Wednesday, February 24, 2010

Shqiperia orientohet drejt ish metropolit turk

Shqipëri-Turqi, dritëhijet e një Memorandumi

Lorenc Vangjeli - MAPO | 24/02/2010 Shekulli

Eshtë firmosur nga Edit Harxhi, zëvendësministre e Jashtme në 10 dhjetor të vitit të kaluar. Ka kaluar si një shtesë e marrëveshjes së hershme të shkurtit të vitit 1998 mes dy ministrive të jashtme të Tiranës dhe Ankarasë, të firmosur nga ish-ministri i jashtëm Paskal Milo dhe homologu i tij turk. Memorandumi i jep mundësi të dy vendeve që të përfaqësojnë njëri-tjetrin në vendet ku nuk kanë seli diplomatike. Një traditë e ngulitur në diplomaci, por që në rastin konkret ngre disa pikpyetje për Tiranën. Revista MAPO siguron dokumentin e plotë


Nuk ka mundësi të jetë ndryshe! Marrëdhëniet shqiptaro-turke janë të shkëlqyera! Drejtuesit e të dy vendeve, të të gjitha niveleve, në të gjitha qeveritë që kanë drejtuar Shqipërinë të paktën në këto 20 vitet e fundit, por dhe më parë, nuk harrojnë kurrë të nënvizojnë se e tashmja e shkëlqyer e këtyre marrëdhënieve, buron dhe nga një miqësi historike, e cila, natyrisht, parashikon të prodhojë dhe një të ardhme edhe më të nxehtë dashurie mes dy kombeve. Një gjë e tillë u konfirmua dhe në vizitën e fundit në Tiranë të Presidentit të Republikës së Turqisë, zotit Abdullah Gyl. Miku i nderuar e dëgjoi të përsëritur këtë slogan të pandryshueshëm miqësie si në Presidencën shqiptare, si në selinë e kryeministrisë, ashtu dhe në Kuvend. Më parë ato ishin dëgjuar dhe në vizitat e shpeshta e të ndërsjellta në linjën Tiranë-Ankara nga të gjithë faktorët politikë në vend. Dhe në të vërtetë, marrëdhëniet mes dy vendeve janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Dy vende që vijnë nga një e shkuar që i ka bërë bashkë e kanë ndarë fat jo aq të ngjashëm nën të njëjtën "çati", pavarësisht se njëri ishte pushtuesi dhe tjetri i pushtuari; ndanë dhe dhanë pothuaj të njëjtën kulturë dhe besim fetar. "Në Tiranë unë ndjehem si në shtëpinë time", u citua Presidenti Gyl nga media shqiptare në vizitën e tij të fundit dy ditore në Tiranë. Pothuaj të njëjtën frazë, mund ta thonë besnikërisht edhe zyrtarët e lartë shqiptarë, deri dhe qytetarët e thjeshtë shqiptarë në Turqi. Sepse kështu është e vërteta. Vetë Presidenti Bamir Topi dhe Presidenti Gyl i thanë njëri-tjetrit se: "... do të ngrejnë nivelin e marrëdhënieve politike, që ata i cilësojnë si të shkëlqyera edhe nivelin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve". Në takimin e dy presidentëve u njoftua dhe se dy vendet do të dërgojnë trupa shtesë në Afganistan, në kuadër të trupave të NATO-s që ndodhen aty prej gati një dekade.

Kryeministri Berisha u shpreh se "... ndihej shumë i lumtur dhe i nderuar që priste Presidentin e një vendi dhe kombi mik të Shqipërisë, si dhe një mik të tijin personal dhe një mik të madh e të shquar për popullin shqiptar". Berisha e vlerësoi vizitën e Presidentit Gyl si një vizitë shumë të rëndësishme, e cila rikonfirmoi edhe njëherë marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve, qeverive dhe popujve, por edhe do të japë një kontribut të madh përpara në këto marrëdhënie".

E njëjta monedhë miqësie kthehet dhe nga Presidenti Gyl: "Turqia do të vijojë të jetë një aleate e ngushtë e Shqipërisë, në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të mbështesë atë, si në përpjekjet e saj për integrim në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në të gjitha përpjekjet për zhvillim e progres në fusha të tjera".

Por nga të gjitha detajet e vizitës rikonfirmuese të miqësisë, një prej tyre të paktën nuk u bë publik. Mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Turqisë, u nënshkrua dhe një memorandum mirëkuptimi, për të cilin pothuaj nuk u fol publikisht. Të paktën në site-t zyrtare qoftë të Këshillit të Ministrave, qoftë të Ministrisë së Jashtme, ky dokument nuk përmendet. Dhe është në fakt mjaft i rëndësishëm.


Dokumenti i "harruar"

Eshtë një Memorandum Mirëkuptimi mes dy vendeve, i titulluar "Për një shtesë në marrëveshjen për bashkëpunimin dhe këshillim politik...", mes dy ministrive të jashtme të Shqipërisë dhe Turqisë. I pari i këtij lloji dhe jo zyrtarisht, i paralajmëruar se nuk do të jetë i fundit, por që do të pasohet nga shtesa të ngjashme të firmosur me vende të tjerë. Ky Memorandum Mirëkuptimi, që do të shtohet në marrëveshjen e nënshkruar në Ankara në 12 shkurt 1998, nga ish-ministri i jashtëm Paskal Milo, u firmos në Tiranë në datën 10 dhjetor nga zëvendësministrja e jashtme, Edit Harxhi. Ka hyrë në fuqi në ditën e firmosjes së tij dhe është vetëm një faqe format A4. Memorandumi teorikisht është konceptuar sipas një praktike të ngulitur diplomatike dhe jo fort të rrallë.

Zakonisht realizohet mes dy vendeve, një "i vogël" dhe një "i madh", si në rastin e Shqipërisë dhe Turqisë. Dhe memorandumi i Tiranës këtë përcakton që në kreun e tij: "Një palë, në shtetet pritëse ku Pala tjetër nuk përfaqësohet, për të mundësuar kryerjen e shërbimeve diplomatike për këtë palë, afron mundësitë për të siguruar ndihmën e nevojshme administrative dhe logjistike në kuadrin e të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare". Dhe më tej: Një Palë, në shtetet pritëse..., me miratimin e këtij shteti dhe mbështetur në procedurat e saj ligjore dhe administrative, do të vlerësojë mundësinë për marrjen e masave të nevojshme për caktimin e përfaqësuesit në nivel agjenti diplomatik në misionet diplomatike të njëri-tjetrit". Dhe më tej akoma dhe më "miqësisht" akoma, thuhet se: Palët..., për të siguruar shërbime ndaj shtetasve dhe për të mbrojtur interesat e tyre të ndërsjellta, do të shqyrtojnë mundësinë për krijimin e një zyre, e cila do të jetë pjesë e misionit diplomatik të palës tjetër të përfaqësuar në shtetin pritës". Me fjalë të tjera, Memorandumi bën të mundur që në vendet ku Shqipëria nuk ka ambasadë, por ka marrëdhënie diplomatike, të ketë një asistencë të plotë turke për të përmbushur misionin diplomatik. Madje, aty ku është e mundur fizikisht, edhe të hapë një zyrë të sajën në "oborrin" e ambasadës turke.

Memorandimi i hyrë në fuqi, ju jep të drejtë të dy vendeve, që zbatimin e saj ta kryejnë pas një vlerësimi të veçantë rast pas rasti duke u nisur edhe nga mundësitë fizike e administrative të palëve, si në shtetet pritëse, ashtu dhe në institucionet ndërkombëtare. E thënë sërish me fjalë të tjera, Shqipëria dhe Turqia, angazhohen të "plotësojnë" njëra-tjetrën në fushën e veprimtarisë diplomatike. Por ajo që në teorinë diplomatike është krejt e saktë, në zbatimin praktik, ka disa anë që nuk janë të sqaruara qartë.


Qortimi i Memorandumit

Një lexim i vëmendshëm i Memorandumit të Mirëkuptimit, ngre disa pikpyetje.

Së pari, është e kuptueshme që kjo ndihmë vjen thjesht dhe vetëm në një linjë vektoriale: Turqia ndihmon Shqipërinë dhe pothuaj në asnjë rast të vetëm jo e anasjellta. Sepse Turqia, si një fuqi me peshë dhe rol të fortë në politikën ndërkombëtare, ka seli diplomatike në të gjithë botën, kurse Shqipëria, pavarësisht ekspansionit të dhjetëvjeçarit të fundit, ka vetëm rreth 50 të tilla. Pavarësisht frazeologjisë "bilaterale", e vërteta është krejt e njëanshme: Shqipëria nuk ka çfarë të afrojë!

Së dyti, zgjedhja e Turqisë - të tjera vende mendohet se do të nënshkruajnë memorandume të ngjashëm me Shqipërinë - ka në vetvete dhe disa siklete që në Ballkan e në marrëdhënie me vendet ballkanike nga të tretë, nuk anashkalohen lehtë. Lehtësisht mund të jetë e kuptueshme "hatërmbetja italiane", për shembull, për këtë parazgjedhje turke të qeverisë shqiptare.

Së treti, pavarësisht përmirësimit të dukshëm të marrëdhënieve reciproke të Turqisë me Greqinë, gjithashtu është lehtësisht e kuptueshme që një zgjedhje e tillë, nuk e ka bërë fort të lumtur Athinën zyrtare. Rivaliteti mes tyre për "zemrën dhe dashurinë" e Shqipërisë, nuk është një gjë e panjohur.

Së katërti, Shqipëria, edhe për shkak të angazhimeve të saj, tradicionalitetit, raportit tejet preferencial e sidomos dhe vokacionit të politikës dhe shoqërisë shqiptare, ndodhet më afër se me çdo vend tjetër me aleatin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktën formalisht, një "ofertë" e tillë mirëkuptimi dhe miqësie, do të duhej të dërgohej dhe në Uashington.

Së pesti, në praktikën diplomatike në këto raste, zakonisht zgjidhet një partner që nuk ngjall xhelozinë e askujt. Në rastin shqiptar, Austria, fjala vjen, apo dhe ndonjë shtet tjetër evropian "larg" Ballkanit, mund të ishte një zgjedhje aspak problematike. Megjithatë, Shqipëria zgjodhi Turqinë. Duke rikonfirmuar edhe njëherë preferencën e saj historike dhe miqësore. Në fund të fundit, edhe në Afganistanin e largët musliman, djemtë shqiptarë luftojnë bashkërisht dhe nën të njëjtin flamur dhe asqerët azganë turq. Shqipëria do të rrisë me 85 ushtarë kontigjentin e saj në Afganistan, Turqia ka shtuar së fundmi me një mijë trupa praninë e saj në Afganistan. Tani, pas Memorandumit të Tiranës, do të duhet të mendojë të shtojë dhe ndonjë zyrë diplomatike në ambasadat e saj nëpër botë për llogari të burazerit të saj shqiptar.


Kush firmosi


Firmën mbi Memorandumin e Mirëkuptimit e ka hedhur për palën shqiptare zëvendësministrja e jashtme Edit Harxhi. Sipas jetëshkrimit të saj, 38 vjeçarja Harxhi, ka një lidhje specifike me Turqinë. Bashkëshorti i saj është shtetas turk, ajo vetë ka studiuar në Ankara dhe ka kaluar një përvojë diplomatike në ambasadën shqiptare në Ankara në mes të viteve 90´. Më herët zonja Harxhi ka punuar si Konsulente Ndërkombëtare pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim PNUD. Ka shërbyer si këshilltare ndërkombëtare për tre Kryeministrat e Kosovës duke mbuluar sektorin e politikave të sigurisë. Po në Prishtinë ku ka qenë dhe lektore, ka shërbyer si e ngarkuar me punë nga Zëvendës Administratori i Kosovës. Ka drejtuar Zyrën për Barazi Gjinore të UNMIK-ut në Kosovë për rreth një vit e gjysëm dhe ka administruar politikat e barazisë gjinore në Kosovë. Ka kryer dhe detyra të tjera të rëndësishme, gjithashtu në Prishtinë. Zonja Harxhi, e rikthyer në Tiranë në fillim të vitit 2005, u bë e njohur në Tiranë kryesisht për një material studimor të saj për krizën shqiptare të vitit 1997. Bashkautore në këtë studim me një tjetër diplomat, Harxhi nxirrte përfundime mjaft të debatueshme, sipas të cilave, thelbi i krizës shqiptare atëherë ishte fruti i hidhur e tragjik "i ndërhyrjes së qarqeve greke dhe të CIA-s amerikane". Pa harruar as komunistët shqiptarë. Ky studim ka qenë dhe arsyeja kryesore që ish-presidenti Moisiu nuk e firmosi kandidaturën e saj në postin e ambasadores shqiptare në SHBA. Pak kohë më pas, në 14 dhjetor të 2005, kryeministri Berisha e futi atë në kabinetin e tij ku mban ende detyrën e zëvendësministres.


Mare nga revista MAPO

3 comments:

Anonymous said...

Bestytnitë turke dhe poshtërimi i shqiptarëve

Ndue Ukaj

Mohimi është forma më e egër e poshtërimit. Madje, nëse e analizojmë drejt, pa ekuivokë e ambiguitete, mohimi është poshtërim më I skajshëm që shkon deri në përbuzje, rrënim, përjashtim, tendencë për zhdukje dhe çka jo tjetër. Politika turke karshi shqiptarëve, është kryekreje duke promovuar asilloj tezash, të cilat, esencialisht janë teza të mohimit, së
këndejmi edhe të poshtërimit të skajshëm, të asaj që është ekzistencë fizike e shpirtërore, pra mohim i plotë i etnisë shqiptar dhe historisë reale të tij. Andaj si të tilla, duhet të merren si të rrezikshme. Këtë kambanë alarmuese e patë sinjifikuar qysh para tre vjetësh Arbër Xhaferi, me artikullin Pasojat e akraballëkut, të botuar në disa të përditshme shqiptare, artikull ky i cili zgjoi interesim të madh dhe debate ndër shqiptar. Xhaferi me shumë argumente stigmatizoj këtë politikë turke të mohimit. Ajo ëfarë është e vërtetë, poshtërimi turk ndaj shqiptarëve viteve të fundit, ëdo ditë e më shumë po nxjerr krye dhe po bëhet më i vrazhdë, më imponues, sidomos përmes diskursit të politikës qeveritare turke, që nuk rresht së mohuari ekzistencën etnike të shqiptarëve dhe duke e kamufluar atë me gjoja koekzistencë në historike, një gënjeshtër kjo e kulluar, që është një besëtytni e trilluar e shtetit turk, politikës turke dhe elitës intelektuale turke. Ndërkaq, e vërteta historike është krejtësisht tjetër, është e kundërt, sepse marrëdhëniet turko-shqiptare,
asnjëherë nuk kanë qenë e as që do jenë vëllazërore, ndërkaq dihet botërisht se
shqiptarët nuk kanë bërë koekzistencë me perandorinë turke, asnjëherë, mirëpo
kanë qenë, për fat të keq, të shtypur, të persekutuar barbarisht, të
shkatërruar fizikisht e psikologjikisht nga Turqia dhe politika e saj
hegjemoniste ndaj shqiptarëve, që u përpoq të zhbëj ëdo gjë shqiptare për shumë
shekuj. Për këtë, ka aq shumë argumente, sa është e pakuptimtë të përmendën me
këtë rast.

Në të vërtetë, për poshtërimin si fenomen politikë,
kulturor e historik në Ballkan, ka shkruar edhe shkrimtari Ismal Kadare në një
sprovë të shkëlqyer eseistike, në librin Poshtërimi në Ballkan (Onufri, 2004). Autori këto me mjeshtëri diskuton dukurinë e poshtërimit dhe vë në spikamë faktin se tendosjet dhe dramacitet në këtë pjesë të botës, kanë një rrjedhojë edhe nga poshtërimi, si instrument i përdorshëm, i drejtuar veëmas kundër shqiptarëve dhe ekzistencës së tyre etnike e historike. Shkrimtari Kadare shenjat e poshtërimin i koncepton në kontekstin e racizmit dhe sipas tij, poshtërimi bën pjesë në shenjat e sigurta që paralajmërojnë përgatitjen e një
zezone.

Pra, nuk ka gjë më të ulët se poshtërimi i një kombi. Ky
poshtërim, në formë të përbuzjes, mohimit, shqiptarëve po ju bëhet nga Turqia,
e cila duke i identifikuar me fenë dhe historinë, po pretendon shqiptarët tëi
paraqes para botës si pjesë të një trungu. Kjo politikë për shqiptarët është
tejet e dhimbshme.
Tendencat turke karshi shqiptarëve ngritën mbi dy
elemente, shumë të paqëndrueshme, mirëpo psikologjikisht të rrezikshme, fenë dhe
historinë. Duke i përdor këto dy kategori, shteti turk sajon argumente të
marra, për gjoja bashkë-ekzistencën historike dhe ndarjen e fateve përgjatë
historisë, duke harruar faktin se, sië shkruan filozofi Karl Poperi, ëBesimi në fatin historik është një besëtytni e kulluarë. Këtë besëtytni të kulluar, po e sajojnë si tezë
politike politikaj nga Turqia, të cilët, kund përmes ministrit të tyre të
jashtëm Ahmet Davutoglu, apo zyrtarëve tjerë, predikojnë një vëllazëri me
shqiptarët, për marrëdhënie vëllazërore, që realisht nënkuptojnë mohimin,
poshtërimin, sepse etnitë nuk kanë marrëdhënie vëllazërore. Ja
vlen të përmendim si shembull popujt skandinav, të cilët janë pjesë e një
trungu gjenetik, mirëpo nuk i thonë njëri- tjetrit vëllezër. E jo më shqiptarët
dhe turqitë
(fun io pjeses pare)

Anonymous said...

vijon komenti i siperm
Shteti, i ashtuquajtur modern turk, në vend se të ndjehet
fajtor për një politikë shfarosëse që ka ndjekur karshi shqiptarëve nëpër
shekuj, të kërkoj falje, ai nuk rresht së hapuri teza të marra, që në fund të
fundit, sëjanë gjë tjetër përpos sajesa të një politikë që ka perënduar tash e
një shekull. Mirëpo, këto tendenca dhe teza janë aq të rrezikshme sa vetë
politika hegjemoniste turke, që rikthimin politik në skenën ndërkombëtare, do
ta bëjë, ndër tjera, duke mohuar ekzistencën e kombit shqiptar, pra duke e
përbuzur atë tmerrësisht keq, për interesat e saj gjeostrategjike. Ndërsa, para
kësaj sfide dhe hegjemonie, politika shqiptare është shumë inerte, inferiore
dhe, ndoshta djallëzisht tolerante.
Para një kohe, një ministër i kulturës nga Danimarka, kur
bëri një vizitë në Irlandë, kërkoj falje për shkatërrimit barbare që kishin
bërë Vikingët para qindra vitesh në Irlandë dhe kulturën fizike irlandeze, gjatë
rrugëve të tyre të plaëkitjes nëpër botë. Ky gjest kaq madhështor tregon se
ëfarë domethënë një shoqëri e emancipuar, një politikë që të kaluarën negative
e pranon si të tillë dhe ndjehet, madje edhe pas qindra vitesh, fajtore. Turqia
në vend se të ndjek shembuj të tillë, bëhet antipod dhe promuvuese e politikave
jo emancipuese, të vjetra, sterotipepeve primitive.

Në fakt, ashtu sikur shteti danez, do të duhej të vepronte edhe Turqia, të kërkoj falje për shkatërrimin që i bëri Shqipërisë, për shkatërrimin e qindra kishave, bibliotekave, për tjetërsimin e historisë, fesë, për vrasjet barbare, për pengimin e gjuhës, fesë, shkollimit, për internime,etj.
Po të krahasojmë gjestin kaq fisnik, të kombit fisnik
danez, me gjestet e politikës turke dhe diskursin e saj karshi shqiptarëve, do
të shohim se shteti turk sot është një kosh mbeturinash të së kaluarës, të një politike
që ushqehet nga pasione të sëmura të drejtuara ndaj qenies dhe qenësisë shqiptare.
Kjo është një politike aspak emancipuese dhe krejtësisht kundër trendëve
moderne europiane, ku, gjoja po na synoka të hyjë Turqia jodemokratike.

Prandaj, politika e fëlliqtë turke karshi shqiptarëve,
nuk mund të quhet ndryshe përpos politikë e poshtërimit, e përbuzjes, sepse kjo bëhet përmes mohimit dhe atëherë kur mohimi është pjesë e diskursit politikë, është kësisoj shenjë e racizmit, sië do të thoshte Kadare. Këtë shqiptarët nuk duhet ta gëlltisin.
Në këtë kontekst, duhet tumiren si shumë të drejta shqetësimet
e Pirro Mishos, të para disa ditshme në shtypin shqiptar, për rrezikun nga
neo-otomanizmi, sepse ky rrezik është real, ndërsa ndaj tij duhet reflektuar me
shumë kujdes dhe pa ekoivoke, sidomos duke kuptuar dialektikën e zhvillimeve
civilizuese, se nuk mund të jesh në dy vende, në të njëjtën kohë.

Duke i trajtuar shqiptarët si vëllezër, duke ju mohuar shpeshherë
kombin, duke predikuar një bashkëjetesë historike që është ireale dhe që nuk përkon
as me të vërtetat historike e as politike, Turqia bënë gabimin më të madh
politikë, duke vënë, në të njëjtën kohë, para një sfide të madhe, gjithë të
ardhmen e këtij rajoni të trazuar nga reminishenca negative historike. Kjo bëhet
më e ndjeshme sepse kjo politikë po instomentalizon fenë dhe historinë për këto
synime.

Mirëpo, shqiptarët assesi sëduhet të harrojnë ato të vërtetat
të dhimbshme që i shkaktoi pikërisht kjo Turqi, ato drama që i përjetoi me
shekuj, shumë prej së cilave i vuan edhe sot, e të cilat u gatuan nga qeveritë
turke në të kaluarën. Këto aspekte i analizon mjaft mirë Pirro Misha në shkrimin e tij, sikur ajo për
shkëmbim të popullsisë, me të cilën politikë ënjerëzore e dehumane, u atakuan
shqiptarët e besimit islam, të cilëve Turqia ju mohonte etnicitetin dhe në bazë
të fesë i kategorizonte si turq. Kështu ndodhi me politikat shfarosëse që i
ndoqën me shqiptarët (ëamët dhe dramën e tyre) në Greqi dhe pastaj me Kosovë,
krejt vonë etj.

Anonymous said...

(vijon komenti i ukaj pjesa e trete)
është bërë pothuaj e zakonshme, një klishe politikë shumë
antipatik, sa herë të ketë shkëmbim vizitash mes vendeve shqiptare dhe Turqisë,
te dëgjojmë a lexojmë deklarime të ëoroditura dhe shumë tendencioze. Madje, deklarata
të tilla vinë nga diskursi politik i kreut turk, sikur ajo e Abdullah Gulit në
Tiranë, i cili pat thënë gjatë një përurim: ëMe lejoni të them, të gjithë ne së
bashku jemi pjesë e një kombi të madh.ë-janë në esencë të papranueshme dhe përbëjnë
precedent në politikën ndërkombëtare. Ndërkaq, këtë politikë të mohimit e
poshtërimit e gëlltit vetëm një politikë idioteske shqiptare, që nuk është e
aftë të vë kufij real në marrëdhëniet me shtetin turk dhe të thotë qartësisht
se ky diskurs politikë i shtetit turk është antikombëtar dhe si i tillë vë në
rrezik etninë shqiptare.

Më kujtohet një gjest shumë i pahijshëm i para disa
vitesh, kur gjatë një vizitë në Shqipëri, një lider turk kishte kërkuar të
hiqet nga zyret e krerëve të shtetit shqiptar portreti i Gjergj Kastriotit, që
ishte një fyerje e cila tejkalon edhe përmasat e përbuzjes.

Politika turke, e cila zaten ëdo ditë e më tepër është ka
identifikon fenë e kombin, po i bije kambanave të rrezikshme në këtë pjesë të
Europës, duke suportuar, përmes segmenteve të caktuara, një politikë që është
shenjë e një zezone të keqe, ndaj së cilës, inteligjencia shqiptare, politika
shqiptare ka mundësi të reagoj, sepse vetëdija dhe dija shqiptare tani është e
gatshme të kuptoj këto prapaskena që luhen mbi të. Ndaj nuk duhet lejoj të bëhet
preh e një politike dehumane dhe ënjerëzore.

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-turke është për
shqiptarët dhe botën, shumë tragjike, madje më tragjikja. Historia shqiptare,
turqit i njeh si pushtues të pashembullt, që ndaluan gjuhë e kulturë, fe e
identitet, që përdorën një dhunë sistematike, duke bërë krime të panumërta, rrënim
të ëdo gjëje që ka qenë shqipe. Pas pesë shekujve, turqit u shporrën nga
Ballkani, mirëpo asnjëherë nuk ndalën së pretenduari për rikthim në Ballkan si
një formë e fuqizimit dhe faktorizimit të tyre politikë në botë

është koha që marrëdhëniet politike mes shtetit turk dhe
vendeve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës) të jenë vetëm në suaza normale, pa
asnjë nostalgji për otomanizmin, aspak të shkëlqyera, sepse kjo sjell në rrezik
krejt të ardhmen e kombit dhe rrugën e tij drejt rikthimit fizik në perëndim, ngase
ëëështë e vërteta e pamohueshme, shqiptarët kanë qenë shpirtërisht me perëndimin,
madje edhe kur kanë qenë të persekutuar barbarisht nga turqit.

Politika shqiptare, ajo në Kosovë dhe Shqipëri, duhet të
reflektojnë më menëuri dhe ta ndal këtë avaz turk, i cili, për etninë tonë mund
të sjell konsekuenca tejet negative, në rrugën e integrimit dhe rikthimit në
qytetërimin fizik perëndimor, nga i cili, janë shkëputur pikërisht nga kjo
Turqia historike. Ajo ëka është më e rëndësishme lidhet me faktin se shqiptarët
si shumicë, shpirtërisht, kanë jetuar
dhe jetojnë me idealet perëndimore, me modelet e demokracisë perëndimore, me
filozofinë dhe letërsinë perëndimore, me vlerat e përbashkëta të këtij
qytetërimi, me vlerat e përbashkëta të etabluara nga kjo kulturë. Prandaj, pa asnjë
hezitim, Europa është atdhe i vlerave tona të përbashkëta dhe në këtë rrugë nuk
duhet të kemi alternativë.

Ndërkaq, nostalgjikët e otomanizmit, serbizimit,
komunizmit, duhet të trajtohen vetëm ashtu sië e meritojnë, si nostalgjik të reminishencave
destruktive.

Nëse në ca mendje të llastuara shqiptare ëakraballëkuë që
e përmend Arbër Xhaferi përbën ndonjë vlerë, në historinë shqiptare, në
kulturën shqiptare, në identitetin shqiptar, marrëdhëniet turko-shqiptare do të
cilësohen ashtu sië kanë qenë e janë: marrëdhënie mes një etnie dhe një shtet
që ka poshtëruar dhe persekutuar me shekuj shqiptarët.

Tendencat për tëi përëarë shqiptarët tanimë kur po
konsolidohen ëdo ditë e më shumë, nuk mund të kenë sukses.