Monday, January 14, 2008

Kur të godasin pas shpine dhe nuk të thonë as “më fal”

Në dt. 21 nëntor 2007, në faqet e brendshme të gazetës së përditshme “Panorama”, është botuar një intervistë e sajuar midis gazetarit Piro Nase dhe famullitarit të kishës “Shën Maria e Pazarit” në Përmet, atë Vasil Thomollarit. Duke iu rikthyer edhe njëherë valës së vjetër të sulmeve ndaj klerikut, gazetari ka fantazuar një intervistë poshtëruese me atë Vasilin, duke e trajtuar priftin si një fëmijë që mund të luash dhe t’ia punosh kur të duash. Fatkeqësisht, në gjithë këto vite jemi mësuar të lexojmë apo dëgjojmë trillime dhe

shpifje nga më të çuditshmet që janë bërë në kurriz të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, primatit të saj, klerit e besimtarëve, por një histori e tillë është e paprecedent, një rast flagrant që do të mbahet mend gjatë, jo vetëm nga ne që përpiqemi të informojmë me objektivitet dhe profesionalizëm publikun, por edhe nga shumë persona të tjerë, që ndoshta nuk e kanë mesuar të vërtetën. Asnjëherë nuk ishim përballur e rastin e fundit në një të përditshme shqiptare, ku gjatë treçerekut të hapësirës së një faqeje botohej një intervistë e supozuar telefonike midis gazetarit dhe një prifti orthodhoks të sulmuar kohët e fundit në shtyp, intervistë që ishte fund e krye, përfshirë pyetjet dhe përgjigjet, trillimi i imagjinatës së gazetarit. Pasi kontaktuam me atë

Vasil Thomollarin, i cili me të drejtë ishte indinjuar shumë për këtë fakt, ai na siguroi se as që e njihte gazetarin në fjalë e jo më të mund të kishte folur në telefon me të. Për të qenë korrekt në mbledhjen e informacionit kontaktuam në telefon edhe me vetë gazetarin, i cili na konfirmoi se intervista ishte një krijim i tij dhe se tashmë gabimi ishte bërë dhe atij s’i mbetej gjë tjetër, veçse ta mbyllte çështjen, duke i kërkuar të falur klerikut. Si duket gazetari abuzonte me idenë se klerikët mund t’i sulmosh dhe t’i denigrosh sa herë të duash dhe në fund mjafton një “më fal” dhe çdo gjë harrohet. Edhe pse gazetari nuk e mbajti premtimin për të komunikuar me atë Vasilin, ishte vetë ky i fundit që mori iniciativën për t’i telefonuar. Në bisedën me të, gazetari pranoi se intervista ishte e fantazuar dhe se ai do të bënte çdo përpjekje për ta korrigjuar këtë gabim. Në ditët në vazhdim, jo vetëm që nuk u bë asnjë veprim për të vënë në vend këtë padrejtësi, por gazetari ndryshoi qëndrim, duke mbështetur versionin e mëparshëm të intervistës telefonike, version që u mbështet edhe nga gazeta. Në këto kushte, në bashkëpunim edhe me atë Vasilin, vendosëm që këtë ngjarje ta përgënjeshtronim pranë gazetës, e cila nuk pranoi të botonte përgënjeshtrimin, duke mbajtur si të mirëqenë

versionin e gazetarit. Shprehim keqardhjen dhe protestën tonë për këto raste të përsëritura me të cilat përballet komuniteti orthodhoks, të dezinformimit dhe taktikave jo korrekte dhe me mungesë të theksuar profesionale, që nuk përputhen aspak me parimet dhe etikën e deontologjisë gazetareske. Si persona që kemi lidhje me gazetarinë, nuk mund të mos shqetësohemi në lidhje me shembujt jo pozitivë që japin kolegët tanë. Shpeshherë në faqet e gazetës “Ngjallja”, por edhe në takime të posaçme me gazetarët kemi trajtuar çështjen e marrëdhënieve gjatë këtyre viteve të mediave të shkruara dhe vizive me komunitetin orthodhoks, marrëdhënie që edhe pse në përgjithësi janë korrekte, nuk mund të mos trazohen herë pas here nga shembuj

jo fort pozitivë, të cilët duket se nuk i shërbejnë forcimit të bashkëpunimit dhe besimit reciprok midis disa

mediave e komunitetit orthodhoks, duke synuar dëmtimin artificial të imazhit të këtij të fundit. Edhe pse dihet qartë tashmë që ka hapësira shfrytëzimi të disa foltoreve mediatike nga qarqe jo shumë dashamirëse, gati në të gjitha rastet gazetarët pranë Kishës Orthodhokse, në bashkëpunim të ngushtë me gazetën “Ngjallja”, si dhe në komunikim të vazhdueshëm me mediat përkatëse janë përpjekur, në respekt të së vërtetës që nuk duhet t’i mungojë lexuesit shqiptar, por edhe trupit të besimtarëve, të korrigjojnë, sqarojnë, plotësojnë dhe shpeshherë edhe të përgënjeshtrojnë shkrime të ndryshme që shfaqen herë pas here në shtypin shqiptar, që me synim të caktuar hedhin baltë mbi komunitetin orthodhoks.

Këto përgjigje nga ana e gazetarëve të Kishës, në shumicën e rasteve as që janë botuar, në raste të tjera janë botuar të cunguara, aq shumë saqë humbnin kuptimin parësor dhe duhet thënë që kanë qenë të pakta rastet, kur disa gazeta, të njohura për korrektesën e tyre, i kanë botuar të plota reagimet tona, gjë për të cilën ne i falënderojmë. Në mungesë të transparencës mediatike e korrektesës profesionale për rastet e reagimeve të pabotuara, është parë si zgjidhje botimi i përgjigjeve në faqet e gazetës “Ngjallja”, e cila për 15 vjet, si organ

zyrtar i Kishës ka kontribuar në shpalljen pa rezervë të së vërtetës dhe ndonjëherë edhe si mundësia e vetme për t’i dhënë lexuesit shqiptar mundësinë për t’u njohur me reagimet e Kishës. Një analizë e përgjithshme e

fenomenit mund të sillte si arsye edhe indoktrinimin për disa dhjetëvjeçarë të shoqërisë sonë me një frymë antifetare duke kulmuar me terrorin ateist që u ushtrua më sistematikisht pas vitit 1967 e që duket se jehona po vazhdon të mbetet edhe sot në subkoshiencën e një pjese të shoqërisë. Shpresojmë se në të ardhmen këto fenomene do të vijnë duke u pakësuar, me qëllim që të triumfojë e vërteta, duke respektuar të gjitha parimet e një gazetarie korrekte dhe profesioniste.

Aleks Çuri

Isidor Koti

No comments: