Friday, February 19, 2010

Fillimi debimit te "gadifejte" te himarjoteve emigrante nga tokat e tyre

Qeveria merr vendimin. Verifikime dy muaj pas hyrjes në fuqi. Taksat dhe procedurat


Më në fund, qeveria merr vendimin për tokat bujqësore të pakultivuara, të cilat do t’u kalojnë individëve që kanë mundësinë t’i punojnë. Skema është përcaktuar me anë të VKM-së, miratuar dje dhe që sanksionon detyrat e reja të grupeve të punës në komuna. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, janë me mijëra hektarë toka bujqësore të lëna djerrë për shkaqe të ndryshme ekonomike apo emigracioni. Ndarja e tokës do të bëhet nga një komision, i cili nis dy muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit. Pronari që nuk ka mundësi ta punojë tokën do të marrë një pjesë të të ardhurave nga qiraja, përmes komunës, si dhe produkte bujqësore. Sipas nenit 17, të ardhurat që do krijohen nga qiradhënia e tokave të pakultivuara, ndahen, 80 për qind, në dobi të pronarit apo poseduesit të ligjshëm të tokës; nga shuma e së cilës komuna dhe/ose bashkia mban vlerën e taksës vjetore mbi tokën, dhe 20 për qind, në dobi të komunës dhe/ose bashkisë për mbulimin e shpenzimeve administrative që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij. Rregullat për administrimin dhe shpërndarjen e këtyre të ardhurave përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave. Projektligji për “Përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara” ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara, për të garantuar funksionin social të pronës, në kuadrin e zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor dhe rural.

Afatet

Komisioni bën çdo vit, brenda 15 shtatorit, verifikimin e sipërfaqeve të tokave të pakultivuara për çdo fshat. Verifikimi bëhet duke u bazuar në këqyrjen fizike të sipërfaqes së tokës, në të dhënat kadastrale dhe në informacionin e siguruar nga vetë pronari i saj. Në mungesë të pronarit, komisioni mund të sigurojë informacion nga pronarët kufitarë, të afërm të tij apo banorë të tjerë të fshatit. Kryetari i komunës dhe/ose bashkisë publikon, brenda datës 15 tetor të çdo viti, listën emërore të pronarëve ose poseduesve të ligjshëm me sipërfaqet përkatëse të tokave, të evidentuara si të pakultivuara në çdo fshat. Kjo listë afishohet, për një afat prej 45 ditësh, në qendër të komunës dhe në fshatin përkatës. Brenda kësaj periudhe, pronarët, emrat e të cilëve përfshihen në listë, kanë të drejtë të paraqesin ankesë, me shkrim, pranë kryetarit të komunës ose bashkisë, për saktësinë e evidentimit të kryer nga komisioni, ndërsa përgjigjja jepet pas 5 ditësh.

Pronari

Në vendimin e qeverisë i jepet sërish shans pronarit të tokës, i cili në dy vitet e fundit nuk ka kryer asnjë kultivim. Në rast se pronari kërkon të dalë nga lista e komunës, duhet të paraqesë një kërkesë me argumentet dhe planin e tokës bujqësore që do të punojë. Sa i takon qëllimit të vendimit, thuhet se komunat do të administrojnë tokat me qira, të ardhurat e të cilave do t’u ndahen pronarëve të ligjshëm, ndërsa përdoruesit do të paguajnë taksën, si dhe 10 për qind të produkteve. Mënyrat e dhënies me qira tokave bujqësore të pakultivuara janë pa ankand, në rastin kur paraqitet një kërkesë e vetme dhe me ankand, në rastin kur paraqitet më shumë se një kërkesë.

Gjobat

Sipas këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet si mospjesëmarrja në veprimtaritë e komisionit të evidentimit të tokave të pakultivuara, sipas përcaktimit të nenit 4, të këtij ligji dhe mospërmbushja e rregullt e detyrimeve të përcaktuara në nenin 5, të këtij ligji. Në këto raste, kryetari i komunës dhe/ose bashkisë vendos gjobë nga 10 mijë - 40 mijë lekë për kryetarin e fshatit, për kundërvajtje administrative. Gjithashtu, ai i propozon kryetarit të këshillit të qarkut dhe drejtorit të DRBUMK–së vendosjen e gjobës nga 10 mijë - 40 mijë lekë ndaj përfaqësuesve të këtyre institucioneve, në përbërje të komisionit të evidentimit të tokave të pakultivuara.

No comments: