Tuesday, April 24, 2007

Hapet sezoni turistik dhe ne Borsh

Ndërtimorja rrafshon ndërtesat e Borshit dhe Bunecit


Luan Sejdini
24-04-2007 (Shekulli)
Fadroma e policise duke prishur nje lokal ne Borsh
SARANDË- Buneci dhe Borshi, dy plazhet turistike të bregdetit Jonian i janë nënshtruar dje Policisë Ndërtimore, e cila ka prishur ndërtimet në buzë të detit. Pronarët e ndërtesave ishin paralajmëruar për këtë aksion 15 ditë më parë dhe kishin nisur vetë të çmontonin ndërtesat e tyre. Ata kanë preferuar që të shpëtojnë materialet përpara se krahu i hekurt i fadromës së ndërtimorëve. Por edhe pse i janë bindur me kokën poshtë policisë ndërtimore, banorët e zonës janë shprehur shumë të revoltuar me qeverinë, e cila u ka hequr mundësinë e pritjes së turistëve. Prishja e lokaleve në zonën e bregdetit pritet të ketë ndikim direkt në turizmin familjar të zonës. Tashmë pushuesit që do të zgjedhin bregdetin e Jonit për të kaluar pushimet verore duhet të përgatiten për mungesën e lokaleve dhe hoteleve.

Aksioni

Mëngjesin e djeshëm, fadromat e Policisë Ndërtimore janë paraqitur në fshatrat turistikë të Bunecit dhe Borshit për të prishur ndërtimet pa leje në buzë të detit. Ata i kanë lënë banorëve dy orë kohë për të shpëtuar çfarë të mundnin nga ndërtesat e tyre. Në orët e para të mëngjesit pothuajse në të gjitha ndërtimet buzë detit punohej për çmontimin e ndërtesave. Në orën 12.00 ka nisur goditja e fadromës dhe në orën 14.00 pothuajse ka përfunduar aksioni në Bunec, për të nisur në Borsh. Në fund të aksionit të Policisë Ndërtimore në zonat e Borshit dhe Bunecit nuk ka më lokale dhe restorante që të presin pushuesit që do të mbushin plazhet gjatë muajve të verës. Ata që dëshirojnë të pushojnë në këto zona duhet të gjejnë ushqim në mënyrë primitive pasi 26 ndërtimet e banoprëve të zonës janë rrafshuar nga ndërtimorët. Për të qetësuar banorët e zonës drejtori i Policisë Ndërtimore të Vlorës, Gëzim Gostuaranitha: "Sot ne jo vetëm do të godasim e rrafshojmë ndërtimet e paligjshme , por do të punojmë që së bashku me pronarët ta rikthejmë vendin në gjendjen e para ndërtimit të këtyre objekteve".

Banorët

"Kjo që bëhet është e padrejtë, është e paligjshme. Një pushtet na jep leje një tjetër, sa fiton votat tona na i prish. Ku shkojmë kështu me prish e ndreq. Qeveria Berisha po hedh njerëzit në rrugë. Del kryeministri në televizor dhe thotë "Vaskat e floririt". Ai dhe vajza e tij lahet në vaska floriri, jo populli. Populli s'ka bukë të hajë". Ky ka qenë reagimi i Violeta Bilajt teksa shikonte lokalin e ngritur prej saj, të rrafshohej nga Policia Ndërtimore. Me të janë bashkuar edhe pronarët e ndërtesave të tjera në zonën e Borshit dhe Bunecit, të cilët ankohen se nuk kanë më asnjë mënyrë tjetër jetese. Turizmi familjar është e vetmja mënyrë për të fituar para në keto zona.

No comments: