Wednesday, July 08, 2009

"Lëvizja e Saliut për Integrim" apo "Levizja e Skarapllinjve te Inatosur"

"Njëshat" si fenomen politik(Shqip on line)

Servet Pëllumbi

Fenomeni politik i "njëshave" duket sikur përbën një ndëshkim apo një fatalitet për qytetërimin në trojet shqiptare. Mburremi se kemi pasur prijësa, bajraktarë, bejlerë, pashallarë, kajmekamë, dyer të mëdha e megjithatë gjithmonë kemi vuajtur nga ardhja me vonesë në "sofrën" e historisë, të kulturës e modernizimit. Me vonesa të theksuara vazhdojmë të jemi edhe në rrugën e sotme të demokracisë. Ndërsa për nga numri dhe bëmat e "njëshave", ne i lemë të gjitha shtetet e botës "prapa liste"! Fushata për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 na ofroi një material të bollshëm për ta lënë mënjanë historinë dhe për të analizuar fenomenin e "njëshave" me pamjen groteske që ai po merr në jetën politike shqiptare, që nuk na afron, por na largon në mënyrë të frikshme nga jeta normale demokratike. Për këto arsye na duhet që politikanët, pra dhe njëshat, t‘i nënshtrohen një lloj "revolucioni të heshtur" si ai që po zhvillohet në Britani dhe që nisi me heqjen nga detyra të kryeparlamentarit Michael Martin, si dhe me paralajmërimin popullor të parlamentarëve, se pas kësaj "lutjet dhe kërkesat për ndjesë nuk do të pijnë më ujë".

Mbi të gjitha, këta "njësha" kanë dëmtuar rëndë besimin e njerëzve tek institucionet e shtetit dhe te sistemi demokratik që mendohej se do të mënjanonte shpejt tëhuajëzimin e njerëzve të thjeshtë dhe do të ridimensiononte rolin e "njëshave", të kryetarëve, drejtuesve, se nuk do të kishte më hapësira për idhulltari, për idhuj e kulte dhe se në piedestal do të vihej liria dhe dinjiteti i individit të lirë. Natyrisht, dëmi është i madh dhe do të duhet kohë relativisht e gjatë që të rikthehet besimi i publikut te politikanët dhe te politika në përgjithësi. Gjithsesi, inati dhe revolta e njerëzve të mirë, që ndihen keq nga bëmat e "njëshave të tyre", janë të përligjur.

Megjithatë ndihemi ende shumë larg stadit të revolucionit të heshtur britanik, por me shpresë se do të vijë edhe te ne koha që populli të ketë mundësi dhe aftësi që të akuzojë, të fajësojë, të izolojë dhe të kërkojë largimin nga jeta politike e të korruptuarve, e politikanëve të padenjë e hileqarë, gënjeshtarë e arrogantë. Madje që të ketë të drejtën reale dhe jo formale që të propozojë dhe të mbështesë një numër të madh kandidatësh të pavarur, të padiktuar nga "njëshat". Kjo do të ishte një përmbysje e madhe, një botë e re... Rastet kur kandidojnë deri dhe njerëz me dosje të hapura për krime e shpërdorime, kur njerëzit detyrohen që të mblidhen në mitingje elektorale për t‘i mbështetur e duartrokitur, kur në të vërtetë duhej t‘i bojkotonin, duhet konsideruar një arrogancë dhe mospërfillje e padëgjuar. Me sy shumë kritik do parë edhe fakti që administrata shtetërore mbeti në autobusë duke u detyruar të shkonte qytet më qytet në mitingje pas "njëshit" të qeverisë. Vërtet me ligjin e ri elektoral numri i partive dhe njëshave të tyre pas 28 qershorit ka për t‘u reduktuar në mënyrë drastike, gjë që është një hap pozitiv, po kjo nuk do të thotë se do të ndryshojë edhe mentaliteti prej "Njëshi". Madje, me ç‘vumë re gjatë fushatës zgjedhore, spektakolare e tepër të kushtueshme, kur vendin e programeve elektorale e zunë përbetimet e personalizuara të disa njëshave, pritet të kemi një edicion të ri të kultit të tyre. Kjo e bën edhe më të domosdoshme një analizë kritike dhe një rikonceptim filozofik të këtij problemi.

Për konkretizim të mëtejshëm, marrim rastin e ndërhyrjes "Parlamenti i pastër" i një komisioni të shoqërisë civile i kryesuar nga ish-presidenti Moisiu që nxori 15 për qind të kandidatëve të papërshtatshëm për të qenë deputetë. Alarmi i njëshave, i kandidatëve ishte: Ç‘punë ka ai, pse fut hundët, është antiligjore, ç‘është kjo shoqëri civile që spostuaka institucionet. Edhe njëshat kanë filluar ta quajnë veten "institucion" më vete "që u vjen pas historia" dhe që po i harrojnë vetat e tjera të foljeve, me përjashtim të vetës së parë. Ndonjëherë edhe duke u hedhur direkt te veta e tretë për të lavdëruar vetveten. Tamam sikur historia të niste dhe të mbyllej me ta!

Deri kur do të spekulojnë tipa të tillë liderësh që nuk janë as të urtë, as të zellshëm, as modestë dhe as vizionarë, por dembelë tipikë, pa integritet moral, batutaxhinj, disa dhe bixhozçinj e ahengxhinj tashme të njohur. Për më tepër që e identifikojnë veten me partinë, me historinë, apo vetëm me arritjet duke ua lënë dështimet të tjerëve? Njëshave tanë, si rregull, u mungon fryma e ekipit, janë të karfosur nga "filozofia" përjashtuese. Kjo ndodh sepse mendojnë se shqiptarët i kanë qejf "liderët" që rrahin gjoksin, që "mbajnë" fjalën, që janë publikë, që ofrojnë mburrjet e biografitë, pa harruar blerjet me para si në pazar...! Paçka se nga një vit në tjetrin thonë e bëjnë të njëjtat gjëra, mbajnë të njëjtat fjalime pa ide, pa kontribute të reja, pa harruar të shtojnë, me gjithfarë mënyrash, kapitalet e tyre! Njëri thotë se kam qenë kryeministri më i suksesshëm; tjetri se kam emancipuar politikën shqiptare dhe shqiptarët; një i tretë se vetëm ai mund ta integrojë Shqipërinë në Europë e t‘i bëjë shqiptarët të lumtur duke udhëtuar pa viza nëpër kontinent! Në pragun e 28 qershorit, në TV Klan dëgjuam edhe çudira të tilla: "Pasuria ime më e madhe është emri im, Ilir Meta". "Socialistët e dinë se kush e mund S.Berishën, ata do të votojnë për Ilir Metën"! "Do t‘i jap një goditje të fortë këtij sistemit të kalbur dypartiak dhe kam një projekt integrues"! Aferim, o model i modestisë! Veçse, pa u mbushur java, ai deklaroi, as më shumë dhe as më pak, por bashkimin me Berishën në një "bashkëqeverisje" të habitshme e fatkeqe. Për më tepër, duke e quajtur model të "koalicionit të madh" dhe të sakrifikimit për interesat kombëtare! "Filozofi njëshash", jo shaka, le të mësojë edhe "Revolucioni i heshtur" anglez! Dikush mund ta quajë këtë diçka të thjeshtë që "ndodh rëndom në vendet demokratike", por gabon, sepse rasti në fjalë është pa precedent. Po kështu do t‘i thosha edhe artikullshkruesit "si me porosi", Fabian Schmidt-it, analist i revistës franceze "Politique Internationale", se një koalicion i tillë nuk është "çlirim i Shqipërisë nga mati politik", prandaj dhe nuk mund "të sjellë kulturë të re besimi", siç pretendon ai.

Një filozofi e tillë e "njëshave", siç tregon përvoja jonë, pra dhe rasti më i fundit i Metës, dëmton rëndë procesin politik përfaqësues. Asgjë e mirë nuk mund t‘u vijë shqiptarëve nga pazare të tilla interesash të pista. Jo, z.Meta nuk mund t‘ua kërkosh votën zgjedhësve, apo që të brohorasin në mitingje kur u bëje thirrje për largimin e Berishës (të Sali Gërdecit, siç e quaje atë për efekte oratorike!) nga pushteti dhe pas disa ditësh të vihesh në dispozicion të tij për ta mbajtur në pushtet. Më e pakta që mund t‘i thuhet një "njëshi" të tillë është kjo: "Fjala tradhti nuk e humbet kuptimin e vet as në demokraci"! Në demokraci, siç kuptohet nga vetë termi, kërkohet që politikanët e çdo niveli t‘u nënshtrohen parimeve të saj, që të jenë realisht të lidhur me "demosin", me lidhje të sanksionuara në Kushtetutë e statute partish, me kufizim mandatesh dhe me forma të larmishme të kontrollit politik e social, duke respektuar aspiratat dhe vullnetin e tij. Në se Meta me të vetët bëjnë të kundërtën, të paktën të mos mashtrojnë më tej, duke e quajtur pazarin me Berishën "moral të ri politik"! Për më tepër të pretendohet se katër deputetët e LSI-së, disa prej të cilëve mund të jenë edhe ministra, "do të jenë zëri dhe kontrolli i opozitës së majtë në qeverinë Berisha"! Paradokse të padëgjuara.

Në rastin e dhënë, vlerat e demokracisë shpërfillen me dashje. Ja pse rasti Meta është me të vërtetë pa precedent, më i rëndë nga xhuvelizmi, që tashmë ka hyrë si i tillë, pa qenë nevoja e përkthimit, në leksikun politik ndërkombëtar. Nuk dua ta besoj që në rastin e Metës kemi të bëjmë me një detyrim kur një "çirak" i kthen "ustait", në një kohë të vështirë për të, pjesën e borxhit 17-vjeçar të mbetur nga zgjedhjet e 3 korrikut 2005! Një lexues shkruan me të drejtë, se këtej e tutje edhe LSI-ja duhet lexuar: "Lëvizja e Saliut për Integrim"! Kurse një tjetër e gjen të udhës që si përgjigje për çka po ndodh në politikën shqiptare, të sjellë vargjet e mëposhtme të Gjergj Fishtës për politikën pa moral: "Filli i lëmshit është lidhë nyje/Janë bërë një, rrahja e puthja/Janë bërë një, paqja e lufta/Janë bërë një, tregu e miqësia/Janë bërë një, stomaku dhe zemra/Në zgavër të gjoksit ka hyrë dhelpra/Që e lot bishtin te buzëqeshja"...

Edhe diçka tjetër për logjikën e njëshave në raport me njerëzit e thjeshtë. Shpesh ajo përsëri e përsëri reduktohet në premtimin: "Do të krijojmë së bashku një qeveri integrimi"; "Ne -Berisha-Meta- do t‘u çojmë në Europë!"; "Ne -Berisha- Meta evitojmë krizat"! Ndërsa ju të tjerët, sidomos ju që na votoni e votoni, pavarësisht nga ç‘themi e bëjmë ne, mbani vesh e dëgjoni, ulni kokën e punoni se plotësimi i kritereve dhe standardeve për t‘u integruar nuk ka të bëjë shumë me ne! Gjithsesi, ngazëllehuni o të uruar dhe lutuni që Zoti t‘u japë sa më shumë ymër njëshave tanë: Amin! Sidomos "novatorëve" të tipit B+M="Q(r). Ndërkohë, praktika e kërkimit të legjitimitetit të "njëshave" të tillë, jo nga "demosi", por nga lloj-lloj konsulentësh, që e njohin pak ose aspak realitetin tonë, nuk duhet të sugjestionojë askënd.

1 comment:

Anonymous said...

E majta i ikën së majtës

Aleksandër Çipa (shqip on line)

E majta shqiptare nuk është realisht e majtë dhe, në qorrsokakun ku është futur edhe zyrtarisht, po humbet së qeni e majtë. Kjo e majtë që rezulton e regjistruar në siglën e Partisë Socialiste, ka vite që i ikën vetvetes. Këtë ikje e ka shndërruar në proces kryesor të qenies.

Por ikje si kjo e tanishmja, pra kjo e realizuar në qëndrimin e saj me procesin zgjedhor të 28 qershorit 2009, kurrë ndonjëherë më parë nuk ka kryer e majta. Procesi vetëbraktisës është shumëdimensional. Nuk nis vetëm te një forcë, por ka për protagonistë shumë pak emra, të cilët janë tipikisht tinëzarë dhe të vetëndjerë me ndërgjegje jo majtistë. Ky fakt është tronditës për komunitetin e të majtëve realë në këtë vend, por nuk është tragjedi. Kjo është një dramë për komunitetin e majtistëve dhe e keqja e saj është se po zgjat gati tetë vjet si e tillë. Procesi dramatik që mban të mbërthyer këtë të majtë, mesa duket ka për të pasur edhe disa akte të tjera. Por sot le të gjykojmë mbi aktet më të freskëta.

Akti më i rëndësishëm nuk është kalimi i Ilir Metës dhe forcës së tij politike te koalicioni qeverisës me Sali Berishën. Akti më i rëndësishëm është ai se si do të veprojë dhe cila do të jetë reforma vetërregulluese e së majtës së parcializuar. Koha e gabimeve paszgjedhore ka trokitur. Kokëfortësia po bëhet pjesë e vendimmarrjes politike, e reagimit dhe e përballjes me analizën e pashmangshme postzgjedhore. Gabimi i parë që po tentojnë të bëjnë disa anëtarë të kryesisë së PS-së lidhet me ngutjen për t‘i kërkuar dorëheqjen Edi Ramës. U kryerenditën në këtë kërkesë Ben Blushi dhe e pëshpëritin nëpër korridore dhe rrugë disa emra të tjerë që jetojnë në politikë sa nga puna aq edhe nga instinkti pozicionues, sa me njërin udhëheqës aq edhe me tjetrin. Kjo kategori me normë të ulët karakteriale është pjesa e udhëheqësisë që zë vende dhe jeton si meskine nëpër jetë-krizën e së majtës.

Gabimi tjetër që fqinjëron me të parin është ai i tentativës së artikuluar përmes gojës së Gramoz Ruçit për të rikthyer bojkotin apo dështimin e zgjedhjeve. Gabimi i tretë lidhet me faktorin e mohuar Fatos Nano në jetën politike në tërësi dhe atë socialiste në veçanti. Dhe gabimi i katërt pa dyshim vazhdon të jetë në udhë, në mënyrën se sa dhe si po e shpenzojnë energjinë propagandistike socialistët përreth Edi Ramës, kundër ikjes së Ilir Metës në koalicionin e kryesuar nga Partia Demokratike.

Të gjitha këto gabime dhe numri i hapur i të tjerëve janë substanca e analizës që udhëheqësia e gjithë së majtës së copëtuar nuk e bëri kurrë me seriozitet dhe nuk e nisi nga nevoja e konsensusit për dëgjueshmëri. Këta të majtë, si të qenit realisht edhe të ardhurit si uzurpues, do të vazhdojnë të riciklojnë krizën e vetvetes, me sa duket intensivisht edhe gjatë dy viteve të ardhshme. Premisat për këtë gjasë janë të hapura qysh tani. Të gjitha gabimet e rëndësishme që pohuam më sipër janë pjesa më pak e dukshme e ajsbergut. Pjesa tjetër më me peshë është në brendësi, atje ku është bërë e ndenjur kaq vite ndërgjegjja e qelbosur e udhëheqësve të vjetër e të mesëm, atje ku është ndyrë ndërsa ulëritej për pastrim, atje ku është çarë ndërsa lutej për ngjitje e pajtim etj.

Rrënimi moral i së majtës është një proces i thellë dhe i tejshtrirë në kohë. Kriza e kësaj të majte të copëzuar ka nisur herët dhe mori formë të pazhbëshme në konfliktin Nano-Meta. Ajo nisi te marrëdhënia e socialistëve me pushtetin e viteve 2000-2005. U riciklua në një formë tjetër në vitet 2005-2009. Këtë histori politike të së majtës e përdhosën vetë të majtët. U ndanë e u shanë si në bëma të "Zululandit" dhe në këtë amorfësi pretenduan të fitonin vetjakisht, duke e kthyer ëndrrën për pushtet në mirazh vrasës për krejt anëtarësinë e majtë.

...

....