Sunday, July 26, 2009

Ç'është qytetari për neo-xhuvelizmin

Ç'është qytetari për këta?

Dr. Kleanthi Zoto | 26/07/2009 (shekulli on line)

Atje ku nuk respektohet kontrata e lidhur në kutinë e votimit mes qytetarit dhe politikanit, lindin natyrshëm edhe pyetjet: Ka të drejtë politika ta përdorë në hapësirat e interesave të saj vetjake mandatin e dhënë nga qytetari? Ka "humnera" mes politikës dhe etikës? Ç'pasoja rrjedhin kur prishet nga krahu i politikës kontrata? Mund të lëvizet nga një krah i politikës në tjetrin? Pse dhe kush e deformon votën e qytetarit? Mund të qeverisë një forcë që ka humbur përfaqësimin? Le t'i qasemi problemit.

Koalicionin e LSI-së me PD-në, - që është nominuar si më i pamoralshmi në këto vite, - Meta e gjykon si mjet për të shpejtuar integrimin e Shqipërisë në BE. Sot asnjë shqiptar nuk e kundërshton integrimin e vendit në BE, sidomos qytetarët e thjeshtë që ndjejnë mbi supet e tyre varfërinë, skamjen, paditurinë e lëvizin në kërkim të një jete më të mirë. Por çifti Meta-Berisha mendoj se nuk e kryen dot këtë funksion. Kjo se, të integrosh tjetrin, duhet të jesh vetë i integruar. Është i tillë çifti Meta-Berisha?
Pa dashur t'ua zvogëloj vlerat dhe kontributet, nëse ndalesh tek veprimtaria e tyre konkrete në këto vite, konstaton se ajo është "drobitur" aq shumë, saqë mendoj se nuk e ngrenë dot një peshë të tillë.

Bini në kujtesë sadopak akuzat e ndërsjella për vjedhjen e floririt në Krrabë, kur Meta, ish- Kryeministër në vitet dymijë dhe Berisha kryetar i opozitës, dhe gjykoni pastaj se sa jetë do të ketë kjo aleancë e re e gatuar me "material të vjetër".

Edhe po të biem në kujtesë alternativën e fushatës së LSI-së, ajo që bie në sy është kritika tepër e ashpër e Metës për Berishën, duke e paraqitur në sy të qytetarëve si pengesën më të madhe të integrimit të shqiptarëve në BE, si njeriun që "mbarsi" e "polli" Gërdecin e mjaft gjëma të tjera. Ndaj, parulla e këtij grupimi politik "Berisha ik" dje, e kthyer sot pa tharë letra mirë "Berisha eja", bie sa erë "oborr" familjar e klanor, kaq edhe një anormalitet. Mashtrimi e hendeqet mes politikës e moralit, që janë të papranueshme për demokracinë, në këtë fushatë elektorale janë të dukshme e të qarta.

Meta i ish-LSI-së, brenda një periudhe të shkurtër pësoi një metamorfozë të plotë.


Them ish-grupimi politik i LSI-së, se lideri i tij paraqiti një program të majtë para qytetarëve, madje do të thosha një ekstrem të tij, dhe tani po bën përpjekje t'u mbushë mendjen qytetarëve se ky "ekstrem" mund të realizohet me një qoshe tjetër "ekstreme" (!)

Më 28 qershor kemi patur sërish zgjedhje të ndotura. Këtë e dinë edhe Meta e Berisha, këtë e dinë edhe qindra shqiptarë të përfshirë teknikisht në proces. Këtë po e mësojnë edhe qindra mijë shqiptarë të tjerë votues. "Ju votuat, ne numëruam" - u thonë sot duke u gajasur, "teknikët" e njërës "palë", "palës" tjetër. Sigurisht që nuk ka vend për gajasje. Të gajasurve duhet t'ua kishte treguar vendin KQZ-ja. Por ajo bëri të kundërtën. Me votimet e saj 4 me 3, u shndërrua në një institucion partiak që i shërbeu me besnikëri "fronit".

Jo rastësisht Berisha e Meta u bënë aq të paduruar sa ta shpallin pa ardhur koha "fitoren". Fitore si e Piros. Në të njëjtin pozicion e presion të paskrupullt, janë ata edhe sot, kur i kërkojnë Ramës të pranojë humbjen e të japë dorëheqjen.

Me ta janë edhe ca djem të rinj, që shkrihen përnatë në muhabete nëpër studio televizive. Shtrohet pyetja: U lind e drejta këtyre zotërinjve t'i bëjnë një kërkesë të tillë kryetarit të një partie? Mendoj se jo.

Pse? Sepse kërkesa duhet parë në kohë e në hapësirë. Në kohë nuk u lind ende e drejta, sepse nisën ta formulonin këtë "kërkesë" ende pa përfunduar procesi zgjedhor, aq më tepër në kushtet kur opozita denonconte një krim elektoral më 28 qershor.
Dhe janë jashtë hapësirës për të vepruar si anëtarë partie, sepse minimalisht, nuk janë të tillë. Këtë të drejtë e kanë ata që e kanë zgjedhur sipas parimit një anëtar një votë, pra e ka PS-ja. Kryetari i një partie nuk është në varësinë e një partie tjetër, e aq më pak të ndonjë ekrani televiziv.


As çifti Berisha-Meta nuk ka të drejtë morale t'i kërkojë dorëheqjen Ramës, mbasi ata vetë nuk e kanë njohur asnjëherë këtë institucion. Pa mundur në këto radhë të "rreshtoj" mangësitë e dobësitë e tyre, por do të mjaftonte vetëm Gërdeci apo '97-ta që Berisha të rivishte bluzën e bardhë. "Vjedhja" e floririt në Krrabë apo deklarata para qytetarëve se, në qoftë se nuk do të merrte 35-40 deputetë në forcën që drejton, do të largohej nga politika, do t'i mjaftonin Metës për të dhënë dorëheqjen.
Me këtë rast më lind pyetja: Para kujt flasin këta politikanë e ç'është qytetari për ta? Deklarata si të tyret dhe hipokrizi kaq sheshit, mund të bëjnë vetëm ata që qytetarin e konceptojnë turmë.


E meqë jemi tek qytetarët, është fakt se PS-ja ka fituar në zona urbane, tregues ky i një force të emancipuar. Me këtë rast desha t'u kujtoj "analistëve" se ky është një tregues prej të cilit duhet të nxirren konkluzione të rëndësishme teorike e praktike.

No comments: