Tuesday, February 12, 2008

Qendra e stuhisë së George Tenet-ng Jorgo Dhrami

Photo: George Tenet, then the director of central intelligence, with President George W. Bush and Vice President Dick Cheney in March 2003.
(Eric Draper/The White House)

Rreth librit të ish-drejtorit të CIA-s




Shkruan Jorgo DHRAMI* AVOKAT i Popullit

Dr. i shkencave Juridike (marre nga Tirana Observer)

Himara dhe himarjotët, kudo që ndodhen me banim apo punë, i detyrohen George Tenet , për të pasur respektin më të lartë, pasi ai është nderi dhe krenaria e saj.

"Në qoftë se do të vija në Shqipëri, më parë do të shkoj në shtëpinë e nënës dhe të babait, pastaj do të bëja vizita të tjera, qoftë dhe zyrtare"-George Tenet.

Ndërsa me mikun tim dhe njeriun korrekt, kryetarin tonë të bashkisë së Himarës, z.Vasil Bollano, kemi biseduar për ta bërë Qytetar Nderi të Himarës, në një moment të volitshëm


Si kundë

r është bërë e ditur nga masmedia shqiptare, këto kohët e fundit, doli në qarkullim në gjuhën angleze, libri "Në qendër të stuhisë", me autor ish-drejtorin e CIA-as amerikane, z. George Tenet. Libri i tij është përkthyer në gjuhën shqipe, si dhe u botua pjesë-pjesë në gazetën "Tirana Observer", nga data 3 deri në datën 18 maj 2007. Ky libër (i përkthyer), pjesërisht, u botua edhe në gazetat shqiptare "Tema" dhe "Standard", si dhe një kritikë në gazetën "Shekulli".

Para se të jap përshtypjet e mia për këtë libër, si dhe për këtë personalitet tepër të madh, të përmasave më të larta botërore, nisur nga fakti historik, se i përkasim të njëjtës origjinë, nga fshati i Qparoit të krahinës së Himarës, si dhe ndoshta mund të ndihmoj lexuesin, për të shuar ndonjë "kureshtje", çmova të them paraprakisht dy fjalë.
Paraardhësit e Tenetit, ashtu si mjaft bashkëfshatarë të mi, kohë më parë, kanë ardhur nga ishulli i Korfuzit (Qerqyra) si dhe ishujt e tjerë të Qefalonisë, Greqi, që ndodhen përballë Shqipërisë, duke u instaluar për banim në territoret e krahinës së Himarës, përfshirë këtu edhe fshatin tim, Qeparo.

Falë punës së tyre, korrektësisë, zakoneve dhe traditave të përbashkëta, si dhe të një besimi të vetëm ortodoks, instalimi i tyre u bë pa ndonjë problem, duke u shkrirë në një me vendasit. Familjes Teneti (Koka) iu dha tokë si dhe të gjitha të drejtat e tjera që kishin vendasit. Ajo që meriton të nënvizohet në këtë rast, është fakti që, gjyshi i tij, Ninoja, si dhe gjyshja e tij, Kandia, të cilët unë kam pasur fatin t'i njihja nga afër, sepse përveçse i kam bashkëfshatarë, e ndjera Kandi (gjyshja e Tenetit) është motër e gjyshes së nënës sime, Katerinës, dhe për rrjedhojë, Teneti është kushëri i dytë i nënës sime, Kostandina. Si Ninoja ashtu edhe Kandia, duke qenë njerëz korrekte dhe punëtorë, cilësi këto të domosdoshme për banorët e Bregut, mundën që me djersën e ballit të krijonin një ekonomi familjare, deri diku të kënaqshëm për të jetuar. Duhet thënë se gjyshi Nino ishte aq i lidhur me punën në bujqësi, në tokat e tij të pa kolektivizuara akoma në kooperativën bujqësore të fshatit Qeparo, ia tërhiqte vëmendjen cilitdo bashkëfshatar apo çdo kalimtari qoftë, që i binte rruga për të kaluar andej. Ai e fillonte punën kur zbardhte dita dhe e linte atë, kur errësohej, d.m.th, kur vinte nata. Kjo bëri që ai, në disa vende të territorit të fshatit tonë Qeparo, si fjala vjen në Lugjezë, brinjën ta kthejë në bahçe të lulëzuar me pemë frutore dhe vreshtari, që çdokush në këtë botë do ta kishte zili, pa përmendur këtu bahçen e krijuar po prej tij, në fushën e Qeparoit, në Pirgjeza apo në vende të tjera. Një traditë të tillë e ruajtën dhe e çuan më tej, dy fëmijët e tij, Sofoja dhe Qirjakoja (babai i Tenetit).
Ndonëse kjo familje si gjithë familjet e tjera të Qeparoit apo të gjithë bregdetit, nuk i kursehej punës, si dhe me punën dhe djersën e tyre mundën të krijojnë një ekonomi familjare deri diku të pranueshme për të jetuar, kjo ekonomi si për të gjithë bregasit, nuk mund t'i plotësonte nevojat gjithnjë e në rritje të jetës. Plotësimi i këtyre nevojave, diktonte marrjen e rrugës së kurbetit si "bukëkërkues", në Greqi apo vende të tjera, jo vetëm të kësaj familjeje, por të të gjitha familjeve të fshatrave të bregdetit, nga një apo dy persona për familje. Një mërgim i tillë, ndonëse tepër i dhimbshëm, ishte i domosdoshëm. Ai u bë pjesë e jetës së bregdetasit. Si në çdo rast dhe vend, në përgjithësi mërgimtarëve u "rezervohej" nga shteti ku ata instaloheshin, një front pune i vështirë, i palakmueshëm nga vendasit. Zakonisht ky front pune ishte miniera. Kjo punë e rëndë sillte si pasojë që, disa nga mërgimtarët, nuk arrinin dot të gëzonin të mirat e kurbetit, duke u kthyer në vendlindjen e tyre të vdekur, ose të prekur nga sëmundja e tmerrshme e turbekulozit, që në atë kohë, për shkak të mungesës së ilaçeve, bënte kërdinë në jetën e njerëzve. Kësaj gjendjeje dramatike i përgjigjet edhe kënga e ngritur dhe e kënduar nga populli, rishtas për të:
Në malet e vetëtimës (Himarës-shënimi im)
I madh qamet u bë,
S'na doli frik e urisë
Lakuriq e zbathurë.
Ikën djemtë e vendit tënë,
S'mbeti burrë në vend më.
Greqisë e Ameriqisë,
Muarën kurbetinë……….

Nga familja "Teneti" (Koka) shkuan në kurbet, fillimisht në Greqi dhe mandej në Francë, tre persona (burra): Gjyshi Nino si dhe dy djemtë e tij, Sofo dhe Qirjako. Mbas disa vitesh pune në miniera, gjyshi Nino dhe i biri i tij, Sofo, u kthyen në vendlindjen e tyre, Qeparo, kurse Qirjakoja qëndroi dhe për pak kohë në Francë dhe mandej shkoi në Amerikë, me mendimin dhe shansin për të bërë një jetë më të mirë. Për pasojë, që nga koha e largimit të tij,( Qirjakos) në vitin 1924, dhe deri sa mbylli sytë, nuk u kthye më në vendlindjen e tij, Qeparo. Në këtë mënyrë e ndoqi edhe atë fati i shumë e shumë bashkëmërgimtarëve të tjerë, qeparotas apo bregdetas, të vdesë në dhe të huaj, në mungesë të familjes së tij të madhe, pa u qarë nga gratë e fshatit tonë me norma e tradita aq të bukura e të dhimbshme që i këndojnë ato në këto raste. Në një kohë që ai, e kishte shumë për zemër dhe merak këtë. Se çfarë ndodhi më tej me Qirjakon dhe familjen e tij në Amerikë, e ka përshkruar me saktësi dhe lot në sy, jo vetëm George Teneti, në librin e mësipërm, por edhe kushëriri i parë i tij me banim në Qeparo, intelektuali dhe njeriu me mjaft reputacion, Koço Koka, prandaj mendoj se nuk është nevoja ta çoj më tej atë.
Unë do të mundohem të vë në dukje për të nxjerrë në pah, disa karakteristika tepër të lavdërueshme të George Tenetit, të cilat pa asnjë mëdyshje tregojnë njëllojshmërinë e tyre me zakonet dhe traditat e himariotit, si dhe t'iu jap përgjigje disa kritikave apo epiteteve që i janë bërë atij, nga një apo disa artikuj-shkrues, të cilët sipas mendimit tim, janë pa vend.
Së pari, detyrohem të rivë në dukje faktin absolutisht të pakontestueshëm, që krahina e Himarës, si ajo e sotmja e përbërë nga të shtatë fshatrat e saj, ashtu edhe ajo e mëparshmja, me mbi 50 fshatra, ka qenë jo vetëm e pushkës, por edhe e penës. Ajo ka nxjerrë nga gjiri i saj trima, kapedanë, gjeneralë, ministra, kryeministra, presidentë, dijetarë, shkrimtarë, shkencëtarë, poliglotë që zotëronin 12-15 gjuhë të huaja, deputetë dhe gjithçka tjetër në fushën e dijes, por personaliteti më i madh, me të cilën kjo krahinë me të drejtë mund të krenohet, është pa asnjë dyshim, bashkëfshatari ynë nga origjina, qeparotasi George Tenet, sepse ai është i kalibrit më të lartë botëror, ish-Nr.1 i Shërbimit Sekret në botë.
Himara dhe himarjotët, kudo që ndodhen me banim apo punë, i detyrohen atij, për të pasur respektin më të lartë, pasi ai është nderi dhe krenaria e saj. I shtyrë nga këto motive, kam biseduar me personalitete të larta tona shtetërore për të gjetur mundësinë e ardhjes se tij për vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërsa me mikun tim dhe njeriun korrekt, kryetarin tonë të bashkisë së Himarës, z.Vasil Bollano, kemi biseduar për ta bërë Qytetar Nderi të Himarës, në një moment të volitshëm dhe të përshtatshëm për të.
Historia dhe aktualiteti i sotëm, kanë treguar dhe tregojnë se banorët e krahinës së Himarës, ashtu si gjithë bregdetasit në përgjithësi, kanë ruajtur si gjënë më të shtrenjtë, si dritën e syrit, ato norma dhe tradita shekullore që konsolidonin dhe mbanin gjallë me një dinjitet të admirueshëm, familjen himarjote. Këto karakteristika konstatohen pa ndonjë vështirësi në familjen e Tenetit, ndonëse ai për shkaqe objektive dhe subjektive, akoma nuk e njeh truallin nga i cili ka prejardhjen. Ai, ndonëse akoma nuk e njeh vendin e të parëve të tij, nuk qëndron indiferent apo ta anashkalojë këtë të vërtetë. Përkundrazi në librin e tij flet me një gjuhë dhe nostalgji, sikur të kishte lindur dhe jetuar në këtë vend, Qeparoin dhe Himarën shumë të dashur të tij. "Në qoftë se do të vija në Shqipëri, - shprehet ai, - më parë do të shkoj në shtëpinë e nënës dhe të babait, pastaj do të bëja vizita të tjera, qoftë dhe zyrtare". Ka qenë ky lajtmotiv që dërgoi në fshatin Qeparo dhe në Himarën e vendlindjes së nënës, miq për të fotografuar dy shtëpitë e prindërve, për t'i pasur të vendosura në faqet e murrit të banesës së tij në Amerikë. Pa qenë nevoja të bëja shumë komente për këtë veprim të tij, marrja dhe mbajtja fort e këtyre fotove tregon më së miri dashurinë e madhe që ai ndjen për vendlindjen e prindërve dhe origjinës së tyre. George Teneti këtë dhembshuri e shpreh në mënyrë fare të hapur kur thotë: "Sa më afër prejardhjes sime mesdhetare të jem, aq shumë ndihem sikur jam në shtëpi". Është e vërtetë që me një gjuhë kaq prekëse kanë folur më parë apo edhe tani, edhe persona të tjerë, por ata kanë qenë emigrantë të larguar nga vendlindja e tyre, kurse Teneti për hir të së vërtetës duhet thënë se jo vetëm që nuk ka lindur në këtë vend, por as nuk e njeh atë, qoftë edhe si vizitor, prandaj ai është rast i veçante.
Tipari që e dallon më së miri dhe që e individualizon atë, në raport me lidhjen e tij familjare, është fakti i konceptimit realist dhe qëndrimit të tij ndaj familjes. Familja për të është e shenjtë, ai jo vetëm që si në krijimin e saj, ashtu dhe gjatë jetës së tij, ka treguar dhe mbajtur një qëndrim shumë korrekt, por edhe i është nënshtruar rregullave të saj, ndonëse vendi i punës si dhe kapaciteti i tij, mund ta mënjanonin këtë "shkelje rregulli". Në çfarëdo situate të rëndë apo të lehtë që të ndodhej ai, nuk mund të merrte vendime pa u konsultuar më parë me prindërit, bashkëshorten apo vëllain e tij. Si në rastin kur atij iu servir marrja përsipër e drejtorit të CIA-s Amerikane, ashtu edhe gjatë kompleksitetit të punëve në këtë detyrë, si dhe në dhënien e dorëheqjes nga kjo detyrë, Teneti nuk mori kurrë vendime pa u konsultuar me parë me familjen e tij. Familja për të është qendra e gravitetit njerëzor. "Edhe pse kam takuar presidentë, mbretër, mbretëresha, të mirë dhe njerëz të fuqishëm, dy njerëzit që unë admiroj më shumë janë nëna dhe babai im", thotë ai. Lidhja dhe edukata e tij familjare, ndër të tjera del edhe atëhere kur ai shprehet për rastet që ai e ndjente veten në një pozicion mjaft të vështirë, ku i drejtohej vëllait të tij për konsultim, i cili e orientonte të udhëhiqej nga porositë e të atit të tyre. "Vetëm mendo se çfarë mund të bënte plaku ynë në një situatë të tillë", e këshillonte ai. Eksperienca jetësore e të ati të tij, Qirjakos, e përfituar nga jeta në emigrim në disa shtete, ku duhej të "bëhej i zoti i vetes dhe të kujdesej për familjen e tij", ishin pa dyshim një model i gatshëm për Tenetin, prandaj edhe ai thotë se "në shumë mënyra unë jam biri i babait".
Modeli i eksperiencës së të atit, pasi u përpunua dhe u pasurua më tej prej tij, u bë filozofia dhe prakticiteti bazë për drejtimin e stafit të tij të punës si dhe zgjidhjen e problemeve të detyrës së tij të ndërlikuar dhe gjithnjë e më tepër të vështirë. Doemos, një ndikim të madh në mbarëvajtjen e punëve të tij ka influencuar sigurisht karakteri i tij i fortë si shkëmbinjtë e bregdetit të rivierës së Himarës. Ai, ndershmërinë, si tipar kryesor, nuk e lidhte vetëm me familjen, por edhe në raport me stafin e tij si dhe në të gjitha marrëdhëniet shoqërore me miqtë apo të njohurit për shkak të detyrës. Ndershmërinë, shtuar këtu dhe durimin absolut, i konsideronte si çelësin kyç në zgjidhjen e problemeve të punës së tij, sado të vështira qofshin ato. "Modeli im, shprehet ai, nuk ishte tipi i diplomacisë intelektuale të Henri Kissinger. Kjo ishte një pune hibride e inteligjencës dhe diplomacisë së praktikuar nga një bir i emigranteve grekë". Me një fjalë, ai nuk u mbështet në modelin e të tjerëve, por në origjinalitetin e vet. Mirëpo, duhet thënë hapur se në pozicionin që ishte ai, të drejtonte shërbimin sekret amerikan që ishte mbisunduesi në botë, nuk ishte një gjë e lehtë dhe pa përgjegjësi mjaft të madhe. Risku ishte shumë i madh jo vetëm për atë, por së pari, për superfuqinë e botës, Amerikën. Dhe kjo kërkonte jo vetëm kurajë dhe guxim, por një zgjuarsi të veçantë dhe kompetencë të lartë profesionale. Ishte pikërisht ky model që bëri të qëndrojë në drejtim të CIA-s Amerikane, shef i saj për shtatë vjet rresht, shifër rekord kjo më shumë se çdo paraardhës i tij, si dhe të jetë po i vetmi shef i saj të qëndroje pa ndërprerje në këtë detyrë, edhe pse ndërrohet Presidenti i ShBA-së që e kishte vënë në këtë detyre, si askush tjetër homolog i tij deri më sot.
Ky bir i krahinës së Himarës, ndershmërinë, besnikërinë, trimërinë, miqësinë dhe cilësitë e tjera që plotësojnë karakterin e njeriut të pastër, nuk i kishte vetëm brendapërbrenda familjes apo shoqërisë së tij, por edhe ndaj eproreve apo organizmit shtetëror të tij. Zaten, duhet thënë se kjo e fundit është cilësia e veçantë që shkëput individin nga individët e tjerë, për mirë ose për keq. Dhe himarjoti Tenet, edhe në momentet më të vështira apo kritike për të, nuk ka mbetur pa e treguar këtë cilësi. Pa qenë nevoja të rreshtoja episode të ndryshme të tij, që e vërtetojnë këtë, po përmend vetëm rastin me republikanin e Alabamës, z. R. Sh., i cili me mjaft marifet profesional, gjoja për të treguar afërsi miqësore me të, e tërhoqi mënjanë Tenetin duke i thënë: "George, nëse ti di ndonjë pisllëk për Tomas Lake (drejtor i CIA-s Amerikane në atë kohë, shënimi im), mua do më pëlqente ta dija". Por, himarjoti Tenet, si bir i krahinës së Himarës, nuk mund të shiste miqësinë për ndonjë lëvdatë apo përfitim tjetër hierarkik. Menjëherë, iu kujtua qëndrimi dinjitoz dhe njerëzor në jetë i të atit të tij, i cili "urrente të thoshte ndonjë gjë të keqe për këdo". Ai, këtë episod e përshkruan me dëshpërim dhe me çudi. "Kjo frazë e pacipë, shkruan ai, më la pa fjalë, ishte diçka e pazakonte për mua. Nuk e dinte ky njeri se Tomi ishte miku dhe shefi im? Çfarë e bën atë të mendoje se do ta bëja një gjë të tillë? Të tjerë, siç rezultoi, nuk kishin të njëjtin ngurrim si unë". Teneti, duke qenë i arsimuar dhe i disiplinuar në disa fusha të ndryshme të shkencës, në një moshë të pjekur, si dhe i edukuar nga familja dhe ambienti shoqëror që e rrethonte atë, ishte njeri i sinqertë, i çiltër, apo, siç e përshkruan ai në librin e tij, ndoshta më tepër se ç’duhej. Ky sinqeritet dhe kjo çiltërsi e tij, nuk është rrjedhojë pse e thotë ai këtë, por një konkluzion i rezultuar nga analiza e vëmendshme dhe e kujdesshme e fakteve dhe te dhënave që na jep ai në librin e tij. Kështu, fjala vjen, kur u pyet nga kryetari i Senatit, nëse CIA, kishte ose jo dijeni apo të dhëna mbi testet e para indiane për zotërimin e bombës atomike, ai iu përgjigj: “Senator, ne as që ia kishim idenë”. Një sinqeritet i tillë gati feminor desh i ndërpreu karrierën, sepse rasti u konsiderua “një dështim kolosal i shërbimeve të inteligjencës”, të cilin e pranon edhe vetë ai. Ishte ndërhyrja dhe garancia i Presidentit Clinton që mënjanoi shkarkimin e tij nga detyra. Në se ai do t’i kishte bërë dredhi pyetjes në dhënien e përgjigjes, mund të manovrohej prej tij për të dalë nga kjo situatë, ose për ta ndërlikuar atë. Por, Teneti zgjodhi rrugën e sinqeritetit të plotë, duke i prezantuar faktet ashtu siç ishin në realitet. Në këtë kuadër dhe vështrim, për shkak të këtij sinqeriteti, ai do të shprehej më vonë se “do të mësoja shumë shpejt, se fjalët e vërteta rrallëherë thuhen”.
Cilësi tjetër që do të veçoja për Tenetin, është dhe raporti zyrtar që ai mbante me stafin e tij. Mund të them pa frikë se ai në këtë drejtim është një model i shkëlqyer, nga i cili mund të marrë shembull kushdo qoftë, e sidomos këtu tek ne, në Shqipëri. Marrëdhëniet e vartësisë me stafin e tij nuk i koncepton në mënyrë burokratike, që ai është drejtuesi, d.m.th. komandanti, kurse të tjerët, vartësit, janë "ushtarët" e tij, prandaj ata edhe duhet t’i binden qorrazi dhe pa asnjë hezitim, por përkundrazi, ata i konsideron si një familje e përbashkët që gjithsecili ka funksionet dhe detyrat e veta për t'i kryer. "Nëse kujdesesh për njerëzit, e porosiste i ati, ata kujdesen për ty”. Harmonia, besimi, interesimi për stafin dhe hallet e tyre familjare kanë qenë jo vetëm prioritet i Tenetit, por edhe kyçi i besimit te stafit ndaj tij, në atë masë sa siç thotë ai, "në CIA, nëse burrat dhe gratë që gjenden aty besonin se ti kujdeseshe për ta dhe familjet e tyre, nuk kishte gjë që ata s'do ta bënin për ty". Një marrëdhënie e tillë e eprorit me vartësit, është mjaft dhe mjaft e pëlqyeshme. Nuk thuhet kot populli për këto raste: “që të udhëhequrit për drejtuesin, nuk kursejnë as jetën e tyre, por hidhen në zjarr". Historia shumëshekullore këtë të vërtetë ka treguar.
Këto cilësi të tij nuk mund të ekzistonin dhe të përsoseshin më tej në ndërgjegjen dhe karakterin e Tenetit, pa qenë vërtetësisht më parë ai, një njeri i thjeshtë si dhe të kuptonte realisht se në radhë të parë, ishte dhe duhej të mbetej njerëzor. Kjo veçanti e tij është e shfaqur dhe e dukshme kudo në çdo drejtim dhe kohë të jetës së tij. Ajo spikat si brendapërbrenda familjes së tij ashtu edhe jashtë saj. "Kur i shkova për vizitë familjare, thotë kushëriri i parë i tij, Zaharia Kaçalano, Tenetin e gjeta të veshur me pantallona të shkurtëra dhe me një palë shapka në këmbë". Mua më duket se kjo lloj sjelljeje është jo vetëm e thjeshtë, por edhe shpreh në vetëvete mënjanimin e manisë së të dukurit, megalomanisë, apo të superpushtetit në çdo drejtim qoftë, apo të mundësive ekonomike që merrte një rroge mujore 2 milionë dollarë USA, ose pesë herë më tepër se Presidenti i Amerikës. Një cilësi e tillë, përgjithësisht, duhet thënë se, nuk është e hasur në çdo personalitet të përmasave të tij, për të mos thënë edhe më pak. Kjo dukuri e thjeshtësisë së tij konfirmohet midis të tjerave edhe nga fakti që ai gjatë tërë kohës shtatëvjeçare që drejtoi CIA-n, nuk doli as edhe njëherë të vetme në asnjë stacion televiziv për të dhënë ndonjë intervistë. Vështirë se dikush tjetër në këtë botë, dhe sidomos i përmasave të tilla, ta mënjanojë ekspozimin e "pushtetit" të tij, apo e thënë ndryshe me gjuhën e gazetarit mjaft të talentuar, Roland Qafoku në shkrimin e tij në gazetën "Tirana Observer", me një famë planetare.
Kjo fame planetare e këtij personaliteti të pakrahasueshëm, e këtij biri të dashur të krahinës së Himarës, që na nderoi vendin duke u ngjitur në majën e Zeusit, nuk mund të sfumohet nga një, dy apo më shumë shkrime të individëve të ndryshëm, dashakeqëse dhe xheloze për ta denigruar atë. Rrufetë, thotë populli, bien mbi lisa. Dhe "lisi" i të madhit Tenet nuk mund të rrëzohet me një, dy e më shumë të rënash të sëpatës. Epitetet si: "mediokër, sahanlëpirës, kthyes i gunës nga fryn era”, dhe të ndonjë tjetër si këto, janë jo vetëm të rëndomta për ata individë që i përdorin, por ndërkohe ekspozojnë pa asnjë mëdyshje xhelozitë e tyre që nuk ishin edhe ata të zotë në jetë, të kapnin majën e Zeusit. Zoti i ndihmoftë, rruga është e hapur, por më parë do të më lejonin t'iu jepja një këshillë: Himarjotët, njeriut që mundohet të jetë apo të bëhet i dëgjuar (VIP) në jetë, i thonë: " Puno sikur nuk do të vdesësh kurrë, dhe mos u fshih pas kazmës, sepse ajo nuk bën hije as për veten e vet". Ndërsa Teneti në librin e tij, këtë filozofi e përmbledh me thënien: "Duhej punë, nuk mund të fshihesha pas shefit tim". Besoj se filozofinë e kësaj thënieje e kupton kushdo.
Ndërkohë vlen të theksohet se shteti më i fuqishëm dhe më demokratik i botës, si dhe udhëheqësit e tij, kurrsesi nuk mund të pranonin në krye të CIA-s një drejtues “mediokër”, siç pretendon ndonjë artikullshkrues për Tenetin.

*AVOKAT
Dr. i shkencave Juridike

No comments: