Wednesday, August 01, 2012

Himara-Bollano-Greket dhe Cipa-nje hartim i bukur-argumentat ne numrin tjeter

Dhërmiu, një elegji për zhvillimin

ALEKSANDER ÇIPA

Aleksander CipaMakutëria betonizuese ka “çastin e mbramë” në Bregdetin e Jugut, por në mënyrën më të bujshme, në këtë stinë, po zbulohet në Dhërmi. Është fshati i dytë për nga madhësia pas Himarës, në bashkinë me shtatë fshatra, që tashmë me të drejtë mund të quhet një qytezë. Një qytezë ku ritmi i vilangritjes dhe i hotelerisë shumëformëshe shfaqet më e vrullshme së kurrë ndonjëherë, por që infrastruktura urbanizuese vjen e vonuar si në vitet 1995-1999 në zonën e Durrësit dhe sidomos përgjatë Shkëmbit të Kavajës. Një investim i vrullshëm privat, që sapo e sheh në atë pamje amorfe, vetvetiu të le shijen e keqe të uzurpimit sipas kriterit të pasjes dhe të korruptimit të lejedhënësve. Një ritëm i shpallur sidomos gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të 2011-s dhe që në masën më të madhe të tij ende është i pazbuluar.

Zona bregdetare nga gadishulli i Karaburunit dhe deri në Borsh, pra territori administrativ i Bashkisë së Himarës, gjatë këtyre pesë vjetëve të fundit ka përjetuar një proces të vrullshëm pronësimi. Procesi i letërnxjerrjes për pronësi të drejta e të padrejta, përbën një ndër zgafellat më të mëdha të korrupsionit pronësor në Shqipëri, por që në këtë zonë formësohen kazuse tronditëse, nëse do të investigoheshin dhe do të publikoheshin. Marrëdhënia e krimit mes Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me subjekte dhe private pronakërkues është realisht një “thembër Akili” për korrupsionin dhe abuzimin e pandëshkuar shqiptar. Në këtë zonë kjo marrëdhënie ka një ngjizje malinje dhe përbën ndoshta mostrën më kriminale të këtij realiteti të pashoq. Por për këtë zonë është më specifik, pasi vlera e tokës në këto vise është e paçmuar, lakmia për to është më e madhe se vetë ndërgjegjësimi i banorëve që jetojnë diversitete idioteske dhe që përçapen nëpër zgjedhje jo vetëm disa herë të gabuara, por me risqe të forta përdorimi politik.

Por le të mbetem vetëm te Dhërmiu, te masakra e vërtetë gjëmëmadhe që i ka rënë përsipër këtij fshati-qytezë dhe te vobektësia që po shfaq qeverisja vendore dhe trashëgimia qeverisëse, përballë makutërisë që vjen me shumë protagonistë dhe me dhjetëra mbështetje nga blerës e investitorë të njohur e të dyshimtë nga Tirana dhe qytetet e tjera, pse jo me potencial dhe begraund të certifikuar kriminal. Në Dhërmi vetëm gjatë periudhës së vitit 2005 deri në 2010 janë kryer mbi 400 akte shitblerjesh të tokave dhe pronave private dhe publike. Një proces intensiv kontraktimesh vijon të nënshkruhet mes banorëve vendas dhe ofertuesve të ardhur nga vise të ndryshme. Qindra hektarë dhe dynymë janë vënë në dispozicion të lejekërkimeve për ndërtime pranë Bashkisë së Himarës, ndërkohë që dhjetëra të tjera, pa dijeninë e banorëve janë firmosur nga qeverisësit vendorë në vitet e saposhkuara. Kjo “ujëvarë” lejesh nuk është bërë publike dhe nuk ka asnjë listë të publikuar gjatë 10 vjetëve të fundit. Ndërkohë që skeptik të bën edhe marrëdhënia që ka pasur Bashkia e Himarës me studion greke e cila fitoi tenderin për planifikimin dhe studimin e territorit administrativ të zonës. Dhjetëra objekte, të cilat tashmë juridikisht janë legalizuar dhe që në dy apo tre vjetët e ardhëm do të ngrihen befasueshëm në hapësirat e virgjëra të Dhërmiut, do ta kthejnë edhe këtë vis, në një model tjetër alashqiptar, ku betonizimi dhe kultura urbanistike e tipit “Rammallah”, do të bëhen imazhi tipologjik zhvillues sikundër Saranda, Vlora apo qytetet e tjera të bregdetit shqiptar.

Dhërmiu është këtë sezon veror, një fshat me shumë e shumë më tepër godina sesa një vit më parë, me shtesa në godinat e vjetra dhe me rrethime murore zymtuese. Rrugicat janë bërë edhe më të ngushta dhe psikologjia e zënies edhe të një pëllëmbe më shumë në rrugën me kthina është e kudogjendur. Muret rrethuese të shtëpive dhe vilave janë bërë dhe po bëhen të frikshme. Aq sa lehtësisht imazhi i vilave mafioze siciliane apo në Rexhio Kalabria, të shfaqet vetiu. Një imitim i keq i sjellë nuk e di prej ç’indicieje apo reminishence arkitekturale.

Janë shtuar dhomat dhe shtretërit për pushuesit, dhe këtu mbyllet krenaria për zhvillimin ekonomik lokal të kërkuar propagandistikisht me aq vrull dhe palogjikë nga qeveria aktuale. Dhjetëra ndërtime të paligjshme kanë mbirë, pak nga vendas e shumë nga pronarë të rinj. Një fushatë shembjesh e zhvilluar dy muaj më parë, ishte vetëm njëkalimshe dhe natyrisht me goditje selektive.

Dikur fanatikët lokalë grekdashës që shpikën parullat idioteske “Himara u takon himarjotëve” dhe që në emër të kësi kauzash provinciale zinin edhe rrugët apo shkruanin muret me parulla që i lexonin vetëm ata, tashmë fshehin kokën si struci për të mos u zbuluar mëkati i tyre gjëmëmadh. Zullumi i rëndë i kryebashkiakut të dikurshëm Bollano, zbulohet çdo ditë e më shumë. Është një zullum i rëndë dhe fatkeqësisht i pandreqshëm. Një krim “obez” antiurban, i cili ka rënë mbi Dhërmiun dhe fshatrat e tjera të Himarës. Natyrisht, këtij krimi nuk mund t’i bëhet luftëtar Kryeministri aktual edhe pse po ngjiret si misionar i antiimunitetit. Në Dhërmi, në këtë fshat, ku ka pak vite që Kryeministri Berisha preferon të shpallë dhe të fitojë një rekord noti me veten, pra në këtë vis notarësh ku rekordin e sjell njeriu që noton keq, rekordi i frikshëm është ai që s’duan ta shohin provincialët e këtij visi dhe që s’kanë kohë as ta mendojnë me gjuhën e shpifur sejmenët politikë që idiotisht kanë shpikur “odisenë” e re atdhekërkuese. Mandati i keqbërësit grekdashës është mbyllur, por mëkatet e tij antiurbane për zonën tani po zbulohen e shpallen. Kryebashkiaku njëvjeçar, Gjergj Goro, sapo ka nisur të hyjë në prologun e fitimit të gabimeve të mandatit të vetë qeverisës. Ai tashmë është i kërcënuar dyfish; nga mosdenoncimi i gabimeve të gjetura dhe nga tundimi e grishja për të shtuar të reja.

Dhërmiu është tashmë një provë e re e zhvillimit të shëmtuar shqiptar, për të cilin mendjenormalët duhet të shprehen si në elegji dhe jo të gëzohen si prej notarit që mëson not në pleqëri.

1 comment:

Anonymous said...

z. cipa e ka per profesion te "mbroje" Himaren nga greke si puna e Bollanos. Po nuk shkroi dicka te tille kush doja lexoje artikujt e tij? vetem aleanca "kuq e zi" me spahiun ne krye