Wednesday, October 21, 2009

Lakis Lazoupulos: Satirë kundër racizmit ndaj te huajve

Lakis Lazoupulos është një prej figurave më të njohura dhe më të vlerësuara të botës së spektaklit në Greqi. Komedian, shkrimtar, aktor dhe kompozitor prej pesë vitesh drejton "Al tsantiri news", një program i përjavshëm satirik. Shpeshherë, drejtuesi i t

Arjola Hekurani (Shqip on line)

"Jasu, kalla?", nis përshëndetjen një grek teksa nuhat se personi përballë po e vështron e druhet t‘i flasë. Me të shkrirë akullin, dhe porsa bindet që është pikërisht ai që dyshonte se ishte, tjetri i përgjigjet në gjuhën greke, por është shqiptar. Në aeroportin "Nënë Tereza" të Tiranës, shtetasi grek nuk është një udhëtar si gjithë të tjerët. Në pritje të nisjes së avionit drejt Athinës, ai ndalet të pijë një kafe... Mes të dyve, bashkëbisedimi vijon më gjatë se kaq. Të duket se njihen mjaftueshëm. "Kam jetuar kaq vite në Greqi, të kam ndjekur kaq shumë... E ja tani, ku të takoj në vendin tim", i thotë mes emocionesh të dukshme shqiptari që është kamerieri i lokalit. "Si je? Sa kohë ke ndenjur në Greqi? Si po të shkojnë punët në Shqipëri? Do kthehesh prapë?", ia kthen tjetri dhe i zgjat dorën me mjaft mirësjellje. "Tani, vetëm për pushime"... Udhëtari, nuk është i panjohur në fakt. Lakis Lazoupulos është një prej figurave më të njohura dhe më të vlerësuara të botës së spektaklit në Greqi. Është vizita e tij e parë në Shqipëri. Fillimi i tetorit e solli në Shqipëri për një vizitë të shkurtër, për të qenë pjesë e të parit festival kushtuar Kinemasë Greke në Tiranë. Lakis Lazopoulos është një komedian grek, shkrimtar, aktor dhe kompozitor. Në nëntor të vitit 2004 u shfaq për herë të parë "Al tsantiri news", një program i përjavshëm satirik, që e bëri Lakis Lazoupulos aktorin e parë në historinë e televizionit grek që realizonte një spektakël të kësaj natyre. Pas pesë vitesh transmetim "Al tsantiri news", (format i ngjashëm me emisionin "Fiks Fare" në "Top Channel") është një ndër programet më të ndjekura dhe me shikueshmëri më të lartë në Greqi. Shpeshherë, drejtuesi i tij, është sulmuar për shkak të pozitivitetit dhe dashamirësisë që shfaq në program për emigrantët, kryesisht ata shqiptarë dhe për shkak të vënies në lojë të politikanëve e mediave për mënyrën se si këta të fundit i trajtojnë shqiptarët.

Z. Lazoupulos, ju vizitoni për herë të parë Shqipërinë dhe u njohët me atë pjesë të shqiptarëve që nuk kanë preferuar emigrimin. Si ju duk Tirana?

Ishte ndryshe në mendjen time. Nuk mendova se do të jetë kaq e shtrirë. Eca në rrugë, shëtita, më pëlqeu kjo shëtitje. Pak qytete në botë ta japin këtë kënaqësi: të ecësh në rrugë dhe në të njëjtën kohë të ndihesh bukur. Më kujton Greqinë dhe qytetin tim të lindjes, Larisën, gjatë viteve ‘70. Nuk e them këtë për të vënë në pah se Shqipëria është mbrapa. Them se i gjithë zhvillimi drejt së cilit Shqipëria është nisur duhet të respektojë këtë mënyrë të ecuri. Ne këtë e humbëm dhe na bën të jetojmë më vështirë në Greqi. Nuk respektuam këtë hapësirë që kishim. Kjo është përshtypja ime e parë. E dyta është shumë më e fortë se kaq. Unë ecja në rrugë dhe njerëzit më përshëndesnin. Nuk e mendoja se do të gjeja dashamirës të mi rrugëve në Tiranë. Ata madje më flisnin edhe greqisht. Është një ndjesi e fortë ajo që më përshkonte. Unë e shikoj me interes shumë të madh çfarë ndodh këtu ndaj dua t‘ju përcjell një skenë: kisha shkuar në një shkollë ku ka shumë fëmijë shqiptarë në një qytezë të Greqisë së Veriut. Mësuesja e tyre më ftoi të ndiqja një orë mësimi se si këta fëmijë shqiptarë kujdesen dhe janë tepër të interesuar për lëndën e historisë dhe se sa rëndësi i japin shkollës. Dhe unë mendoj se çdo popull që interesohet për shkollimin, që dëshiron të njohë kulturën e vendit të vet dhe nga ana tjetër dëshiron të njohë edhe kulturën e vendit tjetër, kjo sjell vetëm zhvillim. Për mua çdo njeri që mbyllet, pa denjuar që të pranojë kulturën e tjetrit nuk ka asnjë interes. Unë i respektoj shumë njerëzit që më respektojnë. Shqiptarët që jetojnë në Greqi ofrojnë një vepër shumë të madhe dhe mendoj që vitet e fundit gjithë këto ndryshime që ekzistonin mes dy popujve tanë dhe që i ngacmonin shumë edhe mediat, janë shuar, pikërisht siç ndodh edhe me dy njerëz që në një moment të caktuar ndoshta edhe mund të mos bien dakord po kur ndiejnë një tërmet, një krizë ekonomike që afrohet, atëherë bashkohen për t‘i bërë ballë.

Ju përmendët pak paragjykimet dhe ngacmimet e mediave greke kundrejt shqiptarëve, por edhe anasjelltas. Si intelektual që nuk i merrni aspak parasysh, ju si i shpjegoni ato?

Historia lë shenja. Kujtesa është mirë që të punojë dhe të veprojë, por nuk duhet të pengojë gjeneratat e reja të këtyre popujve të jetojnë jetën në mënyrën se si ata vendosin ta jetojnë, jo ta ndërtojnë jetën në bazë të kujtimeve. Brezat ndryshojnë mendimet. Dalëngadalë me vitet, të tjera interesa do të bashkojnë popujt. Historia mund t‘i ndajë ata, por për fat të mirë ekzistojë edhe urat e komunikimit. Kultura është një urë shumë e fortë që dy popujt të duhen edhe të bashkëjetojnë.

Meqenëse prekëm urat e komunikimit të cilat kultura i bën më të ndjeshme, mendoni se një festival kushtuar kinematografisë greke në Tiranë, por edhe një shqiptar në Greqi, apo të tjera aktivitete, mos ndoshta duheshin zhvilluar më herët?

Ndoshta ndodhi tani, sepse tani ndiem dhe kuptuam se duhej bërë, se kishte ardhur momenti të ndodhte. Unë them se erdhi pikërisht në kohën e duhur, tani duhej bërë, tani u bë.

Përse keni zgjedhur të drejtoni një emision që nëpërmjet humorit e satirës të thumboni zhvillimet në jetën sociale, politike në Greqi?

Ne grekët, burojmë prej Aristofanit. Ai është shkrimtari i parë humoristik në shkallë botërore, i pari që u përpoq t‘u shpjegonte njerëzve se si punonte mekanizmi i shoqërisë, duke qeshur me pushtetarët, duke u shkatërruar tërë atë dukje, atë figurë e imazh të gënjeshtërt që kanë. Një njeri i cili përpiqet të duket serioz, kujton se është vërtet i tillë, por në më të shumtën e herëve, idiotët më të mëdhenj fshihen pas maskës serioze që veshin. Satira e heq këtë maskë dhe u jep një pasqyrë të re që politikanët të shikojnë turinjtë e tyre. Kështu, edhe njerëzit nisin të marrin frymë, sepse atë që ndiejnë e gjejnë aty, se jo gjithçka është siç e imponojnë mediat.

"Al tsantiri news", programi që ju drejtoni suksesshëm prej disa viteve në Greqi, prek tema të ndryshme që shqetësojnë vendin tuaj. Pjesë e tij kanë qenë shpesh edhe emigrantët shqiptarë. E megjithatë, ndryshe nga të tjerë, keni zgjedhur t‘u bëheni krah (sa herë e meritojnë) shqiptarëve. Keni hasur kundërshtime?

Gazetarët, mediat, më bënë një luftë shumë të madhe për trajtimin që unë u kam bërë emigrantëve shqiptarë. Sa herë ndodhte ndonjë gjë e keqe në Greqi mediat theksonin: ‘Ishte një i huaj, ndoshta shqiptar‘, edhe pse kjo nuk ishte vërtetuar. Pas kësaj mënyre të interpretimit të ngjarjeve të krijohej ndjesia sikur ky popull ka ardhur në Greqi vetëm për të vrarë e për të shkatërruar. Por unë nuk njoh dhe nuk di asnjë popull që emigroi për këtë arsye. Nëpërmjet humorit dhe satirës në emisionin tim, mundohem që të shpjegoj sa më mirë në mënyrë që njerëzit të kuptojnë qartë se çfarë ndodh saktësisht në jetën sociale e politike të vendit. Unë mundohem që t‘i bëj gazetarët të pushojnë së helmuari njerëzit me këtë racizëm kundër shqiptarëve apo ndonjë komuniteti tjetër në Greqi. Racizmi, paragjykimi, nuk i ndihmon shoqëritë që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Në të gjithë botën, kudo që të shkosh, racat punojnë dhe pranojnë njëra-tjetrën. Çdo njeri ka të drejtë për një jetë më të mirë. Unë ndoshta do të dua që nesër të shkoj të bëj një jetë më të mirë në një vend tjetër. Këtë të drejtë që i jap vetes, dua të kenë edhe njerëzit e tjerë. Kush vjen në vendin tim dhe e respekton atë, mirë se të vijë!

Idetë që përcjell një emision i suksesshëm, sigurisht që ndikojnë edhe në publik. E keni ndier ndikimin që keni pasur në shoqërinë greke?

Unë nuk mendoj se me këtë emision po ndodh ndonjë gjë e jashtëzakonshme në jetën time dhe as nuk marr ndonjë rol serioz për t‘u shfaqur kështu. Njësoj si kopshtari që kujdeset për barin e lulet, edhe unë njësoj përcjell qetë mendimet e mia. Siç e përshëndesin atë kopshtarin që është po aq i mirë në punën që bën kështu ndihen edhe njerëzit që nëpërmjet emisionit tim, ndiejnë që u pastrohen mendimet dhe fjalët të bëra kaq pis prej gjendjes socialo-politike. I vetmi gëzim i imi është që kam akoma fuqi për ta bërë akoma më mirë punën time.

A keni pasur ndonjëherë probleme për shkak të programit tuaj?

Shumë herë kam pasur probleme. Më kanë çuar disa herë në rajon të policisë, më kanë ndalur emisionin gjatë transmetimeve direkte, më kanë bërë padi shumë herë, madje edhe për sharje të presidentit të politikës... etj. Por kaq (qesh i qetë).

Çfarë ju shtyn të vazhdoni?

Ndoshta pikërisht kjo. Nëse bën prapa do të thotë që serioziteti i gënjeshtërt mund të fitojë mbi mendimin e vërtetë.

E njihni kulturën shqiptare?

Di pak gjëra. Por unë di shumë histori të njerëzve të thjeshtë. Dy bashkëpunëtorë të mi janë shqiptarë. Duke parë punën e tyre, mënyrën se si ata i rrisin fëmijët, ankthin që kanë për të pritur në vendin ku kanë emigruar prindërit e tyre, koha që kalojnë nëpër telefona, lufta me dokumente... Do një forcë shumë të madhe për ta bërë. Shikoj se jeni një popull që me këmbëngulje ka vendosur të mbijetojë. Kjo më bën mua të jem pranë shqiptarëve për t‘i ndihmuar me mundësitë e mia. Kultura e të mbijetuarit është diçka që ne grekët e kemi provuar vite më parë. Unë e njoh shumë mirë prej familjes sime.

Ka ardhur momenti që ne të hyjmë e të dalim lirshëm në vendet e njëri-tjetrit, të shpresojmë në liberalizim vizash?

Unë shpresoj që kushtet janë pjekur dhe po piqen më shumë. Nuk besoj se grekët do ta kenë problem këtë. Disa kohë më parë Bullgaria kërkonte viza, sot nuk i kërkon më. Bota po ndryshon.

No comments: