2011-05-16
Engjëll Serjani
Nuk është shumë e qartë se cilat janë arsyet e vërteta të një ndryshimi të pritshëm në krye të “Omonia”-s, por një gjë është shumë e qartë, që bashkë me humbjen e Bashkisë së Himarës, është zbehur edhe shkëlqimi i “yllit” të deritanishëm të “Omonia”-s, Vasil Bollano dhe ka humbur besimi i të gjithë faktorëve që e ngritën lart Bollanon. Pavarësisht nga rrymat dhe korrentet e brendshme apo të jashtme, që lëvizin brenda binomit “Omonia” - PBDNJ, rezultatet e 8 majit, fitorja e thellë në zonën e Dropullit dhe në Gjirokastër e PBDNJ-së, nga njëra anë, ndërsa goditja e fuqishme që PBDNJ mori në Bashkinë e Himarës me humbjen dhe njëkohësisht rënien përfundimtare të “mitit” të Bollanos, është ana tjetër dhe kjo kërkon një strategji dhe lidership të ri në krye të “Omonia”-s.
Gjatë një bashkëbisedimi të shkurtër me kreun e PBDNJ-së, zotin Vangjel Dule, në shkallët e Pallatit të Sportit në Gjirokastër, pikërisht në momentin kur ai mori në dorë tabelën e rezultateve të Komunës së Odries, që zyrtarizonte komunën e katërt të fituar nga forca politike që drejton, entuziazmi dhe euforia e momentit u fashit menjëherë pas pyetjes: “Si ndodhi që e humbët Himarën?”. Përgjigjja erdhi disi e vonuar: “Nuk e di se si?! Ndoshta sepse Vasili (Bollano) e nënvleftësoi kundërshtarin. Nuk e prisnim vërtet këtë rezultat”. Përgjigje, në dukje e thjeshtë dhe e sinqertë, domethënë një humbje që nuk pritej, por jo dhe aq diplomatike, sepse dhe gjithsesi përgjegjësinë e humbjes, nuk e nënkupton, por e përcjell në mënyrë të drejtpërdrejtë: humbën sepse ishte Vasili që “...nënvleftësoi kundërshtarin”. Pyetjes pasuese në shkallët e Pallatit të Sportit në Gjirokastër: Pas kësaj humbjeje, a do të ketë ndryshime në krye të “Omonia”-s?, zoti Dule, përtej një buzëqeshjeje të lehtë, iu përgjigj: “Mos na lodh me këto pyetje, boll na ka lodhur fushata”.
Mirëpo, nëse diplomacia e ditës e zotit Dule mungoi në përcaktimin e përgjegjësisë së humbjes në Bashkinë e Himarës, diplomacia “sofiste” që e karakterizon shpesh zotin Dule, realisht kryetar i PBDNJ-së dhe potencialisht edhe lider i “Omonia”-s, në këtë deklarim të tij u shfaq në shmangien “me lezet” të faktorëve të vërtetë që shkaktuan prekjen e imazhit të “Omonia”-s, e po kaq të PBDNJ-së, në një zonë ku janë shpenzuar shumë energji dhe para siç është Himara dhe për një person siç është kryetari “legjendar” himarjot, Bollano.
Megjithatë, duhet thënë se humbja e PBDNJ-së nuk ka vetëm emrat Himarë dhe Bollano, pasi kandidati i saj në Komunën Finiq, Sokrat Spiros humbi përballë Ziso Llucit të partisë rivale MEGA, rrudhje të konsiderueshme ka pësuar PBDNJ edhe në përfaqësimin e vet në Këshillin Bashkiak të Sarandës, ku ka mundur të sigurojë vetëm një mandat, nga tre që kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2007, ndërkohë që rivalja e saj, partia e re MEGA në këtë garë të parë ka fituar dy këshilltarë.
Por duke u larguar nga rezultatet pozitive të PBDNJ-së në Gjirokastër, nga rezultatet disi të balancuara në Sarandë dhe duke bërë një analizë korelative të faktorëve të humbjes në Himarë, natyrisht që në indikatorët sintetikë me ndikim negativ për partinë e Dules përfshihen: futja në garë për herë të parë e MEAG-s me kandidatin e saj, Dhimitër Llazari; “divorci” i pjesshëm me “Aleancën për të Ardhmen” që vendosi kandidatin e saj Jorgo apo Gjergji Goro; nënvleftësimi nga vetë Bollano i rivaleve (e shprehur kjo nga vetë Dule); transporti në numër më të madh nga rivalët i emigrantëve nga Greqia për të votuar në Himarë, etj.
Natyrisht që kjo është analizë e faktorëve të dukshëm dhe të njohur. Por ka ca indikatorë të tjerë të “nëndheshëm”, që nuk duken në vështrim të parë, që nuk llogariten dot aq lehtë, por që sidoqoftë nëse do t’i parashtronim në formë të pyetjeve retorike pa kërkuar përgjigje, atëherë analiza e situatës dhe rezultateve përfiton diçka prej tyre. Bie fjala: Pse nuk kishte kjo fushatë në Himarë tensionet e fushatave të mëparshme? Pse nuk kishte aty deputetë, emisarë dhe skuadra gazetarësh të ardhur nga Athina? Pse nuk kishte kontestime nga zoti Dule për procesin?
Në përgjigje të këtyre pyetjeve, për të cilat nuk kërkuam përgjigje, po parashtrojmë përsëri ca pyetje të tjera, prej të cilave kërkohen përgjigje: Mos vallë kandidatura e Bollanos nuk ishte marrë me seriozitet nga vetë Dule? Mos vallë për Dulen misioni Bollano në Himarë këtu mbaron? Mos vallë “ylli” i Bollanos u ngrit më lart seç kishte menduar Dule? Mos vallë Bollanos i është sosur vaji i kandilit?
E vërteta është se në rrethanat e reja politike të daljes në dritë të një partie të re me profil grek si MEGA, pavarësisht se pozicionimi dhe aleancat e saj në raport me spektrin politik shqiptar ende nuk janë formëzuar, raportet dhe ndikimi i PBDNJ-së tek “Omonia” si “organizata mëmë” e të gjithë grekëve pa dallim, bëhen tepër të diskutueshëm nga Athina zyrtare dhe sidomos diaspora greke që është mbështetësja më e fuqishme e faktorëve dhe komunitetit etnik grek në Shqipëri.
Ditët e fundit në Dropull, sidomos në Derviçian, që pas fitores së katër komunave nga PBDNJ më 8 maj në Rrethin e Gjirokastrës i është rikthyer statusi i humbur si “kryeqyteti” i grekëve të Shqipërisë, është vënë re një lëvizje e dendur e liderëve të PBDNJ-së dhe të disa emisarëve nga diaspora greke e përtejoqeanit. Qarkullojnë zëra se do ketë ndryshime në krye të “Omonia”-s. Natyrisht që Dule nuk do që ta humbasë shansin për të vënë në krye të saj “dorën” e tij, kryetarin aktual të “Omonia”-s në Gjirokastër, të rikonfirmuar si kryetar të Komunës së Dropullit të Poshtëm për një mandat të tretë.
Sidoqoftë, ndryshime dhe reflektime pas zgjedhjeve vendore në udhëheqjen e “Omonia”-s edhe do të ketë, por ajo që mbetet si pyetje është: Mos vallë për kryetarin “de fakto” të “Omonia”-s Vangjel Dule, është sosur vaji në kandilin e Bollanos?
No comments:
Post a Comment