Thursday, January 27, 2011

Moisiu: zgjidhje me zgjedhje te parakoheshme Klosi: Viktimat e 21 janarit, për faj të Gardës dhe policisë

(Shqip)

Si e shikoni situatën politike në vend pas këtyre zhvillimeve dhe cilat janë hapat që partitë politike duhet të ndërmarrin për ta tejkaluar këtë situatë?

Situata politike nuk duhet të kishte shkuar deri në këtë gjendje, kur kemi edhe viktima të pafajshme. Kjo i ngarkon me përgjegjësi të rëndë të dyja palët e politikës tonë, por megjithatë duhet të them se është mazhoranca ajo që duhej të ishte treguar më e përgjegjshme për të mos arritur deri këtu. Është e vërtetë që jemi një demokraci e re, por kemi njëzet vjet që po përpëlitemi në kënetën e tranzicionit. Personalisht e kam deklaruar që në 2005-n në Kuvend se “Nuk mund të merret pushteti me çdo kusht si dhe nuk mund të mbahet me çdo kusht”. Kjo është abc-ja e demokracisë dhe kush nuk e ka kuptuar këtë nuk duhet të pretendojë të merret me politikë. Për ta stabilizuar dhe qetësuar situatën, mendoj se është e nevojshme që partitë politike shqiptare, pa humbur kohë, nën drejtimin e Presidentit, të mblidhen dhe të bisedojnë për zgjidhjen e problemeve që kanë përpara. Vetëm dialogu do të mund ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e stërzgjatur. Gjykoj se kështu si kanë ardhur punët, vetëm zgjedhjet e parakohshme mund ta qetësojnë vendin. Ka ardhur koha që t’i krijohet mundësia sovranit të thotë fjalën e tij, le ta vendosë ai se kush ka të drejtë dhe kush jo.




Luis Tanushi | Shekulli on line


Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ka fajësuar policinë dhe Gardën e Republikës për precipitimin e demonstratës së opozitës që përfundoi me tre viktima dhe dhjetëra të plagosur. Në një intervistë për "Shekullin", Klosi tregon për menaxhimin e situatës, si nga protestuesit, ashtu edhe nga institucionet shtetërore. Duke pasur parasysh edhe ngjarjet që ai ka përjetuar vetë në kohën kur ishte kryetar i SHISH-it, 14 shtatori 1998, Klosi pohon se policia provokoi protestuesit kur nxori makinat e ujit, ndërsa Garda kaloi çdo kompetencë kur filloi të qëllojë me armë.


Zoti Klosi, kryeministri Berisha akuzoi Shërbimin Informativ Shtetëror se nuk ka kryer detyrën e tij për të parandaluar dhunën në protestën e opozitës. Sa faj ka SHISH-i në atë që ndodhi ditën e premte?

Në protestën e Opozitës, dhuna më e madhe e përdorur ndaj Policisë, ishin pllakat e bulevardit, çadrat dhe shkopinjtë e drurit. Ishte një sjellje e gabuar, por e provokuar nga përdorimi i parakohshëm i makinave të ujit dhe gazit lotsjellës. Kam parë mjaft drejtues të PS-së, që përpiqeshin ta zbusnin këtë reagim të të rinjve. Nga ç'pashë, them se nuk kishte asgjë të parapërgatitur. Pra, asgjë që duhet të përbënte shqetësim për SHISH-in. Nga ana tjetër, Policia i kishte marrë masat normale të përballimit të një demonstrimi, ishin të pajisur me të gjitha mjetet për mbrojtjen nga gurët dhe shkopinjtë.


Ju keni qenë në krye të këtij shërbimi. Si ka funksionuar në raste të tilla?
Ne kemi pasur plot raste të tilla bile, dhe shumë më të rënda (siç ishte 14 shtatori), ne kemi pasur periudha kur çdo natë demonstruesit e opozitës thyenin xhamat e Ministrisë së Rendit dhe Kryeministrisë, digjnin me Molotov dyert kryesore të Kryeministrisë etj., por asnjëherë policia, që ruante institucionet, nuk qëlloi mbi turmën, nuk përdori gazin lotsjellës dhe makinat e ujit dhe nuk rrahu barbarisht pleq e plaka.


Akuzat e mazhorancës ndaj SHISH-it dhe kreut të këtij shërbimi, në veçanti, nuk janë diçka e re. Kohë më parë është tentuar nëpërmjet një projektligji që të ndryshohej zoti Shaqiri, sidomos pas raportit ku akuzohej mazhoranca. Si e shihni këtë konflikt institucional midis qeverisë dhe SHISH-it?
Konflikti midis Qeverisë dhe SHISH-it është tashmë i vjetër. Kryeministri, me këmbënguljen e tij të njohur, po bën dhe një provë të re, për ta shfrytëzuar këtë ngjarje, për ta hequr Drejtorin e Shërbimit nga detyra. Është interesante të shohim se sa " i zoti" do të jetë edhe në këtë rast.


Cilat organe nuk funksionuan në ngjarjen që shoqëroi demonstratën?
Nuk di se ç'kanë bërë organet, kush funksionoi dhe kush jo. Di se Policia dhe Garda u ngutën dhe treguan shenja papërgjegjshmërie dhe i kapërcyen kompetencat e tyre. Policia u ngut, duke acaruar turmën, kur pa arritur mirë turma para Kryeministrisë, pra pa filluar mirë demonstrata, pas disa gurëve të hedhur nga të rinj të papërgjegjshëm, nxori makinat e ujit dhe gazin lotsjellës, të cilat nuk mëshiruan asnjë, qoftë dhe pleq e plaka. Garda kaloi çdo kompetencë kur filloi të qëllojë me armë, ndërkohë që askush nuk e rrezikonte Gardën apo institucionin që po ruante. N.q.s., gurët e hedhur nga disa të rinj brenda oborrit të Kryeministrisë, tregojnë se ata, apo "shefat e tyre", po kërkonin të kapnin karrigen e Kryeministrit, kjo më duket një "shaka e paqëlluar". Në kohën që Garda qëllonte në oborrin e hyrjes veriore të Kryeministrisë, në gardhin që ndan godinën me bulevardin kishin hipur mjaft demonstrues, që demonstronin një farë entuziazmi, me një farë kompromisi me policinë jashtë gardhit dhe pak gardistë brenda tij. Ky ishte absurditeti i kësaj sjelljeje të Gardës.


Parlamenti miratoi me 73 vota ngritjen e komisionit hetimor. A është i nevojshëm ky hetim në këto momente?
Sipas meje, nuk ka pasur asnjë tentativë për përmbysjen e rendit kushtetues, është diçka që vetëm të çmendurve mund t'u shkojë mëndja, pas ngjarjeve të 14 shtatorit 1998, kur trimat e armatosur të Berishës i morën të gjitha institucionet (Parlamentin, Kryeministrinë, Radiotelevizionin) dhe pastaj ikën vetë prej tyre, me bisht ndër shalë. Sipas meje, ngritja e këtij komisioni bëhet për të justifikuar dhe hedhur tym mbi ngjarjen e rëndë që sajuan, për të akuzuar të tjerët, Opozitën dhe institucionet e papëlqyera, si Prokuroria dhe SHISH-i.


Mendoni se mund të ketë pasur ndërhyrje edhe nga agjenci të huaja në përshkallëzimin e situatës duke qenë se këtë javë do të diskutohet edhe raporti për Dik Martin?
Nuk di të them asgjë në këtë aspekt, por dhe nuk dua të bie në pozitën e atyre, që të gjitha problemet tona ia faturojnë të huajve. Për mua, në këtë situatë, Qeveria dhe institucionet e angazhuara, e humbën qetësinë dhe gabuan, me dashje ose pa dashje, duke vrarë njerëz. Më e rënda, për mua, në sjelljen e tyre, qëndron në faktin se jo vetëm se nuk kanë ndërmend ta pranojnë këtë gabim, por dhe po përpiqen për të përfituar politikisht, duke ia faturuar fajin kundërshtarëve.

No comments: