Saturday, January 26, 2013

DEKLARATE ZYTRTARE- NE LIDHJE ME DRAMEN "SHEN MARIA E BERATIT" TE Z. NAMIK DOKLE

http://www.orthodoxalbania.org/new/index.php?option=com_content&view=article&id=13644%3Amitropolia-e-shenjte-korce-&catid=3%3Anewsflash&Itemid=89&lang=sq

Kemi ndjekur me vëmendje indinjatën e besimtarëve orthodhoksë të Korçës dhe përcjellim edhe shqetësimin tonë në lidhje me dramën “Shën Maria e Beratit”. Për komunitetin orthodhoks kjo është denigruese dhe fyese, sepse denigrimi i klerikëve të nderuar orthodhoksë, është denigrim për të gjithë komunitetin. 
     Komunitetet fetare në shqipëri kanë vuajtur mbi shpatullat e tyre fyerjet, diskriminimin dhe përndjekjet e regjimit ateist të shekullit që lamë pas. Prandaj jemi të shqetësuar për vazhdimin e po të njëjtës mënyrë trajtimi të tyre edhe sot. 
    Tashmë ka kohë që besimi orthodhoks po goditet gjithandej me mënyra të ndryshme. Veprime të tilla nxisin reagimin e çdo besimtari, si edhe cënojnë ruajtjen e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, si vlerë që karakterizon shoqërinë tonë. Në kohën kur ne përpiqemi të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, propagandat fyese përçajnë dhe ngjallin dyshime dhe mosbesime. 
    Me anë të kësaj deklarate, protestojmë ndaj këtyre fenomeneve dhe i drejtohemi opinionit qytetar të Korçës, por edhe më gjerë, se veprime të tilla që cënojnë komunitetet e ndryshme fetare, të qëllimshme ose jo, nuk i shërbejnë interesave të qytetit, të bashkëjetesës fetare dhe përparimit të shoqerisë shqiptare. 
     Këtë protestë e ndjejmë edhe si obligim moral ndaj paraardhësve tanë, që me aq mund dhe sakrifica mbajtën të pacënuar në shekuj besimin dhe moralin orthodhoks. Dhe për më tepër Kisha Orthodhokse është një nga pjesët më të shëndosha të shoqërisë sonë, me një kontribut të madh në ruajtjen e vlerave njerëzore dhe në ndihmesën ndaj të gjithë njerëzve në nevojë, pa dallim.
 
 
 
 
 
 
 
 

No comments: