Ajo që në demokracitë e tjera do të quhej një akt normal dhe formal bashkëbisedimi dhe i kryer me kohë, në Shqipëri u quajt sukses.
Rreth 7 muaj pas mbylljes së zgjedhjeve parlamentare, PD nën presionin ndërkombëtar, pranoi të ulet në tryezën e bisedimeve. Dje, kjo tryezë u quajt sukses, sepse dy palë politike ulen për të tejkaluar ngërçin që po mban peng vendin: transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. A ishte sukses? Takimi i parë do të ishte informues dhe palët politike, PD dhe PS duhet të shprehnin opsionet e tyre.
Pra nuk kishte ndonjë pritshmëri të madhe. Aq më tepër po të dëgjosh fjalët e kryeministrit, që ndryshe nga rivali politik apo presidenti i vendit, nuk zgjodhi institucionin, për të shpjeguar raundin e parë të bisedimeve, por bulevardin "Dëshmorët e Kombit", me një informim të ngutshëm ku nuk tha asgjë.
"I kërkova Ramës që të listojë të gjithë problematikën dhe ta trajtojmë në mënyrë konstruktive çdo problem që është mes mazhorancës dhe opozitës. Unë nuk mund të trajtoj probleme dhe nuk kërkoj të trajtohen problemet që unë kam me gjykatën, dhe Rama i ka me Gjykatën e Apelit. Unë jam i detyruar t'u nënshtrohem vendimeve të gjykatave".
Problemi është se i vetmi problem që ekziston mes PD dhe PS, në këtë rast, janë kutitë. Te kutitë ka nisur dhe me to do të përfundojë kriza politike në vend. Me hapjen e kutive, z. Berisha do të rikonfirmonte edhe vlerësimin e vet për 28 qershorin 2009-të, të cilin po e citoj të plotë: "28 qershori ishte një provë e madhe, para së gjithash e mbi të gjitha, e qeverisë shqiptare, sepse në një garë elektorale të përgjithshme qeveria nuk është aktori i vetëm përgjegjës, por ajo ka peshën më kryesore, ka detyrimin më madhor që t'i japë opozitës të gjitha garancitë që ajo të marrë pjesë në garën elektorale, ajo ka detyrimin madhor të bëjë të gjitha përpjekjet për një infrastrukturë zgjedhore të besueshme dhe transparente". (shih ëëë.km.gov.al/index.php?fq=brenda&m=neës&lid=12436).
Nga hapja e kutive, kryeministri Berisha do të fitonte edhe kredibilitetin e qeverisë që organizoi zgjedhjet, për të treguar se ajo çfarë evidentuan vëzhguesit ndërkombëtare nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe se ajo çka tha OSBE/ODIHR-i nuk është baza e shumicës së krijuar në Kuvend dhe e mandatit të dytë qeverisës:
"Numërimi i kutive u vlerësua si i keq ose shumë i keq në 22 nga 66 Vendet e Numërimit të Votave (VNV)... Ndërsa vazhdonte numërimi, partitë politike filluan të ndërhyjnë në mënyrë më aktive, veçanërisht kur rezultatet ishin ose dukej se do të ishin të afërta mes partive.
Për rrjedhojë, procesi ndaloi në disa VNV dhe KZAZ, të cilat patën probleme për të kontrolluar procesin... KQZ-ja hartoi tabelat e rezultateve për të 12 zonat zgjedhore, bazuar mbi tabelat e rezultateve dorëzuar nga KZAZ-të, dhe i miratoi të gjitha me shumicën e thjeshtë prej katër votash nga anëtarët që përfaqësonin partitë në pushtet... (Pjesë nga Raporti Përfundimtar i Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve 14 shtator 2009 (Shih www.osce.org/documents/odihr/2009/09/39545_sq.pdf)
Ndaj nëse dëshiron vërtet që të dalë ashtu siç përbetohet, njeri i lëshimeve dhe i kompromiseve, më e pakta të mund të bëjë në takimin tjetër të tryezës, z. Berisha duhet të ndjekë të vetmen zgjidhje për krizën: kutitë. Kutitë, zoti Berisha, vetëm kutitë.
No comments:
Post a Comment