Thursday, February 03, 2011

Rexhep Qosja: Populli në Shqipëri të largojë me mosbindje civile S.Berishën

Nga Rexhep Qosja | 02/02/2011

Gënjeshtra dhe qytetërimi

Mund të jetë Dekarti, mund të jetë Spinoza, mund të jetë Kanti e mund të jetë Klod Levi Strosi, nuk më kujtohet tash se cili prej tyre, ka thënë, sigurisht jo pikë për pikë siç po e paraqes unë thënien e tij, se njerëzimi ka hyrë në një epokë të re, më të lartë, të zhvillimit kulturor dhe, në përgjithësi, qytetërues, atëherë kur ka filluar ta shikojë e ta dënojë gënjeshtrën si një krim të rëndë.

Dhe, kështu, njerëzimi është shkëputur prej gjendjes parake në të cilën ndodhej kur ka filluar të dënojë gënjeshtarin, që bënte të keqen, e jo atë që i thoshte gënjeshtarit gënjeshtar.
Nuk e di sa e si është dënuar gënjeshtra me ligje në shtetin shqiptar prej se është krijuar ai: nuk e di sa e si është dënuar gënjeshtra gjatë të ashtuquajturës periudhë të peripecive menjëherë pas krijimit të këtij shteti, as gjatë gjashtë muajve të qeverisjes së Fan Nolit me ministrat e tij intelektualë të shquar, as gjatë mbretërisë së Ahmet Zogut, as gjatë totalitarizmit të Enver Hoxhës. E di, ndërkaq, se populli shqiptar në kohën kur nuk kishte arritur ta dënonte me ligje, e dënonte gënjeshtrën moralisht. Sipas traditës popullore, mashtruesi, gënjeshtari, ishte njeri i mallkuar, i përqeshur dhe i përbuzur e, në raste të veçanta, edhe i veçuar.

A e dënojmë ne gënjeshtrën sot me ligje?
A e dënojmë ne sot gënjeshtrën moralisht?
Jo.

Nuk më ka takuar të dëgjoj për gënjeshtar të dënuar ligjërisht dhe nuk më ka takuar të shoh në mediat elektronike gënjeshtar të dënuar moralisht në jetën tonë sot!
Dhe, pikërisht pse gënjeshtari nuk dënohet as ligjërisht, as moralisht, gënjeshtra është bërë mjet i politikës dhe mjet për sukses në jetën tonë. Mjet i moskulturës në jetën tonë.
Gënjejnë intelektualë! Gënjejnë shkrimtarë! Gënjejnë krijues të fushave të ndryshme të arteve! Gënjejnë shkencëtarë! Gënjejnë politikanë, zyrtarë, shtetarë!
Askush më shumë, askush më rëndë, askush më gjithanshëm nuk gënjen se njerëzit e politikës - në mënyrë të veçantë ata të partisë në pushtet - të Partisë së Sali Berishës.
Zëzëllimat e tyre janë bërë të padurueshme.

Mund të them se e njoh mirë historinë e popullit shqiptar dhe mund të them kështu - se e njoh mirë, në radhë të parë sepse e njoh prej përbrenda: e njoh kulturën e tij, e njoh jetën e tij kulturore, shoqërore dhe politike. Njohuritë që kam për historinë e popullit shqiptar, për jetëshkrimet e krijuesve të ndryshëm të kohëve të ndryshme dhe për jetëshkrimet e shqiptarëve që kanë vepruar në politikën e atdheut a të pushtuesit të tij prej fillimeve të Rilindjes Kombëtare, madje, prej kohës së Skënderbeut e deri sot - këto njohuri historike që kam më bëjnë të mundshme të them: në historinë politike dhe në historinë kulturore të popullit shqiptar nuk ka pasur dhe nuk ka njeri publik, politikan a intelektual, që ka gënjyer sa dhe si gënjen ish-kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i tashëm i Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetari 20-vjeçar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Me të, me Sali Berishën, nuk mund të krahasohet asnjë gënjeshtar i yni historik, madje, as pretenduesi i rrejshëm për fronin shqiptar, gënjeshtari spanjoll, Gjin Aleadro Kastrioti!

Gënjeshtarët ontologjikë

Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, gënjen kurdo dhe kudo: në çdo kohë dhe në çdo vend. Dhe, gënjen i harlisur. Ai gënjen në mbledhjet e zakonshme dhe në kuvendet kombëtare të Partisë së tij të quajtur demokratike; në akademi të ndryshme me të cilat përkujtohen vetje politike a kulturore apo me të cilat shënohen përvjetorë shtetërorë a partiakë; në mitingje; në fushata zgjedhore; në mbledhje të Qeverisë së Shqipërisë; në mbledhje të Kuvendit të Shqipërisë; në takime zyrtare a gjysmëzyrtare me bashkështetarë; në takime me politikanë e diplomatë ndërkombëtarë; në biseda në mediat dhe në konferenca me gazetarë; në takime me studentë dhe në takime me pedagogë e shkencëtarë!

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gënjen aq shpesh, aq mjeshtërisht dhe aq naivisht, aq djallëzisht dhe aq primitivisht, aq sofistikueshëm dhe aq hapur, aq premtueshëm e aq kërcënueshëm, saqë të gjitha këto ngjyresa të gënjeshtrave të tij publike bëjnë të mundshme, madje, të domosdoshme, të thuhet se gënjeshtra është thelbi i tij, substanca e tij mendore e shpirtërore, qenia e tij, ashtu siç është servilizmi thelbi, substanca mendore e shpirtërore, qenja e Ismail Kadaresë.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është gënjeshtar ontologjik; dhe antologjik, ashtu siç është Ismail Kadare servis intelektual i diktaturës komuniste dje dhe servis intelektual i despotizmit tribalist të Sali Berishës sot.

Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, si gënjeshtar nuk dua ta krahasoj me gënjeshtarët dhe me mashtruesit e njohur botërorë në shekujt e kaluar, siç ishin Xhon Lo, D'Eon, Nojhof, Kalostro, Plaku Trenk, e të tjerë dhe nuk dua ta krahasoj me ta sepse mashtrimet dhe gënjeshtrat e tyre, që ndodhin në fushë të politikës, nuk prodhojnë për të tjerët, por vetëm për ta, pasojat që prodhojnë gënjeshtrat e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, për shqiptarët.
Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, nuk dua ta krahasoj as me gënjeshtarët e mëdhenj shtetarë, siç ishin Musolini dhe Stalini, dhe nuk dua ta krahasoj me ta sepse ata, të dy, edhe Musolini, edhe Stalini, ishin gënjeshtarë me stil të lartë, që gënjenin për qëllime të larta ideologjike dhe strategjike.

Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, ndërkaq, gënjen për çështje të rëndësishme dhe për çështje të vogla, kur e kur banale. Ai gënjen kur flet për një urë të vogël dhe kur flet për një tunel të madh, kur flet për pajisjen e shkollave me kompjuterë dhe kur flet për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë, kur flet për vitin e kompjuterizimit vetjak dhe kur flet për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, kur flet për historinë e kohës së Skënderbeut e të kohës së komunizmit dhe kur flet për historinë e letërsisë shqipe, kur flet për bllokmenët e vjetër e bllokmenët e rinj dhe për vendin që ka ai ndër të parët dhe ndër të dytë, kur flet për figura intelektualësh dhe kur flet për figura politikanësh.

Në gënjeshtrat e tij rol posaçërisht të madh luajnë numrat dhe krahasimet. Numrat - kur e paraqet zhvillimin e fushave të ndryshme të ekonomisë, të arsimit e të shëndetësisë në Shqipëri dhe krahasimet - kur këtë zhvillim të Shqipërisë e përqas me zhvillimin e vendeve të tjera në Evropë e në botë. Në propagandën e rrejshme komuniste gënjeshtra kurrë nuk ishte aq e çmendur sa në propagandën gënjeshtare, delirante të Sali Berishës.

Vargu i gënjeshtrave

E keni parë dhe e keni dëgjuar çka thoshte dikur për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano. Pjesëtar i klubeve të bixhozit në qendra të ndryshme evropiane; pronar ndërtesash dhe firmash; përfitues nga trafikimi i qenieve njerëzore; pastrues parash; padrino i klaneve mafioze; vrasës i qytetarit në hyrje të Durrësit. E të tjera. Zi e më zi! Dhe, këtë "kryekriminel" i cili, po të ishin të vërteta ato që thoshte atëherë, kur Fatos Nano ishte kryeministër, do të duhej të ishte ende në burg, pas një kohe, kur ai do të bjerë nga politika, do ta shpallë mik të çmuar me të cilin do të përpiqet të ndërrojë gjendjen kuadrore në Partinë Socialiste!

E keni dëgjuar çka thoshte dikur, në Qeveri, në Kuvend, në biseda në televizione për kryetarin e Partisë Socialiste për Integrim, Ilir Metën? I thoshte të gjitha ato që i thoshte për Fatos Nanon plus disa zeza të tjera më të zeza se ato me të cilat e katranoste të parin! Lëshojeni xhirimin e dhënë në emisionin Fiks-fare mbi ato çka thoshte Sali Berisha për Ilir Metën dhe do të krijoni përfytyrimin e përafërt se sa e përshtrirë dhe se sa e përthelluar ishte veprimtaria kriminale e Ilir Metës! Sikur të ishin të vërteta ato që thoshte atëherë kryeministri i tashëm i Shqipërisë, Sali Berisha, për zëvendëskryeministrin e tij mandej shumë të dashur, Dritan Prifti nuk do të kishte pasur nevojë që t'i xhironte fshehurazi bisedat e tij me shefin e partisë në të cilën ishte, sepse Ilir Meta do të ishte i dënuar me shumë vite burg!

E keni dëgjuar çka flet kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, në bisedat televizive, në konferencat me gazetarët , në Qeverinë e Shqipërisë, në Kuvendin e Shqipërisë për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe për zyrtarë të tjerë të kësaj partie?
Besoj se e keni dëgjuar- shumica; dhe shumë herë. Ato fjalë i kemi dëgjuar ne, shikuesit e zakonshëm, dhe ato fjalë do t'i dëgjojnë edhe pasardhësit tanë, që do të merren me patologjinë e jetës sonë të sotme politike. Për këtë arsye nuk e quaj të nevojshme t'i përsëris në këtë shkrim.

Po, me kaq nuk merr fund përmbledhja e deklaratave, e fjalimeve, e bisedave, e vetërrëfimeve, e lavdërimeve dhe e kërcënimeve përplot rrena të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha. Ajo është përmbledhje shumë e vëllimshme dhe vazhdon të plotësohet dita ditës dhe nata natës.

E dëgjuat sa gënjeu dhe si gënjeu kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, më 21, 22, 23, 24 janar dhe sa e si vazhdon të gënjejë për demonstratën e 21 janarit të Partisë Socialiste dhe të qytetarëve të tjerë që nuk janë anëtarë partish?
Së pari tha se tre të vrarët në demonstratë u vranë prej demonstruesve të tjerë dhe u vranë me pistoleta të kalibrit të vogël. Dhe, u vranë, shtoi ai, me qëllim që të akuzohej pushteti për vrasjen e tyre! Nuk kishte nevojë të ishte mjekoligjor as ekspert balistik për të ditur se kjo ishte gënjeshtër e gënjeshtarit të dehur prej urrejtjes.

Mandej, pas disa orësh apo një dite - nuk e di sigurt, kur u përgënjeshtrua prej xhirimeve që kishin bërë kamera a celularë të gazetarëve a të qytetarëve dhe prej deklaratave të atyre që i kishin çuar deri në autoambulanca të vrarët, që dëshmonin se vrasjet u bënë prej gardistëve të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha e ndërroi pllakën dhe tha: gardistët kanë mbrojtur Kryeministrinë. Domethënë: kanë bërë vrasjen duke mbrojtur Sali Berishën (e parrezikuar prej askujt). Dhe, shtoi: me të gjitha këto do të merret prokuroria. Dhe, kur Prokurorja e Përgjithshme e filloi hetimin për vrasjen e demonstruesve të paarmatosur dhe mori vendimin për arrestimin e gjashtë oficerëve të gardës, kryeministri e mohoi ç'tha më parë sepse e mohoi të drejtën e prokurorisë që të merret "me të gjitha këto". Dhe, kështu, edhe gënjeu prapë para opinionit shqiptar, edhe e shkeli Kushtetutën!

Por, për çështjen e hetimit të krimit të bërë prej gardës republikane më 21 janar, kryeministri i Shqipërisë do të gënjejë prapë, e prapë e prapë. Ndërmjetësuesit të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Katrin Eshton, në konfliktin e tashëm në Shqipëri - në konfliktin e tretë ndërmjet dy palëve kundërshtimore në politikën dhe në jetën shqiptare prej se Sali Berisha e sundon Shqipërinë, Mirosllav Llajçak, ai i tha: qeveria shqiptare do të përkrahë hulumtimin e pavarur të vrasjeve. Dhe, kështu, për të njëjtën çështje për tri ditë, gënjeu tri herë.
Përpos këtyre gënjeshtrave për të njëjtën çështje - për çështjen e hetimit të vrasjeve në demonstratën e 21 janarit, kryeministri shqiptar, Sali Berisha, bëri edhe tri gënjeshtra të tjera - tani për qëllimin e demonstratës së 21 janarit.

Cilat janë këto tri gënjeshtra të tjera?

E para, e shpalli demonstratën puç (që bëhet me çadra), që kishte për qëllim marrjen e pushtetit.
E dyta, e shpalli Prokuroren e Përgjithshme bashkëpjesëmarrëse të puçit (pa treguar nëse ishte në shtabin puçist apo demonstruese e thjeshtë); dhe,
E treta, e shpalli bashkëpjesëmarrës të puçit edhe Shërbimin Informativ Shtetëror!
Dhe, dëshmi e tij se demonstrata ishte puç nuk ishin as xhirimet e demonstratës, as deklaratat e demonstruesve, as informatat e shërbimit kombëtar, por, siç e theksoi vetë, informata të shërbimeve të jashtme, të huaja (ndoshta serbe, ndoshta malazeze, ndoshta maqedonase, ndoshta greke, e ndoshta italiane). Informata të shërbimeve amerikane, angleze dhe gjermane ato nuk mund të ishin sepse shërbimet informative amerikane, angleze dhe gjermane gjithsesi nuk do të merrnin pjesë në gënjeshtrat tragjikomike që bën kryeministri i Shqipërisë.

Zyrtarizimi i gënjeshtrave

Nuk ka dyshim se gënjeshtrat që bën kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, prej se fati fatal i Shqipërisë e ka nxjerrë në skenën politike shqiptare, e sollën Shqipërinë ku ishte në vitin 1997; ku ishte në vitin 1998 dhe ku është sot, në vitin 2011! E ku është sot Shqipëria e sunduar prej tij? Është në krizë të rëndë, të gjatë, të vazhdueshme, në të vërtetë në krizë të përgjithshme politike, shoqërore, shpirtërore, morale, që shprehet: me urrejtje të madhe njëzetvjeçare ndërmjet dy anëve politike, që nuk janë të liruara prej mendësish krahinore, dialektore dhe, ndoshta, fetare; me shpërthime të kohëpaskohshme të dhunës në demonstrata të qytetarëve; me largimin e pandërprerë të shqiptarëve prej atdheut të vet - në Itali, në Greqi, në vende të tjera evropiane, në SHBA, në Kanada, në Australi, në Zelandë të Re; me krimet gjithnjë e më të shpeshta në familje; me prostitucion; me drogë; me vetëvrasje; me fatkeqësi të jashtëzakonshme në trafik, në rastet më të shpeshta, të shkaktuara prej shpejtësisë dhe prej përdorimit të pijeve alkoolike; me shpërfytyrim moral që tregohet qoftë edhe me një indiferencë të pakuptueshme ndaj padrejtësisë e ndaj gënjeshtrës, duke përfshirë këtu, sidomos, gënjeshtrat që bën kryeministri me pretorianët e tij partiakë. E të tjera. E të tjera.

Pse Sali Berisha në vazhdimësi gënjen si individ, domethënë pse si individ në vazhdimësi dëshmohet gënjeshtar ontologjik - kjo edhe mund të durohet.
Por, pse Sali Berisha në vazhdimësi gënjen si kryeministër i Shqipërisë, domethënë pse si zyrtar i lartë shtetëror dëshmohet pandërprerë gënjeshtar ontologjik - e kjo nuk durohet, kjo nuk mund të durohet, kjo nuk duhet të durohet. Mund të thuhet kështu, në radhë të parë për shkak se gënjeshtrat e tij janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen gënjeshtra partiake, gënjeshtra të një partie të madhe, gjithsesi të partisë së dytë për nga numri i anëtarëve në Shqipëri. Si gënjeshtra të ndërtuara dhe të shqiptuara prej kryeministrit dhe kryetarit të Partisë ato bëhen më lehtë gënjeshtra kolektive dhe zyrtare: gënjeshtra të zyrtarëve më të lartë partiakë në institucionet e shtetit: gënjeshtra të kryetares së Kuvendit, gënjeshtra të deputetëve, gënjeshtra të zëvendës-kryeministrave, gënjeshtra të ministrave, gënjeshtra të zëdhënësve dhe zëdhënëseve të partisë në institucionet partiake e shtetërore, gënjeshtra të diplomatëve anëtarë a përkrahës të PD-së, gënjeshtra të pronarëve, drejtorëve, kryeredaktorëve, gazetarëve të medieve elektronike e të tjera që janë anëtarë të PD-së apo përkrahës të saj. Dhe, kështu me radhë. Dhe, kështu me radhë e pa radhë. Të gjithë këta pretorianë partiakë, politikë dhe profesionalë, jo vetëm se i shqiptojnë gënjeshtrat e kryeministrit, por, kur e kur, i zmadhojnë, i plotësojnë, i drakulizojnë.

E dëgjuat çka tha njëri nga këta pretorianë partiakë, që është i shpërblyer me post ministror për rolin e treguar në popullarizimin e gënjeshtrave të kryeministrit? Ai tha duke shqelmuar logjikën dhe gramatikën për ç'arsye po e parafrazoj thënien e tij për "barutin plot barut": ajo vetura me të cilën banda e demonstruesve iu vërsul derës së rrethojës së kryeministrisë ishte plot me eksploziv!

Kjo gënjeshtër ishte aq e marrë, aq e çmendur, saqë nuk kuturisi ta shqiptonte as kryeministri, i cili nuk stepet as nga gënjeshtrat më fantastike.
Duke u bërë gënjeshtra kolektive, partiake, zyrtare, gënjeshtrat e kryeministrit të Shqipërisë janë bërë aq më të rrezikshme, aq më kërcënuese sepse kanë fuqi më të madhe përshtrirëse dhe fuqi më të madhe shkatërruese në organizimin e shtetit dhe në përbashkësinë e Kombit.

Gënjeshtrat dhe demokracia

Për shkak të ndikimit të tillë shpërbërës, shkatërrues, shpërfytyrues në shtetin e në jetën shoqërore në përgjithësi të gënjeshtrave që mund të shqiptojnë zyrtarët, popujt me tradita shtetërore dhe politike i dënojnë rëndë gënjeshtarët politikë e shtetërorë dhe i ndëshkojnë rëndë gënjeshtrat e shqiptuara prej tyre. Në botën demokratike, politikani, shtetari, zyrtari, që bën qoftë edhe një gënjeshtër e lëre më më shumë, detyrohet të japë dorëheqje vetë apo shkarkohet nga pozita. Varësisht prej peshës së gënjeshtrës dhe pasojave të saj ai mund të dënohet për krim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fjala vjen, për herë të parë në historinë e tyre e kanë shkarkuar një kryetar - e kanë shkarkuar nga pozita e kryetarit të SHBA-ve, Riçard Niksonin, jo pse kishte ndodhur afera Uotergejt, por pse kishte deklaruar se nuk kishte ditur se po ndodhte kjo aferë.

Njëri prej kryetarëve më të popullarizuar amerikan, Bill Klinton, ishte gjetur në prag të shkarkimit nga pozita jo pse kishte vënë marrëdhënie të palejuara në Shtëpinë e Bardhë me një nëpunëse të administratës presidenciale, por pse në fillim kishte mohuar se kishte pasur lidhje me të. Ishte mirëkuptuar kur kishte kërkuar falje prej amerikanëve pse nuk e kishte thënë të vërtetën.

E ne, ç'bëjmë ne?
Ne jo vetëm se nuk dënojmë me ligje gënjeshtrat 20-vjeçare të ish-kryetarit të Shqipërisë, të kryeministrit të tashëm të Shqipërisë, të kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, që ka sjellë mendësinë lindore despotike dhe gënjeshtare në jetën politike e shtetërore shqiptare, por nuk i dënojmë ato as moralisht. Përkundrazi: ndodh të bëhemi përkrahës dhe popullarizues të tyre. Jo vetëm kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, jo vetëm zëvendës-kryeministri, jo vetëm ministrat, jo vetëm deputetët, jo vetëm diplomatët, jo vetëm zyrtarët e sektorëve të ndryshëm pushtetorë, jo vetëm drejtorë, kryeredaktorë, redaktorë, gazetarë, po edhe intelektualë mund të shihen e mund të dëgjohen e mund të lexohen duke u shërbyer me gojë e me shkrim gënjeshtrave të kryeministrit të Shqipërisë! Prej drojës! Për leverdi!

Po, t'i kthehem asaj fjalisë me të cilën e fillova këtë sprovë mbi gënjeshtarin ontologjik kampion ndër gënjeshtarët në historinë politike dhe kulturore shqiptare.
Në qoftë se është e vërtetë se njerëzimi është shkoqur nga gjendja parake dhe është ngritur në shkallë më të lartë të zhvillimit kulturor dhe, në përgjithësi, qytetërues, atëherë kur ka filluar ta shikojë dhe ta dënojë si krim të rëndë gënjeshtrën, mos do të thotë kjo se politika e Sali Berishës, në të cilën është e mbajtur gënjeshtra si thelb, kuptim dhe mjet i saj, tregon se ne në atë shkallë ende nuk jemi ngritur?
Nuk dua të besoj në këtë mundësi.

Ndëshkimi i gënjeshtarit
Gënjeshtrat e vazhdueshme, zyrtare, të Sali Berishës dhe të pretorianëve të tij partiakë, që kanë pushtuar institucionet e shtetit shqiptar, jo vetëm se sjellin dëmet, kërcënimet, rreziqet që po shohim këto ditë, por edhe e fyejnë rëndë popullin shqiptar. Nuk thuhet kot në botë: popullin nuk ka të drejtë ta gënjejë asnjë njeri politik. Dhe, askush.

Populli shqiptar do ta rikthejë dinjitetin e përulur, të fyer rëndë prej gënjeshtrave të Sali Berishës dhe pretorianëve të tij politikë e shtetërorë vetëm në një mënyrë: duke e larguar Sali Berishën prej pushtetit dhe, pas largimit prej pushtetit, duke kërkuar hetimin e pasojave të gënjeshtrave të tij në jetën kombëtare dhe në sigurinë e qytetarëve. Dhe, kjo mund të arrihet jo me fjalimet poetike e përshtypjelënëse të Edi Ramës, por (në qoftë se nuk pranohen zgjedhjet e parakohshme) me lëvizje popullore dhe mosbindje qytetare. Jam thellësisht i bindur se vetëm duke e larguar Sali Berishën prej pushtetit dhe duke e nxjerrë në gjyq për pasojat kriminale të politikës së tij sidomos më 1997, 1998 dhe, tani, më 2011 Shqipëria do ta kthejë rendin, paqen, drejtësinë dhe qëndrueshmërinë. Dhe, ç'është me rëndësi tepër të madhe: do ta ndalë rënien shpirtërore dhe morale që po e shkallmon.

Prishtinë 29.1.2011

No comments: