Sunday, November 14, 2010

Dukati, Kakomeja,Dhermiu, Himara...kur pushtohet nga banda

Dukati përballë pushtetit apo pushtimit?
Prof. Dr. Ago Nezha | 14/11/2010(Shekulli on line)

Pamjet dhe fotot e pazakonta në media për raprezaljet që kryen policia e shtetit ndaj banorëve të Dukatit, kanë revoltuar jo vetëm komunitetin vendas, por gjithë shikuesit dhe qytetarët e ndershëm shqiptarë. Përballja e banorëve të Dukatit me forcat e rendit, nuk është një dëshirë e tyre, as ndonjë aventurë romaneske, por pasojë e një shkeljeje të të drejtave të tyre mbi pronën. Por konfrontimi në Orikum ka dy viktima të pafajshme: banorët e Dukatit dhe policinë e shtetit, që zbaton një urdhër klientelist të institucioneve eprore.


Kjo ngjarje e provokuar nga një shtet autokratik, pason lajmet mbi aferat tashmë të njohura në opinionin publik të 'miqve të pushtetit' në zonën e Orikumit. Cenimi i pronave të Dukatasve dhe administrimi i tyre nga "shteti-pronar," është një skenar që po qarkullon prej vitesh në këtë zonë me aktorë kryesorë sekserë të pushtetit. Por tashmë është bërë më e qartë që pushteti qendror është lidhur në mënyrë kapilare me pushtetin vendor, dhe kanë përcaktuar një strategji të mirëfilltë pushtimi të pronave të Dukatasve.


Nën rrogoz po luhet një lojë dinake dhe shumë e rrezikshme, kurse për "konsum publik" shteti përhap etiketime abuzive për territoret e Dukatit. Këto etiketime formojnë një mozaik çoroditës: Karaburunin e quajnë zonë të mbrojtur, Llogoranë park kombëtar, Orikumin zonë turistike dhe komunitetit të Dukatit si mbetet gjë tjetër veç se një copë qiell, për të qenë... kozmonaut! Një ironi therëse, e një shteti të shndërruar në bandë, që nuk i bindet më ligjit, por kapobandës.


E si ua pret mendja këtyre që mund të heshtë Dukati? Në ato territore mijëravjeçare, ai ka shpalosur jetesën e vet me gëzime e hidhërime; në ato troje janë varret e të parëve të tyre. Në rast se nuk i di ministri Basha këto gjëra, le ta mësojë mirë mësimin. Por z.Basha dhe gjithkush tjetër përpara apo prapa tij, nuk do të munden dot në asnjë rrethanë të viktimizojnë atë komunitet me 1500 shtëpi dhe 260 km 2, e barabartë me një të njëqindtën e territorit shqiptar. Në rast se një ministër kokorroç mendon se mund të luajë lojën e dorës së fortë me dukatasit, ai thjesht bëhet qesharak.


Megjithatë, ne lexojmë sot fytyrën e pushtetit në fjalët e pamatura që lëshoi ministri Basha në Parlament. Dukatasit, nuk kanë dalë jashtë territorit të tyre dhe as kanë provokuar policinë. Në rast se ka ndonjë veprim të nxituar, të korrektohet, por kjo nuk ndryshon gjë në historinë e pronave. Shtetarët e sotëm nuk munden të bëjnë marrëveshje bilaterale pa e përfillur zërin e pronarëve, as për të ndërtuar centrale, e as mullinj me erë. Ministri Basha, edhe protestat i quan instrumente të opozitës.


Prapë nxitohet dhe gabon. Grupi organizator "Djemtë e Dukatit," në bërthamën e tij, tre nga liderët kryesorë i ka "të djathtë" dhe për më tepër aktivistë me kontribute në Partinë Demokratike. Njëri prej tyre, i persekutuar. Veprimtaria e tyre ideohet, programohet dhe aplikohet nga një organizëm kanunor i quajtur "Këshilli i Pleqve", i përbërë prej 30 anëtarësh, që janë betuar për të mbrojtur pronën e të parëve të tyre.


Reagimi dhe çoroditja, ministrit Basha ndoshta i vjen nga tensioni politik, por ai si djalë i squtë që është, duhet të jetë në gjendje të kuptojë se pronat në Dukat, kanë vula pronësie që janë vendosur qindra vite para se të ketë lindur Basha dhe partia e tij.
Pronat e Dukatit nuk janë tjetërsuar, as me blerje, as me dhurim e as me trashëgim, por veç me pushtim. Dhe historikisht në ato anë, pushtuesi nuk është pritur me lule. Ndaj një shtet që bëhet pushtues i pronave të qytetarëve të vet, mund të jetë çfarë t'i thotë kaplloqja Lulzimit, por jo më, shtet i qytetarit. Më pas ky shtet meriton ndëshkim. Dhe do ta marrë atë.

No comments: