Friday, July 10, 2009

Kur dorëheqjen e Ramës e kërkon Berisha

"Tranzicioni ne Shqiperi do vazhdoje per sa kohe te jete Berisha dhe figurat e vjetra ne pushtet"-nje vezhgues

(shqip online)

Mimoza Dervishi

Po davariten ngadalë dhe "15 minutat" e famës për Ilir Metën. Nga "martir", "hero" i zemëruar apo "shpëtimtar" nga halli, tani ky personazh është vetëm një aleat i Berishës, që ashtu si çdo satelit i vogël i qeverisë së mëparshme, është në pritje të marrë ndonjë post për të punësuar farefisin dhe një dorë militantësh. S‘ka as për t‘u habitur, as për t‘u trishtuar. Nuk vjen as era tradhti. Socialistët thjesht duhet të marrin frymë thellë dhe të ndjehen të lehtësuar.

Ilir Meta tregoi dhe një herë se është një politikan pa nuhatje, pa kurrfarë vizioni, një inatçor i vogël që gjithmonë ka marrë vendime në nerva e sipër dhe kurrë me qetësinë dhe akullsinë e nevojshme të një politikani. Dhe sa për një sqarim të vogël, emri i tij nuk ka pasur lidhje ndonjëherë me moralin apo parimet në politikë. Shtypi pak ka folur e shkruar për mungesën e parimeve të Ilir Metës, më shumë janë marrë me martirizimin e partisë që ai krijoi. Por nëpër biseda private, të gjithë kujtojnë kohërat kur ai ishte Kryeministër ose e thënë ndryshe, koha kur media u ble nga politika.

Meta futi kështu i pari këtë virus fatal, në një media që deri në atë moment ishte ndarë politikisht vetëm për hir të idealizmit. Sot është ndryshe, idealizmi ka vdekur dhe zor se virusi "Meta" do zhduket ndonjëherë, sepse në fund të fundit, shkon dorë më dorë me baltovinën morale, politike shqiptare. Kjo është arsyeja që askush nuk ngriti qoftë dhe një herë të vetme pyetjen, se me çfarë financohet një parti si LSI, në një fushatë spektakolare, ku shpenzimet e saj mund të krahasoheshin me ato të dy partive më të fuqishme në vend. Po sikur t‘i ishte dhënë përgjigje asaj pyetjeje, do ta kishim më të lehtë të kuptonim se pse po hyn në qeveri Ilir Meta. Ka thjesht dhe vetëm lidhje me financat e mbetura mesa duket bosh të partisë-familje të tij. Po le të vazhdojmë me parimet.

Vetëm një javë para zgjedhjeve, Meta shihej tek shtrëngonte dorën me Fatos Nanon dhe një javë pas zgjedhjeve, na tregoi për herë të parë, se ishte Ruçi që e kishte përzënë nga Partia Socialiste, jo Fatos Nano.

Radikali ekstremist nga Skrapari i bënte presion PS-së qysh kur ndodhi Gërdeci, që Berisha duhej rrëzuar me grusht shteti. Dhe ishte koha kur vendi nuk kishte hyrë ende në NATO, e mbi të gjitha Berisha ishte legjitim me vota si Kryeministër. Sot pa u mbyllur ende rezultati i votimeve, kur Berisha me verdiktin e popullit të majtë është m‘u në buzë të humnerës, Meta vendosi t‘i japë dorën për hir të "integrimit të vendit".

Por për të gjithë është e kuptueshme se vendimi për të hyrë në qeveri me Berishën, s‘ka lidhje me parimet që edhe nëpër gojë i ngatërrohen Ilir Metës. Me futjen në një qeveri të korruptuar, ai thjesht po shkon në "fis". Kështu e ka pasur politika shqiptare jetë e mot, dhe Ilir Meta nuk është ndryshe, madje kjo është arsyeja pse ai është sot në të njëjtin front bashkë me Berishën, Nanon dhe satelitë të tjerë mikroskopikë, që dikur bashkë ndanin pazare të mëdha, nuk kishte rëndësi ishin në opozitë apo pushtet.

Në anën tjetër është Edi Rama. Thonë që duhet të japë dorëheqjen, thonë që fajin e ka kodi që ai zgjodhi, thonë që Rama donte të eliminonte LSI-në. Në fakt kodi ishte gjëja më e mirë që i ka ndodhur politikisht Shqipërisë në këtë moment në histori. Nesër mund të bëhet një kod tjetër dhe kjo s‘ka rëndësi, të paktën një herë të vetme u provua botërisht dhe turpërisht se shumë të ashtuquajtur figura karriere në politikë nuk vlejnë as 5 grosh, ose as 5 për qind. Janë ata që madje shpesh kanë pasur në duar fate qeverish, që kanë rrëzuar qeveri a zgjedhur presidentë, që kanë trafikuar votat nga kanë dashur, duke njollosur keqas demokracinë dhe duke u bërë pengesa fatale për zhvillimin e vendit. Sot kodi i nxori lakuriq.

Flitet për diskriminim, martirizim dhe çfarëdolloj çudie tjetër, deri te planet mafioze për eliminimin e database të LSI-së.

Por pak ose aspak flitet për arsyet reale pse LSI-ja nuk donte të ishte në koalicion me PS-në. Janë harruar mesa duket presionet e LSI-së për zona të lira, të "majme", të pamerituara elektorale, si kushti kryesor i një aleance të mundshme.

Janë harruar se pasi u bashkuan në zgjedhjet lokale, pa u zbardhur dita e fitores, LSI-ja nxitoi të bashkojnë votat me Berishën. Kanë harruar fushatën agresive të Metës ndaj Ramës, fushatë që s‘kishte asnjë ndryshim nga ajo e Berishës. Të gjithë kujtojnë grevën e urisë si aktin sublim të Metës dhe Ndokës, por greva e urisë nuk u bë për mbrojtjen e Kushtetutës, ajo thjesht u bë sepse këtyre kryetarëve ju hoq e vetmja armë që kishin në duar: presioni.

U anatemua kaq shumë Rama dhe opozita e tij pse i hapën rrugë NATO-s dhe reformave të domosdoshme për të arritur këtë aleancë, po sot kemi hibridin bastard qeveritar nën siglën e integrimit. Quhet Rama një lider me dorë të fortë dhe akuzohet se i bëri vetë listat e deputetëve. Po është harruar të pyetet Ilir Meta, si i bëri listat e partisë së tij? Ky i ashtuquajtur lider me 4 deputetë që as nuk pyeti njeri në partinë e tij për vendimin e fundit më të rëndësishmin dhe më vetasgjësuesin. A ka nevojë të përmendim se në konventën e së martës kur u erdhi radha zërave kundër, iku dhe sinjali?

Meta është dhe shumë qesharak këto kohë. Sidomos kur tregon për emisarë dhe SMS që i vinin nga Rama me propozimin për t‘u bërë Kryeministër nëse bashkonte votat me të majtën. Pse ç‘kishte vallë që s‘e pranoi këtë propozim Ilir Meta dhe e këmbeu me "të kapim ç‘të kapim" nga qeveria Berisha?

Akoma më qesharak bëhet kur pyetet nëse do japë dorëheqjen meqë nuk mori dot 40 deputetë siç premtoi para zgjedhjeve. "Kjo është punë e forumeve të LSI-së", përgjigjet ai. Por pa mbaruar ende këtë fjali, shpejton të kërkojë ai, dorëheqjen e Ramës dhe nuk ka as zgjuarsinë minimale të shprehet se edhe kjo është punë e forumeve të PS-së. Kaq të paktën.

Dhe në fakt, a ka arsye të dorëhiqet Rama meqë këtë e kërkon Ilir Meta dhe Berisha, apo sot më tepër se kurrë i duhet PS-së dhe opozitës? A ka mesazh më të qartë sot për elektoratin e majtë, më të fuqishmin në vend, falë Ramës dhe opozitës së tij në katër vitet që shkuan? Çfarë u thuhet shqiptarëve kur Meta, Nano dhe Berisha janë bashkë në një llogore për të goditur vetëm Ramën. Pse i druhen kaq shumë Ramës dhe pse janë gati të promovojnë këdo nga Partia Socialiste për ta bërë kryetar? Çfarë nuk shkon në këtë ekuacion ku gjithë pazarxhinjtë të tipit, "sot armiq e nesër shkojnë bashkë në altar", janë bashkë dhe Rama është veç. A nuk do ishte fyerje për cilindo që ka dëshirë të konkurrojë dhe zërë vendin e Ramës në PS, ky promovim dhe kjo zgjedhje me dorën e Berishës. Atij Berishe që s‘la gjë pa bërë e gur pa lëvizur për të risjellë Fatos Nanon, sepse nuk i pëlqente Edi Rama në krye të PS-së. Paska pasur arsye të shëndosha mos ta pëlqente Ramën si lider të opozitës. I gjeni këto arsye në kutitë e votimit të zgjedhjeve që sapo kaluan. Sot Berisha, pasi ka nën thundër Partinë e tij, pasi ka futur nën thundër dhe Ilir Metën që me sa duket e ka pasur qysh nga fillimi, kërkon të sundojë dhe në PS. Dhe kush, pikërisht njeriu që shqiptarët votuan mos ta kenë më Kryeministër më 28 qershor!

Është e vërtetë që PS-ja nuk ka fituar zgjedhjet, por sot nuk i ka humbur ato. PS-ja, e vetme, ka marrë më shumë vota se çdo parti tjetër në këto zgjedhje, por Rama nuk do të jetë Kryeministër. Jo për hir të kodit, por për hir të vjedhjes së votave dhe sigurisht për hir të LSI-së. Që kërkoi vota të majta për të rrëzuar Berishën. LSI-në nuk e shkaktoi Rama, por e gjeti aty jashtë derës së PS-së kur erdhi në këtë parti. Parti që kishte vetëm 35 deputetë dhe që sot deri në këto momente ka 66, mund të jenë dhe më shumë nëse KQZ nuk "ha" kutitë e panumëruara. Gjeti një parti të kalbur që po gërryhej nga inatet personale të tipit "Meta-Nano". Një parti pa disiplinë pune dhe totalisht të çorientuar, ku çdo ditë njeri ia fuste gozhdës, tjetri patkoit, dhe në darkë ngushëlloheshin nëpër mejhane, duke e quajtur "politikën" që bënin demokraci të brendshme. Rama i dha Partisë Socialiste zgjedhjet lokale të 2007-ës dhe bashkë me to, sërish bashkinë e kryeqytetit. Ka sot pas vetes një grup deputetësh, jo vetëm më të madhin që ndonjë opozitë ka pasur fatin të ketë në Shqipëri, por dhe më të zgjedhurin, ku gërshetohen teknicienë të zotë me politikanë karriere. Ka në atë grup të rinj që ma do mendja do bëhen edhe më të njohur për publikun në vitet që do vijnë dhe do kenë ç‘të japin nga foltorja e Kuvendit, duke zëvendësuar ata që hynë e dolën e si njohëm dot kurrë, apo ua dëgjuam emrin dhe pamë surratin vetëm kur shkuan votuan Presidentin bashkë me Berishën. Kemi kaluar katër vite të një opozite jo destruktive, që askush s‘ka gojë të thotë sot se ishte një opozitë e dobët, pasi duke u gdhirë 29 qershori, kjo opozitë kishte grumbulluar në kutitë e votimit më shumë vota se kundërshtari. Sikur zgjedhjet të bëheshin përsëri sot, me të njëjtin kod, sikur LSI-ja të kishte pasur minimumin e moralit t‘i kërkonte votën elektoratit jo për të rrëzuar Berishën po Ramën, me siguri PS-ja e vetme do kishte aq mandate sa të kishte një qeveri të shëndetshme sot e vetme. Nuk e di nëse ata që votuan LSI-në do ta çonin ndërmend ta votonin sërish. Atyre po, u është deformuar vota. Por zgjedhjet nuk mund të bëhen sërish sot, sepse tani do kemi një qeveri, e cila në fakt do t‘i ketë ditët e numëruara. Jo prej LSI-së, të kuptohemi. Harrojeni që Meta të jetë faktor në atë qeveri, ai thjesht do jetë një sahanlëpirës i Berishës, do t‘i bindet çdo urdhri e çdo verdikti të sundimtarit. Që ashtu sikur kërkonte të krijonte opozitën dje dhe të kishte përballë atë që donte ai Fatos Nanon, edhe sot po tenton t‘i ketë të gjitha në dorë. Në fakt Berisha ndjen rrezikun e një qeverie fare të dobët që do krijojë në shtator dhe një opozite tejet të fortë, që është tashmë e krijuar anembanë Shqipërisë. Përveç kësaj Rama, në fund të kësaj beteje, ka kryer disa misione njëherësh. Hoqi Nanon nga buxheti i Kuvendit dhe kurrizi i shqiptarëve, po kështu pastroi Kuvendin nga disa figurina të pavotuara nga populli qysh nga mesi i viteve ‘90, që vetëm pengesa i kanë sjellë demokracisë. Dhe bashkë me to, çliroi PS-në nga "barra LSI", i tregoi vendin kësaj partie, jo vetëm në terma elektoralë por mbi të gjitha në ata moralë. I bëri të gjithë bashkë aty ku e meritonin, në qoshkun e politikës së vjetër, që po jep shpirt.

Tani më gjeni një arsye të vetme pse ai duhet të largohet...

No comments: