Tuesday, April 24, 2012

Dule: Himara po kthehet në Kandahar, prishjet selektive

Sipas "Mapo": "Sipas kryetarit të Bashkisë, ndërtime pa leje në zonën e Himarës po prishen sipas listës që është gjetur nga ish-kryetari Bollano"!!!

Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, nëpërmjet një deklarate për mediat ka reaguar dje lidhur me prishjen e ndërtimeve pa leje në Himarë. Sipas Dules, Himara është bërë objekt aksionesh selektive, ndërkohë që denoncoi dhunimin e qytetarëve në Qeparo. Më herët, kryetari i Bashkisë, Jorgo Gora tha se prishjet po bëheshin në bazë të një liste prej 300 objektesh, të hartuar nga ish-kryebashkiaku, njëkohësisht kreu i Omonia-s, Vasil Bollano.

“Në prag të çeljes së sezonit turistik, zona bregdetare e Himarës bëhet objekt aksionesh të Policisë Ndërtimore me pretekst prishjen e objekteve të paligjshme, duke i dhënë zonave të caktuara me karakter më turistik, karakteristika të tipit ‘Kandahar’. Duke filluar nga Llogaraja, vazhduar në Palasë dhe deri në Qeparo, po betonizohet brezi i rërës intensivisht me mbështetjen e autoritetit bashkiak të Himarës. Prishja e objekteve të deritanishme është bërë kryesisht selektive, me karakter hakmarrës dhe në dëm të banorëve autoktonë”, – u shpreh Dule në një komunikatë për mediat. Reagimi ka ardhur pasi dy ditë më parë, Bashkia e Himarës nisi një operacion së bashku me Inspektoratin e Ndërtimit për prishjen e objekteve pa leje në zonën e plazhit të kësaj bashkie. INUK ka verifikuar më parë ndërtimet që ishin bërë pa marrë lejen e Bashkisë dhe në shoqërinë e forcave policore dhe Inspektoratit Vendor kanë filluar shkatërrimin e këtyre objekteve. “Aksioni do të vijojë edhe në ditët e ardhshme përgjatë kësaj zone turistike”, – njoftoi INUK.

Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro tha për median se ka një plan që do të rehabilitojë para fillimit të plazhit zonën, por pranon se ndërhyrja duhej të ishte bërë më herët. Sipas kryetarit të Bashkisë, ndërtime pa leje në zonën e Himarës po prishen sipas listës që është gjetur nga ish-kryetari Bollano, janë rreth 300, ndërkohë që po prishen vetëm ato objekte, të cilat kanë zënë hapësirat publike në plazhe. “Kjo bëhet në mënyrë që qytetarët të vijnë e të gjejnë rërë. Po s’gjetën plazh, atëherë është e kotë që ne si bashki të vazhdojmë të themi që kemi plazhe”, – theksoi Goro ditën e nisjes së aksionit.

No comments: