Monday, April 30, 2007

Fshat turistik në Jal nga njerëzit e kryeministrit

Banorët: Fshat turistik në Jal nga njerëzit e kryeministrit
Ened Janina
30-04-2007(Shekulli)
Andon Koka, banor i Jales
Pas Dules edhe banorët e Jalës akuzojnë kryeministrin Berisha se ka interesa personale në prishjen e ndërtimeve

Jala kthehet në gërmadhë ndërsa fshatrat e tjerë bregdetarë kanë pësuar vetëm disa prishje të vogla nga ndërtimorët

JALË- Zbulohet skema e prishjeve në bregdetin Jonian. Të vetmet godina që janë rrafshuar totalisht nga policia ërtimore janë ato të Jalës dhe Bunecit. Në fshatrat e tjerë bregdetarë ka pasur vetëm prishje kioskash dhe disa ndërtesa të vogla por asnjë dëm për sezonin veror. Panorame e sezonit veror në bregdetin e Jonit për këtë vit do të jetë e përqendruar në Himarë e Dhërmi ku pritet edhe një rritje e çmimeve pasi u është ulur konkurrenca. Banorët e zonës së dëmtuar akuzojnë për gjithçka qeverinë dhe sidomos kryeministrin Berisha, pasi sipas tyre, është njeriu që ka urdhëruar prishjet. Madje banorët, nën zë, tregojnë se kanë dëgjuar që një person me lidhje shumë të forta në kryeministri do të ndërtojë shumë shpejt një fshat turistik në bregdetin e rrallë ta Jalës. I vetmi premtim që iu ka dhënë qeveria këtyre banorëve është se do të sjellë ushtrinë dhe do të pastrojë pirgjet e mëdha të rrënojave, të cilat janë e vetmja gjë që kanë mbetur nga ajo që deri dy javë më parë quhej "plazhi i Jalës".

Fshati turistik

Pas deklaratave të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, se kryeministri Sali Berisha ka interesa të drejtpërdrejta me prishjen e ndërtimeve në Jalë kanë reaguar edhe vetë banorët e zonës. Pasi kanë parë të gjitha kursimet e tyre të shkatërrohen brenda pak orëve ata kanë shfaqur indinjatën e thellë me kryeministrin Berisha. "Nuk dimë ende përse na prishën ndërtesat tona. Policët ndërtimorë kanë treguar një urrejtje ndaj nesh dhe kanë shkatërruar gjithçka. Pasi prishën ndërtesat na kanë shkatërruar edhe kopshtet me lule. I vetmi që mban përgjegjësi dhe ka urdhëruar këtë prishje është kryeministri Berisha. Me urdhër të tij janë prishur ndërtesat e Jalës",- thotë Andon Koka, i cili ka parë t'i rrafshohen tre ndërtesat e fëmijëve të tij. Edhe banorë të tjerë të zonës fajësojnë kryeministrin se ka gisht në këto prishje që ata i quajnë të qëllimshme. "Të gjitha i kemi peshqesh nga kryeministri. Kur kemi pyetur njerëz në Tiranë na thanë se Ministria e Punëve Publike nuk kishte fare dijeni për nisjen e aksionit në Jalë. Madje ata na thanë që dikush që ka lidhje të forta në kryeministri ka në plan të ndërtojë një fshat turistik aty ku më parë ndodheshin ndërtesat tona",- tregojnë banorët e Jalës. Atyre iu kanë thënë që në zonën e tyre është një projekt i Bankës Botërore por që përfituesi është një nga miqtë e kryeministrit.

Prishjet

Aty ku më parë ndodhej ai që quhej fshati turistik i Jalës ndodhen vetëm gërmadha. Beton, dërrasa, duralumin dhe plehra. Edhe rrugët kanë shenjën e policisë ndërtimore pasi makinat kanë lënë gjurmët e tyre në rërë. Karshi kësaj panorame ndodhen banorët e zonës, të lodhur, të mërzitur dhe pa asnjë shpresë. Me lot në sy ata fajësojnë të gjithë, edhe gazetarët që nuk i mbrojtën ndaj këtij sulmi. "E jona ishte një shtëpi banimi e ndërtuar që në kohën e komunizmit por e prishën për 15 minuta. Ne nuk na kishin njoftuar më parë dhe kur erdhën na lanë vetëm gjysmë ore kohë për të hequr plaçkat. Shkatërruan të gjithë Jalën duke prishur shtëpitë e atyre që janë nga Jala e duke lënë ndërtesat e të ardhurve. Tani në Jalë kanë mbetur vetëm tre shtëpi që mund të bëjnë edhe punën e hotelit",- thonë njerëzit e familjes Andoni. Të njëjtën histori tregojnë një nga një të gjithë banorët e tjerë të Jalës, të cilët kanë parë ndërtimorët të rrafshojnë gjithçka. Dy prej ndërtesave më të larta, katërkatëshe, i kanë prishur përgjysmë. Skrapi i madh i ndërtimores ka hedhur në tonë gjysmën e ndërtesës duke lënë pjesën tjetër si një gërmadhë të shëmtuar. "Kishim 15 dhoma dhe furrën e bukës. Të gjitha paratë e emigracionit fëmijët e mi i kishin investuar aty. Tani nuk kemi më asgjë. E gjitha kjo po bëhet që turistët që më parë vinin në Jalë tani të shkojnë në Greqi. Këtë vit në Jalë nuk ka më turizëm", thotë Sanie Halilaj. I vetmi ndërtim i vjetër që ka mbetur në Jalë është ai i Artan Balës, i cili ka një minimarket në vendin ku në kohën e komunizmit ndodhej dyqani i fruta perime. Pasi i ka treguar ndërtimorëve lejen dhe tapinë ai ka mundur të shpëtojë shtëpinë.

Si u rrafshuan për 20 minuta 350 mijë euro

Të gjithë banorët e Jalës janë në një mendje se ndërtimi më i kushtueshëm është ai i familjes Bala. Një hotel i vogël por edhe një lokal me kushtet më të mira të mundshme, të cilat ndodheshin në pjesën veriore të Jalës janë shkatërruar krejtësisht nga ana e ndërtimorëve. Aty ku më parë ndodhej lokali tashmë ka mbetur vetëm një luan, i cili tregon se rrethimi kishte qenë i zbukuruar edhe me skulptura të vogla. "Jala u bë si Bagdati. Ishte një barbarizëm i paparë. Zbarkuan 200 policë ndërtimorë dhe rendi, të cilët filluan të bënin terror tek banorët. Prishnin një pjesë të lokalit, largoheshin dhe ktheheshin sërish disa minuta më pas. Lokali ynë ishte me leje ndërtimi por atyre nuk u interesonte kjo gjë dhe e prishën",- tregon Maria Bala. Kësaj familjeje i është prishur edhe shtëpia dhe ata e kalojnë tërë ditën mes rrënojave të lokalit e banesës. Ata kanë ngritur një çadër ndërsa për të fjetur shkojnë tek fqinjët, të cilëve u ka mbetur ende ndonjë dhomë tepër. "Nuk kemi më asnjë arsye të jetojmë këtu. Kishim investuar rreth 350 mijë euro për të ndërtuar gjithçka dhe tani na janë djegur. Ndërtimorët nuk na lanë as kohën që të heqim të gjitha plaçkat nga shtëpia dhe një pjesë e tyre ndodhen ende nën rrënoja. Nuk na ka mbetur më asgjë",- thotë me dëshpërim Maria. Sipas saj, në Jalë ka mbetur e paprekur një ndërtesë e madhe e cila nuk ka asnjë lloj leje por rri ende në këmbë sepse është godina e ushtrisë.

Jala mbet pa ujë dhe ushqime

Deri dy javë më parë Jala ishte një nga fshatrat më të bukur të bregdetit Joanian me një kapacitet prej rreth 3500 banorësh. Sot në Jalë ndodhen vetëm tre hotele me një kapacitet prej rreth 50 personash. Problemi më i madh për banorët e Jalës është se një pjesë e dhomave të hoteleve të tyre kanë qenë të prenotuara muaj më parë. Madje prenotuesit kanë dhënë edhe kaparet dhe tashmë ata presin të marrin mbrapsht paratë e tyre. "Unë dhe gjithë të tjerët kishim marrë prenotime për këtë sezon. Pothuajse të gjithë kishim marrë prenotime dhe tani duhet të kthejmë kaparet. Me ato para kishim bërë disa rregullime të rastit dhe gjithçka na shkoi për keq",- thotë një prej banorëve të Jalës. Sipas tij, tashmë Jala është bërë e pabanueshme edhe për njerëzit që kanë shtëpitë aty. Këtë vit u është hequr edhe tubacioni i ujit dhe e vetmja zgjidhje është një autobot që vjen nga Vunoi. Aty mund të marrësh ujë për tu larë ndërsa uji i pijshëm duhet blerë vetë. Madje edhe ushqimet blihen të gjitha në Vuno.

Në Dhërmi janë prishur vetëm dy kioska të vogla. Fadromat janë parkuar prej ditësh dhe nuk kanë lëvizur

Himara e Dhërmiu, marrëveshje me ndërtimorët

Ndryshe nga panorama në Jalë, Dhërmiu dhe Himara duken shumë më të qeta përsa i takon prishjes së ndërtimeve. Të dy fadromat e policisë ndërtimore janë pozicionuar në këto vende por thjesht për të pushuar. Në plazhin e Dhërmiut ndërtimorët kanë prishur vetëm dy kioska të vogla dhe i kanë dërguar letër njërës prej diskove më kryesore. Ai e ka apeluar vendimin në gjykatë dhe gjithçka është pezulluar. Pronarët e shtëpive dhe hoteleve të Dhërmiut kanë arritur një lloj marrëveshjeje me ndërtimorët dhe nën zë thuhet se janë paguar para. Asnjë prej tyre nuk ka pranuar që të flasë për gazetat teksa janë parë të drekojnë bashkë me ndërtimorët. Edhe në Himarë ndodhet një prej fadromave të ndërtimorëve por ajo thuhet se është prishur dhe tani qendron në zonën e portit. Në këtë qytet nuk është goditur asnjë ndërtim i rëndësishëm dhe banorët thonë që nuk i kanë njoftuar për prishje. Në fshatrat e tjerë bregdetarë ka pasur disa prishje të vogla por pa ndonjë ndikim në sezonin e verës që do të nisë pas dy muajsh.

No comments: