Thursday, May 03, 2007

News: Shërbimin Konsullor Postar ne Ambasaden shqiptare ne Athine-

Minarolli përgjigjet: Në ambasadë ka falsifikatorë


Intervistoi Altin Metaj
02-05-2007 (shekulli)
Ambasadori shqiptar në Athinë, Vili Minarolli
Një ditë pas publikimit të korrespondencës, Minarolli jep versionin e tij rreth problematikave të ngritura nga Mustafaj

TIRANË- Ambasadori shqiptar në Athinë, Vili Minarolli flet për marrëdhëniet e tij me ish-ministrin, Besnik Mustafaj. Në intervistën e tij, Minarolli ka mohuar të ketë marrë një letër nga Mustafaj, edhe pse në fakt faksimilja e letrës e publikuar nga "Shekulli" dy ditë më parë ishte me vulë dhe firmë të ish-ministrit të Jashtëm.

Z.Minarolli, a është e vërtetë se një nga arsyet për të cilën dha dorëheqje ministri i Jashtëm, ishte një debat? Nëse ka pasur, cili ka qenë debati ndërmjet jush?

S'ka pasur asnjë debat, aq më shumë që të jetë bërë shkak i dorëheqjes të ministrit dhe mikut tim, zotit Mustafaj. Për më tepër zoti Mustafaj, jo në cilësinë e ministrit, por të shkrimtarit, ishte ftuar privatisht nga ana ime, në bashkëpunim me një shtëpi botuese, për të promovuar një nga romanet e tij të përkthyer në gjuhën greke. Shoqatat e shkrimtarëve shqiptarë në Greqi u lajmëruan dy herë për këtë aktivitet, për datën 19 prill dhe më pas për datën 7 maj, që nuk u realizua për shkak të ngarkesës së ministrit. Herën e dytë unë u njoftova nga ministri që s'mund të bëhej edhe për datën 7 maj, për shkak të ftesës që i erdhi nga Departamenti i Shtetit Amerikan.

Me sa jeni Ju në dijeni, cilat ishin arsyet e vërteta që e detyruan z.Mustafaj të largohet nga posti?

Unë di aq sa ka thënë vetë z.Mustafaj.

A e keni anashkaluar ju si ambasador zotin Mustafaj, gjatë punës suaj, ashtu siç edhe ai shkruan në letrën që ju ka drejtuar?

As mund të bëhet fjalë për sa thoni. Unë jam ngarkuar nga Kryeministri i Shqipërisë në këtë detyrë, sigurisht me dijeninë dhe miratimin e ministrit të Jashtëm. Unë rikthehesha në diplomaci pas aktivitetit tim politik dhe e di si detyrën time dhe pozicionin tim me eprorët e mi. Unë zbatoj programin politik të qeverisë shqiptare, në lidhje me vendin ku jam akredituar dhe deri tani, nga eprorët e mi s'kam pasur asnjë vërejtje. Në të kundërtën, puna ime ka qenë e orientuar në forcimin e marrëdhënieve sa më të mira në të gjitha fushat, me shtetin dhe qeverinë greke, në përcjelljen e mesazheve për thithjen e investimeve greke në Shqipëri, në një bashkëpunim sa më të ngushtë midis biznesit grek dhe atij shqiptar në Greqi, në bashkëpunimin sa më të ngushtë me komunitetin shqiptar në Greqi, për zhvillimin e vlerave kulturore, për lehtësimin e kushteve sa më të mira për të punuar dhe jetuar dhe për të ndihmuar në procesin e integrimit të shoqërisë shqiptare në shoqërinë greke, me anë të veprimtarive të larmishme kulturore. Një vend të rëndësishëm ka zënë edhe mësimi i gjuhës shqipe të fëmijëve të shqiptarëve, etj. I gjithë ekipi i ambasadës është çdo ditë në një veprimtari të gjerë diplomatike dypalëshe dhe shumëpalëshe dhe kurdoherë prezent në veprimtaritë e shqiptarëve. Nuk di për ç'farë letre bëhet fjalë, se unë nuk kam marrë një të tillë. Unë ju shpjegova më sipër që kishim programuar me z.Mustafaj një vizitë në Athinë, për promovimin e librit të tij të përkthyer në greqisht. Jo vetëm kaq, por unë kam pasur ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të z.Mustafaj, për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin, që dëmtonte imazhin e vendit dhe vetë shqiptarët këtu në Greqi.

Në letër thuhet: "Duke bërë kallëzim të drejtpërdrejtë pranë Policisë së Shtetit, pa pritur verifikimin e thënieve tuaja, qofshin ato edhe të drejta e të cilat nuk mund të jenë të vetmet, ju keni shkelur ligjin dhe keni vënë në vështirësi Ministrinë e Punëve të Jashtme". Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

Ju citoni një letër, unë po bëj këtë sqarim. Së pari, pse del një e ashtuquajtur letër, kur nuk është më në detyrë z.Mustafaj? Pra, u prit sa të dekretohej z.Basha dhe ca "burracakë" na nxjerrin një letër! Ndoshta janë nisur nga një fakt: Në ambasadë është një oficer i Ministrisë të Brendshme, në rolin e Oficerit Ndërlidhës, siç është edhe homologu i tij në ambasadën greke në Tiranë. Ai ka detyrat e tij të përcaktuara dhe komunikon drejtpërdrejt me dikasterin e tij. Nga stafi i ambasadës u konstatua një veprimtari falsifikuese e një apo dy konsujve, që përbënte vepër penale. Dhe ai veproi në linjën e tij, gjë që do e bënte edhe çdo qytetar tjetër në bazë të ligjit. Unë njoftova MPJ dhe z.ministër dërgoi përfaqësuesin e Auditit të Brendshëm të Ministrisë. Meqenëse çështja, sipas të dhënave i ka kaluar Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor të Tiranës dhe sigurisht, ministria është në pritje të hetimit të Prokurorisë. Pra s'ka asnjë shkelje ligji, por ata që kanë vepruar, e kanë bërë këtë jo vetëm në detyrën e tyre funksionale, por edhe si qytetarë, që nuk pajtohen me korrupsionin dhe abuzimin. Jam i bindur se edhe ju nuk keni asnjë dyshim se z.Mustafaj mund të tolerojë një veprim antiligjor dhe për më tepër në ambasadë, ashtu siç ka mbështetur dhe dënuar deri tani të gjitha rastet e ngjashme.

Në një paragraf të letrës, thuhet: "Jam po aq i bindur se, kur titullari nuk është në gjendje t'u bëjë ballë problemeve që has, kur veprimet e tij nuk zgjidhin problemet, por i acarojnë ato më tej, i takon Ministrisë së Punëve të Jashtme të gjejë zgjidhjet që ajo i gjykon si më të dobishmet për mbarëvajtjen e punës". Cila, sipas jush, është zgjidhja që ministria do ta gjykonte të dobishme, mos vallë largimi juaj?

Edhe këtu abuzohet dhe dezinformohet. S'kam pasur asnjë problem, për të cilin t'i jem drejtuar eprorëve të mi për ndihmë. Unë nga natyra i zbus problemet dhe jo t'i acaroj. Në qoftë se është fjala për acarim me të korruptuarit, me falsifikatorët, si ai që tani është në hetim nga prokuroria, unë asnjëherë nuk jam i mirë me ta. Po si mund të ndodhë kjo, që unë të bashkëjetoj me korrupsionin, kur, gjithnjë hajdutit i kam thënë hajdut, falsifikatorit, falsifikator dhe mashtruesit, mashtrues! Aq më shumë, kur persona të tillë hajdutë dhe falsifikatorë u grabisin mundin dhe djersën shqiptarëve në Greqi dhe me këto fitime ndërtojnë shtëpi, i çojnë fëmijët në shkolla private, u venë mësues dhe shoferë privatë, etj. Pse nuk thotë e ashtuquajtura letër ku konkretisht ka çaluar puna ime, kur s'di të më jetë bërë një vërejtje, që unë do e mirëkuptoja dhe rezultatet e stafit të ambasadës janë konkrete për ata që kanë sy në ballë dhe mendjen në kokë. Ka një të vërtetë nga puna jonë: që të gjithë nuk jemi pajtuar me korrupsionin dhe abuzimin dhe atë falsifikator që akoma është në ambasadë, nuk shoqërohet nga asnjë. Pse nuk e përmend "letra" këtë falsifikator apo vetëm ka marrë përsipër t'i dalë në mbrojtje? Pse nuk shpjegon letra atë ç'ka ju përmendët në pyetjen e katërt? Nëse mbrojtësit e tij në ministri u bënë të guximshëm tani që zoti Mustafaj nuk është dhe shpërndajnë letra nëpër redaksi gazetash, kjo është puna dhe mjerimi i tyre. Por edhe detyra e drejtuesve të ministrisë, për t'u treguar vendin këtyre mbrojtësve të falsifikatorëve dhe abuzuesve. Ata duhet ta kenë të qartë, që filozofia e qeverisë shqiptare është për të nxjerrë jashtë administratës njerëzit e korruptuar, falsifikatorë dhe të pamoralshëm. Por kjo është edhe detyrë qytetare e çdonjërit nga ne. Kemi muaj që në territorin e ambasadës nuk ka sekserë që rripnin gjakun dhe djersën e emigrantëve, nuk ka radhë, sepse edhe me mbështetje të ministrit Mustafaj u prenë fijet e lidhjeve të falsifikatorëve brenda dhe jashtë ambasadës, dhe shqiptarët ndjehen krenarë kur vijnë në ambasadën e tyre në Athinë. Para dy javësh ne vendosëm në marrëveshje me Postën Qendrore të Greqisë, Shërbimin Konsullor Postar, për të ndihmuar shqiptarët që të mos humbin ditët e punës dhe të bëjnë shpenzime udhëtimi për të ardhur në Athinë, dhe jemi në bisedime të vazhdueshme me autoritetet greke për të krijuar lehtësira sa më të mëdha për qëndrimin e tyre në Greqi. E përsëris edhe njëherë, eja në ambasadë, bisedo me stafin, bisedo me qytetarët, shiko gjithçka të duhet dhe jepu të vërtetën lexuesve të gazetës që përfaqëson.

No comments: