Saturday, January 19, 2008

Kur shteti sillet si armik

Kur shteti shihet si armik


Plator Nesturi
19-01-2008

Rihyn në skenë çështja "Kakome" dhe nuk është çudi që pas odisesë së gjatë e të pritshme në shkallët e gjyqësorit shqiptar, zgjidhjen pritet ta japë më së fundmi Gjykata e Strasburgut. Kjo pasi ky shtet dhe institucionet e tij nuk mund të japin garancinë e respektimit të drejtësisë mbi pronën çka reflektohet me 200 dosjet për shqyrtim në Strasburg, ku deri më tani vendimet kanë penalizuar veç shtetin shqiptar. Historia për ndërtimin e një fshati turistik në Kakome dhe protestat e banorëve të Nivicës që kundërshtojnë përvetësimin nga ana e shtetit të pronave të tyre, pikërisht në zonën e parashikuar për këtë investim turistik, janë prekur masivisht nga media dhe nuk përbën diçka të re. E veçanta është tek fakti që ndonëse kanë kaluar pesë vjet nga nisja e kësaj çështjeje, pra, që më 2003, kur doli Vendimi i parë i Këshillit të Ministrave, ku Kakomeja parashikohej si projekt pilot për zhvillimin e turizmit, ende nuk është zgjidhur problemi kryesor që lidhet me zbatimin e projektit: kush është pronar, shteti apo niviciotët?

Natyrisht, një periudhë e tillë ishte mëse e mjaftueshme për të sqaruar të drejtën e pronësisë, aq më tepër për një çështje kaq sensitive ku preken jo pak, por 124 familje të kësaj zone. Zgjatja e procesit mund të argumentojë pikërisht të kundërtën, që shteti po vë në dispozicion të interesit të vet organizmat në shërbim të tij, për të futur në dorë të drejtën e pronësisë në Gjirin e Kakomesë. Nuk është çudi pra që duhej të kalonin vite përplasjesh, ku palët në konflikt janë shteti dhe komuniteti i Nivicës, që më shtator të vitit të shkuar, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të vendoste, pa bërë bujë, se pronar i ligjshëm në Kakome është shteti shqiptar. Ndërkohë që tre muaj më parë, ka qenë po kjo agjenci e cila u ka dhënë të drejtën e pronësisë banorëve të Nivicës. Porse në këto tre muaj, ku na rezultojnë dy qëndrime të ndryshme të të njëjtit institucion, është larguar nga posti drejtoresha e atëhershme e AKKP, Justina Boriçi, e cila të drejtën e shihte në kahun e niviciotëve. Tashmë çështja ka kaluar në gjykatë, ku banorët kanë hedhur në gjyq vendimin e AKPP dhe si argument për të drejtën e pronësisë së tyre kanë paraqitur si prova, regjistrimet e kullotave dhe pyjeve të viteve 1924, 1933 dhe 1945.

Ajo që duket se përbën shqetësim për drejtimin që do të marrë çështja, nuk është fakti se cili do të jetë vendimi i gjykatës, por a do të respektojë shteti afatet dhe vendimin e drejtësisë apo do të këmbëngulë me politikën e faktit të kryer. Përderisa çështja e Kakomesë është për gjykim në organet e drejtësisë, në këtë gji nuk mund të bëhet asnjë ndërtim. Por nuk është hera e parë që shteti nuk ka pyetur dhe nuk ka marrë për bazë vullnetin e gjykatave. Rasti i "Zogut të Zi" është më flagranti. Ndonëse gjykatat më së fundmi i dhanë të drejtë Bashkisë së Tiranës për vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit, për ndërtimin në "Zogun e Zi", mbikalimi tashmë ishte thërrmuar nga vendimi i qeverisë dhe ruspat e Policisë Ndërtimore. Madje mungesa e respektit ndaj gjykatës nuk e kish penguar qeverinë që mbi rrënojat e prishjes së paligjshme, të ngrejë një tjetër objekt të paligjshëm, si rrethkalimin dhe shatërvanin.

A mund të ndodhë e njëjta skemë edhe për rastin e Kakomesë? Asgjë nuk është e habitshme. Kjo qeveri nuk pyeti për një bashki kryeqyteti, protesta qytetarësh dhe ku ndërthuren dhe raportet politike e jo më të përfillë disa "pronarë fshati" të harruar në një cep Shqipërie. Shenjat se mund të operohet sipas të njëjtës skemë kanë filluar të shfaqen. Po kështu edhe presionet ndaj drejtuesve të institucioneve, si në rastin e ish-drejtoreshës Boriçi, për të vepruar në përputhje me interesat e rangjeve më të larta të pushtetit të interesuar për Kakomenë. Së fundmi, ndonëse sapo ka nisur procesi i të drejtës së pronësisë në gjykatë, segmente shtetërore nisën të ushtrojnë presion ndaj kryetarit të Këshillit të Qarkut të Vlorës, Agron Sharra, në mënyrë që ky të lejojë fillimin e punimeve për ndërtimin e kompleksit turistik në Kakome. Kjo do të thotë që realizohet projekti duke u bërë fakt i kryer, pa përfillur vendimin e drejtësisë.

Ajo çfarë të bën përshtypje, jo thjesht në çështjen Kakome, por edhe më gjerë, është pse shteti po zgjedh rrugën e konfliktit me komunitetet e ndryshme në vend. Arsyeja të thotë se interesat e shtetit duhet të jenë në harmoni me ato të komuniteteve. Por, çuditërisht, rruga e ndjekur ka qenë jo zbutja nëpërmjet transparencës por kokëfortësia në thellimin e konflikteve. E njëjta situatë konfliktuale paraqitet në Vlorë, ku një komunitet kërkon të merret për bazë vullneti i tij për ndërtimin e industrisë me bazë nafte në Gjirin e Vlorës. Të njëjtat konflikte krijohen me pronarë në kryeqytet, me të cilët tallen se do kompensohen mbase nga fundi i shekullit, për tokat e zëna që u legalizohen zaptuesve. Në të njëjtin konflikt hyhet me banorë të Jalës e të Dhërmiut, që u prishën shtëpitë si ndërtime të paligjshme ndonëse objektet i kanë ngritur në pronat e tyre. Kjo situatë, ku komunitetet e ndjejnë veten të kërcënuara nga vendimet dhe veprimet e qeverisë, mund të shkaktojë në humbjen e besimit të tyre tek shteti. Madje më keq akoma, kur prej akteve të tilla, shteti shihet si armik i këtyre komuniteteve.

Në vend të ndryshimit të kursit, ku problematikat të shkojnë drejt zbutjes, fatkeqësisht vendimet e fundit veç e thellojnë kurbën e tensionit. Jo rastësisht, në mbledhjen e fundit të KRTR në legalizimin e zonave informale u është dhënë "drita jeshile" ndërtimeve pa leje në Lazarat, në Tiranë, Shkodër e Kavajë, por asnjë miratim për gjithë qarkun e Vlorës dhe bregdetin, për Korçën, Beratin dhe Lezhën. Janë dhënë leje pra në shumicën e vendeve ku pronat janë të zaptuara dhe pothuaj asgjë në zonat ku objektet janë ngritur kryesisht në pronën e vetë ndërtuesve. Nuk po dihet, a jetojnë në të njëjtin dimension ky shtet dhe shtetasit e tij?

No comments: