Monday, April 16, 2007

HIMARA – POTENCIALET EKONOMIKE & SFIDAT E ZHVILLIMIT


Ioanis Mayromatis [mauromatis1@yahoo.gr] (Koment per librin e prof. Priamo Bollano)

Vitin e kaluar u vu në qarkullim libri “ Himara – Potencialet ekonomike dhe sfidat e zhvillimit”, përgatitur nga himarioti i shquar, Prof dr (Doktor në shkencat ekonomike) Priamo Bollano. Ai përbën një botim të veçante së pari, në aspektin e problematikës dhe mënyrës së shtjellimit të çështjeve që kanë përbërë objektin hulumtues dhe kërkues te autorit, së dyti, në aspektin e materialit të pasur statistikor, të paraqitur në shumë pasqyra, grafiqe e fotografish të ndryshme për trevën e Himarës dhe së fundi, në aspektin e sugjerimeve dhe të opsioneve të zhvillimit të së ardhmes së Himarës. Autori në këtë punim, duke përdorur një metodologji shkencore , jo vetëm e prezanton veten njohës dhe analizues me kompetencë të potencialeve ekonomike e shoqërore të shumta që ka Himara për zhvillimin e saj bashkëkohor në kushtet e sipërmarrjes së lirë private dhe të ekonomisë së tregut, por falë edhe përvojës së tij të gjatë në fushën e studimeve të ndryshme të zhvillimit rajonal e periferik, paraqet bindshëm rrugët e alternativat e zhvillimit të Himares, që siç shtjellohet në punimin në fjalë, ndër shekuj ” ka prodhuar ” më shumë histori e trimëri se sa bukë. I gjithë trajtimi kryhet në interes e në shërbim të prosperitetit të pandalshëm të kësaj krahine. Kjo i ka dhënë mundësi autorit të paraqesë një tablo të saktë të gjendjes aktuale të zhvillimit, duke u ndalur sidomos në ato probleme të mëdha që shqetësojnë sot himariotin, këtë njeri të mençur, patriot, luftëtar e punëtor, të penës e të dyfekut, që e ka çare rrugën e zhvillimit e të përparimit, krenar si malet e Vetëtimës që e rrethojnë si dhe me horizont si hapsirat e pafundme tëe Jonit kaltërosh që shpalosen para tij.
Struktura e lirbit “Himara – potencialet ekonomike & sfidat e zhvillimit" është konceptuar dhe realizuar në katër pjesë, me një lidhje organike ndërmjet tyre. Pjesa e parë shtjellon potencialet ekonomike dhe faktorët e shumtë të zhvillimit të Himarës. Në pjesën e dytë analizohet niveli i tanishëm i zhvillimit ekonomiko-shoqëror, ku nënvizohet fakti se ky nivel dhe kjo gjendje zhvillimi është rrjedhojë e faktorëve të shumtë eksogjenë, qe nuk varen nga puna dhe dëshira e himariotit. Në libër vihet theksi se kjo gjendje është rezultante e zgjidhjeve jo të drejta të zbatuara në Himare për privatizimin e tokave, jashtë vullnetit e dëshirës së himarjotit. Në pjesën e tretë autori shtjellon sfidat e zhvillimit te Himares. Mbështetur në veçoritë që paraqesin faktorët klimatikë natyrorë, në karakterin e kufizuar të tokave bujqësore, në praninë e bashkëjetesën e detit me malin, të rrezatimit të lartë diellor dhe gjelbërimit gjithëvjetor etj, në libër nënvizohet nevoja e shfrytëzimit të potencialeve të shumta për industrine turizmit e të agrobiznesit, në interes dhe në shërbim të turizmit, mbështetur edhe me masat përkatëse institucionalizuese të krahinëes, të rritjes sëe rolit e të ndihmesës së institucioneve publike e të shoqerisë civile në këtë zhvillim. Në pjesën e katërt dhe të fundit, autori në mënyrë te përmbledhur, konturron vizionin e së ardhmes së Himarës. Në të, me një optimizm të madh autori i punimit thekson se nuk do te jetë larg dita kur Himara do të jetë një trevë e zhvilluar në aspektin ekonomiko-shoqëror dhe demografik, me një standard bashkëkohor jetese mbështetur në të ashtuquajturën “dietën mesdhetare" që është e pranishme në çdo familje himariote, një vend i kontakteve me Perëndimin drejt të cilit synon të integrohet.
Libri “Himara - potencialet ekonomike & sfidat e zhvillimit" ka vlera njohëse dhe përgjithësuese, ai i shërben hartimit e zbatimit të strategjive e politikave rajonale të zhvillimit të Himarës nga operatorët e agjentët e këtij zhvillimi. Vetëm me një bashkëveprim tërësor të forcave mund të arrihet zhvillimi harmonik i krahinës, që me të drejtë autori e paraqet si një buqetë me lule brigjeve të Jonit, siç e thotë dhe kënga “një lule e Vilajetit“


No comments: