Tuesday, March 13, 2007

Books: Nga kuzhina e z. Bixhili

Mendime per librin e z. Foto Bixhili

“Himariotet - Jipet e Iperit”

Nga dr. Kristaq V. JORGJI III

Z. Foto Bixhili nga Dhërmiu është autori i një libri interesant mbi Himarën dhe Himariotët, me një titull po kaq interesant “Himariotët - Jipet e Iperit”. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Toena” në 2005. Promovimi i tij u bë në 2006 fillimisht në Vlorë. Më pas promovimi i librit u bë në Himarë në nëntor 2006, në një takim të shoqatës Labëria, dhe jehona e këtij promovimi u bë edhe në gazetat kombëtare.

Në vargun e librave të shkruar për Himarën kohët e fundit (duhet thënë se këto janë shtuar pas vitit 2000), libri “Himariotët – Jipet e Iperit” i z. Bixhili ngelet, gjithmonë në gjykimin tim, një nga librat më voluminozë dhe më të rëndësishëm në argumentimet e bëra dhe në paraqitjen dinjitoze të disa prej aspekteve të rëndësishme të jetës së Himariotëve. Ja kalon në këtë këndvështrim (sasior dhe deri diku edhe cilësor) vetëm botimi i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë për Himarën.

Sipas autorit “Jipe”është shpendi simbol i fisit të thesproteve (çamëve së sotëm) term i ruajtur edhe në ditët e sotme në dialektin çam. I njëjti term nënkupton ndër arvanitët (sipas autorit) shqiponjën gushëbardhë. Ndërsa “Iperi”, (po sipas autorit) përcakton pjesën e banuar nga fiset ilire të Epirit, që shtrihet në jug të Vjosës deri në gjirin e Ambrakisë dhe Akërni

Duhet të pohoj se e kam lexuar këtë libër me ëndje dhe kurreshtje. Sikurse edhe kam mësuar gjëra tepër të vlefshme. Unë e konsideroj veten nga Dhërmiu, por jam lindur dhe lindur në Tiranë. Kësisoj, lidhjet e mia me Himaren nuk vinë përvoja e jetesës së vazhdueshme në këtë trevë, sikurse autori, por kryesisht përmes pushimeve të zgjatura të kaluar atje, vizitat e shpeshta në krahinë dhe padyshim përmes kontakteve me familjen e babait.

Ndaj ky libër përmbante gjëra që i mësova të sistemuara për herë të parë. E shoh si të rëndësishme ta theksoj këtë, përjashtuar eksperiencën time personale, sepse këto njohuri do të mund tu transmetohen brezave të rinj, të cilët siç mund të shihet në horizont, nuk do të kenë më rastin të vrojtojnë apo jetojnë gjëra tepër të vlefshme. Përshkrimi i zakoneve, dasmave, lindjeve apo vdekjeve, veshjeve - janë disa prej kapituj që besoj se meritojnë të lexohen me kërshëri. Dhe ndoshta edhe të pasurohen dhe të zgjerohen si me vlera të rëndësishme.

Historia e Himarës, e kujdo kohe qoftë, është e ndërlikuar dhe kërkon punë. Autori ka bërë përpjekjen e parë serioze për të shqyrtuar atë ndryshe nga ç’është shkruar pesëdhjetë vjetët e fundit. Dhe si i tillë duhet marrë në konsideratë si burim serioz dhe i pa-anshëm për periudhën e historisë së afërme të Himarës.

Dëshëroj të them që në fillim se e kam librin e tij që prej një viti e gjysëm dhe ndonëse kam konsumuar një bisedë personale me të, e kam patur vështirë të ulem të shkruaj për të, ndonëse edhe autori me dashamirësinë e tij, ma ka kërkuar. Arsyeja e ngurimit tim ka qenë e thjeshtë – sepse nuk pajtohem me methodogjinë e përdorur dhe mënyrën e shtrimit të disa problemeve historike të analizuara në libër.

Thënë kjo, nuk dua të vë fare në dyshim faktin se libri është i ndjerë dhe autori e ka shkruar me pasion, nga del e qartë se e do Himarën dhe e vlereson faktin se është himariot.

Literatura e shqyrtuar dhënë në fund të librit është pa dyshim tregues i seriziotetit të punimit. Në shikimin e përgjithshëm del se autori është mbështetur më shumë në literaturën shqipe ( 54 +11 zera), ku duhet thënë se ndalon deri në vitin 1993, (përjashtuar veprat letrare) dhe më pak atë botërore (6 +3 zera) , sikurse edhe në periodikët e botuar shqip. Një vënd të rëndësishëm të literaturës së tij e zënë ato greke (19 zëra) si dhe artikuj të periodikut grek. Ndaj literatura kryesore e këtij punimi ngelet shqipja dhe greqishtja. Si pasojë, ngelet një nga të mangësitë e këtij punimi fakti se autori, që për arsye objektive, nuk ka mundur të shfrytëzojë direkt edhe burime nga gjuhët e tjera, të cilat ngelen kurdoherë të rëndësishme. Eshtë për tu theksuar se citohen shpesh edhe burime të cilët janë me vlera të rëndësishme, të pabotuara, apo edhe të përkthyera, por të pabotuara.

Rrënjët pellazgo-iliro-arbërore të Himarës????

Qëllimi i autorit siç është shkruar në fund të librit është se të tregojë “rrënjët pellazgo-iliro-arbërore të himariotëve”(f. 315). Kjo është edhe tema kryesore udhëheqëse e shumë kapitujve dhe autori i kushton kohë, arsyetime dhe përpjekje duke sjellë fakte për të mbështetur këtë pohim.

Është një përshtypje e imja se autori në shumë prej atyre që shkruan është tepër i “bindur” në vertetësinë e tyre. Dhe kur kjo lidhet, me debatin e madh se ç’farë janë Himariotët, kjo “bindje” e autorit, përveç që nuk është modeste, por sjell me vete edhe dyshime. Kjo pasi një parimet e mëdha të studjuesve duhet të jetë se nuk duhet të paragjykojnë, pasi kështu nuk zbulojnë, por vetëm justifikojnë. Dhe për të bërë deduksione të tipit “rrënjët pellazgo-iliro-arbërore”, unë jam i mendimit se duhet të jesh shumë më tepër se autori.

Në radhë të parë pasi rënjët pellazgo-ilire- arbërore nuk janë vërtetuar edhe për vetë shqiptarët. Lidhja e pellazgëve me ilirët, si dhe ilire me arbërit janë vetëm hipoteza - që do të thotë se duhet të kalojnë nëpër sitën e argumentimeve shkencore, dhe jo-partizane.

Nuk duhet thënë se është e gabuar, por ende nuk është provuar si e vertetë. Ka autorë të ndryshëm që e japin këtë të provuar, por kjo nuk është shenjë aprovimi për një studjues serioz. Dhe nëse e kuptojmë prejardhjen nga ilirët dhe pellazgët si hipotezë, çdo ngrehinë mbi këtë themel është tepër e brishtë dhe kompromenton tepër arsyetime, të cilat në libër merren si të mirëqena.

Citoj nga autori Vehbiu, te cilin do ta përdor si referencë të rëndësishme gjatë tërë këtij shkrimi “Parahistoria e shqiptarëve dhe e shqipes është një nga degët më të koklavitura të albanistikës, për arsye kryesisht objektive të mungesës së dokumentimit dhe në përgjithësi të burimeve. Shumë studiues, shqiptarë e të huaj, e shohin shqipen si vazhduese të një dialekti jugor të ilirishtes me elemente të mbivendosura të trakishtes; në një kohë që popullin shqiptar e mendojnë të formuar si popull pak a shumë në trojet ku ndodhet edhe sot. Të tjerë studiues kanë rezerva, sidomos për karakterin etnik të vijës bregdetare të Shqipërisë në lashtësi, ndërsa shqipen vetë e mendojnë si vazhduese të një dialekti të trakishtes ose dako-mizishtes.

Për disa autorë, pellazgët ishin një popull indo-evropian i afërt me trakët, frigasit e dako-mizët, që u parapriu fiseve greke gjatë zbritjes epike drejt Egjeut; për të tjerë autorë, pellazgët s’ishin veçse një emërtim konvencional për të gjitha ato popullsi joindo-evropiane që gjetën fiset indo-evropiane të grekëve (dhe të shqiptarëve), kur u zhvendosën drejt trojeve ku do të jetonin gjatë periudhës historike”.

Siç thonë autorë të tjerë, ““studimet “pelazgjike”, të cilat kanë për objekt gjuhën historinë dhe kulturën e një populli që banonte në Ballkan të Jugut e në ishujt e Egjeut para se të zbrisnin aty grekët indo-evropianë, mbeten një fushë jashtëzakonisht spekulative e paleolinguistikës, dhe deri më sot nuk kanë dhënë ndonjë rezultat që të shkojë më tej se lista emrash të vendeve dhe citatesh nga shkrimtarë të lashtësisë”.

Ka argumente shumë të forta për vazhdimësinë antropologjike dhe gjuhësore të shqiptarëve në trojet e sotme. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, që shqiptarët janë doemos pasardhës të ilirëve....”.

“Vazhdimësia kulturore, e promovuar nga Rilindja dhe kombëtaristët e mëpasshëm, përkundrazi, mbështetet në mite. Nuk ka KUJTESË të ilirëve ndër shqiptarët. Nuk ka pasur kurrë. Ilirët në kulturën tonë (sikurse Pirroja i Epirit, Aleksandri dhe të tjera gjepura) janë një konstruksion mitik (IMHO), i mbjellë nga lart për synime politike”.

Duke shkuar sërisht aty ku e nisëm diskutimin, që të dy krahët e barazimit Pelazgë-Ilirë dhe Ilirë-shqiptarë duhet vërtetuar. Nëse kalimi pellazg –ilirë ngelet i mbuluar në një terr për mungesën e dokumentacionit, lidhja e dytë ilirë-shqiptarë është më lehtë të shqyrtohet, pasi ilirët vinë në histori të cituar nga autorë romakë. Në këto burime p.sh. ilirët citohen se kanë sjellë perandorë si Diokleciani apo dhe Konastandini i madh-për të cituar në të famshmit.

E megjithatë, sërisht nuk dihen shumë gjëra për ta, sikurse nuk njihet gjuha e tyre që do të mund të bënte një lidhje të provuar midis ilirishtes dhe shqipes. Është e vertetë se “ilirologët modernë, duke studiuar kryesisht sistemet e emrave të përveçëm (onomastike) ndër ilirët, kanë nxjerrë përfundimin se këta deri edhe flisnin gjuhë të ndryshme. Përndryshe, të dhënat për këta stërgjyshë të lavdishëm janë të pakta, ndonjëherë anekdotike. Vetëdijën e grupit përtej njësisë fisnore ta jep bashkimi politik, dhe ndër ilirët nuk më rezulton të ketë pasur të tilla gjithëpërfshirëse”.

Autori Vehbiu thekson në librin e tij “Labirintet e kujtesës” se –Nëse miti pellazgjik i ruan ende tiparet klasike të mitit romantik të Rilindjes; hipotezat ilire e gjejnë ende forcën për të mbijetuar në optimizmin pozitivist të dijes empirike; e më në fund hipoteza trake rimerret periodikisht nga dijetarë që nuk kanë asfare të bëjnë me kacafytjet ideologjike brendashqiptare, nga ana e tyre teoritë etruske dhe të tjera edhe më të fantaksura që po qarkullojnë së fundi në periferitë e thella të mendimit historik shqiptar frymëzohen nga vizione okultiste dhe përgjithësisht irracionale të historisë. Të gjitha këto doktrina “të treta” ose alternative janë të dënuara të mbeten përgjithnjë në gjysmë hije; jo sepse nuk i përgjigjen modeleve të realitetit, as sepse promovohen nga diletantë entuziastë pa përgatitjen e nevojshme, por vetëm sepse nuk i shërbejnë dot mirë sfidave të qena e të paqena që ia zënë domosdoshmërisht shtegun shqiptarizmit të origjinave”.

Z. Muzafer Korkuti në librin e tij “Parailirët, ilirët, arbërit“ 2003, botimet Toena, (e njëjta shtëpi botuese e librit të z. Bixhili) f. 16 shprehet se “në trinomin e problemeve parailire-ilire-arber, problemi i parë mbetet më i vështiri, sepse të dhënat gjuhësore e antropollogjike janë të pamjaftueshme”. (Vini re se si z. Korkuti i shmanget përdorimit të termit pellazg si term specifik duke preferuar atë parailir – si term të kompromentuar (f. 22))

Një nga gjërat që të bie në sy në librin e z. Bixhili, është se shumicën e arsyetimeve e ka bërë mbi disa “teori” të bëra nga njerëz sikundër Z. Mayani, R. D’Angely, G. Catapano, Spiro Konda, A. Kola, A. Belusci, N. Vlora-Falaschi etj. (Një nga emrat e cituar është edhe Hans Hahne, i cili e ka nxjerrë tërë Europën Ilire, por më pas e kuptoi se nuk e kish të drejtë). Edhe studjues shqiptare sikurse Korkuti, në të njëjtën libër të lart-cituar, thotë për dy nga këta studjues (Majani dhe Konda) se “kanë përdorur metoda jashtë shkencore”.

Siç thotë Sartri, disa njerëz kanë kaq pak ide sa janë skllevër të tyre. Një prej tyre, që ka bërë emër në shumicën e fletushkave pa vlerë shkencore, sikurse i i cituar edhe nga z. Bixhili në librin që po analizojmë, është edhe Robert d’Angely. I përkthyer me shkurtime në shqip nga Xhevat Lloshi është një nga ato botime, që sipas disa autorëve “që kundërmojnë erë fantazi fantazmagorike, abuzime të përçudnuara, megalomani të shfrenuar dhe etnocentrizëm maksimal”. A. Klosi në shkrimin e tij “Moisiu në mal” e ka përmbledur kështu esencën e këtij libri - “Pellazgë, d.m.th. shqiptarë kishin qenë të parët e grekëve, të thrakëve (të trashëve), të etruskëve (e-dru-ve). Të gjitha fjalët e tyre shpjegoheshin me fjalë të shqipes. Edhe emrat e perëndive si Tetis që vinte nga Deti, ose të heronjve si Piro që do të thoshte Burri, Akileu dmth. aq-i-lehti, Menelau = mënt e lanë, ose emrat e vendeve: Siqeli, dmth. si-kalë, Mitilini = mut i lënë, Pithagora = bythëgjeri Marsejë nga marr-sjell, Italia nga vetulla, Abisinia, = pa bythë (po aty) e kështu me radhë”.

Ardian Vehbiu që ngelet, për mendimin tim modest dhe jo-profesionist, një nga penat më serioze të fushës, ka bërë një koment për këto përpjekje, që duhen thënë janë shtuar në numër këto kohët e fundit, përpjekje të lehtësuara edhe një teknollogjitë moderne sikurse Interneti. Ja se ç’shkruan ai “Interneti është i mbushur me shkrime që bubullijnë kundër relativizmit të autoktonisë shqiptare dhe të lidhjeve iliro-shqiptare. Njerëzit ulen e flasin për etimollogji, origjina gjuhësh dhe popujsh, lista përkimesh me greqishten e vjetër, etruskologjira dhe orgji të tjera të bon-sensit. Edhe pse të tilla shkrime ndihmojnë të kuptohet diçka për autorët (d.m.th. si dokumente) mbeten në masë të madhe në nivelin e angullimave.”

Ja si mund të përmblidhet me humor disa nga përpjekjet vullnet-mirë të cituar nga Interneti.

Sat 2/3/2007 3:29 AM

Dega e studimeve gjuhesore te Akademise se Shkencave te T....... iu la terrthorrazi te ditur se ngacmimet e pafund ne arenen nderkombetare qe personalitetet e saj kane bere gjate ketyre viteve te fundit ndaj shume linguisteve europiane qe ta shohin me me kopetence ceshtjen e gjuheve te vjetra, te parave fare te Europes, me sa duket kane dhene frutet e tyre.

Brenda nje periudhe te shkurter jane botuar dy libra qe merren me gjuhet para indoeuropiane ne Europe dhe me gjuhet pararomane ne Itali.

Telefonit te Akademise iu pergjigj z. Dervish Hysenaj. Mbas shtytjes per koment ai foli: "Po c'te te thom a i vrare? Thuame - thote. C`te te thom? Te thom se se ne as i pame e as i degjuam autoret? Qe as na begenisen per te na marre nje mendim, a ide , a gjekafshe? E si mund te shkruash per gjera kaq proverbiale pa shkelur fare ne terren?

Do ti zoti Wallace te shkruash per para-latine? Posiii. Hajde ketu. Na begenis. Te shkembejme ndonje llaf, te ndezim ndonje cingar, te ngreme ndonje gote, e me pas muhabeti fiolle. Po jooo. I zene burri i botes. Vjen nga Amerika ne Itali e nuk hidhet nje cap me tutje per ne Laberi. Po i ka thene njeri atija se leberit tane e kane pasur ne kohe te sterlashta Italine si shtepine e tyre? A i ka thene ndokush z. Wallace se Kalabria dikur ishte plot me leber, dhe prandaja e ka marr emrin qe ka? Po per etrusket e famshem ai i ka thene gjekafsh njeri atija? Qe ishte e tera e banuar nga tosket? Apo s`degjon nga ai vesh ai. Ta shohim kur ti bjere ndermend te shkruaj ndonje liber per pellasget. Po erdhi, vehten ne qafe paste se po nuk ia cveshem makinen ne disqe t`ia nxjerrim ne qafe te Kucit, mo me thone me ne emer. Jo per gje, po te ulet njeriu e te flase tamam. Jo si ema e Zeqos nga maje e thanes, atje ne Amerike. Ja keshtu.

Po inatin me te math instituti ine dhe Akademia e ka me ate Mallori dhe Ademin ( se s`me vjen ti thom Adams, se me dukete i trashe si nga ata maloket tane me dukete). I vene nje titull librit:Prot-Indo-Europian... e te tjera. E kujtojne se kane gjetur Ameriken. Qe anglezet jane trushkulur e di gjithe dynjaja e di. Te lindesh e te rritesh ne nje ishull, ku shkon nga shkon, ne te njejtin vend mberrin, nuke ke cfare pret tjeter. Sapo e pashe titulline dhe kapitujt, i thace Islamit: e po kjo s`ka , me nder teje, bythe te rrinje nuke ka. E si mund te shkruash per Proto-Europianet pa kaluar me perpara neper te kaluaren e lavdishme te pellazgeve. Se te kishin qene te paret tane nga mocalishtet e Rinit, do ta kishe pare ti. Jo nje kapitull por nje liber te tere do u kish shkruar inglizi. Po meqe kane te bejne me shqipetare dhe leber, hajde, thone, se s`e merr vesh njeri po i futem ata nen rrogoz. Po nuke e dine ata se pa pellazge nuke ka proto-europiane. Kjo ka qene dhe do mbetet teza jone, themeli i mendimit tone shkencor ne Akademine e T......., i cili nuk ka per te ndryshuar kurren e kurres sikure ta dije se do te shkoje gjaku deri ne maje te Cikes te shkoje. Jemi betuar na të Akademise në ato eshtra të të parëve tanë pellasgas. Të varfër, por të lavdishëm ama!!!!!!!


Dhe pse vjen kjo–mund të pyetet. Sepse shumë nga gjërat bëhen me pasion

dhe jo me kokë të ftohtë, pa ditur dhe jo duke shfletuar, duke kundërshtuar dhe jo ndërtuar, mbështetur jo në fakte. Në rreshtat e mëposhtme do të mundohem të illustroj këtë që do ta quaja “të metë” objektive të autorit, e cila të çon në deduksione të gabuara.

Qezari dhe zbarkimi në Palasë.

Do të doja të merrja shëmbullin e Qezarit dhe zbarkimit të tij në Palasë, i cili është cituar shpesh nga autori.

Citohet nga libri në fjalë, faqja 21, paragrafi i parë – “Jul Cezari në veprën e tij “De Bello Civile” shkruan se ai vet u nis për në Iliri. Të nesërmen doli në breg, ndërmjet shkëembijve të maleve Keraune, gjeti një gji të qetë dhe zbarkoi ushtarët në atë vend që quhet Palaeste.. Çengelet i hodhi në rrëzën e Paleaestes”. Z. Bixhili citon autorin A. Shehu. faqe 7, të artikulli të mbajtur ne qytetin X në një përkujtimore....

Në faqen 38, paragrafi i dytë, përmëndet sërisht Qezari. Citojmë“ Historikisht Jul Qezari zbret këtu rreth vitit 48 para Krishtit,120 vjet pas Luç Emil Paulit. Dhe ai nuk bën fjalë për GJI e QYTET me emrin MEGALIHORA, por për qytet të PALAESTES. Edhe kur vazhdon më tej, ai ndesh Dhrimadhën”.

Vazhdon përsëri përmëndja e Qezarit në faqen 45, paragrafi i tretë. Përsëri citojmë nga libri “Dëshmia e Jul Qezari, i cili na thotë se “pas Palaestes përballet me fisin Dhrimadhes” do të mjaftonte për të dhënë këtë shpjegim. Por në këtë rast mendojmë se Cezari duhet të ketë parasysh vendbanimin, fshatin dhe jo ndonjë fis, edhe pse në traditën ilire, siç.....”

Nuk dua ta lodh më tepër lexuesin me citime të tjera. Por dua të them se shumica e këtyre që lexohen nga lexuesi i librit, të shkruar nga autori, që citon nga ana e tij z. Shehu, nuk është e vërtetë.

Ajo që ka shkruar Qezari në veprën e lart-cituar mund të lexohet në librin e tij “Belli Civilis, libri III”. E meqë e nisëm me citime, “le ti japim Qezarit, atë që është e Qezarit”.

Nonas januaris nave solvit Impostae, ut supra demonstratum est, legiones VII. Postridie terram attigit Cerauniorum, Saxa inter et alia loca periculosa queitam nactus stationem et portus omnes timens, quos teneri ab abversariis arbitrabatur, ad eum locum, qiu appellabatur Pharsal. Omnibus navibus ad unam incolumibus exposuit”.

Ky paragraf në shqip mund të përkthehet si Ditën e katër të janarit lëshoi në det anijet pasi i pat ngarkuar me shtatë legjionet sikundër treguam më lart. Të nesërmen arriti në tokën e Keraunëve. Ndërmjet shkëmbinjve dhe vendeve të tjera të rrezikshme gjeti një gji të qetë dhe, duke pasur frikë nga të gjithë limanet, që kujtonte se i kishin në duar armiqtë, pa humbur asnjë anije, zbarkoi prej tyre ushtarët në atë vënd që quhet Farsala”. Kaq. Dhe ju ngelet ta krahasoni me atë ç’është cituar në libër.

Në gjuhën e thjeshtë, kjo të le shijen e lojës “telefoni” i prishur. Z. Shehu e ka marrë nga një person tjetër, Z. Bixhili e merr nga z. Shehu; z. lexues nga z. Bixhili dhe qarku mbyllet duke e lërë “gënjeshtar” Qezarin dhe historinë. Kjo, sepse nuk ka as çengele, as plazh, as Iliri, as Dhërmi të raportuar tek dokumenti tek i cili duhet mbështetur në analizën e fundit - teksti i Qezarit.

Eshtë kjo mënyrë analize që le për të dëshëruar. Eshtë e vërtetë, që z. Hasan Ceka, ka bërë një përpjekje për të lidhur Germinët me Dhërmiun, por nuk besoj se ka qenë i sukseshëm, pasi edhe ai, ndryshe nga z. Bixhili thotë se “Mirëpo ky emër, siç ndodh edhe për një tog emrash të tjerë të vëndit tonë, ka qenë shënuar nëpër hartat gjeografike të shekujve të kaluar vetëm në formën e tij të greqizuar Dhrimadhes, trajtë kjo që vështirë se të jep përshtypjen se ka ndonjë lidhje me emrin e kumtuar prej Cezarit dhe si rrjedhim ka qenë lënë pas dore”. Dhe sido që të ishte, autori duhet ta kish raportuar si një përpjekje, në fund të fundit.

E tëra kjo do të ishte shmangur tepër thjesht nëse autori do të kish patur kërkesën metodollogjike që të verifikonte burimin e parë, që citon, pra Qezarin.


Siç mund të ndodhë edhe Qezari mund të bëjë gabime, por të paktën faji i ngelet atij. Historia, është ndërmjet të tjera, edhe referimi i burimeve të besueshëm, të cilët edhe ata mund të kenë të drejtë, por ndoshta edhe jo 100%. Vetë Qezari është shëmbull i këtij afirmimi, kur thotë se zbarkoi në Farsal.

Për ata që dinë pak histori, Farsali është vëndi, ku Qezari pati ndeshjen e fundit me Pompeun dhe fitoi. Si i tillë, nuk mund të jetë në bregdetin Himariot. Këtu ose Qezari, që ka zbarkuar e ka shkruar gabim, ose të paktën ai që e ka kopjuar e ka shkruar gabim. (Nëse ka ndodhur e para atëhere mund të argumentohet, se një kapitan i madh, ndoshta nuk është domosdoshmërisht edhe gjeograf i madh)

Përmënda në fillim të shkrimit se një nga të “metat” (në se mund të quhen të tilla dhe kurdoherë për mendimin tim modest) është se autori është tepër i “bindur” në ato që shkruan. Nga tre citimet del e qartë se ai beson se vërtet Qezari zbarkoi në Palasë.

Autori T. J. Winfrith ka botuar në vitin 2002, një libër interesant të titulluar “BadLand-Borderlands”, shtëpia botuese Gerald Duckworth & Co. Ltd. ku analizon historinë e rajonit kufitar midis Shqipërisë dhe Greqisë, një analizë interesante dhe me bibliografi të pasur. (Po dyshim, që ka edhe “komoditetin” se nuk ka ndonjë “konflikt interesi).

Për të mos e zgjatur arsyetimin dhe humbur kurreshtjen, Winfrith e vë në dyshim, atë që është e qartë për shumicën e shkrimeve që trajtojnë zbarkimin e Qezarit. Për të, zbarkimi në Palasë (ndodhur më në jug të Karaburunit dhe më afër Korfuzit ku ndodhej flota e Bibulis), moti në janar ( dhe mundësia e bllokimit të qafës së Llogarasë nga duhet të kalohej për të sulmuar Orikumin), koha e zgjedhur për zbarkim (natën), distanca e madhe nga Palasa në Orikum për tu kaluar në një marshim qoftë edhe nga veteranët e sprovuar të Qezarit – mund të jenë jenë shkaqe të mjaftueshme që Qezari të mos ketë zbritur pikërisht në bregdetin e Palasës- sikurse besohet.

Madje Winfrith, duke u bazuar në shpjegimet e oficerëve britanikë, Aleksandër Glenit, arkeologut amerikan Homer Thompson etj. etj. ofron një shpjegim tjetër. Qezari ndoshta nuk ka zbarkuar në Palasë, por ka zbarkuar ne gjirin e mrekullueshëm të Gramatas. Rruga është më e shkurtër (vetëm 6 orë sipas barinjve të Dukatit), pa rreziqe bore, pa rreziqe pritash, dhe është larg flotës armike. Mbishkrimet e këtij gjiri janë një avantazh për të illustruar që kjo zonë ka qenë mikpritëse për shumë detarë. Pse jo edhe për Qezarin?

Pukëvili dhe historia

Pukëvili është një historian tjetër që citohet nga autori dhe jo vetëm nga ai. Shpesh herë ai është parë nga shumë punime tona si burim i besueshëm, pasi ka qenë edhe konsulli i Napoleonit pranë Ali Pashës.

David Brewer është autori i librit “The Greek War of Indipendence”, “ Lufta e Greqise për pavarësi” botim i vitit 2002, shtëpia botuese “The Overlook Press”- libër në të cilin përshkruhet “lufta për liri nga shtypja osmane dhe lindja e kombit modern Grek”.

Kapitulli parë i librit përshkruan ndikimin e kishës në revolucionin Grek të 1821 dhe veçanërisht rolin e peshkopit Jorgji Jermano (të më falin puristët për shqipërimin e emrit të tij, që në greqisht është Jorgos Jermanos), me të cilin lidhet edhe nisja e këtij revolucioni. Në fund të marsit 1821, Jermano niset nga Patra për në Tripoli në qëndër të Pelopenozit për një takim rutinë dhe rrugës ndalon në Kalavrita, ku deklaron se nuk mund të shkojë më tej. Falet për tërë natën dhe në mëngjes shkon në manastirin e afërm të Aja Lavras ku qenë mbledhur 1500 fshatarë të armatosur, të cilëve u kumton se nëse vinë turqit, mjafton që të thirret “O Zot, fitorja është vetëm e jotja” dhe turqit do të munden”. Turqit vinë vërtet, por thirrja e lartpërmëndur dhe jehona e saj bëjnë të tyren dhe ata kthehen pas për në Kalavrita, nga u nisën.

Të nesërmen Jermanos jep meshën dhe mban një fjalim, i cili në thelb është se tani është koha të hidhet tej zgjedha turke, se nuk duhet kërkuar ndihma e të huajve. Ai pyet Kolokotronin e pranishëm se ç’dobi ka të luftohet në flamurin rus; se ndihma e Francës është vetëm e tërthortë, se Anglia nuk mund te jetë veçse në anën e turqve.

Jermanos vazhdon ligjëratën duke thënë se “kjo shkëndi do të nisë një kryengritje të përgjithshme” dhe se rrethimi i Ali Pashës (i cituar si kriminel) nga Turqit do të ndihmojë në këtë përpjekje. Greqia duhet të marrë jo vetëm gadishullin por edhe ishujt e Egjeut por edhe tërë vendet në veri të saj, përfshirë zotërimet e Ali Pashait. Mabron fjalën me “ Unë po kthehem në shtëpinë e Zotit dhe po përsëris atë që ju thashë sot juve; se tërë historia jonë, e ardhmja jonë, përmblidhen në fjalët besim, liri dhe mëmëdhe”.

Pasi konsultohet dhe u jep detyrat prijësve, rrëfehet dhe shpërndan turmën e cila ndërkohë është bërë 5000 vetë, aq sa ishte kur Krishti bëri predikimin në shkretëtirë. Shpërndau bukën, i dha fund zyrtarisht agjërimit dhe deklaroi sërisht se meqë jeta e të tërëve qe e kërcënuar, ata duhet të mbronin veten dhe altarin.Kështu nisi revolucioni.

Të më falin lexuesit që e zgjata me detaje të kësaj ngjarje që nuk ka të bëjë direkte me librin që po analizojmë, detaje të cilat gjykoj sidoqoftë se janë të dobishme për të gjykuar “vertetësinë” e një ngjarje.

Pasi David Brewer e përmbys tërë këtë version. Ai shkruan se “tërë ky incident është shpikje. As Jermanos dhe as Kolokotroni .. nuk qenë në Aja Lavras në 25 Mars, Kolokotroni ishte milje larg në Peloponezin e Jugut. Historianët grekë dhe të huaj, e mohojnë episodin duke e quajtur thjesht fals. Historia vjen nga pena e Fransua Pukëvilit, konsulli grek në Greqi dhe autor i një botimi katër volumesh dalë në 1824. Pukëvili nuk duhet besuar. (nënvizimii im KVJ.) Ai shpik ngjarje dhe mbledh bashkë fakte dhe njerëz nga ajri.... Nëse Chauvin nuk do kish dhënë emrin e tij nacionalizmit luftarak dhe të ekzagjeruar, Pukëvili do të zinte vëndin”.

Historia është interesante edhe për këtë gjë. (Thonë se Uot Tejleri, i burgosur në Kullën e Londrës, pasi kish nisur të shkruante historinë e Anglisë, e la përgjysëm, pasi vërejti i çuditur se kish një version tjetër me një mikun për një ngjarje të cilën e kishin parë të dy, ai nga Kulla dhe miku i tij nga rruga.)

Pse gjuha greke flitet vetëm në tre prej fshatrave të bregut.

Autori kërkon të kapë demin për brirësh kur trajton një kapitull të veçantë pse gjuha greke flitet vetëm në tre prej fshatrave të bregut.

Përfundimi i tërë këtij kapitulli është treguar qartë në faqen 152, paragrafi i dytë,kur autori konkludon se “mund të themi se greqishtja në krahinën e Himarës është e kufizuar dhe fenomen i vonët, i pas Revolucionit Grek”. Në f.155, shfaqet mendimi se “greqishtja, si e ardhur në Himarë, intensitetin e saj më të madh, duhet ta ketë pasur aty nga fundi i shekullit të 18-të e më pas, sidomos pas kthimit të pjesës së himariotëve të internuar nga Ali Pasha” . Përfundon në f. 159 duke thënë “Këto të dhëna ... janë të mjaftueshme, për të na bindur se dhe në Himarë, ku sot flitet në masë gjuha greke, kjo gjuhë ka hyrë vonë në përdorim”.

Unë do shihja këtë me pohim me shumë skepticizëm.

Për faktin e rëndësishëm së ne kemi një të dhënë të besueshme, të përsëritur, të pranuar - dëshmitë e misionarëve bazilianë. Sipas Nilo Borgias, ata kanë ardhur në Himarë fillimisht në vitin 1628 dhe e kanë lënë Himarën rreth një shekull më vonë (1732), pra shumë kohë para fundit të shekullit XVIII, që autori e supozon se ka nisur “greqizimi” i Himarës.

Dhe ata e thonë qartë dhe disa herë se “Himara, Dhërmiu (it. Drimadhes) dhe Palasës të banuar nga Grekë; të tjerët janë Shqiptarë, nënshtruar Portës Otomanë” –apo se “ nga pesembëdhjetë fshatra të Krishtere, vetëm tre janë Greke dhe të tjerët janë Shqiptarë - letër e Schiros drejtuar propaganda Fides.

Shuteriqi në librin e tij “Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes ne vitet 879-1800” botim i i tretë (i 2005) i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë” flet për veprën e përkthimit të “Doktrinës së Krishterë”e cila është e lidhet me misionin e murgërve baziliane. Citoj nga f. 186 “ Mund që shqipërimi në Himarë bëhej nga greqishtja, meqë Rodini ishte grek dhe aty flitej greqisht”. Dhe në faqen e mëpasme, u jep fund dilemave se ç’shkollë ka qenë shkolla e parë në Himarë në 1928 (e ndoshta edhe në Shqipëri) kur thotë se “Rodinoi (flitet për Neofit Rodinoin, themeluesin e misionit të murgjëve bazilianë në Himarë KVJ) .. çeli atëherë një shkollë greqishte”.

Mbase duhet nënvizuar edhe një herë ajo që thotë Shuteriqi “aty flitej greqisht” dhe “çeli një shkollë greqishte”.

Nëse e pranojmë këtë që thotë Shuteriqin, atëhere duhet të bëjmë një analizë tjetër- atë se kur ka filluar vërtet greqizimi i Himarës, nëse ka ndodhur ky. Kjo, sepse argumenti i sjellë nga Bixhili se greqizimi i Himarës në kohën e propozuar - pra ne fund te shekullit 18-të, hidhet poshtë nga dëshmitë e misionarëve.

Le të përpunojmë edhe pak më shumë idenë. Zbulimet arkeollogjike në atë që quhet shpella e Kardinit, e zbuluar nga italiani Kardini, e konfirmuar nga arkeologë shqiptarë dhe nga anglezë, si dhe qeparotasi Jano Koçi në vitin 2003 konfirmojnë se Himara ka qenë e banuar që nga epoka e mezolitit (8000 vjet p.e.s.) deri në mesjetë. Në thelb këto konfirmojnë atë që Moikom Zeqo e quan si qytetërim in continum në Himarë.

Duke mbajtur si pikë referimi nisjen e banimeve në Himarë në periudhen neolitike, dhe duke pranuar se tre fshatrat në 2007 flasin greqisht, atëhere përmes dëshmive të misionarëve bazilianë del se të paktën greqishtja duhet të jetë folur në para 1600. Ndaj nëse duhet të pranojmë hipotezën se greqishtja është e introduktuar duhet të gjejmë një pikë të ndryshme nga ajo që thotë autori. Nëse do ta pranojmë referimin e bërë nga misioni bazilian për Papën e Romës, atëhere duhet të bëjmë dy hipoteza- të përcaktojmë një datë tjetër për nisjen e greqizimit. Ose të pranojmë se Himariotët e kanë folur greqishten vazhdimisht.

Autori mendon se greqishtja është futur në jetën himariote vonë rreth 1800-s dhe se është futur si pasojë e këmbimeve tregëtare me Greqinë. Nëse është e lehtë për tu thënë dhe deklaruar, do të doja të shtroja disa pyetje.

l Përse gjuha greqishte u eksportua vetëm në këto tre fshatra dhe jo në të

tjerat – kur mund të biem dakord se të paktën edhe Qeparoi , Vunoi kanë pothuaj të njëjtën pozicion gjeografik dhe të njëjtën sjellje sikundër edhe tre fshatrat greqisht-folës?

l Si shpjegohet atëhere që nuk u fut kështu edhe italishtja- meqë himariotët

kanë patur të njëtën eksperiencë edhe vendet italike, e sidomos me Venedikun dhe me Napolin? Shpesh harrohet se në atë kohë edhe Korfuzi – partneri kryesor i Himariotëve qe i Venedikut dhe gjuha qe kryesisht italisht? Përse vallë mbijetoi vetëm greqishtja?

Autori mendon se greqishtja është nisur të flitet në Himarë rreth 1800-s. Por nuk mjfatohet deri këtu. Le ta citojmë Por edhe për Dhrimadhen dhe Palasën, ku greqishtja kishte kohë që kishte nisur të shtrinte përdorimin e saj, gojëdhënat vendase ruajnë nënkuptimin se ajo nuk kishte gjetur akoma ndër gjithë folësit përdorim. Ne Strongli, në sheshin e njerës ndër kishat më të vjetra të këtij fshati, që ishte dhe pjacë e lagjes së poshtme (katomerateve) të tij, i shenjti Kozma, ndërmjet shumë profecive e porosive, dhrimadhiotëve greqishtfolës u la edhe këtë: “T’u mësoni gjuhën e Zotit tonë, Jezu Krishtit, edhe atyre që nuk e flasin, që ta flasin dhe ta shkruajnë atëe. Pra, kjo porosi e të shenjtit na thote se në vitet 1778 dhe 1779, vite kur kaloi dy herë nga këto fshatra, greqishtja nuk flitej nga të gjithë banorët e Dhrimadhes. Me një fjalë, dhe në këtë fshat kemi mjaft shqipfolës e që nuk dinin fare greqisht...

Do të më lejoni që të kundërshtoj autorin lidhur me interpretimin e fjalëve të Shën Kozmait. Për mua, fraza “T’u mësoni gjuhen e Zotit tonë, Jezu Krishtit, edhe atyre qe nuk e flasin, qe ta flasin dhe ta shkruajne ate” mund të mos jetë drejtuar vetëm dhrimadhiotëve jo-greqisht- folës. Unë kam përshtypjen se mesazhi i Shën Kozmait është një mesazh i një njeriu të urtë (të mënçur), natyrisht fetar të besimit të krishterë ortodoks, që e di se Dhjata e re, libri bazë i këtij besimi, është shkruar në greqisht. Dhe i fton që edhe të tjerët - ata banorë të Himarës që mund të jenë jo-greqisht-folës, ata që mund të migronin në Himarës, si dhe ata që ishin jashtë Himarës, që mund të nisin rrugën e arsimit dhe dijes.

Por ka edhe një mesazh tjetër, që duhet të nënvizoj tek fjala e Shën Kozmait, pa dyshuar aspak në atë që ka thënë – atë të arsimimit, kryesisht pasojë e Rilindjes Europiane dhe dhe Illuminizmit francez.

Ky është një akt revolucionar për atë kohë – shkrimi i gjuhës si mjet për përhapjes e arsimit me tërë pasojat pozitive. Të njëjtën gjë bën edhe një personazh tjetër i Greqisë, ideologu i Revolucionit Grek, Korais në 1802 kur këshillonte suliotët shqip-folës- “Kur të keni pak paqe, sillni në krahinë një mësues për të mësuar fëmijët në greqisht. Kur luftëtarët e Sulit do të dinë së nga vinë, askush nuk mund ti mposhti as me dredhi dhe as me forcë”.

Unë nuk kam dëshirë ta shoh, sikurse autori, këtë frazë ( sikurse edhe shëmbjen e kishës për ta kthyer në shkollë) domosdoshmërisht, si mbjellje të farës “së Megalo-Idesë” siç do të thoshte z. Sherif Delvina, apo dhe Pëllumb Xhufi. (Z. Delvina shkon aq larg sa e cilëson Shën Kozmain si “profetin e antishqiptarizmit”, duke shkruar jo vetëm një artikull mbi të). Le të pyesim - A ekzistonte mundësia ti thoshin të shkruanin shqip apo latinisht??? Ka pasur në atë kohë shkolla shqipe? Kur dihet se greqishtja qe lingua franca që prej mijrave vjetëve, sikurse dhe latinishtja?

Për të dalë nga Ballkani dhe nga kornizat shqiptare, ç’të keqe ka menduar p.sh. çeku apo gjermani që mësonte në Universitetin e Bolonjës apo të Pragës, apo spanjolli, që studjonte në Sorbonë në mesjetë, vetëm në Latinisht?

Diku kam lexuar edhe mendimin se edhe një pjesë e madhe e Rilindasve përfshirë këtu Buzukun, Budin, Bogdanin, Matranga, Chetta, Variboba, Anonimi i Elbasanit, Dhaskal Todhri, e Kosta Berati synonin thjesht të lëvronin fenë ndër shqiptarët. Kështu edhe shqipja në penën e tyre nuk ishte aq shume një vegël atdhetare, siç është reklamuar nga dogmat e historisë parademokratike.

Spiro Milua, Greqia dhe Shqipëria.

Në disa pjesë të librit, Z. Bixhili, përmënd faktin se Spiro Milo (i pari KVJ) e ka mësuar greqishten në mënyrë autodidakte. Si për të argumentuar se kur edhe Spiro Miloja nuk e dinte greqishten, Himara duhet të jetë patjeter shqiptare. Kjo, pasi familja e Spiro Milos, në vazhdim, ngelet nga më filogreket e Himarës e provuar kjo me ngjarjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Unë do të vija në dyshim faktin që Spiro Miloja nuk dinte greqisht, dhe pse atë e ka mësuar në mënyrë autodidakte, edhe pse kjo citohet nga Milinghami. Sigurisht në radhë të parë duhet pyetur ai se ç’ishte duke shfrytëtëzuar librin e tij, në vënd të kërkimit “me lupë’nëpër librat e të tjerëve. Ndonëse autori e ka cituar librin e Spiro Milos, në bibliografinë e tij, nuk citon gjë për këtë.

Mbase duhet të sjellë në vëmëndje një të dhënë nga babai im, i cili e dinte greqishten sikurse të gjithë himariotët. E megjithatë, kur shkoi në fund të viteve ’30 të shekullit të shkuar për studime në Universitetin e Athinës, provimet e hyrjes nuk i dha në gjuhën greke, por në frëngjisht.(Madje në kujtohet se babai përmendte shpesh se testi i frengjishtes doli mirë pasi mbante përmëndshëm vjershën “Djaloshi grek” të Viktor Hugoit, përkthyer për herë të parë në shqip nga Vedat Kokona në 1959.)

Do të bëja edhe një arsyetim tjetër për të shpjeguar përse Spiro Milo mund të mos e ketë ditur mire gjuhën greke, që është shkaku pse është detyruar që ta mësojë..

Mbase duhet mbajtur parasysh se në ato kohë Himara nënkuptonte (siç pranohet edhe nga shumica e autorëve) një numër më të madh fshatrash se sa krahina aktuale e Himarës me tetë fshatra. Citoj nga letra e Korrikut 1581 kur himariotët i drejtohen për ndihmë Papës Gregori XIII, cituar nga Nilo Borgia: Rajoni dhe Peshkopati i Himarës : Dukates (Dukati), Brocoto, Calojerates (Kallarati), Trumbazei (Tërbaçi), Sotiriane, Balassa (Palasa), Pangalades, Drimades (Dhërmi), Heliates (Iliasi), Bunac (Vunoi), Chaperos (Qeparoi), Cudissei (Kudhësi), Pilurei (Piluri), Cuzei (Kuçi), Progonates, (Progonati), Lupesei, Castelli, Niviza (Nivica), Picernates (Piqerasi), Tirnechei, Bubarei (Bubari), Oresta, Bafades, Terna, Zaracoriza, Kaminizza (Kaminica) , Fenecae (Finiqi ??), Damisei (Damësi ??), Lechelti, Dragotes, Carianae, Chunehiza, Pestanae, Bernachus, Cepriota, AioBasiles (Shën Vasili), Zulates (Zhulati). (Në kllapa janë dhënat emrat e sotëm në shqip).

Famlja e Milove, siç e pranon edhe Eqerem Bej Vlora, vjen nga Progonati, fshat, i cili nuk besoj se pretendohet të jetë greqisht-folës, por që mund të klasifikohet si fshat që hyn në Himarën e “madhe”. Kjo i jep të drejtën që nëse pranojmë këtë arsyetim edhe Spiro Milo të jetë himariot. Ndaj, ndoshta është e justifikuar që dhe Spiro Milo të mos dinte greqisht, sikurse edhe trupat e tij, nëse do të vinin nga fshatrat jo-greqisht-folëse dhe nuk ishte asimiluar. Por, sigurisht në radhë të parë duhet pyetur ai se ç’ishte duke shfrytëzuar librin e tij, në vënd të kërkimit “me lupë”nëpër librat e të tjerëve.

(Mbase duhet menduar më seriozisht ajo që thotë gazetari amerikan John Gunther kur trajton faktin e prejardhjes se Hitlerit nga Austria, se askush nuk mund ta merrte arianizmin me seriozisht se një austriak)

Himara “labe”, aq dhe labëronjëse .

Autori i dedikon në ndarje të veçantë në kapitullin e demografisë kësaj fraze të të nderuarit Eqerem Cabej. Si këtu, dhe në disa shumë shkrime apo dhe libra, popullore apo te tjerë, trajtohet Himara si pjesë e Labërisë. Citohet shpesh edhe kënga popullore “Që në Gumenicë e lart, Himarë i thonë çdo fshat”. Ky është leitmotivi.

Askush nuk e mohon afërsinë e këtyre dy krahinave si dhe marrëdhënjet e vazhdueshme midis tyre- shoqërore dhe të këmbimit të mallrave. Familja ime në Dhrimadhes/ Dhërmi, ajo e JorPanatëve, kishte lidhje, të cilat u ndërprenë pas shumë brezave, vetëm me ardhjen e demokracisë, me familjen Zoto nga Kuçi. Lidhja të tilla mund të përmënden plot dhe kane ekzistuar dhe kultivuar nga te dy palët.

Nuk mund të jetë ndryshe. Nëse pranojmë lidhjen e provuar tashmë të Himariotëve me Venecianët e Korfuzit, Napolin, nuk ka pse të mos ekzistojnë edhe këto lidhje të Himariotëve me hinterlandin shqiptar. Aq më tepër që distanca dhe migrimi i popullsisë janë faktorë që e lehtësojnë këtë kontakt. Por kur sillen argumente të tilla si pjesmarrja në të njëjtin vilajet, nahi apo në të njëjtën njësi administrimi fetar, kjo nuk duhet parë është si prejardhja e njejtë apo barazim ndërmjet këtyre dy krahinave.

Lexoni se ç’thotë në udhëtar anglez Henry Skerne për Shqipërinë, material i lexuar në Shoqatën Mbretërore të Anglisë në 08 qershor 1848. Autori i ndan Shqiptarët në katër grupe: Gegët dhe Mirditorët, Toskët; Labët dhe Çamët. Dallimi që bën autori midis Toskëve dhe labëve është se Toskët “shtrihen në jug të gegëve deri në lumin Vjosë” dhe qytetet kryesore “janë Elbasani dhe Berat, quajtur nga Turqit Belgradi i Arnautëve,për ta dalluar nga Belgradi në Danub”

Labët (ang. Labides) janë më të këqinjtë e fiseve shqiptare. Meqë jetojnë vetëm me grabitje dhe vrasje, tregojnë gjëndjen më të frikshme të degradimit të shoqërisë; dhe emri i tyre i keq ka ndotur edhe atë të tërë kombit. Ata grabisin rrugët, plaçkisin udhëtarin dhe shpesh edhe fshatrat. ... Janë të ashpër, mizorë dhe tradhëtarë ... Veshja çfaq mungesën maksimale të pastërisë dhe ata, bile, e kanë këtë si krenari. E konsiderojnë këtë si shenjë e trimërisë dhe të thonë me krenari të skajshme (ang. boast) se një trim i mirë lahet vetëm tre herë – kur lind, kur martohet dhe kur vdes. Labëria (ang. Liapouria) shtrihet në jug deri në luginën e Delvinës. Prirja e këtyre malësorëve të ashpër për të jetuar me plaçkitje dhe zakonet e tyre jo të pastra (ang. filthy), si dhe ngjajshmëria e madhe e emrave, “d” shqiptohet si “th” i ka dhënë shkas supozimit se ata mund të jenë çka mbetur nga fisi i lashtë i Lapithrëve”.

Ndërkaq Liri (Edward Liri), i cili viziton Himarën, po në 1848, shkruan pa bërë këto përgjithësime. Kur arrin në Dhrimadhes apo Dhërmi, thotë se Qytetërimi i kësaj pjese të Shqipërisë duket me të vërtetë (duke folur për rregullin e brëndshëm të jetës ) tepër larg asaj që unë kam parë deri tani; dhe habia ime qe tepër e madhe kur pashë muret e bardha të pastra të dhomave ku shkova- rradhën e kanave, pjatave, etj. - në rafte karriget dhe kanapetë katër vëndëshe me pajisjet e pastërta dhe tërë konfortin në përshtatje me të”. Të njëtën gjë shpreh edhe kur zbret në Vuno - “Luksi relativ i Vunosë, shtrati i pastër dhe dhoma e qetë etj. mund të vlerësohet mirë vetëm nga ata që kanë kaluar netë të tilla në dy fshatrat e fundit të Shqipërisë” apo i lejon vetes një krahasim, ndërsa viziton në kthim Dhërmiun “Më çuan sërisht sipër, tek një dhomë e madhe tetëkëndëshe, e shtruar dhe e pajisur me kanape; sipas stili të zakonshëm Turk; por prania e shumë njerëzve të tregonte për zakone tepër të ndryshme nga të Gegëve të egër apo banorëve të ashpër të Dukatit”.

Ka një ndryshim esencial midis Labërisë dhe Himarës, që buron nga vetë pozicioni gjeografik i tyre. Himara është e ekspozuar nga deti, e hapur në kontaktet e vazhdueshme me të huajt, zanati i himarioteve ka qenë i lidhur padyshim me bujqësisë, por edhe me detarinë, tregëtinë dhe ushtrinë. Eshtë ndoshta një nga krahinat më e lidhur me eigracionin qoftë edhe për këtë vendosje. Labëria është krahinë që ndryshon nga këto pika dhe padyshim këto ndryshime reflektohen në mentalitetin dhe psikollogjinë e dy zonave.

Morra një shëmbull për treguar se Labëria dhe Himara, sado që kanë pika takimi, janë edhe larg. Nuk dua të fyej askënd. Shkalla e qytetërimit është relative - ajo e Labërisë ( nëse besojmë Skern) është më e ulët se ajo e Himarës(nëse besojmë Lir), sikurse edhe ajo e Himarës mund ti ketë ngjarë mizerabël dikujt që do të vinte nga Parisi apo nga Londra.

Ja ç’shkruan imzot Kamilis në letrën e tij në 1664 “Më 20 të Majit, ditën e parë të pesdhetaresë arrita në Drimades, me ndihmë të zotit, i shëndoshë dhe pa ndonjë ngjarje të keqe mb`udhë, sado- që ky det është plot kusarë deti; atje më priti me mirësi e dashuri të madhe imzot Arkadio Stanilla3, në shtëpit të tij, e cila sa – do q` është e një më të parit të këtij vendi, nuk ka veçse një dhomë kaqë të vjetër ` e të prishurë,sa këpucëfshirësve të Romës do t`u turp të rrinin në të. N`atë (dhomë) flemë mi truall imzoti, unë dhe i zot `i shtëpisë. Pranë dhomës është nj`obor i gjerë jo më tepër se një stapë dhe në të cilët natënë flenë qetë dhe ditënë rinë pulat.”

Pelazgët, Ilirët, Epiri, Arbëria, Shqipëria.

Dikush ka thënë se kur duhet të dyshosh kur fjalia fillon me “dihet që”, “është fakt i njohur se”. Aq më tepër se është pikërisht kjo gjë që është vënë në diskutim. Siç është rasti në shumë debate të përfshirë në këtë libër.

Autori nuk e ve fare në dyshim lidhjen pellazg-ilir-arbër-shqiptar. Siç shkrova edhe në fillim të shkrimit rrënjët pellazgo-ilire- arbërore nuk janë vërtetuar edhe për vetë shqiptarët dhe do të qe e udhës që të provoheshin ato në fillim.

Pellazgët janë një popullsi e cituar fillimisht nga autorët grekë të lashtësisë si banuesit para-grekë të gadishullin ballkanik.Veçoria është se janë më tepër një popull “si të thuash filologjiko-mitollogjik” ndryshe nga ilirët apo thrakasit që përshkruhen nga autorët klasikë. Rilindasit tanë u ngulitën në këtë vijueshmëri si mjet i rëndësishëm për të legjitimituar nevojën e komb-formimit të Shqipërisë. Por duhet përsëritur se është e nivelit të pamundësisë të cilësosh këtë popullsi si shqiptare- sikurse edhe njeriun e parë mbi tokë të pajisur me pasaportë dhe etnicitet.

Por një nga nyjet gordiane të çështjes është Epiri dhe Iliria. Ku shtrihet dhe ç’dimë për këto këto dy entitete? Ku shtrihen dhe nga kush banohen? Ç’gjuhë flasin dhe cili është entiteti i tyre – gjithmonë nëse mund të flasim për këtë të fundit në kohën e lashtë? Dhe së bashku me të shtrohet pyetja tjetër sa mund të vlefshme këto zbulime për kohën tonë, pra a mund të jetë “harta etnike” –gjithmonë nëse ekziston provë për këtë- e vlefshme për kohën tonë?

Z. Luan Omari, zv. Kryetar i Akademisë ka bërë një përmbledhje të dy qëndrimeve për këtë çeshtje. Në një intervistë të botuar në gazetën “Metropol” datë 26 Prill 2007, z. Omari flet për një projekt mbi historinë e madhe të Ballkanit, të bërë nga Shoqata ndërkombëtare e Studimeve të Europës Juglindore drejtuar nga profesori Andre Giju. Z. Omari thotë se “dihen praktikisht se që në kohë të lashtë se ka pikepamje konstestimi midis studjuesve grekë dhe shqiptarë për natyrën etnike të Epirit. Ne themi që Epiri ka qenë mbretëri ilire, pra i përket Ilirisë së Jugut. Kurse studjuesit grekë priren nga teza tjetër se Epiri ka qenë grek, një shtet grek. Vërtetë ata cilësoheshin barbarë, nga ana e grekërve,jo sepse flisnin gjuhë të ndryshme bga greqishtja, por sepse kishin mënyrë organizimi shtetëror, traditë të ndryshme nga ajo e grekërve. Mendimet e grekërve i kanë përfaqësuar disa historianë të huaj, sikurse pikëpamjen tonë e kanë përkrahur dis historianë të tjerë europianë.. Në historinë tonë, sigurisht që Epiri është vënd Ilir dhe është e qartë kjo çështje. Kurse në historinë e madhe të Ballkanit, për këtë jepen teza të ndryshme.”.

Ndaj duhet bërë pyetje e parë - Ku shtrihet Iliria?

Duhet thënë që në fillim se krahasuar me pellazgët, ilirët kanë një dokumentacion në të pasur dhe më të detajuar se këta të parët. Siç shkruan Aleks Buda “ekziston një histori e ilirëve, në fakt, vetëm kur këta hynë në sferën e rrezatimit të qytetërimit helen dhe romak”.

Sipas http://columbia.thefreedictionary.com , “Iliria në kuptimin e gjerë merret si tërë zona nga Panonianët pra nga veriu të Epirit deri në Danub. Më zakonisht Iliria përdoret për të cilësuar vetëm bregun Adriatik në veri të Shqipërisë veriore dhe në perëndim të Alpeve Dinarike” . Një teritor i gjerë, dhe pa dyshim shumë më i gjerë se Shqipëria e sotme.

Sipas http://www.1911encyclopedia.org/IllyriaILLYRIA është një emër që i vihet një pjese të gadishullit ballkanik që shtrihet në perëndim të Adriatikut nga Fiume deri në Durrës, dhe në brëndësi dei në Danuk dhe Moravën Serbe. Ky rajon përfshin provincat moderne të Dalmacisë, Bosnje Hercegovinë dhe Malit të Zi me pjesën jugore të Slavonisë-Kroacisë, pjesë e Serbisë Perëndimore dhe pjesën më veriore të Shqipërisë. Meqë banorët e Ilirisë nuk arritën kurrë unitet politik kufijtë e tyre tokësore nuk janë përcaktuar kurrë. .... Emri latin Illyricum, përveç fillimeve,nuk qe sinonim me Ilirinë; mund të ketë pasur fillimisht kuptimin e tokës së banuar nga Ilirët, por u bë një shprehje politike dhe u përdor për ndarje të ndryshme të Perandorisë romake, kufijtë e të cilës u ndryshuan dhe shpesh përfshinë një zonë shumë më të madhe se sa Iliria e vertetë”.

Plini i Ri tek “Naturalis Historiae” në librin e tretë thotë se “ Iliria, në gjerësinë më të madhe katreqind e pesë mijë hapa; gjatësia e saj që nga Lumi Arsia deri tak lumi Drin arrin në tetëqind mijë hapa. Nga Drini gjer tek kepi Akrokeraune janë njëqind e shtatëdhjetë e mijë hapa”. P

Apiani Alexandrini tek “Historia Romana” thotë se “Helenët quajnë ilirë ata që jetojnë mbi Maqedoninë dhe Thrakinë, që nga kaonët dhe thesprotët deri tek lumi Ister”.

Ndërsa Ptolemei në veprën “Geografia” jep kufizimet Ilirisë nga lumi Ister (Danub) deri në Lezhe me koordinata 44° 50’ deri në 41° 10’.

Po Epiri?

Le të sjellim në ndihmë dy autorë të lashtë: Strabonin dhe Plinin e Ri.

Straboni, shprehet kështu në librin e tij, Gjeografia, “Tani, për Epirotët, ka 14 fise ndër ta, sipas Theopompus-it, por më të famshmit janë Kaonët dhe Molosët; sepse në fakt janë ata që kanë qeverisur dikur tërë vëndin e Epirotëve - Kaonët më herët dhe më vonë Molosët; dhe Molosët e shtuan fuqinë e tyre, pjesërisht për shkak të familjes së mbretërve të tyre, që i përkisnin familjes së Akidëve, dhe pjesërisht për shkak të faktit se orakulli i Dodonës që ndodhet në vëndin e tyre, orakull si i vjetër dhe i njohur rishtas. Tani Kaonët dhe Thesprotët dhe menjeherë pas tyre, Kasopeitë (edhe ata janë Thesprotë) banojnë në anë e detit që shtrihet nga Malet e Kerauneve deri në Gjrin e Ambracisë dhe kanë një vënd të pasur.

Ndërsa Plini i Ri thotë “Epiri i marrë në përgjithësi nis tek malet Keraune. Ai përfshin në fillim Kaonët, prej nga vjen emri Kaoni, Thesprotët, Antigonasit, vendin Aorn me gazrat e këqia për zogjtë, Kestrinët, Përrebejt tek të cilët është Pindi, Kasopët, Driopët, Selët, Helopët, Molosët ku ndodhet tempulli i Zeusit të Dodonës, i përmëndur për orakullin e tij, mali Tomar me njëqind burimet që gurgulojnë në këmbët e tij, mal i lavdëruar nga Theopompi”.

Pomponii Melae në veprën “De Choragrafia” e cilëson Epirin që ka gjirin e Ambracisë e më poshtë në të rreshton Buthrotin, pastaj malet Keraune, prej këtej nis Adriatiku. Ky det është rrethuar nga fise ilire deri në Tergeste...

Ndërsa Ptolemei në veprën “Geografia” jep kufizimet Epirit nga Orikumi me koordinata 39° 15’ deri në Astahon 38° 15’.

Duke përmbledhur duhet thënë se në gadishullin që tani quhet Ballkanik (emër me origjinë turke) ka pasur ndërmjet të tjerave edhe ilirë, edhe epirotë, edhe grekë edhe maqedonas, të cilët në kohë të ndryshme janë bymyer dhe tkurrur, por kanë ngelur si njësi të ndryshme .

Stavro Skëndo në librin e tij “Zgjimi kombëtar shqiptar “ botuar jashtë Shqipërisë në 1965 nga Columbia University, vazhdon e përdor Epirin si term gjeografiko- politik deri në shekullin e 20-të (shih f. 79 të botimit shqip kur përmënd Bismarkun që propozon këmbimin e Epirit me Kretën; apo f. 81 kur përmënd Krispin ne sqarimin e një informacioni të gabuar që kish publiku italian për Epirin dhe Janinën që thotë sidoqoftë se “Nuk ka dyshim se qyteti i Janinës dhe rrethinat e tij janë territore greke”. Ndër autorët bashkëkohës, Frano Prendi në kuvendin e parë të studimeve ilire mbajtur në 1972, e cilëson Epirin “si krahinë historikisht e dalluar prej Ilirisë nga pikpamja gjeografike-historiko”, duke shtuar “por jo etnike, siç duan të mendojnë disa”. (f .108).

Konstandin Sathas emërton një nga një artikujte e tij si Delle istorie della chiesa greca in Napoli esistente, Napoli 1796. Cenno Storico dei service militari prestati nel Regno delle Due Sicilie dai Greci, Epiroti, Albanesi e Macedoni in epoche diversi”.

Që për mua do të thotë se Grekët, Epirotët, Shqiptarët dhe Maqedonasit nuk janë një dhe duhen trajtuar veç e veç.

Në tërë këto arsyetime duhet mbajtur kurdoherë parasysh faktori kohë. As

Epiri, as Greqia, dhe as më shumë Iliria nuk kanë pasur stabilitet kufinjsh, për të mos folur për shtet të mirëfilltë. Në fakt flitet vetëm për shtetin ilir të ardianëve, apo edhe të enkelejve, duke lënë jashtë tij morinë e fiseve të tjerave ilire, duke mos konkluduar në atë që është vetëdija e grupit përtej njësisë fisnore, e cila fitohet përmes bashkimi politik.

Por, natyrisht thëmbra e Akilit për tërë arsyetimet historike për Himarën është

Epiri dhe përkatësia e tij etnike. Për këtë janë shkruar shumë rreshta, përfshirë edhe autorin Bixhilin. Në shumë prej librave të botuar së fundi në Shqipëri del “e qarte” se Epiri jo vetëm që është qartësisht ilir, se banorët e tij kanë folur padyshim ilirisht apo shqip. E për këtë sillen të “dhëna” nga shumë autorë e citohen shumë emra.

Kështu Z.Korkuti në librin “Parailirët –Ilirët-Arbërit” bën pyetjen “në se mund

të pyetet për përkatësi etnike në një kohë të tejlashtë si epoka e bakrit dhe në se po mbi ç’bazë?. Ai vetë ve një shenjë barazie midis kulturës (në kuptimin arkeollogjik) dhe etnosit si dhe arrin në përfundimin se “do të ish e vështirë të pretendohet se vetëm gjuha paraqet tiparin etnik të një grupi” f. 17.

Unë do të mundohem të sjell mendimin e Nichol G. L.Hammond, (1907-2001), i cili mbetet një nga autoritetet e Epirit, që ka pasur mundësinë të jetë i pranishëm edhe në Kuvendin e parë të Studimeve Ilire, një nga aktivitetet më të rëndësishme në trasimin e vazhdimësisë iliro-shqiptaro. Në këtë aktivitet të mbajtur në 1972, Hammond ka mbajtur referatin e tij “Varrimi me tuma në Shqipëri dhe problemet e etnogjenezës” (f.153- 161). Hammond shtron pyetjen se ç’gjuhë kanë folur sundimtarët e varrosur në tumat e gjetura në Belotiq dhe Dobraç, në epokën e vontë të bronxit, duke sqaruar se varrimi me tuma është shënjë e ilirëve. “Në Greqinë Mikenase, ata ndoshta kanë folur greqisht, shkrimi ilinear, i cili, siç dihet, ka qenë përpunuar përpunuar për këta sundimtarë, është përdorur për të shprehur një formë të hershme të gjuhës greke. Apo ne duhet të shohim mundësinë që ato kanë ardhur duke folur ilirisht, por zgjodhën greqishten për ta përdorur si gjuhën e vet? Po kështu Muhamed Aliu shqiptar erdhi në Egjipt dhe themeloi një dinasti të mbretërve të Egjiptit duke folur vetë arabisht”

Hammond bën pyetjen “Ku kalon vija në kohën e bronxit midis degës që flisnin ilirisht dhe degës që fliste greqisht të popujve kurgan?.... Mendimi im personal dhe kjo mbetet çeshtje mendimi, është se Shqipëria e mesme ka pasur si prijësa që flisnin ilirisht, ashtu dhe prijësa që flisnin greqisht në epokën e mesme të bronxit dhe në epokën e vonë të bronxit... Plini na thotë se ku duhen kërkuar këta ilirë origjinalë – illyrii proprie dicti- midis labiatëve të Shkodrës dhe taulantëve të Tiranës, pra në fushën e Zadrimës...f. 159-160.

Natyrisht që është mendimi i Hammondit.

Etimollogjia e vëndemrave (toponimeve)

Që në fillim të librit nga autori Bixhili, i kushtohet analizës së emrave të fshatrave. Kështu veprohet për të tetë fshatrat e Himarës. Kështu emri Dhrimadhes argumentohet se ka prejardhjen nga fjala shqipe “dhri e madhe”; Iliasi nga “Iliajt”, apo fjala shqipe “lartë”, apo “Latë”; Vunoi nga luftëtari romak i kohës së Tiberit Buno; Jali nga varri i luftëtarit Julio; Himara nga shqipja hi dhe marr ; Piluri nga fjala shqipe“pilë”; Qeparoi nga fjala shqipe “qeprat”. Nuk jam ekspert për të gjykuar, dhe autori ndoshta është. Por, duke gjykuar nga puna e kryer dhe analiza e bërë, duhet lavdëruar pasi shtrohen hipoteza, të cilat do të mund të shoshiten nëpër sitën e hulumtimeve shkencore kompetente.

Por unë nuk ndihem ende i “qetë” për këtë “shumicë hipotezash. Përse p.sh. preferohet emri i një luftëtari romak për Vunoi, kur në greqisht është e thjeshtë - Vuno do të thotë mal. Aq më tepër kur Butrinti apo Saranda, Megalihora, Petazma, Trapeza, Perivolo, Adhendra, etj. (për të marrë si shëmbull) shpjegohen thjesht nga greqishtja. Nuk besoj se emrat duhet të jenë kaq të ngatërruar. (Mollasi, Dardha, Moskopoli, Konstadinopoli, Çorovoda, apo Novosela – janë shëmbuj tipikë)

Kam përshtypjen (qofsha i gabuar) se autori ka rënë në prehrin e një tendence të përhapur këto kohë të fundit – kërkimin me çdo kusht, apo ligjërimin e shqipes, si të vetmen shpjeguese të enigmave. Kam përshtypjen (përsëri qofsha i gabuar) që edhe shpjegimi në shqip nga ana e autorit i pothuaj tërë emrave të fshatrave të Himarës, përfshirë këtu edhe tre fshatrat greqisht-folës është, është i kërkuar dhe jo natural, thjesht një justifikim që justifikon qëllimin. Eshtë përdorim i historisë dhe jo shpjegim i saj, siç do të ish e udhës.

Mbase mendon se përmes emrave mund të gjykohet për etnicitetin e popullsisë. Natyrisht që ky është një argument, por jo kurdoherë, sepse mendoj edhe anën tjetër. A mos vallë emri Novoselë tregon se banorët janë sllavë? Le të përmëndim disa qëndra banimi të tëra ne Shqipëri apo në vende të bauara nga shqiptarë - Nivicë (sllav. Fushë e vogël), Gradishtë (sllav. qytet; Nepravishta (sllav. që nuk bën gjë); Leskovik (sllav. vëndi i lajthive);Leshnicë (sllav. Lajthi); Pogradec (sllav. poshtë qytetit) ; Starova (sllav. Plakë) ; Sukë (sllav. Kodër) ; Novosele (sllav. Fshat i ri); Çorovodë (sllav. Ujë i zi), Belivodë (sllav. Ujë i bardhë); Goricë (sllav. Kodër); Podgoricë (sllav. Mbi kodër); Zagori ( matanë malit).

Durrësi është emri i një qytet themeluar nga korkyrasit, (banorët e Korfuzit të sotëm KVJ)i emërtuar nga ata Epidamn (Tucididis- Epidamni është një qytet që gjëndet nga ana e djathtë kur hyn në gjirin e Jonit. Pranë tij banojnë barbarët taulantë, fis Ilir- tek “Ilirët dhe Iliria”, botim i Akademisë së Shkencave, botimet Toena 2002). Më pas nga Romakët emërtohet Durrachium, i cili në shqip mbijetoi me emrin aktual. Nuk besoj se popullsia ndryshoi shumë me këtë ndryshime emërtimesh zyrtare, sikurse nuk ndryshoi ajo e fshatit të Shën Vasilit kur në kohën e Enver Hoxhës u kthye në Përparimi, për tu kthyer në Shqipëri.

Dhe nëse është kështu atëhere, kjo e kompromenton qëllimin. Nëse është kështu, atëhere edhe kjo është një përpjekje që mund të renditet në atë që A. Vehbiu tek “Kuzhinat e kujtesës” volumi II f.191, e cilëson si “virusi i shqipëtarizimit të origjinës”.

Ç’është ky virus që duket se ka infektuar një sërë autorësh, që e rrit aq shumë virulencën sa herë që i afrohet brigjeve të Himarë?

Në mënyrë metaforike, Vejbiu e cilëson kështu “Shqiptarizmi i origjinës, ose pikturimi i vjetërsisë historike si vlerë absolute për identitetin kombëtar të shqiptarëve, paraqitet sot si fe për nga patosi, si ideologji për nga zelli i gojëtarëve dhe si dije për nga mënyra si i flet publikute që çfaqet “atje ku dijes racionale nis ti ndalet fryma nga rrallimi i oksigjenit; ku prova ja le vëndin spekulimit dhe bindja racionale besimit ngashërimtar”. Ky virus po sipas tij “çon një jetë të vetën në qarqet ku fermentohet shqiptaria në Internet, në fletushkat e vogla provinciale, në bibliotekat kulturore të amatorëve të çakorduar dhe sidomos në municionine pashtershëm të kombëtaristëve kaba sa herë që këta u turren mullinjve armiqësore të radhës”.

Por autori është vetëm mbartësi - origjinuesit janë autorët që ai përdor. Kështu “D’Angely i gjen gjurmet e te pareve te shqiptareve: ne Evrope, ne Mesdhe, ne Kaukaz, ne Lindjen e Aferme; duke i mbeshtetur arsyetimet ne analiza ad hoc te fjaleve shqipe e duke iu dhene zgjidhje, me nje goditje te vetme, te gjitha enigmave ne prehistorine e popujve indoevropiane te Mesdheut. Ka edhe një italian Giuseppe Catapano, per te cilin jo vetem atlantet e Platonit dhe faraonet e Egjiptit, por deri edhe Krishti ligjëronte ne gjuhen e De Rades dhe te Hile Mosit. Për të vazhduar me hipotezat filologjikisht te pasura, por metodologjikisht kaotike te prof. Spiro Kondes; fantazite paralogjike te Zacharia Mayani-t; mitet intuitive e fragmentare te Nermin Falaschi-t.

Nuk besoni?? Thoni që nuk është e mundur? Një vajzë e re dërgoi një ditë në Internet disa “zbulime” që ecin në gjurmët e fantazisë paranojake të tyre – kështu Toskana në Itali qe e ka marrë këtë emër prej banorëve të saj, se ata ishin toskë te njejte me ato të Shqipërisë; Brindizi lexohet ne shqip si bri ndezur; kryeqyteti i Francës Parisi është në shqip: i pari ose si i pari; Marrsiella, -Marseja - qytet i Francës e ka marrë këtë emër nga shqiptarët në lashtësi sepse ai ka qenë dhe eshte qytet bregdetar tregëtar, pra marr dhe sjell; Homeri rrjedh nga fjalë shqipe, duke patur parasysh që ai ishte i verbër ndaj pellazgjikët i vunë emrin i Mjerë alias Homer; Mirmidonët - mirditorët, kishin mbret Aqilean ose Akilin, që do të thotë- aq i lehtë; Priami – i parë jam ose prij jam meqe qe mbreti i Trojës; Paridi - i pari që di; Menelao - mëndja e la, Mikena - mik kena/kemi, Athina – E thëna, Edessa – e desha, Thiva – theva; Marsi – i marrë; Afërdita;Zeusi nga zë; Hera nga Era etj. etj.

Atëherë me lejen e lexuesit, unë do të vazhdoja se Madridi vjen nga ma- dridh; Berlini – nga berr prej lini (apo i lindur); Moska nga Mos-Nga; Varshava – Varre pse Shava, e të tjera si këto. Dhe ndoshta duhet menduar për fjalet shqipe ne Bibël dhe ne Ungjill dhe Homerin si i pari kryetar i Lidhjes se shkrimtareve pellazge!!! ..

Studjuesi Çlirim Xhunga arrin deri atje sa deklaron se “80% e zërit “N” në fjalorët e greqishtes së vjetër dhe të latishtes vjen nga një rrënjë e shqipes njoh ... Greqishtja jo vetëm që ka lindur nga shqipja, por ajo është një gjuhë shumë më inferiore se ajo..... Po të zbatojmë në fillogji teoremën e Polisit, por jo vetëm atë, rezulton se edhe gjuhët post-latine, gjermanike dhe sllave vijnë të gjitha nga shqipja” (Koha Jonë 31 Mars 2005, f. 16)!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

Kjo është e njëjta situatë e përshkruar në tekst-boksin e dhënë në fillim të shkrimit, veçse nëse e para është humoristike, kjo e dyta është veshur me petkun “shkencor” – por me të njëjtin rezultat – ridikulimin e argumentimit.

Ç’mund të themi për këtë këmbëngulësi që vërehet? Z. Vehbiu shkruan se “është e drejtë e pamohueshme e gjithsecilit të mbetet romantik dhe të vazhdojë kokëfortësisht ta konsiderojë vjetërsinë historike si vlerë ideologjike, njëlloj siç vepronin dikur Rilindësit, sa herë e përdornin mitin e pellazgëve e të pellazgjishtes për ta bindur Evropën se shqiptarët e meritonin të ishin komb. Kështu do te klasikoja edhe “ngecjen” e paprerë të bisedave dhe shkrimeve për lidhjet fantazioze shqiptaro-pellazge dhe rrënjët "shqipe" të emrave të perëndive greke të Olimpit e të heronjve homerikë, ose për lidhjet edhe më fantazioze shqiptaro-etruske. Me sa duket kjo ua garanton ekstazën ngushëllimtare patriotike-nacionaliste të gjithë atyre që vështrimin duan ta mbajnë me çdo kusht të kthyer nga e kaluara”.

Dhe ai vazhdon “Që një pjesë e mirë e shqiptarëve të interesuar për çështjen kombëtare, vijnë dhe e gjejnë njëri-tjetrin në truallin moçalishte të këtij miti fetarist pseudo-historik të origjinës dhe jo në vizionin e shëndoshë dhe racional të rimëkëmbjes së shqiptarëve gjatë shekullit në vazhdim, kjo është njëkohësisht edhe simptomë e inflamacionit romantik kronik të mendësisë kombëtare të shqiptarëve, edhe provë se këta vazhdojnë të kërkojnë, si rregull, jo çlirimin nga vargonjtë e mjerimit të sotëm ekonomik, politik dhe kulturor, por ngushëllimin për këtë mjerim; duke shpresuar jo shërimin por trullosjen, jo barin por opiumin. Vetë qarkullimi frenetik i copëzave të mitit të origjinës në kushtet aq shqetësuese të mungesës së frymës kritike dhe të skepticizmit ndër të gjithë ata që nuk reshtin së përcjelli dora-dorës absurditetet dhe gjepurat etimologjike të radhës është shenjë e trishtuar e mbizotërimit të vetëdijës sonë kombëtare nga mekanizmat paralogjike të të menduarit, ose nga dëshira për të besuar verbërisht e për të ndjekur si bagëtia profetët, fyelltarët, magjistarët e guru-të e radhës. Nëse në kulturë kjo hapje ndaj irracionales përthyhet si bestytni dhe primitivizëm, në jetën sociale dhe veçanërisht në politikë mungesa e përmasës kritike në botëkuptim dhe përkatësimi në grupe nëpërmjet konformimit përftojnë kushte ideale për manipulatorët, demagogët, populistët, mistifikuesit dhe ata që sëe kanë për gjë të parazitojnë mbi mirëbesimin e turmës”.

Është e papranueshme që hipotezat dhe teoritë e prejardhjes së shqipes dhe të shqiptarëve të shndërrohen në konstruksione sugjestive të kulturës pop, ose në narrativa pseudo-fetare të një pseudo-feje kombëtariste, nga njerëz që si të vetmin shfajësim dhe alibi sjellin qëllimet e tyre të mira dhe përkushtimin ndaj shqiptarizmit.

Koha Jonë boton ne date 13 Shkurt 2007 një intervistë të prof. Dr. Oliver Jens Schmitt me “Deutsche Welle”me titullin “ A e njohin shqiptarët historinë e tyre”. Midis rreshtave te artikullit lexojmë se “shqiptarët e njohin historinë e tyre, por ata njhin kryesisht një lloj tregimi të historisë. Kjo ka të bëjë me një traditë, e cila ka filluar me Rilindjen dhe ka marrë karakteristikat kryesore në Shqipërinë e Enver Hoxhës’’ Intersante është pyetja që i shtrohet historisë.

I pyetur në se historianët shqiptarë janë nacionalistë, prof. Schmitt përgjigjet se “në shkrimin e historisë vazhdojnë të përdoren interpretime historike që vijnë nga periudha e Hoxhës dhe disa prej këtyre shkrimeve vazhdojnë të jenë me karakter nacionalist . Duhet thënë se bashkëpunimi rajonal është shumë, shumë i nevojshëm jo vetëm për studjuesit shqiptarë, pro edhe për shumë historianë të vëndeve të tjera, sepse ata dinë shumë pak për popujt fqinj... Shumë historianë ndodhen nën një lloj presioni shoqëror, ku shoqëria përcakton si duhet të veprojnë studjuesit dhe ku është e vështirë që interpretime të caktuara të historisë të vihen në pikëpyetje.”

Bregdeti, dhe në të edhe Himara, duhet parë si vënd takimi ndërmjet kulturave dhe etnish të ndryshme, si vënd ku tentohej të shkriheshin diferencat për të dhënë atë që në biollogji quhet “fuqia hibride”, ku merrej dhe më pas transportohej dija dhe përvoja më parë së në vëndet e tjera të hinterlandit; ku vlerat qenë subjekt i inflacioneve pozitive të ndërkombëtarizimit; modeli ku ka një qytetërim in continum të cilit nuk i humbet vlera nga të vdekshëm të thjeshtë si puna ime dhe e autorit. Kështu Moikom Zeqo në librin e tij “Himara në eklips” propozon të bëhet një libër me titull “Libri Europian i Himarës”, si vënd që mishëron perspektivën e fituar të krahinës sonë.

Ndaj ngelet nje detyrë e studjuesve Himariotë të nisin të shkruajnë historinë e Himarës me detyrën që të mos lejojnë manipulime si ato që mund të gatohen në kuzhina ultranacionaliste apo edhe anti-Himariote.

Në vënd të epilogut

Thonë se një zonjë e vjetër shkoi tek doktori. “E di doktor, unë kam probleme me gazrat. Në fakt nuk më shqetësojnë sepse janë pa erë dhe janë pa zhurmë. Në fakt, kam bërë rreth 20 herë gazra që kur kam ardhur në dhomën tuaj dhe nuk ndihen. Apo jo. Por mua më shqetësojnë”

Doktori ja ktheu duke i thënë “Zonjë,merr këto ilaçe dhe hajde pas një jave”.

Pas një jave, doktori sheh në derë sërisht zonjën e nderuar. “Doktor nuk e di se ç’më dhe por tani gazrat kanë një erë të tmershme. Përsëri janë pa zhurmë, por ama era të qelb”

Dhe doktori i kthehet.”Shumë mirë zonjë. Tani që mbaruam me hundët që ishin zënë, le të shohim ç’mund të bëjmë me dëgjimin”.

Me shpresën se disa mund të fillojnë te shërohen. Natyrisht që gradualisht, shkallë-shkallë si zonja plakë që nuk e kuptonte se ç’kishte.

 

No comments: