Wednesday, May 30, 2007

Nicholas Hammond- visite in Himara

note: shkrimi ka nje pasaktesi te madhe qe nuk dihet eshte rezultat i ngatereses se Hamondit (qe i falet si i huaj) apo i perkthyesit shqiptar. Gabimi konsiston ketu: Kudhesi nuk eshte fshat musilman, ka te ngjare qe fshati per te cilin behet fjale te jete Borshi me te cilin Qeparoi ka pasur konflikte ). Kurse komenti i autorit ne fund rreth Hammond tregon mosnjohjen e konkluzioneve shkencore te Hamondit rreth perkatesise etnike te epiroteve dhe maqedonasve.

Nicholas Hammond (sipas gazetes Shqiptare-27-05-2007)


Në fund të pranverës së vitit 1930 hyra për herë të parë në Shqipëri, nga një vendkalim ilegal përtej maleve të Çamandës. Në fshatin e parë pasi kalova kufirin, në Zimnec, hasa një xhandar shqiptar, që ishte i shushatur. Ai s’kishte parë kurrë ndonjëherë njerëz me pantallona të shkurtra. Pasi nuk dinte të lexonte, ma mori pasaportën kokëposhtë dhe shtirej sikur po e lexonte. Kur u bind se qenkësha vërtet “hinglis”, dhe se i përkisja një Fuqie të Madhe filloi të më trajtonte gjithë respekt. Kështu që u bëmë miq. Me të mbërritur në qytezën tregtare më të afërt, në Konispol, paraqita pasaportën në polici dhe i tundja duart nga padurimi, ata më morën tamam për të çmendur. Porse ata kishin të dhëna të pavarura: sepse sikur dëgjova njërin prej tyre të thoshte se isha përsjellë nëpër lumë (në të vërtetë u lava njëherë atje), në ato kohëra asnjë shqiptar i shëndetshëm nuk futej kurrë në ujë, përveçse në lindje dhe në vdekje. Gjithë e gjithë ata mjaftoheshin me zakonin e larjes së kokës dhe të duarve. Familjarët, kishin qejf të përdornin për t’u larë një sasi të mirë (hiri), përzier me aromë hudhre,- këtë marifet, e kishin edhe grekët në Epir, as më shumë e as më pak.
Grekët ishin më dinakë se shqiptarët përsa i përket rasteve të kalimit ilegalisht të kufirit. Në vitin 1937, kur tensioni midis dy vendeve ishte në rritje, kalova nga Shqiëpria në Greqi në kërkim të një vendi arkeologjik, kur më arrestuan. Por, kësaj here e flisja greqishten rrjedhshëm. Thashë se isha arkeolog. Polici më dërgoi në postë për të më kërkuar të dhëna të mëtejshme. M’u drejtua me fjalët se, në qoftë se isha me të vërtetë arkeolog, duhet të recitoja vargjet e para të Iliadës përmendësh. Falë kujtesës së mirë riprodhova dhjetë vargjet e para. Për habinë time, ai tha “Ky nuk është Homeri, dhe s’është aspak grek”. Pastaj u përpoqa të sjell ndërmend vargjet e greqishtes klasike sipas shqiptimit anglisht.
“Në burg” klithi polici”. “Një sekondë” ia prita, “thashë t’i shkruaja një varg të Homerit që polici mos ta kuptonte fare”; sepse e ndjeva se atyre nuk po i hynte hiç në sy dituria ime. Kështu shkruajta një varg homerik që kishte një idiomë që s’e ka greqishtja e re (që është e barazvlefshme me proverbin tonë “Zogjtë me të njëjtat pendë kullosin tok” ë V aier ton omoion age qeo V ë V ton omoion. Ai u hutua. Ia shpjegova domethënien e shprehjes. Vargu greqisht kaloi dorë më dorë, dhe ata bërtitën:”Bravo! Ti je arkeolog”. Kjo duket e zgjidhi çështjen e shkeljes së paligjshme të kufirit, sepse më nxorën uzo.
Hasmëria mes Qeparoit dhe Kudhësit
Gjatë atij udhëtimi ndoqa bregdetin e vargmalit të Llogarasë (Kerauneve) deri në Porto Palermo. Eca më këmbë nëpër rrugën automobilistike të Sarandës. Kjo ishte një nga rrugët e pakta që kishte asokohe Shqipëria. Rruga ishte hapur gjatë Luftës së parë Botërore dhe pati shërbyer për të mbështetur frontin e ngurtë, gati jashtë veprimeve luftarake, mbajtur nga italianët kundër austriakëve në Shqipërinë Qëndrore. Mund të pohoj me siguri, se në vitin 1930, nuk pashë me sy as edhe një automobil të vetëm asaj rruge. Nga Palarmoja kalova në brendësi nëpër një udhë mushkash drejt fshatit të vogël të Qeparoit. Arrita pak para se të binte mbrëmja. I drejtohem të parit njeri që hasa me fjalët e zakonshme “Tungjatjeta” (Zoti qoftë me ty). “Tungjatjeta”, mu përgjigj, dhe pastaj pamë se greqisht mund të kuptoheshim me njëri tjetrin më lehtë. Lajmi për ardhjen e mysafirit u përhap me shpejtësi. Sakaq në të dalë të fshatit tridhjetë burra u ulën përqark meje nëpër shkëmbinjtë. Kur biseda u shua me rënien e muzgut, nga fshati dëgjova të vinin zërat e lartë të një kënge dhe kuje, pasi shqiptarët këndojnë si arabët. “Sa këngë e mrekullueshme, “thashë, “më të bukur, kurrë s’kam dëgjuar. “Op, op, op, op, op, op”, dilte prej tridhjetë grykëve të burrave të mbledhur solemnisht në rreth. Këta vazhduan op-op-opin për disa minuta ndërkohë unë shtova në shenjë simpatie, “Ata po vajtojnë vdekjen e një të riu. “I ngushëllova, de pyeta sesi kishte ndodhur vdekja e tij. Kryeplaku i fshatit, më tregoi më pas, se e kishin vrarë fshatarët e Kudhësit fqinjë. “Çfarë do të bëjë policia?” pyeta unë. “Asgjë”, ma priti ai, “nuk është e zonja”. Pas pyetjeve të mëtejshme mësova se, gjashtë muaj të shkuar fshatarët e Qeparoit kishin vrarë një djalë, dhe se vrasjet ishin kryer rregullisht deri në përmbushjen e hakmarrjes që nisi më 1912, kur dy fshatrat u përplasën gjatë luftës për pavarësi. Qysh atëhere, praktika e vrasjeve kishte vazhduar deri në vrasjen e fundit. Kryeplaku pastaj më ftoi në shtëpinë e tij me një dhomë Më gostisi me bukë misri (bubotë) e djathë dhie, duke më folur gjerë e gjatë për poshtërsinë e muslimanëve të Kudhësit që i quante djaj me brirë.
U zgjuam në agim. I thashë se do nisesha për Kudhës. “Mos shko atje!” bërtiti ai. “Ata janë barbarë, do të vrasin!” Për t’i bërë qejfin, u nisa në krah të kundërt. I rashë përqark kodrave, dhe zbrita në Kudhës. “Tungjatjeta”, përshëndes të parit Kudhsiot që ndesha. “Tungjatjeta” ma ktheu, “Nga je?” hinglis” iu përgjigja. “Prej nga vjen?” pyeti. “Qeparoi”, ia ktheva. “S’ka mundësi”, thirri ai, “ata atje janë barbarë, të krishterë, djaj me brirë, mund të të vrisnin; sepse, s’ka shumë që na vranë një djalë tonin”. Kështu e festuam shpëtimin tim duke pirë raki me kryeplakun e Kudhësit. Ky më tha se që prej 1912-ës, asnjë fshatar nga Qiparoi nuk kishte shkelur në Kudhës dhe anasjelltas.
Varri i Ushtarëve në majë të Llogarasë
Atë ditë u ngjita nga ana e vargmalit të Llogarasë (Kerauneve) dhe dola në një fshat më të mëdha (Qiparoi dhe Kudhësi kishin veçse nga pesëdhjetë shtëpi) që shërbente si qendër tregtare. Quhej Kuç dhe shtrihej sipër lumit Shushicë, në krahinën e Kurveleshit. Në ndryshim nga fshatrat prapa vargmalit të Llogarasë, Kuçi kishte një shkollë për t’u lavdëruar. Mësuesi më përshëndeti si një akademik; fillimisht me një frëngjishte të pakuptueshme por pastaj parapëlqeva të më fliste greqisht. Jetonte në një shtëpi me disa dhoma, vishej me kostum europian madje mbante në kokë një kapele stofi me strehë. Kurveleshasit i quante me përbuzje njerëz të pyllit. Këta visheshin me të leshta të bardha prej dhie dhe me qeleshe të vogla rrumbullake, shpesh, të ngjeshura prapa kokës si djemtë e shkollave. Në mbrëmje hëngrëm një dakrë të mirë ndërsa në mëngjes më nxori për të pirë kafe me zotërinjtë e vendit, te sheshi i fshatit. Po shkonim rrugës, kur u soll menjëherë mbrapsht me vrull dhe u kthye në shtëpi. E ndoqa, duke kujtuar se kishte harruar ndonjë send ose se ishte sëmurë, kur ç’të shoh? Po ngjishte në brez dy revolverë dhe gjerdanin me fishekë. Më thotë se ishte “në gjak” (domethënë “në vendetta”) dhe nuk guxonte të shkonte i paarmatosur te sheshi. Kështu dolëm dhe shkuam për të pirë kafenë gati të tromaksur.
Vetë Kuçi nuk të ngjall ndonjë interes nga ana arkeologjike, por miku im më njoftoi se nëntë orë larg prej andej sipër vargmalit të Llogarasë kishte disa varre të plaçkitura. U nisa për rrugë, duke e lënë të lirë që të ruante gjakësin. Atë natë qëndrova në një kasolle më të keqe se shtëpia me një dhomë në Alpokhori. Kaq më kishte lodhur rruga e keqe, sa e pata të vështirë të kujtoja atë pak shqipe që kisha mësuar me të dëgjuar në udhëtim e sipër. I zoti i shtëpisë kishte dy djem të vegjël. Ata hëngrën makarona bashkë me ne, në një tenxhere të vendosur mbi sofrën e drurit, rreth së cilës u ulëm këmbëkryq si turqit. Të gjithë hanin me duar, pasi nuk kishte lugë e pirunj. Unë isha i ngadaltë dhe si i pastërvitur me këtë teknikë; dora më shkonte gjithmonë bosh, kështuqë u ngrita gati i uritur. Pastaj erdhën miqtë e të zotit të kasolles. Nga pamja dukeshin shumë të egër, të armatosur me thika dhe pushkë. Njëri që fliste pak greqisht, më mbylli me lloj lloj pyetjesh, deri natën vonë. Në fund fare, doli koka e bisedës. “Duket se ti nuk mbake pushkë!” “Jo, e pse të mbaj? Nuk jam në gjak me njeri, dhe shqiptarët i duan të huajt”. “Mirë e ke; po sa napolona (monedha ari) ke me vete?” “S’kam florinj, pasi nuk kam nevojë për to”. “Pse jo?” “Sepse, ju silleni mirë me të huajt, dhe nuk kërkoni para për këtë mikpritje. Po, por paratë të duhen për në Gjinokastër (një qytezë e madhe); ku do t’i marrësh?” “Kollaj fare” i thashë, “a e shikon këtë pasaportë dhe fotografinë time”. “Kjo është si ti” m’u përgjigj. “Bukur”, vazhdova unë. “Këtë ja tregoj policisë; ata e shohin se jam unë, e dinë se jam anglez dhe mund t’ua kthej paratë kur të kthehem në Angli, kështu që më japin ca pare. E shikon, mbaj pak para se mund të qëllojë të më dalin banditët për të më plaçkitur. “Ah, tani u morëm vesh”, tha ai. Ndërsa ky ja përkthente shqip të tjerëve fjalët e mia, ndjeva një zhgënjim të madh. Ata u tërhoqën e ikën të zemëruar, ndërsa vetë fjeta i qetë, ndonëse i pangopur.
Në mëngjes kishte rënë një mjegull e dendur, gjë e pazakontë kjo në Epir, përveç maleve të Kerauneve. Bujtësi im e dinte vendin e varreve të plaçkitura. Më tha se varret s’kishin verë fare, pasi në to ishin gjetur vetëm eshtra, maja heshtash, dhe shpata, të gjitha të thyera. S’kishte as ar dhe as argjend, as ndonjë lloj thesari tjetër. Nuk mund ta kuptonte ai dëshirën time për t’i parë ato sende. Megjithatë, më drejtoi nëpër mjegull te shtegu i duhur. Kur dielli e përçau mjegullën, plasi një nxehtësi dhe lagështia u bë e madhe. Papritur e gjeta pranë dy fshatareve xhveshur nga mesi e lart. Gratë, godisnin me gurë teshat nëpër tegela, për të shtypur morrat.. Vazhdonin këtë punë pa iu bërë vonë fare për mua që isha aty. Kjo ishte pamja femërore më e paturpshme që kisha parë në Epir- e kam fjalën për xhveshjen e teshave të s ipërme, dhe jo pse shtypnin morrat, gjë që ishte tepër normale (unë kisha zënë edhe vetë morra atëherë).
Kushtet e jetesës së fshatarëve ndër shkëmbinjtë e thepisur të vargmaleve të Kerauneve, ishin më primitive nga çdo vend tjetër, krahasuar me përvojat që kisha përjetuar në Ballkan, në Palestinë dhe në Siri. Përveç faktin se ishin tërësisht analfabetë dhe pa asnjë farë higjene, sidomos për t’u larë apo për të sistemuar të pëgarat, ata jetonin në nivelin më të ulët të egzistencës. Burrat lëronin tokën me një copë druri pa metal fare në majë, ndërsa nganjëherë plugun e tërhiqnin gratë. Në të vërtetë, gratë, trajtoheshin si kafshe ngarkese, pastronin tokën nga gurët, bartnin ngarkesa të mëdha me driza, i pillnin fëmijët nëpër fusha, dhe hanin vetëm mbeturinat që linte burri. Plaka e të reja punonin gjithë ditën e lume, tirrnin me furkë leshin edhe kur ishin të kërrusura nën tërkuzën me driza, duke thurur të leshtat për vete dhe për familjen. Në Kurvelesh kultivoheshe një thekër e keqe ndërsa nëpër zhurishte mbillnin misër indian. Të vegjëlit, kullosnin ato pak dele e dhi rrëzë kodrash, ku bimësia kishte degjeneruar në ferra e shkurre. Burrat uleshin përqark duke biseduar, ose merreshin me punët e gjakmarrjes; duke marrë përsipër vetëm detyrat që nuk i kryente gruaja. Si shumica e malësorëve shqiptarë, at aishin të gjatë, me tipare shqiponje dhe burrat qenë të shkathët. Sytë i kishin të ndritshëm, bojëqielli, dhe mustakët i mbanin të gjatë. Mbi të gjitha, krenoheshin me ndonjë thikë të bukur apo me çfarëdo lloj mushqete, sado e vjetër që të ishte. Manliherin e vitit 1914, e mbanin për pushkë moderne.
Në përgjithësi shqiptarët, ende gjendeshin atëhere, në rendin e shoqërisë fisnore. Tre fiset kryesore të Shqipërisë Jugore dhe Qëndrore janë: Gegët, Toskët dhe Labët. Kryesisht, zona fisnore e labëve shtrihet në Kurvelesh. Labët, kryelartë dhe luftarakë, përdoreshin si trupa mercenarësh nga turqit, dhe formonin bazën e ushtrisë së Ali Pashës, që e kishte prejardhjen nga Tepelena, një fshat i madh në kufijtë lindorë të Kurveleshit. Nga fillimi i shekullit të nëntëmbëdhejtë, ky e shpalli veten si Despot të Janinës. Ai përfundoi disa marrëveshje të fshehta me Napoleonin, i cili kërkonte pikëmbështetje në Adriatik. Por mizoritë e kryera nga Ali Pasha kundër grekëve të Janinës- duke i shtënë gratë nëpër thasë të qepur për t’i mbytur në liqenin e Janinës- qenë arsyet kryesore që shkaktuan Luftën për Pavarësi të Greqisë. Udhëtarët anglezë të asaj kohe, koloneli Lik (Leake) dhe zoti Holland, ishin vizitorë të oborrit të Ali Pashës. Ndërsa francezët mbanin atje një ambasador si Pukëvili, dëshmitë e të cilit mbi lashtësinë e Epirit ishin mbushur me gënjeshtra. Por aventurat e Ali Pashës nuk ndikuan më tepër në ndryshimin e standartit të jetesës së shqiptarëve sesa prej famës së arritur nga një shqiptar tjetër, Muhamet Aliut, i cili themeloi familjen mbretërore të Egjiptit që kulmoi me Mbretin Faruk. Arrita të gjeja vendndodhjen e varreve, sipër kreshtës kryesore të Kerauneve (maja e Llogarasë) prej nga pashë detin të më hapej përpara syve. Këto varre ashtu si gjithkund nëpër Shqipëri quhen “varret e ushtarëve”, sepse në to nuk ka gjë tjetër përveç armëve të të vdekurve, zakonisht dy heshta dhe dy thika. Dihet se ndër këto vise, zakonet e njerëzve të periudhës së mesme të bronxit, ishin të ndryshme nga ato të shqiptarëve modenrë. Mbi malet e Kerauneve u grumbulluan re të zeza dhe moti u nxeh. Ndërsa po shtegtoja nga veriu nëpër majën e malit, nisi një shi dhe hapa çadrën. Një fshatar mori nga unë në pikë të vrapit. Më jepte shenja gjithë gjallëri në drejtim të qiellit; pasi maja metalike e çadrës me trupin tim krijonin një përcjellës të përsosur për vetëtimat e asaj stuhie në shpërthim e sipër. E ula çadrën në kohën e duhur. Shkarkoi një bubullimë e tmerrshme dhe shiu nisi me rrebesh. Reshjet vazhdonin procesin e qëmotshëm të gërryerjes, që njeriu e filloi me prerjen e pamëshirshme të pemëve, ndërsa dhitë e përshpejtuan këtë proces duke i grirë degët.

Studiuesi që kundërshton Herodotin apo Tuqididin
Nicholas Hammond (1907-2001) është nga studiuesit më të mëdhenj të Historisë Antike të shekullit XX. Studimet e tij janë të gjithanëshme në këtë fushë. Korpusi i veprës së tij (20 vëllime dhe vijojnë të botohen dorëshkrimet e tij) është zhvilluar në një periudhë 70 vjeçare, nga vitet ‘30 deri në fillim të shekullit. Profesor me titullin “Emeritus” mbi antikën, i cili karrierën akademike kryesisht e zhvilloi në universitetet e Kembrixhit (Clare Colloge), Bristolit (Clifton College) dhe në fund në Reed, ai ka bashkëudhëhequr edicionin e dytë të botimit e vëllimshëm të “Historisë Antike të Kembrixhit” që është nga vlerat më të mëdha shkencore botërore, si dhe editor i “Diksionerit Klasik të Oksfordit”.
Librat dhe studimet e tij mbi “Historinë e Greqisë së Lashtë”, të Maqedonisë, Romës, Ilirisë, Epirit dhe Egjiptit, dhe monografitë e veçanta për “Aleksandrin e Madh” qytetërimet e Mikenës, Athinës, Tebës janë shkruar me një stil prej kritiku modern, pas kërkimeve vetiake në terrenet përkatëse me një nerv prej skautisti anglez, si shembulli që ndoqi në Shqipërinë dhe Greqinë e viteve ’30-’70.
Kritikat e tij, dhe shoshitja shkencore e dëshmive të autorëve antikë, sidomos grekë dhe romakë nuk kursen asnjë autoritet të lashtë që nga Herodoti, Tuqididi, Taciti etj kur bëhet fjalë për logjikën e arsyes shkencore të tij.
Hammondi nuk bie kollaj në lojën e studimeve etnike pasi teoritë e tij si ajo e “Rrugëkalimeve të Dorëve” janë inovative dhe anashkalojnë barrierat që kanë vënë studiuesit që ai i konsideron të njëanshëm. Por kjo s’do të thotë se ai nuk ka qartësuar pozicionet etnike kur e ka parë të domosdoshme, si tek “Udhëtime në Epir dhe Shqipërinë Jugore” në rastin e “Festivalit të arinjve” që zhvillohej në Greqinë Antrike, që Hammondi e nxjerr me origjinë nga shqiptarët e jugut, ose kur pohon se shumë nga fshatrat e Greqisë së sotme kanë rëndom prejardhje shqiptare.
Ai pohon gjithashtu se fjala Makednon është me origjinë Ilire, madje kritikon heshturazi Herodotin që nuk e jep këtë shpjegim dhe informon se emërtimi i fisit Helen të Horëve, Hylleis, përputhet me vendbanimin Hyllus në qendër të Ilirisë.
Duke njohur në vend, gjuhët e lashta e të reja të viseve ballkanike ai arrin të japë një ekspoze të mrekullueshme prej antropologu e sociologu rreth subjekteve që ndesh në rrugë e sipër, herë duke shprehur primitivizmin e qytetërimit ballkanas dhe herë duke vlerësuar “Kanunin” e çuditshëm të shqiptarëve në pjesën e parë të librit “Epiri”; “Udhëtime në Epir dhe Shqipërinë Jugore”. Hammondi si përfaqësues i shkollës angleze të historisë dhe arkeologjisë shpesh ballafaqohet me shkollën e fortë gjermane të arkeologjisë dhe të interpretimit të qytetërimit, me shkollat frënge dhe italiane, madje duke shkruar edhe kundër tyre, sidomos përpara luftës së dytë, ndërsa pas saj, autoriteti i tij pranohet së forti në SHBA, Francë, Greqi e Gjermani duke mbetur edhe për këtë shekull, një pikë e pashmangshme referimi për studiuesit e sotëm të antikës, (si p.sh. Uorthingtoni) gjeopolitikës dhe qytetërimit mesdhetar.
Leka Ndoja


No comments: