Saturday, July 16, 2011

Himarë, prezantohet plani 20-vjeçar për zhvillimin e zonës 2011-07-16

Një studio greke ka punuar që nga muaji mars për projektin që bazohet te turizmi

Një projekt që i vë kufi zhvillimit spontan të turizmit në zonën e Himarës është paraqitur dje paradite në bashki nga një grup ekspertësh të huaj. Para specialistëve të fushës së urbanistikës, të mjedisit dhe shërbimeve publike projekti është prezantuar nga dr. Athnasios Pagdius, drejtues teknik i projektit. Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, tha se ky projekt është ndër investimet më të mëdha që ka të bëjë me programimin e zhvillimit të zonës së Himarës në 20 vitet e ardhshëm. Një ndër impaktet më të fuqishëm që pritet të japë projekti, sipas kryebashkiakut Goro, është se ai vendos bazë ligjore për ndërtimet në këtë zonë me të ardhme turistike dhe se ai orienton drejt një kombinimi të vlerave të natyrës dhe mjedisit me ato të trashëgimisë historike e kulturore. “Vizioni i projektit orientohet nga pikëpamja e zhvillimit hapësinor, duke përfshirë periudhën 20-vjeçare të zhvillimit të zonës në perspektivën e afërt”, u shpreh dr. Athanasios Pagdius, drejtues teknik i projektit. Sipas tij, projekti përmbush kërkesat ambicioze të Bashkisë së Himarës, duke ndihmuar në përcaktimin e tipit të turizmit që përshtatet më shumë. Mirlinda Rusi, nga Qendra për Kërkim e Zhvillim, tha se: “Projekti afirmon mbetjen e Himarës, një nga zonat më atraktive për turizëm, me natyrën tepër të veçantë dhe resurse të tjera, që ne do t’i aktivizojmë”. Studimi mbështetet në disa elemente kryesore, duke e parë shumanëshmërisht Himarën si destinacion turistik për vendasit dhe të huajt dhe për ta sjellë atë në një standard të lartë zhvillimi të turizmit, në përputhje me pozitën gjeografike tepër të veçantë, me një kulturë shekullore, ku mitet dhe objektet e vjetra të pasurisë kulturore janë zotëruese dhe si vend edhe më atraktiv për zhvillimin e turizmit shqiptar. Realizuese e projektit është një kompani greke me histori 50- vjeçare, e përzgjedhur nga Bashkia e Himarës, e cila ka në bordin e saj dhjetë ekspertë ndërkombëtarë në fusha të ndryshme. Puna ka nisur prej fillimit të muajit mars dhe pritet që ai të marrë formë përfundimtare në fundin e vitit 2011. Kreu i ri i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha se “ai është një nga investimet më të mëdha të Bashkisë së Himarës për këtë vit, që ka të bëjë me programimin e zhvillimit të zonës së Himarës për 20 vitet e ardhshme”. Ai vlerëson përcaktimin e tipit të turizmit që i shkon më shumë Himarës, që është një kombinim midis turizmit elitar dhe atij me interes të veçantë: sportiv, të aventurës, religjioz, arkeologjik, malor e detar.

No comments: