Friday, February 08, 2013

Guximin e atij që dha këtë vendim nuk e gjej as te kurajoja e atyre që vranë - thotë gazetari që publikoi videon e vrasjes së Ziver Veizit

Artan Hoxha, gazetari që publikoi filmimet e vrasjes së Ziver Veizit dhe hodhi poshtë skenarin e parë të përhapur publikisht nga Berisha pas vrasjeve (atë të “vrasjeve të protestuesve të opozitës nga vetë nga opozita”) ka dhënë një intervistë sot në të përditshmen DITA (në foto, kopertina e sotme e kësaj gazete) lidhur me vendimin e djeshëm të gjykatës për 21 janarin, ku ndër të tjera thotë: “Nisur nga eksperienca e deritanishme, në asnjë rast ku është përfshirë Sali Berisha, drejtësia nuk ka mundur dot të zbardh ngjarjet. Viktimat kanë mbetur pa vrasës, vrasësit janë marrë direkt në mbrojtje prej Sali Berishës. Sali Berisha nuk i dorëzon kurrë vrasësit e tij, në të kundërt askush nuk do të vriste për të. Për fat të keq edhe 21 janari është një ngjarje e tillë. Të jeni të bindur që garda nuk ka qëlluar pa urdhër direkt të Berishës, ndryshe ai nuk do ti mbronte kaq stoikisht...”
Besnik Hoxha, Arjana Caca, Adriana Bera janë tre gjyqtarët që kanë dhënë vendimin për pafajësinë e Prendit dhe Llupos. “Qysh nga dje fotografitë e tyre i kam skeduar në arkivën time për të mos i harruar, së bashku me fotografitë e dy ekspertëve Ndoc Çardaku dhe Gani Jahelezi, që rrëzuan dhe teorinë e Ajnshtajnit para gjykatës. Në këtë dosje janë dhe shumë foto të tjera, të personazheve që kanë manipuluar këtë hetim dhe kanë fshehur provat e masakrës së 21 janarit, ku sigurisht nuk mund të mungonte ajo e mjekut të Spitalit Ushtarak, Sami Koçeku (njeriu që doli i pari dhe tha se vrasjet janë bërë nga afër me armë të lehtë) –thotë gazetari dhe shton: “Sinqerisht “guximin” e gjyqtarëve për të dhënë këtë vendim të turpshëm, nuk e gjej as te kurajo e të pandehurve në momentin që hapën zjarr mbi viktimat”      
Hoxha thotë më pas se nuk ka marrë kurrë aq shumë reagime revolte sa gjatë ditës së djeshme: “Nuk e di çfarë do të bëj opozita me këtë energji të pashembullt popullore, që u provokua në mënyrë të paskrupullt nga ky vendim. Jemi bërë një vend qesharak, ku dhunuesit dalin ballë lart gjithandej në media dhe shesin parime e moral, ndërsa viktimat rrinë në heshtje dhe fshihen skutave se mos i prishin humorin kasapit të tyre... Shpesh herë kemi dëgjuar ndërkombëtarët që kërkojnë durim dhe vetëpërmbajtje nga opozita dhe qytetarët e pakënaqur. U thonë se në demokraci drejtësia vendoset me votë. Por bëjnë një “lapsus”, Shqipëria nuk është një demokraci, prandaj vota nuk vendos dot drejtësi. Opozita është duke ndjekur deri dhe  qorrazi këshillat e ambasadorëve të atashuar në Tiranë, duke harruar që mandati i një ambasadori është vetëm 3 vjet ndërsa populli ka votuar për të...”
A.N

No comments: