Sunday, May 23, 2010

Europa Heton Procesin Zgjedhor!

Europianët do të habiten me mefshtësinë, cinizmin, skepticizmin, injorancën, budallallëkun, fudullëkun, hipokrizinë, dhe diabolizmin e juristëve, politikanëve, mediave, dhe "intelektualëve " që kanë pretenduar për antikushtetutshmëri të hapjes së kutive të votimit të 28 Qershorit.

Bledar H. Prifti | 23/05/2010 (Shekulli)

Atë çfarë duhet ta kishte bërë Parlamenti i Shqipërisë përmes komisionit hetimor parlamentar po e bënë tani Këshilli i Europës (KE). Bëhet fjalë (1) për zbatueshmërinë e Kushtetutës së Shqipërisë në rastin e kërkesës së opozitës Socialiste për hapjen e kutive të votimit dhe (2) për zbatueshmërisë e Kodit Zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Ndër 700 pyetjet e kthyera mbrapsht për përgjigje në kuadrin e pyetësorit për anëtarësim në Bashkimin Europian, KE ka dërguar një pyetje të re, e cila kërkon përgjigje rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të komisionit hetimor parlamentar [Neni 77(2)].


Gjithashtu, Europianët kanë dërguar në Shqipëri një ekspert ligjor që do të analizojë se si është zbatuar Kodi Zgjedhor gjatë zgjedhjeve e 28 Qershorit dhe cilat kanë qenë pretendimet e palëve për të.
Fokusimi i palëve tek zbatimi i nenit 178(6) i Kodit Zgjedhor duket se injoron dhe anashkalon ligjin suprem dhe të gjithëpushtetshëm të vendit, Kushtetutën e Shqipërisë, për sa i përket komisioneve hetimore parlamentare. Kushtetuta e Shqipërisë prevalon ose triumfon mbi çdo ligj tjetër të vendit. Neni 4(2) i Kushtetutës thekson se "Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë."


Duke qenë se neni 178(6) i Kodit nuk përcakton afate për djegien e fletëve të votimit, neni 77(2) i Kushtetutës dhe interpretimi i këtij neni nga Gjykata Kushtetuese e ndalon djegien e fletëve të votimit për shkak të hetimit parlamentar që i konsideron ato objekt hetimi dhe për shkak të interesit publik që ato mbartin. Jo më kot fletët e votimit nuk janë djegur edhe pasi kanë kaluar afatet për ankimet, sipas këtij Kodi. Kërkesa e parlamentit për hetim të zgjedhjeve bazuar në nenin 77(2) ndalon djegien e kutive, pasi Kushtetuta e Shqipërisë qëndron mbi çdo ligj tjetër të vendit.


Si fillim, parlamenti Shqiptar dështoi të hetonte çështjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të 28 qershorit për shkak të pretendimit antikushtetues të mazhorancës dhe Kryeministrit Berisha për antikushtetutshmëri të këtij hetimi. Konsiderohet antikushtetues, pasi të drejtën e interpretimit të Kushtetutës dhe vendimeve gjyqësore e ka vetëm pushteti gjyqësor. Pushteti ekzekutiv nuk mund të ndalojë transparencën dhe hapjen e kutive të votimit përmes komisionit hetimor parlamentar, përderisa nuk ka asnjë vendim gjykate që atakon dhe shprehet direkt për mos'hapjen e kutive të votimit.
Bazuar në Nenin 77(2) të Kushtetutës, Kuvendi i Shqipërisë "ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë.


Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t'i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore". Siç shihet qartë, ky nen i jep të drejtën parlamentit që të kontrollojë zbatueshmërinë e Kushtetutës dhe të ligjeve dhe për të mbrojtur të drejtat e minorancave parlamentare pa interferuar me vendimet e organeve të pushteteve të tjera. Për të ruajtur pavarësinë e pushteteve, ky nen kujdeset që rezultatet e hetimeve parlamentare të mos ndikojnë mbi vendimet e gjykatave. Neni e shpreh qartësisht se "Përfundimet e tyre [komisioneve hetimore] nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t'i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore."
Antikushtetutshmëria e pretenduar nga Berisha qëndron tek interpretimi i konceptit "çështje të veçanta" të këtij neni. Berisha pretendon se ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese i cili ndalon hapjen e kutive të votimit dhe e deklasifikon atë si "çështje të veçantë".


Këtu bëhet fjalë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. 18, datë 14.5.2003. Ky vendim thekson: "çështje të veçanta konsiderohen ato çështje, që hetohen në aspektin e kontrollit të zbatimit të ligjeve, të njohjes e verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeve, apo veprimtarive dhe, që nxisin iniciativat për propozime, mendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale."


Duket haptazi që ky vendim i Gjykatës Kushtetuese jo vetëm që nuk shprehet për mos'hapjen e kutive të votimit, por ai vendim dhe interpretim i Gjykatës Kushtetuese i shëmbëllen kërkesës së opozitës kur shprehet se hetimi bëhet "me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale".


Gjithashtu, duhet theksuar se nëse kryeministri i vendit bën vet-interpretim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, atëherë ai kryen një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe parimit të pavarësisë së pushteteve pasi të drejtën e interpretimit të ligjeve e ka vetëm pushteti gjyqësorë.
Duke qenë se ky vendim gjykate është përdorur nga Berisha si sebep për të mos lejuar transparencën e plotë, duke çuar vendin drejt një kaosi të paprecedentë politik, Këshilli i Europës (KE) ka vendosur që të hetojë imtësisht pretendimet e kryeministrit Berisha.


Për këtë qëllim, e konfirmuar edhe nga Ministrja Bregu, KE ka dërguar (në mes të 699 të tjerave) një pyetje të re, e cila kërkon përgjigje rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të komisionit hetimor parlamentar. Këtu bëhet fjalë pikërisht për interpretimin e Nenit 77(2) të Kushtetutës që u analizua pak më lartë.
Një lëvizje e tillë e zyrtarëve Europianë tregon se ata "kanë rënë në erë" të mashtrimit që ka bërë Sali Berisha për muaj të tërë në lidhje me "antikushtetutshmërinë" e hapjes së kutive. Europianët do të kuptojnë se nuk ekziston asnjë vendim gjykate që shprehet për ose ndalon hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 Qershorit.


Europianët do ta kuptojnë fare mirë se transparenca e plotë e zgjedhjeve dhe pavarësia e pushteteve është e garantuar plotësisht nga neni 77(2) i Kushtetutës, i cili e thekson shprehimisht se "Përfundimet e tyre [komisioneve hetimore] nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t'i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore."
Ndaj, kërkesa e zyrtarëve Europianë për zgjidhjen e krizës përmes respektimit të parimit të transparencës dhe zbatimit të kushtetutës nuk mund të interpretohet si mbështetje për Berishën, pasi pretendimet e këtij të fundit nuk kanë asnjë bazë ligjore apo kushtetuese.


Nuk ekziston asnjë vend në botën demokratike ku Kushtetuta ndalon transparencën. Kushtetuta e Shqipërisë e lejon dhe sanksionon transparencën. Transparenca është detyrim dhe e drejtë kushtetuese dhe jo "pronësi" që përfitohet përmes proceseve gjyqësore.
Gjithashtu, Europianët do të habiten me mefshtësinë, cinizmin, skepticizmin, injorancën, budallallëkun, fudullëkun, hipokrizinë, dhe diabolizmin e juristëve, politikanëve, mediave, dhe intelektualëve që kanë pretenduar për antikushtetutshmëri të hapjes së kutive të votimit të 28 Qershorit. Neni 77(2) dhe interpretimi i tij nga Gjykata Kushtetuese është e shkruar "e bardha mbi të zezë" dhe nuk lejon asnjë hapësirë për interpretim.


Në vazhdimësi të hetimit të procesit zgjedhor, para disa ditësh mbërriti në Shqipëri Bert Kuby, zyrtar i Komisionit Europian. Kuby është komisioneri për çështjet politike, koordinatori i Progres-Raportit për Shqipërinë, anëtar i Komitetit Parlamentar Shqipëri-BE dhe komisioneri që merret me çështjet e zbatimit të legjislacionit. Ai e nisi "vizitën" e tij në Shqipëri me një inspektim të vendit ku ruhen kutitë e votimit. Gjithashtu, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, ai do të marrë një informacion të plotë se si është zbatuar Kodi Zgjedhor gjatë zgjedhjeve e 28 Qershorit dhe cilat kanë qenë pretendimet e palëve për të. Ai do të fokusohet tek neni 138(3) i Kodit Zgjedhor.


Bazuar në nenin 138(3) të Kodit, "KQZ-ja, me kërkesë të palëve ose kryesisht, kur çmon se për dhënien e vendimit është i nevojshëm rinumërimi dhe/ose rivlerësimi i votave të caktuara, kryen, në praninë e palëve, rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave dhe pasqyron përfundimin në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së dhe vendimin përkatës të saj. Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara."


Me pakë fjalë, Kuby do të interesohet në lidhje me vendimin absurd të KQZ, i cili i mohoi dy anëtarëve të tij të drejtën e rinumërimit të kutive të kontestuara. I dërguari i Europës do të llahtariset se si anëtarë të KQZ hedhin në votim një ligj të miratuar me shumicë të cilësuar nga parlamenti. Ai do të llahtariset se si një ligj që u miratua në parlament pas shumë negociatash të lodhshme, hidhet poshtë me një të ngritur të dorës së Ristanit. Për më shumë, ashtu si edhe në rastin e moszbatueshmërisë së nenit 77(2) të Kushtetutës, Kuby do të llahtariset nga mefshtësia, cinizmi, skepticizmi, injoranca, budallallëku, fudullëku, hipokrizia, dhe diabolizmi i juristëve, politikanëve, mediave, dhe intelektualëve për ta dënuar këtë shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor dhe të Kushtetutës.



Dilemat zgjidhëse pas “Darkës”

23/05/2010

Aleksandër Çipa (Shqip)


Darka e 21 majit 2010 në Strasburg, e shtruar prej krerëve të grupeve parlamentare të së majtës dhe së djathtës europiane, për dy udhëheqësit kryesorë të politikës së sotme shqiptare, zotërinjtë Berisha dhe Rama, do të njihet si “Darka shqiptaro-europiane e Strasburgut”. Pas asaj darke, dy krerët politikë janë në sikletin e numërimit të ditëve që plotësojnë dyjavëshin e ultimatumit. Janë dy javë që përbëjnë kushtin e një kohe ultimative për marrëveshje. Pas darkës vijnë ditët e njëjta si para saj, apo kemi ditë të ndryshme?

Në dilemën e kësaj së vërtete është sot opinioni publik, por në këtë dilemë padyshim, gjenden edhe dy protagonistët që kanë detyrimin e mbërritjes në një zgjidhje. Matanë darkës së Strasburgut, gjërat janë më ndryshe nga ç’mund t’i sjellin veprimet apo aksionet zotërinjtë Berisha dhe Rama. Koha ka nisur të numërojë veprimet dhe sjelljet e tyre marrëveshëse dhe kurrsesi nuk ka hapësirë për kapriçio të mëtejshme, sikundër edhe për kokëfortësi të shumëpërdorur politike.

Në daljen e parë para kamerave, në ditën përmbyllëse të kësaj jave, zoti Berisha duket se dha sinjalin se ka bërë lëshimin e parë, atë të pranimit të “hapjes së kutive të dokumentacionit zgjedhor”. Ndërsa Rama shton se “kutitë do hapen, mbetet të diskutohet se cili do të jetë procedimi”. Gjuha e tyre politike duket se evidenton “thembrën e Akilit”, por realisht çështja është më e thellë dhe me më tepër subjekte. E vlen të thuhet se “pjesa e padukshme e ajsbergut” është ku e ku më e madhe dhe e rëndë se sa ajo e dukshmja, qoftë edhe në darkën me biseda të pazbardhura.

“Darka” e Strasburgut mund të quhet porosia e “ushqimit për të dy” deri në ditën e fundit të dyjavëshit. Të dy politikanët janë tashmë në një cikël të ri përballjeje, jo më përmes duelit me grevë dhe qeverisje, por tashmë në rrugën për një draft-procedim për qëndrueshmëri politike, në të kundërt, përthellim krize. Mundësia e dështimit, pashmangshmërisht është ndëshkim për të dy politikanët, sikundër është opsion i rrezikshëm pësues për vendin dhe shoqërinë.
Përballja e këtyre dy javëve e zotit Berisha dhe zotit Rama ka rreziqe ekzistenciale për ardhmërinë politike të secilit, sikundër është edhe paradhoma e ndeshjes më të afërt elektorale. Loja e tyre ka mbërritur në momentin kur përcakton jo vetëm dimensionin real të forcave që kryesojnë, por edhe ndërgjegjen reale të principializmit që mbartin.

Principi “i transparencës” i zotit Rama është vënë përballë principit të kushtetutshmërisë së zotit Berisha. Në këtë këmbëngulje, të dy politikanët, përcollën ditët e kësaj krize, e cila po e mbush vitin kalendarik. E tendosën secili pretendimin dhe konsistencën e mbrojtjes së pozicionit të mbajtur deri në udhëtimin drejt darkës si të ftuar, sa që tashmë nuk mund ta kenë aq të lehtë për ta braktisur apo shmangur, pa gjetur justifikimin bindës. Asnjeri nuk mund t’i largohet lehtë këmbëngulshmërisë së deritanishme. Ky është halli i secilit dhe ai mes tyre. Për këtë arsye, mesa duket, po përgatisin skemën e ngritjes së grupeve të teknicienëve, të cilët do të paraprijnë ngritjen e komisionit parlamentar. Por kjo nuk është e gjitha dhe aq më tepër kryesorja. Në mjedisin e politikës sonë, formula për një marrëveshje të re bipolare, do të vërë në lëvizje krejt faktorët dhe sidomos “solistët” e mbetur partiakë që kanë zë apo ndikim në skenën politike të vendit. Shumëkush e ka të lehtë të besojë sot se kjo kohë në dispozicion të dyshes Berisha-Rama, është njëherësh mundësi marrëveshëse për një kohë të ardhme elektorale dhe të ndërmjetme. Në gjuhën e tyre diplomatike, në deklaratën e posaçme, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, dhe komisioneri Stefan Fule u shprehën: “Është koha për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale mbi një bazë që t’i rezistojë testit të kohës”. Po cili është “testi i kohës”? Mos vallë vetëm qasja me qëndrimin e mëtejshëm të opozitës ndaj Parlamentit apo edhe dakordësia për hyrjen në normalitetin e ditëve të vitit elektoral?

Marrëveshja e shumëpritur e dyshes Berisha-Rama ka grumbulluar shumë çështje, ashtu sikundër është e natyrshme të merret me mend se nuk vlen vetëm për “kutikërkimin” e deritanishëm socialist. Në këtë marrëveshje është pesha e rëndë e nisjes së dakordësisë apo ndarjes për reformën e duhur zgjedhore. Në këtë marrëveshje është rikthimi në normalitet pas rënies në disfunksionalitetin e deritanishëm, ose e kundërta(!). Në këtë marrëveshje janë edhe ikjet ose rëniet e dy partive të mëdha në krizën e diversitetit të brendshëm apo në unitaritetin që imponon autoriteti i udhëheqësit. Kjo krizë mosmarrëveshëse mes dy udhëheqësve, mund të shndërrohet lehtësisht në krizë brendapartiake për secilin. Ndonëse duhet thënë se bërthama e saj mbetet në njomësirën që mbart vetvetiu secila forcë partiake në këtë realitet me demokraci problemore.

Dy javët e ardhme, janë koha e një prove të rëndësishme për individët dhe krerët politikë Berisha-Rama, janë të tilla pasi kërkohet një zgjidhje, që të ketë vlefshmërinë e “qëndrueshmërisë së testit në kohë”. Marrëveshja principiale të dy kundërshtarët i lehtëson, ndërsa pazarizimi sidoqoftë ai, vetëm i ndëshkon.


1 comment:

Anonymous said...

Dy artikujt e paraqitur tregojne dy koncepte : Bledar Prifti mendimtar sovran i opinionit te pavarur dhe tjetri, Cipa rrogetari i medias se korruptuar shqiptare qe fotografon pa mundur te jape nje mendim te qarte (ose nuk do te prononcohet qarte). Nuk e kuptoj ku eshte kushtetueshmeria e Berishes per te cilen na flet z Cipa.
Kondraqi