Botuar Revista KLAN
Pas tetë ditëve grevë urie të një grupi deputetësh dhe tetë muaj pëpara zgjedhjeve të përgjithshme, parlamenti shqiptar miratoi kodin zgjedhor. Ndërsa grevistët linin sallën e kuvendit me dilemën nëse ia vlejti sakrifica e ngujimit disaditor të tyre, nga foltorja e mbetur në dispozicionin e dy partive më të mëdha, jepeshin garanci se vota e shqiptarëve nuk do të devijonte e nuk do vidhej si më parë. Prej diskutimeve të mbushura skajshëm me konsensualitet, krijohej përshtypja se miratimi i kodit zgjedhor i dalë prej një supermaxhorance, kish kënaqur më së tepërmi opozitën sesa pozitën në pushtet. Shprehja e kënaqësisë në fytyrat e deputetëve socialistë pas miratimit të kodit, iu prezantua publikut si një sukses i opozitarizmit dhe kjo ndjenjë të përforcohej më tepër ndërsa po këta opozitarë nisën të japin garanci për zgjedhje të lira e të ndershme, me më tepër patos sesa vetë qeveritarët që kanë për detyrë të menazhojnë zgjedhjet. Nuk pritej pra, pas këtij triumfi ku kryeministri na qenka “detyruar” të bashkojë votat me opozitën për miratimin e kodit, që veç të vijë një orë e më parë dita e zgjedhjeve që të rrëzohet Berisha nga pushteti. Në shfaqjen pasuese e plot ngadhnjim të opozitës socialiste nëpër ekranet televizive dhe ku kodi i miratuar u shpalos si fitore përballë irnosjes së opozitarëve grevistë, mungoi vetëm një fytyrë të cilën e shihnim pareshtur çdo natë: kryeministri Berisha.
Ishte hera e parë që kryeministri as nuk shfaq si zakonisht për të bërë mbrojtjen e një ligji pasi për herë të parë kjo gjë nuk ish e nevojshme. Rolin e avokatisë për të mbrojtur kodin e miratuar nga kritikat e opozitës, e mori përsipër ta luajë pikërisht pejsa më e rëndësishme e kësaj opozite, rivalët socialistë. Në heshtjen e tij Berisha veçse e festoi në vetmi fitoren, porse arësyet e triumfit të tij ishin shumë më të mëdha se sa gëzimi fluturak i socialistëve që votat e demokratëve për miratimin e kodit i numëruan për hesapin e tyre. Në të njëjtën ditë, të martën pra, kryeministri arriti një fitore të katërfishtë ndaj opozitës. Së pari, u miratua kodi zgjedhor që pavarësisht konsensusit socialist, faturohet më shumti si një arritje e qeverisë së tij. Së dyti, dalja nga greva e urisë e deputetëve opozitarë, për të cilët veç ai, së paku në dukje, shprehu shqetësim e mirëkuptim, e thelloi më tej hendekun e krijuar midis rradhëve të opozitës , situatë e cila favorizon sërish Berishën në ballafaqimin zgjedhor të vitit të ardhshëm. Së treti. Pikërisht në ditën kur zallamahia mediatike merrej veç me aspektin emocional të grevës së urisë dhe situatën politike përpara votimit të kodit zgjedhor, pikërisht në këtë mjegullnajë pra, mbyllet në gjykatë hetimi i çështjes së rrugës Durrës –Kalimash. Dhe së katërti, ndërsa opozita ish e përfshirë në sulmet ndaj njëra tjetrës se cila pjesë e saj kish të drejtë e kush sheh interesin e vet në kurriz të tjetrës, po në këtë të martë fatlume për Berishën, miratohet në komisionin përkatës parlamentar, pa i kushtuar gati aspak vëmendje, buxheti për vitin 2009. Me një listë prej katër fitoresh brenda 24 orësh, Berisha nuk ka sesi të mos jetë i kënaqur, pavarësisht se festa e tij nuk u bë publike. Nuk mund të mos ish i kënaqur edhe nga media që përballë këtyre ngjarjeve që duhej të ishin në ballinën e vëmendjes së opinionit publik, i kaluan si lajme të rangut të tretë. Përballë këtij triumfi shumëplanësh të kryeministrit, gëzimi minor i socialistëve për kalimin e kodit zgjedhor duket shumë asmatik. Pas kësaj dite, opozita shfaqet më e përcarë dhe më e gatshme t’i shqyejë gurmazin njëra tjetrës sesa të luftojë me seriozitet Berishën në zgjedhjet e ardhshme. Njëkohësisht, mbyllja e cështjes së rrugës Durrës-Morinë, ku ndër të akuzuarit ish dhe ministri Basha, i heq nga dora një armë të vyer të majtës për aferat e korrupsionit të maxhorancës që erdhi në pushtet me moton e luftës ndaj këtij fenomeni. Ndërsa kalimi në heshtje i buxhetit për hir të atmosferës konsensuale të miratimit të kodit, i heq nga dora mundësinë opozitës të debatojë me flakërimë në seancën më të rëndësishme vjetore. Çfarë ngelet pas kësaj? Një pjesë e armëve u dorëzuan. Nga një gjykim optimist, ky akt mund të shpjegohet vetëm në rastin se këto armë opozita i kish të tepërta, përderisa na garantoi nga ana e saj se zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme dhe për më tepër, na është se Berisha sigurt se do dalë në pension politik. Ashtu qoftë…
Dështimi i një klase politike
Problemi kryesor që është shtruar gjithë këto ditë me ngarkesa e pështjellim politik, ka qenë dilemma se kush duhet t’i numërojë votat, kush duhet t’i mbrojë e administrojë ato. Fakti që partitë politike kërkojnë të kenë medoemos përfaqësuesit e vet nëpër komisionet zgjedhore, është pikërisht frika ndaj njëra tjetrës, pavarësisht krahut e aleancave të dikurshme. Në fund të fundit, greva e deputetëve të opozitës, u bë nga frika e vjedhjes së votave jo vetëm nga mazhoranca në pushtet, por dhe se i njëjti akt mund të pritej dhe nga aleatët socialistë. Ish padyshim një rast unikal botëror që një pjesë e opozitës bën grevë urie ndaj një pjese tjetër opozitare, ndërsa mazhoranca që fërkon duart në fshehtësi, bën rolin e të preukupuarit. E pra këto parti, të majta e të djathta, që luftojnë, lëpihen apo bëjnë aleanca me njëra tjetrën, që kanë marrë votën në popull për ngritjen ekonomike e demokratizimin e shoqërisë, për krerje reformash dhe integrim të vendit , paskan frikëpikjërisht aty ky fillon demokracia; tek shenjtëria e votës. Nëse ky fakt na u bë i ditur gjithë këto ditë nga reagimet shpërthyese të politikanëve tanë, kjo tregon sesa falsitet i madh është demokracia në Shqipëri dhe sa fajtore e të dështuara janë forcat politike në vend.
Ndërsa forcat politike ziheshin për komisionerët e tyre, pyetja që shtrohet është se kush mund ta mbrojë lirinë e votës e të administrojë procesin zgjedhor në mënyrë të paanshme përveç militantëve politikë, që deri tani kanë prodhuar veç zgjedhje “përgjithësisht të pranueshme”, por jot ë lira e të ndershme? Është folur se këtë mission, ashtu si në vende të tjera, mund tu ngarkohet institucioneve të depolitizuara. Gjykatës përshebmull. Porse 300 gjyqtarët tanë janë një numër jo i mjaftueshëm për të përballuar këtë ngarkesë përveç faktit tjetër që në sondazhet tona del si insitucioni më i korruptuar. E njëjta gje mund të thuhet edhe për policinë, kur dihet se uniformat blu nuk i kanë shpëtuar trafiqeve të ndryshme e jo më të japë garanci se do u shmanget trafikut të votave. Këtu problemi ka ngecur, pasi mungon besueshmëria e institucioneve, ndaj zgjidhja më e lehtë shihet tek rikthimi në formulën politike me komisionerë militantë që do të mbrojnë ngjyrat e tyre partiake, e mundësisht të ngjyejnë dorën edhe tek votat e të tjerëve. Por deri kur mund të vijojë në këtë formë dhe I kujt është faji për këtë gjendje? Pse administrata, dhe në këtë rast jo vetëm gjykatat, policia e ushtria, por e gjithë struktura burokratike shtetërore është kaq pak të besueshme sa të ndërmarrë rolin e ndërmjetësit dhe garantuesit të ligjit? Pikërisht pse është tërësisht e politizuar. Pikërisht pse në Shqipëri ka ndodhur një fenomen i paparë. Në këto 20 vjet, që i llogarisim si pluralizëm, tek ne janë ndërruar 20 administrata, një një kohë që ka mbetur e njëjta klasë politike. Ndërkohë që duhej të kish ndodhur e kundërta: të mbetej e njëjta administratë dhe një pjesë e mirë e kësaj klase të kalcifikuar politike, ta kishim harruar prej kohësh. Kush nga këta zotërinj që sot nuk gjen dot gozhdën për të varur besueshmerinë e zgjedhjeve dhe mbrojtjen e votës së lirë, e ka ngritur karrierën e tij politike mbi arritjet apo dështimet e veta dhe kush prej tyre në bazë të rezultateve është i gatshëm të tërhiqet e të rikthehet në profesionin e mjekut, agronomit apo ekonomistit ashtu si më parë? Nga kjo kastë poltike që sot po gëzon për një kod zgjedhor që sidoqoftë numërimi u përket sërish atyre dhe jo insitucioneve , nuk kemi se ç’të presim. Veç, me nder zgjedhje…
No comments:
Post a Comment