Tuesday, December 29, 2009

What's up: Integrimi kundër pronave (?!) (Shekulli on line)

Vangjush Saro | 29/12/2009 Shekulli on line

Ditë më parë, Kuvendi i cunguar i Shqipërisë miratoi ligjin "Për një shtesë në ligjin nr. 8053", datë 21.12.1995 "Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore". Me pak fjalë, familjet dhe individët që kanë në përdorim toka bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore brenda vijave të verdha urbane dhe rurale, apo në zonat me përparësi zhvillimi të turizmit, do të duhet të heqin dorë prej tyre kundrejt një kompensimi që do t'iu bëhet me një sipërfaqe simbolike trualli. Natyrshëm, kjo orvatje e re e pushtetit (të pakicës tashmë) është kundërshtuar nga PS, e cila i ka cilësuar ndryshimet e bëra në ligjin e tokave jo vetëm antikushtetuese, por edhe nxitëse të konflikteve sociale në vend. Edhe pse nga një këndvështrim tjetër, pronarët po kanë kohë që i kundërshtojnë përrallat qeveritare me kthim dhe kompensim prone. Kurse "pushtuesit" e tokave po i legalizojnë ato me...letra me vlerë. Por, ishte thënë se me paratë e legalizimeve do të kompensoheshin pronarët(!) Prej gati 20 vitesh, ligje, amendime, rregullore, por më shumë teatër. Kështu pra, një gjë për të qeshur, që vetëm integrim s'mund të quhet.



Përgjithësisht, lexuesi i nderuar është në dijeni të gjithë historisë së pashembullt të pronave dhe pronarëve gjatë këtyre dy dekadave tranzicion. Në kapërcyell të viteve '90-të, kjo ishte një nga temat kryesore që diskutonin shqiptarët; dhe një nga ëndrrat e tyre "perëndimore". Përmbysja e sistemit totalitar, krahas lirive dhe të drejtave të njeriut, synoi pikërisht kthimin e pronave tek i zoti dhe, ashtu në tërësi, shenjtërimin e pronës. Nga e thënë në të bërë, thotë populli, është në mes një det i tërë. Historia e pronave është një simbolikë kuptimplotë e tranzicionit të stërzgjatur në Shqipëri. Nuk ishin vetëm pronarët që kundërshtuan fillimisht Ligjin 7501. Deputetët e asaj kohe, Abdi Baleta dhe Dritëro Agolli, gjithashtu e cilësuan këtë ligj antikombëtar, ngase nuk respektonte të drejtën e pronësisë dhe e trajtonte pronën e shtetëzuar pa të drejtë nga diktatura si pronë të qeverisë, e cila mund ta ndante për frymë, sipas normave që ajo do caktonte nga një komision i emëruar. (Edhe sot e gjithë ditën, po ndodh e njëjta gjë.)



Pas vitesh plot përpjekje e zhgënjime, Shoqata e pronarëve "Pronësi me Drejtësi" dhe shoqata "Bregdeti" deklaronin përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, se vota e tyre nuk do të ishte më për mazhorancën, pasi ata kishin mbetur të mashtruar nga qëndrimet e PD-së dhe të PR-së gjatë gjithë këtyre viteve. Kryetari i Shoqatës "Pronësi me drejtësi", Rrapo Danushi, shprehu gjithë dhimbjen e të ashtuquajturve ish-pronarë, duke thënë: "Premtimi i tyre (PD e PR) se do të çojnë pronën tek i zoti, nuk është mbajtur." Diçka më shumë se një vit përpara, me rastin e përgatitjeve për ta çuar Ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave në Gjykatën Kushtetuese me qëllim shfuqizimin e afateve te vendosura nga qeveria për dorëzimin e dokumentacioneve të pronës, nënkryetari i kësaj shoqate, Ahmet Sulstarova, thoshte: "Pronarët nuk mund të diskriminohen deri në këtë pikë, sa t'iu hiqet e drejta e pronësisë për dorëzim dokumentacioni." Një tjetër drejtues i kësaj shoqate, Reshit Vorpsi, kujton: "Qeveritarët po shfrytëzojnë Ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e pronave në mënyrë që të favorizojnë njëri - tjetrin." Kurse drejtuesi tjetër i shoqatës së pronarëve, Agim Toro, tashmë, deklaron se shpresat e pronarëve janë vetëm te Strasburgu. (Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.)



Mund të kujtojmë për një çast edhe qëndrimin e një prej ish-drejtuesve kryesorë të qeverisë së parë pluraliste të shqiptarëve, Bashkim Kopliku: "Paraqitet si më e drejtë dhënia e tokës pushtuesve të saj, tani me ligjin e "legalizimit", sesa dhënia e tokës fshatarëve, me ligj (7501) në vitin 1991. Si mund të jetë njësoj një njeri që merr legalisht, p.sh., një shpërblim prej 1 milionë lekë, me një njeri që grabit në bankë 1 milionë lekë?! Aq më keq, si mund të thuhet se janë më në të drejtë ata që grabitën, sesa ata që janë pronësuar me ligj?! (Gazeta shqiptare/ 26.3.2006) Politikanë si Dashamir Shehi dhe Spartak Ngjela, por edhe Nard Ndoka, kanë ngritur lëvizjet e tyre mbi shenjtërinë e pronës dhe duke stigmatizuar pushtetin aktual. Më në fund, ja ç'kanë thënë në këtë temë edhe drejtuesit e LSI-së, kur ishin në opozitë: "Me ndryshimet e fundit në ligjin për legalizimet, qeveria shqiptare ka mënjanuar strukturat e pushtetit lokal dhe këto kompetenca ia ka kaluar ALUIZNI-t." (Mund të përmendeshin edhe një sërë qëndrime kundërshtuese për "shtetëzimin" e Komiteteve për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave.)



Siç shihet, ka pasur dhe ka kundërshtime e rezerva nga shumë shtresa e shumë korente politike. Por për fatin e keq të shqiptarëve, kjo ishte dhe mbetet një histori gropa-gropa, ishte dhe mbetet një terren gropa-gropa. Dhe që nuk po zë e nuk do të zërë vend edhe për shumë kohë. Po fitojnë një grusht njerëzish në apo përqark "oborrit" të kryeministrit, si dhe një rreth krahinorësh të tij a disa shtresa të ardhurish, që politikisht mbështesin (gjoja) të djathtën. Është e papranueshme për një vend që mburret se po integrohet në Perëndim. Për këtë, jo thjesht e vetëm shoqëria shqiptare, por, më së pari, partnerët evropianë nuk duhet të heshtin dhe nuk mund të heshtin. Është bërë shumë teori për të drejtat e njeriut dhe për detyrat e shtetit shqiptar në kuadër të integrimit.

Por, për sa i takon problemit të pronës, Shqipëria është tejet e prapambetur. Edhe pse jemi në NATO. Edhe pse synojmë statusin e vendit kandidat për në BE. Shumica e sotme apo e ashtuquajtura kështu, do ta dështojë show-n integrues të shqiptarëve; ajo është e paaftë për të kontrolluar disa nga zhvillimet e mbrapshta në këtë vend. Është e turpshme - dhe partnerët perëndimorë s'mund ta anashkalojnë këtë - që ende asnjë pushtet, madje asnjë forcë politike, nuk ka marrë përsipër të përkrahë pronarët, të zgjidhë drejtësisht problemet e pronës në Shqipëri. Koha po tregon se gabimet që janë bërë në këtë temë, i kanë kushtuar shumë dhe do t'i kushtojnë edhe më shumë Shqipërisë.

No comments: