharja liqeneve mund të shërbejë për të kompensuar të gjithë ish-pronarët! Ka vetëm një problem. Agjencia që ka fituar tenderin për fotografimin satelitor të ndërtimeve pa leje në vend, duhet të bëjë kujdes në Kukës se fotografon dhe Kukësin e Vjetër dhe agjencisë së z.Memia në përputhje të plotë me ligjin në fuqi, nuk i mbetet gjë tjetër, veçse ta legalizojë. Megjithatë, siç e kanë thënë edhe rilindasit tanë të shquar, netët e mira pas kësaj vijnë. Lum kush të rrojë ta shohë zonjë...

Nga Lutfi Dervishi
10-01-2007 (Shekulli)

P.S. - Ky shkrim nuk synon të shkurajojë punonjësit kurajozë të KESH-it, që të mos vazhdojnë punën për të mbledhur pagesat për energjinë elektrike. Fakti që nuk ka energji në shtëpi, nuk ka lidhje me pagesat që duhen bërë. Tek e fundit, ka ardhur koha që edhe errësira të konsiderohet shërbim si gjithçka tjetër dhe si shërbim që të ofrohet nga KESH, duhet të paguash që ta KESH.
Sa kohë që nuk mungon energjia politike, nuk e kemi problem mungesën e energjisë elektrike.

No comments: