Monday, October 06, 2008

Berisha: Gjirokastra ka nxjerrë tre kolosë të historisë kombëtare

"Ky qytet i ka dhënë kombit dhe botës tre personalitete gjeniale, Ismail Kadarenë, i cili përcjell në veprën e tij më shumë, më bukur, më mirë se kushdo tjetër shpirtin e shqiptarëve, Kapodistrian, njërin prej statistëve më të mëdhenj të kohërave, njeriu që me gjeninë e tij politike udhëhoqi dhe drejtoi për një kohë të caktuar vendin mik, por edhe njeriu që i ka dhënë Zvicrës kushtetutën dhe ka kontribuar edhe për Rusinë..."-nga fjalimi i kryeministrit S. Berisha


Berisha: Gjirokastra ka nxjerrë tre kolosë të historisë kombëtare dhe një gjakpirës (gazeta Shqip)

Në vijim të turit të tij paraelektoral nën logon "Shqipëria po ndryshon", dje, paradite, Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një vizitë në Gjirokastër, gjatë së cilës ai inspektoi ecurinë e punimeve në rrugën Kardhiq-Sarandë dhe punimet restauruese në qytetin e Gjirokastrës dhe përuroi përfundimin e nëncentralit elektrik në Gjirokastër, projektin për sistemimin e përroit të Dervicianit dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e hyrjes së këtij fshati, që i përket minoritetit etnik grek. Duke inspektuar punimet për restaurimin e qendrës historike të Gjirokastrës, investim i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe UNESCO-s, Berisha vlerësoi se realizimi i projektit të restaurimit të monumenteve historike po i jep qytetit të Gjirokastrës pamjen që meriton. "Këto projekte po i japin gjallëri qytetit, duke ruajtur trashëgiminë e shkëlqyer arkitekturore të kësaj qendre historike, bukurinë, madhështinë që ka pasur dikur ky qytet", tha Berisha. Ky qytet, nënvizoi Berisha, i ka dhënë kombit dhe botës tre personalitete gjeniale, Ismail Kadarenë, i cili përcjell në veprën e tij më shumë, më bukur, më mirë se kushdo tjetër shpirtin e shqiptarëve, Kapodistrian, njërin prej statistëve më të mëdhenj të kohërave, njeriu që me gjeninë e tij politike udhëhoqi dhe drejtoi për një kohë të caktuar vendin mik, por edhe njeriu që i ka dhënë Zvicrës kushtetutën dhe ka kontribuar edhe për Rusinë dhe Eqrem Çabejn, studiuesin, gjuhëtarin dhe shkencëtarin e madh, që me studimet dhe hulumtimet e tij bëri aq shumë për etnogjenezën e shqiptarëve. Ashtu sikurse shtëpitë e Kadaresë dhe Çabejt, që janë duke u restauruar dhe duke u kthyer në muzeu të rëndësishëm edhe shtëpia e Kapodistrias duhet të restaurohet dhe kthehet në një qendër të vizitueshme. Duke përuruar nënstacionin e ri 110/20kv të Gjirokastrës dhe rrjetit shpërndarës 20 kv të tij me vlerë 3.7 milionë euro, i financuar nga qeveria gjermane, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen e thellë ambasadorit të RFGJ, i pranishëm në përurim. "Republika Federale Gjermane, tha Kryeministri, i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndihmën më të madhe për frymë në botë. "Kjo ndihmë në aspektin financiar ka kaluar 700 milionë euro, por ndihma ka qenë po kaq e fuqishme në rrafshin politik, teknik, ekonomik dhe të gjithanshëm", vlerësoi Berisha. Kryeministri shprehu bindjen se ndihmën bujare të këtij kombi të madh dhe mik, e kanë ndjerë dhe e ndiejnë mbarë qytetarët shqiptarë. "Kam kënaqësinë që unë së bashku me ambasadorin gjerman inaugurojmë sot këtë nëncentral të rëndësishëm për Gjirokastrën, në prag të një vizite që unë e vlerësoj jashtëzakonisht të rëndësishme. Unë do të shkoj me kënaqësi të madhe me ftesë të Kancelares Merkel në Gjermani. Ky është një nder shumë i madh për mua, por është një nder i madh për të gjithë shqiptarët.

No comments: