Sunday, March 25, 2007

Botimi i librit “Shkolla “Gjikë Bixhili”

Botimi i librit “Shkolla “Gjikë Bixhili”- Dhërmi –Historiku”
Nga dr.Kristaq V. JORGJI III

Këto ditë doli nga shtypi libri i shkruar nga z. Marko Gjikopulli “Shkolla “Gjikë Bixhili”- Dhërmi –Historiku”, botim i Triptik, Vlorë.
Në këtë libër jepet për herë të parë në një botim kompakt, mënyrë të përmbledhur historiku i shkollimit në fshatin Dhrimadhes/Dhërmi, i trajtuar pazgjidhshmërisht me atë të krahinë së Himarës. Një vënd të veçantë, siç pasqyrohet edhe në titullin e librit, zë historiku i shkollës që tanimë ka marrë emrin e bamirësit nga Dhrimadhes/Dhërmiu “Gjikë Bixhili”.
Deri në daljen e këtij libri, historiku i arsimit në Himarë nuk është trajtuar në mënyrë sistematike. Ka pasur disa përpjekje për të dhënë këtë histori, përpjekje që kanë nisur me artikullin e z. Dhimitër Shuteriqi, botuar në vitet ’50, të cilat në vitet pas ’90 shpesh herë janë keqinterpretuar, pa dhënë të vertetat historike të arsimit në trevën e Himarës.
Në librin e z. Gjikopulli, mësues në këtë shkollë deri në daljen në pension, jepen për herë të parë fillimet e arsimit në Himarë dhe në Dhrimadhes, mbështetur në të dhënat historike të misionarëve bazilianë. Këta misionarë me praninë e tyrë në shekullin XVII-XVIII hapën në teritorrin e Himarës, fillimisht në Vuno (për një vit) dhe më pas në Dhrimadhes dhe në fshatrat e tjera, shkollat e para në territorin e Shiqpërisë së sotme. Autori, pasi shtjellon historinë e lidhjeve të Himariotëve me Papën e Romës, përqëndrohet në çeljen e shkollës së parë në Vuno si dhe më pas në Dhrimadhes, duke dhënë rolin e misionarëve bazilianë të përkushtuar sikundër Neofit Rodinoi, Simon Laskaris, Andrea Stanisla, Onufër Konstandini, Xhovani de Kamilis dhe veçanërisht të Nilo Katalanos, i cili vdiq dhe u varros në Dhrimadhes në kishën e Shën Thanasit. Ketu lexuesi do te lexoje të dhëna të botuar për herë të parë në shqip.
Në këtë trajtim përmes të dhënave historike si nga Nilo Borgia, i cili ka përmbledhur tërë literaturën lidhur me këtë mision mbi 100 vjeçar në krahinën e Himarës, sikundër dhe botimeve të fundit të akademikut Shuteriqi sqarohet përfundimisht për faktin historik se shkolla e parë e hapur në Shqipëri ka qenë në Himarë, si dhe ka funksionuar si shkollë në gjuhën greqishte, që përligjej nga prania e banorëve greqisht-foles në këtë zonë.
Në një kapitull të veçantë në libër trajtohet edhe ardhja e Shën Kozmait në krahinën e Himarës në fund të shekullit XVIII dhe kontributi i tij në përhapjen e arsimit në këtë trevë.
Një kontribut i rëndësishëm i librit është përshkrimi i ngritjes së shkollës “Gjikë Bixhili” si një arritje e shpirtit arsim-dashës të popullit të Dhrimadhes dhe i tërë krahinës së Himarës, i kthyer në realitet përmes investimeve të bijve të tij të përkushtuar si Gjikë Bixhili, Zaho Nina dhe punës së tërë bashkëfshatarëve të fshatit. Në libër jepet për herë të parë edhe vula e shkollës të liçensuar nga Ministria e Arsimit greke si “Shkolla e Akrokerauneve “Gjikë Bixhili” e Dhrimadhes”.
Në libër trajtohen periudhat e tjera të shkollës sikurse e para Luftës së Dytë Botërore, gjatë Luftes, ajo e revolucionarimit të shkollës dhe më pas e viteve ’90, përmes kujtimeve personale të autorit..
Në fund të librit i kushtohet një vend i rëndësishëm pasqyrimit të të dhënave konkrete mbi mësuesit e shkollës, personelin drejtues dhe jo-drejtues të saj, nxënësit e shkollës që kanë mbaruar arsimin e lartë, njerëzve të shquar të Dhrimadhes si në Shqipëri dhe në botë si dhe të dhëna statistikore mbi këtë shkollë.
Libri ka në faqet e fundit një koleksion të fotografive të mësuesve dhe të nxënësve që paraqesin vlera historike,pasi zënë fill që nga vitet e para të shekullit XX.
Libri ështe rreth 180 faqe, nga të cilat 40 faqe janë me fotografi të mësuesve te shquar të shkollës si nxënëseve.Libri kushton 5 Euro.

No comments: