Wednesday, January 04, 2012

Racizëm provincialësh Anti-Greqi dhe Anti-Serbi i kuqezinjve

Me lindjen e lëvizjes më të fundit në skenën tonë politike Aleancës KuqeZi,tashmë kanë nisur dhe analizat kundrejt saj,duke marë si fenomen ekuivalent lëvizjen Vetëvendosje dhe kredon e saj të majme politike të marrë në një elektorat të madh në Kosovë. Po a është Aleanca KuqeZi një Vetëvendosje? Analizat e ndërmarra kundrejt saj nga individë të ndryshëm dhe hulumtues mediatikë e shohin këtë lëvizje vetëm në dukjen e saj, duke lënë jashtë me shkak mënyrën e organizimit dhe boshtin ideologjik të Vetëvendosjes. Po ashtu dhe 'inputet', të cilave u përgjigjet ajo me aksione politike. Pra askush nuk e merr mundimin të analizojë si organizohet Vetëvendosja dhe si strukturohen KuqeZinjtë?

Vetëvendosja nga mënyra e të organizuarit shihet si organizatë horizontale, me forma dhe përmbajtje të njëjtë me një organizatë civile, pra e ka ruajtur dhe vazhdon ta ruajë me fanatizëm atë ''Lëvizjen'' dhe mohon sistematikisht shndërrimin e saj si alternativë partiake dhe pse është forca e tretë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa KuqeZinjtë, të cilët kanë nisur të strukturojnë organizmat partiakë: Forumin e Gruas, Rinisë, Diasporës, e kanë të centralizuar gjithë pushtetin rreth një individi të vetëm: Kreshnik Spahiut. Ky është ndryshimi embrional midis VV-së dhe AKQZ-së, sepse e para mbetet lëvizje horizontale pa organizma nën varësi dhe me pushtet të decentralizuar prej të barabartësh, ndërsa e dyta është hierarkike dhe me pushtet të centralizuar ku asnjë individ i jashtëm nuk mund të kontribuojë dhe të vetëvendosë siç ndodh në VV.

Ku është ndryshimi midis Nacionalizmit të Vetëvendosjes dhe Nacionalizmit të Aleancës? Ndryshimi midis VV-së dhe Aleancës është se e VV-ja ka kauzë dhe bosht mbështetës ideologjik, ndërsa e dyta nuk ka as kauza dhe nuk ka as bosht ku mund të mbështetet. Vetëvendosja në esencë si term është e drejta universale e popujve nën një bashkim të dhunshëm federativ të ndahen dhe të krijojnë shtetin e tyre dhe pikërisht këtu nis dhe kauza e VV-së e nacionalizmi i saj. Theksi i nacionalizmit të VV-së bie mbi kolonizimin e Kosovës me anë të një sistemi mandatesh, i cili kufizon drejtëpërsëdrejti sovranitetin politik dhe mohon tërthorazi ekzistencën e institucioneve dhe shtetin e Kosovës, sepse ekzekutivin në këtë rast e kanë institucionet ndërkombëtare, madje më vendimarrës dhe ekzekutivë se vetë Qeveria e kryesuar prej Hashim Thacit. Një kauzë tjetër bie dhe mbi strukturat paralele serbe, të cilat bien ndesh me premisat e ekzistencës së një shteti dhe sovranitetit te tij sepse mohojnë ushtrimin e pushtetit publik në një territor dhe masë të caktuar njerëzish, gjithashtu dhe elementët e pavarësisë së pushtetit shtetëror nga çdo pushtet të një shteti tjetër, organizimit të një rendi juridik dhe mbrojtjes së tij dhe epërsinë e pushtetit shtetëror mbi çdo pushtet tjetër në vend, në një kohë kur serbët e veriut kanë kushtetutë të tyre dhe një territor ku komandon një pushtet tjetër.

Po ashtu ndeshet dhe me kolonizimin e ekonomisë, privatizimin masiv të shtetërores e së përbashkëtës dhe konceptin Komb i ndryshuar me synim të errët nga ndërkombetarët dhe kushtetutën Ahtisari, të cilët e shohin Kosovën si një bashkësi ose Komb politik bosnjëzues kur 95% e popullsisë është shqiptare. Vullneti dhe vendimarrja politike e shtetasve të Kosovës shihet si a priori ose e drejta kryesore për një bashkim Kosovë Shqipëri në një shtet të vetëm, të nisur në saj të dëshirës dhe forcimit, në një kohë kur sistemi mbinacional është shndërruar në një sistem varësie dhe GjeoPolitika si levë e rëndësishme e interesave të shteteve të ndryshme mbi shtetet e tjera.

Ndërsa Kuqezinjtë nuk kanë kauza dhe mbështeten në ëndrra të vilajeteve osmane,madje ata nuk zhvillojnë as një nacionalizëm të mirëfilltë që ka synim Volksgeistin, atë nacionalizmin kulturor të ringjalljes së vetëdijës dhe kulturës kombëtare por një Racizëm provincialësh AntiGreqi dhe AntiSerbi, në një kohë kur këta të fundit nuk e cënojnë sovranitetin tonë territorial dhe politik sa kolonizimi i ekonomisë nga sharlatanë të huaj, anëtarësimi në çdo organizatë të mundshme ndërkombëtare, ndërhyrja në punët e brendshme të ambasadorëve të atashuar dhe kthimi i atdheut në kosh mbeturinash, etj, etj. KuqeZinjtë nuk meren me Hegelin dhe as me filozofinë moderne dhe nuk kanë në ndërthurje të tyre elementë tejet intelektualë dhe filozofikë, por tifozë të dehur nga duhma të boshta shoviniste dhe kauza kërnackash.

KuqeZinjtë ose nuk e kanë marrë ose s’duan ta marrin vesh se varësia ekonomike krijon drejtëpërsëdrejti varësi politike dhe nuk mund të jemi të barabartë me të tjerët kur nuk kemi as një demokraci të konsoliduar dhe as një ekonomi të fortë, kur nuk kemi as një nivel kulturor dhe arsimor, kur nuk kemi as ushtri dhe vendimarrje të konsiderueshme në organizma ndërkombëtarë. Kuqezinjtë duan Shën Naumin, por a mund të merret ai kur është dhënë me firmë? Kurrë.

Kuqezinjtë duan Iliridën, Malësinë, Çamërinë, por a mund të merren ato kur në Iliridë ndasitë kanë krijuar hone mosmarrëveshjesh të mëdha, në Malësi nuk jemi as 10%, ndërsa në Çamëri de dure nuk ekzistojmë? Kurrë.

Ndërsa me Kosovën dhe mundemi nëse në Ballkan nuk kërkohet riformëzimi i kufinjve në efekt domino. Dhe këtu ndodh ndryshimi më i madh midis dy organizatave, VV-ja e sheh krijimin e shtetit të madh si një mundësi per t’u shndërruar në faktor të rëndësishëm gjeopolitik dhe ekonomik në Ballkan e ndoshta dhe më tej, në një sistem hierarkik mbinacional ku të mëdhenjtë shfrytëzimin ekonomik me mallra dhe shërbime të ndryshme e shohin tek ne konsumeristët e shteteve periferikë duke na vënë dhe nën varësinë politike, ndërsa KuqeZinjtë s'kanë ide dhe formëzimin e një Komb'Shteti të madh e nisin në andralla shovene.

Kurti e sheh shtetin e madh si komunitet njerëzish të barazisë sociale dhe politike në një demokraci të drejtëpërdrejtë, ndërsa KuqeZinjte heshtin kur demokracia shkatërrohet dhe minatorët shfrytëzohen nga Austriakët. E si mund të jesh nacionalist kur hesht kundrejt shitjes së territorit me anë të ''1 euros'' së Berishës dhe kolonizimit kolektiv të ekonomisë shtetërore? Ky është kufizim sovraniteti dhe kauza me të cilën Kurti dhe Vetëvendosësit dalin të demonstrojnë kundër Qeverisë. Si mund të jesh nacionalist kur Ambasadorokracia ose më saktë ambasadori amerikan në Tiranë luan me zell rolin e kryeministrit dhe ''Atit të Kombit'', ndërsa në Prishtine Vetëvendosësit kundërshtojnë mendësinë e sovranitetit absolut të ambasadorit amerikan Dell dhe rolin e tij vendimarrës? KuqeZinjte heshtin kundrejt marrëveshjes detare dhe dhënies së territorit detar në bazë të disa ''konventave'' fantazëm, ndërsa Vetëvendosësit luftojnë karshi marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ose thëne me sakte e nisur ne citatin e Gjeneralit Sharl De Gol se: 'Patriotizëm do të thotë të duash të tutë, ndërsa Nacionalizëm të urresh të tjerët', dilet në konkluzionin se Vetëvendosësit duan të vetët, ndërsa Kuqezinjtë urrejnë të tjerët, ndaj s'mund të jenë kurrë njësoj.

No comments: