Thursday, February 07, 2008

Menaxhimi i i pronave t'i lihet në kompetencë pushtetit lokal

note: letrat e kater shoqatave himarjote per menaxhimin e pronave nga pushteti lokalal gazeta "Shekulli" i titullon "Himariotët:Duam autonomi për pronat". Lexoni tekstin e letrave per te kuptuar inkoseguencen e kesaj gazete


Post by K. Jorgji 06 Shkurt 2008

Shekulli Katër shoqata himarjote i shkruajnë Presidentit të Republikës që të ndërhyjë për çështjen e pronave

TIRANË- Çështja e pronave dhe vështirësitë që e shoqërojnë atë ka bërë që disa shoqata të Himarës t'i drejtohen me një letër Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe t'i kërkojnë atij që menaxhimi i problemit të pronave në Himarë t'i kalojë në kompetencë pushtetit lokal. Janë katër shoqata që kanë firmosur letrën dërguar që në muajin dhjetor Presidentit. Përkatësisht, Shoqata e Intelektualëve, Shoqata e Gruas Himarjote për Integrim, Shoqata e Biznesit Himarjot dhe Shoqata "Omonia". Përfaqësues të këtyre katër shoqatave, kanë firmosur letrën në fjalë, në të cilën i shprehet presidentit Bamir Topi shqetësimi lidhur me çështjen e pronave në Himarë. Duke marrë shkas nga deklarimet e Presidentit pak kohë më parë lidhur me çështjen e pronave, katër shoqatat e mësipërme i kërkojnë atij që menaxhimi i problemit të pronave t'i lihet në kompetencë pushtetit lokal. Në letër thuhet se, "në qoftë se menaxhimi do t'i lihet për kompetencë pushtit lokal, mundësitë për mbylljen e saktë të problemeve janë shumë të mëdha". Në këtë drejtim, shoqatat i kërkojnë Presidentit që të ndërhyjë "për t'i hapur rrugë zhvillimit dhe prosperitetit, duke i vënë fre spekulimeve të deritanishme". Ndërkohë, burime bëjnë të ditur se, kjo çështje ka kaluar edhe në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në mënyrë që të jepet një mendim juridik dhe profesional lidhur me këtë kërkesë të shoqatave.

Shqetësimet

Në këtë letër, për të cilën është vënë në dijeni edhe kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, jepet një pasqyrim i problemeve të pronave në Himarë, të cilat kanë të bëjnë me largësinë e institucioneve ku duhet të drejtohen qytetarët për të kërkuar të drejtën e pronës dhe me korrupsionin që haset përgjithësisht në këto institucione. Sipas shoqatave, në Himarë nuk ka pasur regjistrime të mirëfillta pronësie që përpara vitit 1946, por vetëm dokumente dytësore dhe të veçanta. Në këto kushte, citohet në letër, "vajtja në Vlorë (në gjykata, agjenci, komisione, ndërmarrje pyjore, hipoteka) ku distanca vajtje-ardhje është 150 kilometër, përballja me një administratë që shumicën e rasteve nuk respekton qytetarin, ku korrupsioni është ligjëruar pranishëm, është një super ngarkesë e padrejtë për himarjotin". Ndaj, Shoqata e Intelektualëve, Shoqata e Gruas Himarjote për Integrim, Shoqata e Biznesit Himarjot dhe Shoqata "Omonia" kërkojnë ndërhyrjen e presidentit Topi.

Kërkesat

"Në qoftë se menaxhimi do t'i lihet për kompetencë pushtit lokal, mundësitë për mbylljen e saktë të problemeve janë shumë të mëdha".

"I kërkojmë Presidentit që të ndërhyjë për t'i hapur rrugë zhvillimit dhe prosperitetit, duke i vënë fre spekulimeve të deritanishme".

Sipas shoqatave, në Himarë nuk ka pasur regjistrime të mirëfillta pronësie që përpara vitit 1946, por vetëm dokumente dytësore dhe të veçanta".

"Vajtja në Vlorë (në gjykata, agjenci, komisione, ndërmarrje pyjore, hipoteka) ku distanca vajtje-ardhje është 150 kilometër, është një super ngarkesë e padrejtë për himarjotin".

No comments: