Wednesday, July 15, 2009

Fatos Klosi: Zhgënjyem ata që na besuan

Pakti me Berishën, Klosi: Zhgënjyem ata që na besuan

F.Braushi | 08/07/2009 |Shekulli on line

Anëtari i kryesisë së LSI-së, Fatos Klosi, deklaroi dje se pakti me Berishën ishte i gabuar dhe i dëmshëm, si për interesat e vendit, ashtu dhe për interesat e LSI-së


TIRANË - Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, nuk ka qenë i vetmi drejtues i lartë i kësaj force, që nuk e ka kapërdirë dot një marrëveshje bashkëqeverisjeje me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.


Kështu, përveç Xhufit, guximin për të dalë kundër një vendimmarrjeje të tillë e ka marrë edhe anëtari i kryesisë së kësaj force, Fatos Klosi, i cili për shkak të ashpërsisë së qëndrimit dhe argumenteve të tij, ka provokuar dhe një debat të hapur, si me sallën, ashtu edhe me vetë kryetarin Ilir Meta dhe me nënkryetarin e saj, Dritan Prifti, debat që në disa momente ka dalë edhe jashtë kontrollit, ku natyrisht, nuk kanë munguar akuzat ndaj tij si i blerë nga Rama.


Pavarësisht se i ndërprerë disa herë në fjalën e tij, Klosi, falë "përkujdesjes" së kreut të LSI-së, Ilir Meta, ka mundur të përcjellë deri në fund mesazhin e tij, se një marrëveshje bashkëqeverisje me Berishën, është kundër së majtës dhe në të mirë vetëm të Berishës dhe klaneve të tij.


"Më duket një përfundim shumë euforik dhe uroj që ashtu të jetë, por e them me bindje se partia, që do të përfitojë nga ky qëndrim, mbase përsëri emrin do ta ketë LSI, por nuk do të jetë më ajo LSI-ja për të cilën punuam dhe ëndërruam për të bërë gjëra të mira", - tha ish-kreu i SHIK-ut, Fatos Klosi.


Në vijim të këtij qëndrimi, në një klimë aspak miqësore të krijuar në sallë, ai i ka kujtuar Metës, anëtarëve të kryesisë dhe gjithë sallës, faktin se kushdo që ka bashkëpunuar më parë me Berishën, ka dalë i humbur, duke paralajmëruar në këtë mënyrë një fund të keq edhe për qeverisjen që po ngjizet mes Metës dhe Berishës.


"Vendimi për të bashkëpunuar me Berishën në qeverisjen e vendit, sipas meje, është i gabuar dhe i dëmshëm, si për interesat e vendit, ashtu dhe për interesat tona. Ky vendim, na vë neve në atë pozicion, për të cilën ne i kritikuam ashpër ata që për interesat e tyre kanë bashkëpunuar me Berishën.


Dua të them se kush ka bashkëpunuar me Berishën, e ka ngrënë", - shtoi Klosi. Por, mbi të gjitha, ai ka theksuar se kjo marrëveshje ka zhgënjyer të gjithë ata qytetarë që kanë votuar LSI-në dhe që deri më tani i kishin besuar asaj, se ajo ishte forca e vetme, që bënte opozitë të vërtetë ndaj Berishës.


Sipas tij, nuk është normale që, për shkak të inateve dhe debateve me PS-në, LSI-ja të shkojë dhe të bashkëpunojë me Berishën. "Me këtë vendim, me siguri që i kemi zhgënjyer të gjithë ata që na kanë besuar se ne ishim vërtet në ballë të luftës kundër Berishës.


Më shumë se gjysma e shqiptarëve votuan kundër Berishës, dhe ata shqiptarë që unë thirra të bashkohen me LSI-në, pasi kështu do ta kishin më lehtë të luftonin Berishën. Tani do të më duhet t'u kërkoj falje atyre. Nuk mund t'u mbrohen interesat e vendit tek Berisha nga ata dy apo tre ministra që do futen nga ana jonë në këtë kabinet.


Armiqësia që ka treguar PS-ja ndaj nesh nuk duhet të na detyrojë që të flemë me mullixhinë po s'patëm qejf ne vetë. Ne, kështu po ia fusim jo vetëm Edit, por gjithë bazës së socialistëve", - tha Klosi.


Sipas tij, argumenti me të cilin po shoqërohet ky vendim, që ka të bëjë me interesat kombëtare për të nxjerrë vendin nga kriza, nuk qëndrojnë. "Në krizë nuk është Shqipëria, në krizë është qeveria aktuale që ka në kurriz ngjarje të tilla si Gërdeci, korrupsionin e madh në rrugën e kombit, e shumë të tjera".


Pas fjalës së tij, Klosi është kërcënuar nga disa përkrahës të Ilir Metës, që gjendeshin në sallë, ndërkohë që vetëm ndërhyrja e Spartak Brahos ka shmangur një përplasje fizike mes tyre në sallë.


Debatet


Fatos Klosi:

"Më duket një përfundim shumë euforik dhe uroj që ashtu të jetë, por e them me bindje se partia që do të përfitojë nga ky qëndrim,-j mbase përsëri emrin do ta ketë LSI, por nuk do të jetë më ajo LSI-ja për të cilën punuam dhe ëndërruam për të bërë gjera të mira".


Ndërhyrje nga salla

Klosi:


"Po të doni unë e le fjalën në mes, por unë i vetëm nuk ju prish punë"


Meta:


"Fatos, të lutem vazhdo, fol me qetësi, me gjithë argumente dhe ju lutemi të gjithëve të ruani gjakftohtësinë, sepse kemi ardhur të dëgjojmë argumentet. I lini brohoritjet".


Klosi:


"Vendimi për të bashkëpunuar me Berishën në qeverisjen e vendit, sipas meje, është i gabuar dhe i dëmshëm, si për interesat e vendit, ashtu dhe për interesat tona. Ky vendim na vë neve në atë pozicion, për të cilin ne kritikuam ashpër ata që, për interesat e tyre, kanë bashkëpunuar me Berishën. Dua të them se kush ka bashkëpunuar me Berishën, e ka ngrënë".


Meta:


"Ju lutem ruani qetësinë dhe mos bini pre e provokimeve. Unë dua të dëgjoj argumentet e Fatos Klosit dhe unë do jap argumentet e mia. Unë nuk dua që të më duartrokisni, as për mua dhe as për të".


Klosi:


"Nuk mund t'u mbrohen interesat e vendit tek Berisha nga ata dy apo tre ministra që do futen nga ana jonë në këtë kabinet. Armiqësia që ka treguar PS-ja ndaj nesh, nuk dua të na detyrojë që të flemë me mullixhinë po s'patëm qejf ne vet. Ne kështu po ia fusim jo vetëm Edit, por gjithë bazës së socialistëve.


Gjithashtu, më ka shokuar dhe ngutja me të cilën u ndërmor ky hap. Në mbledhjen e kryesisë, ne kritikuam Dritanin për deklaratat e emocionale të tij. Së pari, ngutja cenoi thelbin e procesit zgjedhor".


Klosi debaton me Priftin


"Të lutem Dritan, se ty të kam dëgjuar, s'kam nevojë të dëgjoj prapë"

Meta:


"Kam një pyetje për ty Fatos. Në rast se nuk marrim pjesë në qeveri, çfarë bëjmë?"

Klosi:


"Unë nuk kam menduar për këtë. Por mund të them që tani një zgjidhje: të krijojmë një qeveri teknike, që të realizojmë një reformë zgjedhore dhe që, pas një viti, të bëjmë zgjedhje".


No comments: