Sunday, November 04, 2007

Proteste e himarjoteve

note proteste: sapo mbriti nje mesazh nga sillogua "Lidhja e himarjoteve"


AMBASADËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË ATHINË

PËR DIJENI QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

PROTESTË

Sot më datë 5-11-2007 jemi mbledhur për të protestuar para kësaj ambasade për abuzimet e mëdha që bëhen në Shqipëri me tokat e himarjotëve.

Dihet historikisht se në Himarë nuk ka patur agallarë, çifligarë dhe pronarë të mëdhej tokash. Himarën nuk e shkeli me forcë as Turqia për të krijuar çifligje. Toka është e paktë dhe të gjithë himarjotët kanë qënë pronarë të vegjël. Madje toka ishte e pamjaftueshme për të jetuar, prandaj kërkonin rrugë të tjera për të shpëtuar familjen nga fukarallëku, duke emigruar. Toka është fituar me mundime dhe djersë të madhe, duke kthyer pëllëmbë për pëllëmbë gërxhet dhe shkëmbenjtë në tokë pjellore, ose duke e blerë nga të ardhurat e kurbetit të realizuara me punë të rënda minierave të botës.

Kështu para 1945 në Himarë egzistonin vetëm pronarë të vegjël toke (himarjotë) dhe Kisha. Meratë e përbashkëta si pyje, kullota etj, administroheshin nga kryepleqësitë e çdo fshati. Shteti në Himarë nuk kishte as një gur në pronësi.

Padrejtësitë filluan në kohën e regjimit komunist. Hapi i parë ishte reforma agrare e vitit 1946 që ju rrëmbeu tokën e atyre që gjoja kishin më shumë (në fakt jua a morri kundërshtarëve) dhe u dha më të varfërve. Më vonë u shtetëzuan kullotat, pyjet etj dhe në 1956 krijoi kooperativat bujqësore ku toka konsiderohej si kolektive deri sa u shtetëzuan gjithë tokat e Shqipërisë. Këto akte arbitrare të cilat i dënoi dhe historia, kontribuan ndër të tjera në rënien e sistemit. Pritej që toka tu kthehej pronarëve të ligjshëm (të para 1945) ose trashëgimtarëve të tyre. Mirpo ligji krejtësisht antidemokratik 7501 i vitit 1991 u ndan tokën e kooperativave bujqësore atyre që punonin në to deri në vitin 1991, dhe jo pronarëve të ligjshëm. Ky ligj mund të jetë i drejtë në zona të tjera ku toka zotërohej nga një grusht latifondistësh por jo në krahinën e Himarës.

Serisë së ligjeve antidemokratike ju shtuan ata për trojet dhe të ashtuquajturit fshatra turistikë. Sipas këtij ligji për trojet objektet e ndërtuara mbi to u janë shitur personave jo himarjotë (dmth jo pronarëve të vërtetë) duke synuar ndryshime demografike në dëm të himarjotëve. Sjellim si shëmbull Dhërmiun ku banorët e tij duhet ti marrin leje Zabit Brokës për tu larë në anë të detit.

Ligji tjetër i fshatrave turistikë i jep të drejtë qeverisë Shqiptare që ato të lidhin kontrata me shoqëri të huaja pa pyetur pronarët e ligjshëm te tokave.

Janë të njohura përpjekjet e krahinës së Himarës në përgjithësi dhe të niviciotëve në veçanti për të penguar krijimin e fshatit turistik në Kakome. Njihen gjithashtu dhe manipulimet e politikës Shqiptare në Dhralea-Dhërmi në të cilën kanë futur thonjtë segmente të caktuara të politikës shqiptare.

Në fillim të këtij viti u bë masakër në plazhin e Jalit, në Vuno. Aty Qeveria Shqiptare rrëzoi vetëm ndërtesat e banorëve vendas, vunjotësve, pa cënuar ato të ardhësve nga krahina të tjera në Himarë.

Të gjthë këto prishje selektive të drejtuar ndaj popullatës himarjote tregojnë piksynimin e Qeverisë Shqiptare për tjetërsimin e pasurisë së himarjotëve me përfitues mafien shtetërore dhe jo shtetërore të Shqipërisë për zhvillimin e turizmit në favor të tyre (kësaj mafieje).

Së fundi ka dalë në dritë akti më skandaloz i tjetërsimt të pasurisë së himarjotëve. Një qytetar me origjinë nga Kudhësi, i Himarës, Anastas Cani pretendon nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara një sipërfaqe prej 860 hektarësh si trashëgimi e gjyshit të tij, në një kohë që në zonën tonë askush nuk ka disponuar sipërfaqe kaq të madhe. Me një ndarje të tillë do të ishte e mjaftueshme që Himara të gllabërohej nga 4-5 pronarë fiktivë.

Janë një sërë shkeljesh të kryera me aistencën e segmenteve qeveritare. Pretendohet se personi në fjalë ka një akt-blerjeje për këtë sipërfaqe dhe të firmuar me gisht ( nga njerëz që tashmë nuk jetojnë, pra nuk mund të provohet vlefshmëria e gjurmëve të gishtave). Akti i blerjes ështe realizuar në një kohë që në Shqipëri egzistonte sistemi noterial, por dokumentet e serviruara në gjykatë nuk janë aspak të noterizuara e megjithatë u konsideruan si prova dokumentare të rregullta. Më e keqja e këtij skenari grabitjeje është se shitësit e këtyre tokave janë Kuçiotë!! Pra Kuçiotët paskan pasur të drejtë të shesin tokat e himarjotëve, pa qënë aspak pronarë të tyre!!!. Bashkia e Himarës i njeh Anastas Canit vetëm ato prona që ai i ka në Hipotekë dhe jo ato të dokumentave fallco.

Në të vërtetë janë 180 familje himarjote që janë pronarë ligjorë të tokave që pretendohen nga uzurpatori i tyre Anastas Cani. Dëshmi e pronësisë së këtyre tokave janë dokumente të njohura nga shteti shqiptar si Hipoteka shqiptare e vitit 1940, aktet kadastriale të 1952 si dhe aktet e ndarjes së tokës pas 1991.

Pra gjykata shqiptare në dy shkallët e zhvillimit të saj, pa thirrur aspak bashkinë e Himarës siç e parashikon dhe ligji, me dokumenta fallco shpall pronar z. Anastas Cani, megjithë kundërshtimet e avokatit të shtetit.

Pronarët e vërtetë të këtyre tokave, të pa informuar për zhvillimin e këtyre gjyqeve që janë zhvilluar në mënyrë thuajse sekrete u njohën me grabitjen që u është bërë vetëm kur filluan punime ksebazimi për të ndërtuar në tokat e tyre. Në një kohë urgjent, me ndërhyrje drejtpërderjt nga Tirana pezullohen forcërisht këto punime. Kurrë ndonjëherë nuk është realizuar një ndërhyrje kaqë urgjente në qindra ndërtime pa leje në Himarë, dhe kjo dëshmon se pas Anastas Canit fshihen segmente të mafies politike.

Duke marrë në konsideratë disa raste të tjera proçeshes gjyqësore me tokat në Dhralea-Dhërmi me vendime në favor të disa pronarëve himarjotë, qeveria shqiptare nuk e njeh akoma vendimin e gjykatave dhe vazhon sorollatjen e pronarëve të saj realë. Kurse gjykimi i fundit, me prova materiale të pamjaftueshme dhe të fabrikuara në favor të Anastas Canit, njihet dhe mbrohet forcërisht nga qeveria shqiptare!!! Kjo dëshmon edhe njëherë se pas Anastas Canit fshihet mafia politike e Shqipërisë.

E njëjta strategji po ndiqet dhe për fshatrat e tjerë “turistikë” që planifikohen në krahinë si në Qeparo-Himarë, Shën Theodhor në Dhërmi etj.

Të nderuar zotërinj,

Lidhja e Himarjotëve dhe Forumi i Epirit të Veriut organizojnë këtë protestë paqësore dhe demokratike për të mbrojtur tokat e himarjotëve nga uzurpatorët e tyre. Ata uzurpatorë, me prapaskenë elementë të mafies politike, për 17 vjet rresht, kanë përdoruar një retorikë nacionaliste për të kamufluar skemën e grabitjeve duke e spostuar në këtë mënyë opinionin publik shqiptar larg problemit real esencial të grabitjeve dhe të përfitimeve në favor të tyre dhe shoqërive multinacionaliste. Nuk përfiton Shqipëria nga skema të tilla manipulimi në një kohë që ende infrastruktuara rrugore është ajo e 1914, përfituesit e vërtetë janë agallarët e rinj të Shqipërisë.

Himarjotët kanë dëshmuar historikisht se janë në gjendje të mbrojnë trojet e tyre. Edhe këtë herë, përballë një rreziku të tillë imediat, i themi ndal agallaro-mafies së re politike. Himarjotët janë të vendosur ti demaskojnë dhe luftojnë deri në fund planet tjetërsuese të pronave të tyre nga mafiea politike.

Larg duart nga Himara !

Forumi i Epirit të Veriut

Lidhja e Himarjotëve

Kollokotroni 44

Athinë

No comments: