Monday, March 03, 2008

NJOFTIM I KRYESISE SE SHOQATES A. K.”BREGDETI”

post by [bregdeti@yahoo.com.]


SHOQATA A. K. ”BREGDETI “

Kryesia, Tiranë

Nr. Prot. .... /.......

Shoqata AK “Bregdeti”, pas takimit me Përfaqësuesen e Bankës Botërore në Tiranë zj..Camille Nuamah, morri pjesë në dëgjimin publik në datë 14 Shkurt në 2008, në një nga sallat e Hotel Tirana. Në këtë dëgjim publik një grup pune me specialistë të huaj, do të bënte prezantimin e Projektit të financuar nga Banka Botërore për menaxhimin e zonës turistike të bregdetit Jon. Ky takim u bë menjëherë pas seancës së mbajtur në qytetin e Himarës, takim i cili u transmetua edhe nga shtypi.

Mbledhja u zhvillua nën drejtimin e Ministrit të Turizmit z. Ylli Pango dhe përfaqësuesve të tjerë të Qeverisë. Mbledhjen e hapi drejtori i projektit z. Jamarber Malltezi dhe pas tij folën Ministri Ylli Pango e shumë drejtues të tjerë shtetërorë. etj. Siç u tha nga drejtuesit , ky ishte prezantimi i fundit që i bëhej projektit në publik. Në dëgjimin publik të datës 14 Shkurt, morën pjesë edhe një numur i madh Himariotësh dhe Bregdetasish me banim në Tiranë

Fillimi i mbledhjes ishte shumë i polarizuar dhe ministrit Pango ju ndërpre fjala 2-3 herë nga ing. Thodhori Bollano, i cili me të drejtë i kërkonte ministrit , që fillimisht të sqaronte pse nuk ka dëshirë dhe vullnet politik për të zbatuar Kushtetutën dhe për të kthyer pronën e grabitur tek i zoti. Ministri u justifikua në fjalën e tij, se ai është i interesuar për problemet e turizmit dhe jo ato të pronësisë dhe se kujt i takon prona”.

Pasi mbaruan referimet kryesore dhe u bë paraqitja e projektit, u rindez faza e diskutimeve. U kritikua Qeveria për faktin se përpara këtij ekipi anglo-slloven, një ekip tjetër franko-kroat (firma “PAP/RAC) që kishte marrë përsipër studimin, nuk bëri asgjë, veçse përcaktoi disa “zona” për zhvillimin e turizmit . Këto zona nuk ishin sipas kritereve teknike, por sipas interesave klienteliste të personave të interesuar për të ndërtuar në ato troje. U kritikuan përfaqësuesit e qeverisë, për faktin se askush nuk mbajti përgjegjësi për këtë veprim të papranushëm.

Përfaqësuesit e shoqatës AK “Bregdeti” kritikuan përfaqësuesit e Qeverisë për faktin se si shoqata si palë e interesuar nuk ishin ftuar në asnjë takim. Ata shprehen bindjen se pa zgjidhur më parë problemin se e kujt është prona dhe të kthehet prona tek i zoti siç është bërë në gjithë Shqipërinë e veriut , ky studim pavarësisht nga cilësia e tij, ëstë një manipulim i organizuar që keqpërdoron emrin dhe mirëbesimin e institucioneve ndërkombëtare, dhe de fakto favorizon intrigën e politikanëve për moskthimin e pronës tek i zoti. Përfaqësuesit e Qeverisë e kundërshtuan këtë mendim, duke thëne se ata duan zhvillimin e turizmit.

Të gjithë pronarët e pranishëm mbështetën mendimin se edhe bregdetasit dëshirojnë zhvillimin e turizmit dhe nuk janë kundër zhvillimit. Përkundrazi, ata kërkojnë dhe dëshërojnë që vendi dhe veçanërisht Bregdeti Jonian, të zhvillohet në dobi të gjithë banorëve të zonës. Por me kushtin që duhen respektuar titujt e pronësisë.

Diskutantët vunë në dukje faktin se pronarët e ligjshëm të bregdetit nuk do të gënjehen më tej duke spekuluar me studime që kushtojnë miliona. Pra ata nuk mund të gënjehen më dhe janë të bindur se nëse Qeveria nuk saktëson me dokumente zyrtar se kujt i përket prona dhe të ja kthejë atë të zotit të ligjshëm, duke ja hequr politikanëve hajdutë dhe klaneve të tyre, vendi nuk mund të eci përpara. Kur Presidenti i Republicës deklaroi tha se paska spiunë ose bashkëpunëtorë, ne kuptojmë se ka shumë më tepër në administratën e lartë shtetërore që pengojnë me të gjitha format respektimin e titujve të mirëfilltë të pronësisë, pengojnë kthimin e pronës, flasin për kompensim, se kështu ata komandohen të veprojnë. Qeveritarët e quajnë këtë reformë, por faktikish ky është shpartallimi i financave, i Kushtetutës, i stabilitetit social dhe i progresit të vendit. Ata duan të armiqësojnë shqiptarët me njeri tjetrin dhe në një farë mënyre deri tani kanë pasur sukses.

Ndërkohë Shoqata do bëjë punën e saj. Kryesia e shoqatës AK “Bregdeti” rekomandon nga të gjithë që secili të bëjë punën e tij, në interes të mbrojtjes së ligjshme të pronës së tij të trashëguar. Secili në bazë të dokumentave të para kolektivizimit komunist, të kërkojë kthimin e plotë fizik të pronës, edhe sikur ajo të jetë ndarë në persona të tjerë me ligjin 7501 apo ligje dhe vendime të tjera. Të pranojë kompensim vetëm për prona që janë të zëna me ndërtime banimi para vitit 1991 dhe ato që shfrytëzohen për nevoja publike dhe të kërkojë përcaktimin e shumes dhe të kohës së dhënies së kompensimit. Kjo kërkese duhet paraqitur në komisionin e pronave dhe nese nuk merret pergjigje pas dy muajsh, të hapet procesi gjyqësor që këtë vendim ta marri gjykata. Eshtë e qartë se as në gjykatë ka mundësi të mos fitoni, por e rëndëssishme eshte të merrni një vendim qoftë dhe vendim negativ.

Mjafton të fitoni kohën dhe megjithë këto vendime negative ka një dritë jeshile. Kjo dritë është Gjykata e Strasburgut, ku secili pronar duhet të drejtohet në mënyrë individuale. Shoqata do të udhëzojë të gjithë pronarët që duan ti drejtohen Strasburgut, mjafton të mos kenë kaluar 6 muaj nga data e dhënies së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Strasburgu nuk kërkon shpenzime, pasi nuk ka nevojë të paraqitesh atje, edhe dokumentat nuk i kërkon të noterizuara, por vetëm fotokopje të thjeshta, pasi ata i verifikojnë vetë të gjitha dhe pastaj po me postë dergojnë vendimin.

Duhet theksuar me forcë se vendimet e Strasburgut janë detyrimisht të zbatueshme për tërë shtetet, përfshirë dhe Shqipërinë. Edhe një herë, ju bëjmë thirrje që të mos bini pre e propagandës së klaneve anti-pronarë dhe të humbisni pronën tuaj të trashëguar. Fillimi sa më parë i rrugës gjyqësore në shtetin shqiptar, kjo është ndihma më e madhe që mund ti jepni të ardhmes së familjes tuaj. Mjafton të përmëdim shëmbullin e pronarëve të Rumanisë dhe Bullgarisë, ku vajtja e menjëherëshme e disa mijë ankesave në Strasburg, detyroi qeverinë post-komuniste me pahir ta kthejnë pronën tek të zotërit origjinalë.

Së fundmi, i rikujtojmë strukturat e shoqatës së çdo fshati që të mbledhin kuotizacionin, dhe të bindin të gjithë pronarët për të ndjekur këtë rrugë. Ne besojmë në mirëkuptimin e të gjithë pronarëve bregdetas. Bashkimi bën fuqinë. Të bashkuar kemi mundur çdo pushtues. Tani duhet të çlirohemi nga vetvetja, nga korrupsioni që kanë injektuar politikanët e klanit të Katovicës që lakmojnë të bëhen zotër në pronat tona të trashëguara. Ne i kemi paralajmëruar dhe jo vetëm një herë se do të përfundojnë me thesin e turpit në kokë.

Për Kryesinë e Shoqatës AK “Bregdeti”

Kryetari, Niko Nesturi

No comments: