Wednesday, November 14, 2012

Nacionalizmi, antihelenizmi dhe antishqiptarizmi


Publikuar më 14.11.2012 | 18:15 Shekulli
Profesor Panajot Barka
Duket qartë se kriza  globale dhe veçanërisht ajo në Evropë, risjell në skenë rregullin e vjetër të rizgjimit dhe nxitjes së nacionalizmave, veçanërisht  në ato vende me ekonomi të dobët e problematike, me demokraci të pastabilizuar  dhe për pasojë me probleme të karakterit identintitar shoqëror, kulturor e etnik. Kohët e fundit  kjo duket se po përfshin keqas Shqipërinë dhe Greqinë, me tendencë për t’i futur në zgrip marrëdhëniet midis tyre. Kjo më së shumti ka të bëjë me atë se nacionalizmi ekstrem shqiptar ka bërë ushqim permanent antihelenizmin, duke kujtuar kështu fillimet e shekullit të kaluar. 

Nga ana tjetër, kriza e Greqisë, si pasojë e keqmenaxhimit  të situatës së brendshme ekonomike  e amplifikuar nga kriza e Eurozonës, po kthehet në një krizë sociale. Në traditën historike të Greqisë, kriza dhe situata të kësaj natyre janë kapërcyer  me ide të fuqishme, të karakterit  patriotik (aspak nacionalist), që frymëzonin popullin për sakrifica sublime . Kësaj here nuk ndodh kështu. Kemi masa ekonomike që rendojnë  popullin e thjeshtë dhe politikanë që kërkojnë të fshehin përgjegjësitë me ndërmarrjen e rolit të shpëtimtarit. Boshllëku i ideve të mëdha  patriotike për shpëtimin e Greqisë nga recesioni ekonomik me pasoja shoqërore, po zihet nga forca të tilla si SIRIZA, që ngriti flamurin populist kundra masave ekonomike antikrizë të imponuara nga Evropa, dhe  Agimi i Artë me një nacionalizëm po populist, të papërcaktuar dhe shpesh me një spontanitet  që përmblidhet me  zgjidhjen e problemeve imediate të përditshme të njerëzve.

 Ndër dy probleme  kryesore, pas të cilave u kap Agimit i Artë, në aspektin e brendshëm janë emigrantët e paligjshëm dhe ai i minoritetit etnik grek (Vorio Epirit) i parë po si problem i brendshëm. Do ta quaja të mirëpritur  interesimin për minoritetin etnik grek ngado që të vinte. Por kur ky interesim te kishte ide, perspektiva e  qëllime të qarta të cilat t’u përgjigjen realiteteve aktuale , të kenë të gërshetuar arritjet historike të këtij minoriteti me  zhvillimet e sotme evropiane, por mbi të gjitha të kenë parasysh vullnetin politik të vet këtij  minoriteti. Importimi  si interesim i një fryme nacionaliste, e cila përmblidhet në zgjidhje të së kaluarës e të kapërcyera, apo me parulla boshe, apo si një nacionalizëm të rritur në Greqi për  minoritetin grek që banon në Shqipëri, nuk përbën zgjidhje. Më së shumti është një qëndrim që  kthehet në ushqim për nacionalizmin shqiptar, korrente e të cilit janë shtuar së fundmi.  

Kështu minoriteti grek, i cili në mënyrë aktive , apo thjesht si realitet natyral historik  ka luajtur rol  konstruktiv si sa i përket ekuilibrave të brendshme  në jug të Shqipërisë, por edhe në marrëdhëniet  Greqi-Shqipëri, mund të kthehet në lëndë midis mokrave të nacionalizmave të  dyanshme. Për më keq kur historia e fundit 20 vjeçare ka provuar se përplasjet midis dy vendeve e ka kthyer këtë minoritetin në viktimë  të nacionalizmit shqiptar, pasi minoriteti gjithmonë konsiderohet  si  përfaqësues i Greqisë  dhe  si mjet më efektiv në duart e nacionalizmit  të sëmurë ( e aspak të popullit shqiptar e të strukturave të shëndosha politike, mediatike e shtetërore shqiptare ) ose për t’i bërë presion Greqisë, ose për të shfryrë dufin e vet në pamundësi për të arritur Greqinë. 
 
Kjo bëhet më rrezikshme po të kemi parasysh se rrymat nacionaliste  shqiptare, të cilat kohët e fundit kanë mbërthyer edhe parti të koalicionit qeverisës, ushqehen fort nga një antihelenizëm i skajshëm dhe për çdo gjë. Qëmtohet në Greqi edhe detaji më i rëndomtë dhe më i parëndësishëm që të paraqitet si antishqiptarizëm, për të rritur në ekstrem antihelenizmin. Po ju marr një shembull të thjeshtë. Më 11 nëntor në një ceremoni të thjeshtë, por zyrtarisht në nivel shumë të lartë, u përkujtuan  të rënët anglezë në tokën shqiptare. Më 28 tetor u përkujtuan, si tash 20 vjet,  të rënët grekë në të njëjtën luftë dhe kundër të njëjtëve armiq. Për të dytët, jo vetëm që s`kishte prani zyrtarësh shqiptarë, por kishte  incidente të rënda antigreke (!!). 
 
Në marrëdhëniet e veta ky nacionalizëm  shqiptar po i imponon  Shqipërisë në qëndrimet ndaj Greqisë mentalitetin e njohur të tipit 'pranoj që mbetem edhe unë pa bukë, po qe se vuan edhe Greqia'. Kështu ka ndodhur  me Korridorin tetë, kështu po ndodh edhe tani me marrëveshjen e detit. Po ashtu, mënyra e konfliktualitetit politik po përdoret edhe për të zgjidhur problemet e emigrantëve, apo problemet pronësore të shqiptarëve në Greqi. Në një moment që të gjitha këto duhet të ishin instrumentet e një fqinjësie të mirë dhe përfitimi të përbashkët. Lë të mos harrojmë se edhe në Greqi ka segmente të cilët e duan këtë ushqim nacionalist. Rastet e ditëve të fundit në kalimet kufitare, flasin qartë për këtë. Ashtu siç flet qartë presioni që po i bëhet qeverisë greke nga këta faktorë që ta derivojë në Bashkimin Evropian si qëndrim e një fqinjësie jo korrekte të Shqipërisë  ndaj Greqisë, rritjen e nacionalizmit shqiptar. Një gjë e tillë do të ishte me pasoja tepër të rënda për  marrëdhëniet  midis dy vendeve dhe  për aspiratën e Shqipërisë  për integrimin në, Bashkimin Evropian. 
 
Së fundmi duket  se nacionalizmi do të bëhet boshti kryesor i fushatës së ardhme elektorale në vend, sidomos për parti politike jashtë boshtit  kryesor të qeverisë aktuale. Por ky nacionalizëm i shfaqur si përshkallëzim i antihelenizmit  mund të sjellë pasoja  nga më të paparashikuarat, po të kemi parasysh se edhe stabiliteti politik e shoqëror në Greqi nuk kanë garancinë e dikurshme. Dhe dihet në raste të tilla valvula e shkarkimit bëhet nacionalizmi, fara e të cilit  është hedhur edhe në Greqi, fatmirësisht  deri tani jo si antishqiptarizëm.   

No comments: