Saturday, September 01, 2012

Finikes dhe albano-iliret e sotem -mizoria moderne

Ilirët, romakët dhe iliro-albanët e Finiqit

Diku nga viti 230 para Krishtit, qyteti madhështor i Finiqit u pushtua nga trupat ilire te Mbretëreshës Teuta.

Qyteti antik, një nga më të pasurit e botës antike, me Akropolin disa herë më të madh se Athina, ra pre e plaçkitjes së trupave ilire që ju printe komandanti i njohur i kohës, Skerdilaiti. Historia e pushtimit të këtij qyteti të famshëm tregohet me mjaft detaje nga kronikani i njohur grek, Polibi i cili përshkruan jo vetëm luftën e trupave ilire me mercenarët që mbronin Finiqin, por edhe plaçkitjen e madhe të këtij qyteti.

Çuditërisht, shkruan Polibi, trupat ilire dhe Skerdilaiti, pasi mbushën anijet e tyre me plaçke, ikën pa e dëmtuar qytetin. As ndërtesat nuk i prishën dhe as kodrës nuk i vunë flaken. Qyteti vazhdoi jetën e tij normale, duke lulëzuar në art dhe tregëti, duke mbushur teatrin gjigand me skulptura dhe duke ndërtuar vila madhështore të shtruara me mozaikë.

Kaloi vetëm një shekull dhe në portat e Finiqit u dukën ushtritë romake. Prokonsulli Paulius Aemilius, i cili po shtronte Ballkanin me dorë të hekurt dhe po thyente ushtritë e famshme të Maqedonisë, sulmoi edhe Finiqin tonë. E mori pa shumë mundim, duke bërë jo vetëm plaçkë, por edhe skllevër të shumtë.

Megjithëse romakët e ashpër kishin djegur fund e krye Kartagjenën, duke ja u mbjellë fushat me kripë, Finiqin nuk e prekën. Morën plaçkën dhe skllevërit e shumtë dhe ikën pa e dëmtuar dhe pa e djegur qytetin. Romakët, edhe pse akoma të pamësuar me bukurinë e artit antic, me sa duket kanë pasur respekt për madhështinë e këtij qyteti.

Akropoli i famshëm plot me ndërtesa, teatri ku uleshin 15 mijë spektatorë, i mbushur përplot me skulptura, shkolla e famshme e artit etj etj, i bënin pushtuesit të stepeshin përpara idesë së djegies së këtij qyteti të mrekullueshëm.

Diku nga vitet 1600’, në fushatën e Otomanëve kundër Korfuzit, Sulltan Sulejmani i Madhërishëm e ngriti çadrën jo shumë larg Finiqit. Hordhitë aziatike të Otomanëve nuk trazuan Kodrën që mbante akoma gjurmë të lashtësisë. Nuk ja plaçkitën varret dhe as nuk e dogjën Finiqin antic, megjithëse koha e kishte rrënuar madhështinë e dikurshme.

Dhe ja, historia përsëritet. Ne gusht të 2012, në kodrën e Finiqit u dukën përsëri iliret apo albanët e sotëm. Këtë radhë nën udhëheqjen e Sali Berishës së II, i cili udhëheq turmat albane. Qytetit ju vu zjarri fund e krye. Për dy ditë rresht tymi i zi dukej deri në Korfuz si një paralajmërim për turistët e huaj, që të mos vinin këmbë në territorin iliro-alban. Kodra e Finiqit plaçkitet cdo vit.

Çdo vit albanët gërmojnë me ekskavator monumentet për të vjedhur ato pak skulptura që mund të kenë mbetur akoma. Albanët po plaçkitin çdo vit varret e banorëve të lashtë për të nxjerrë objekte me vlera për t’u shitur në treg.

Megjithë plaçkitjen e bërë, iliro-albanët e Mbretërimit të Berishës së II nuk e lënë qytetin në dhimbjen e vet, por i vunë edhe flakët. Teatri madhështor, Akropoli disa herë më i madh se i Athinës, muret mbi tre kilometra të gjatë, varret dhe rrënojat e kishave, nuk i penguan iliro-albanët që ta shkrumbonin Finiqin, si dikur romakët fushat e Kartagjenës.

Muret me gurë çiklopik janë përcëlluar nga flakët, rrënojat e shumta duken si të lyera me katran. Teatri madheshtor është i mbuluar me një shtresë të zezë hiri dhe flaka që zbret më poshtë në kodër, në shtëpitë e fshatarëve, duke djegur ullinjtë dhe mullarët e barit.

Banorët e alarmuar kanë rrethuar varrezat, duke u përpjekur që të mbrojnë të vdekurit. Ky është Finiqi në 29 gusht 2012. Në kohën e Mbretërimit të Sali Berishës së II!

No comments: