Quotation: " ...do forca politike si
AKZ-ja apo PDIU-ja na shesin leskra patriotizmi sa herë që bahet
fjalë për Greqinë, por kur u preket Turqia e otomanizmi heshtin për faqe
të zezë tynen"
Kësaj rradhe s’bahej fjalë për kashturina që i merr era e i çon kah të dojë, kësaj here foli vetëdija kombtare e këtu s’ka asgja për me u
turpnue. Turpi asht i atyne që s’kanë rranjë e ndjeshmëní qytetare, që janë gjithçka tue mos qenë kurrgja.
Dikur motit Fishta ka pasë thanë: “Ka qitë dreqi pushkë mbi né, mos
me u bâ dy vetë në nji fjalë”. Ky mallkim na ndjekë edhe sot. E keqja
kajhere asht ma kreative në format e veta sesa e mira njerëzore me
thjeshtësinë e saj. Në fund të fundit e keqja mbetë nji përçudnim i së
mirës, diçka parazitare që lëshon shtat falë së parës dhe rritet vërtet
atëherë kur e mundë përkohsisht të mirën. “Me u ba në nji fjalë” – si
thotë Fishta – domethanë mos me vijue me mohue evidencën, atë që duket
në dritë të diellit, mos me e shlye etjen për të vërtetën dhe farën e
saj hyjnore në zemër e në mendje.
Para pak ditësh nji shkrimtar që ka
qenë gjithmonë i rendit të dytë ase ma mirë të tretë në të gjitha
pikëpamjet, tue promovue nji libër të tijin në Shkup, ndër të tjera u
shpreh: “Absolutisht, matematikisht, mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet
asaj që e thashë ma parë se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa
vise shqiptare, absolutisht! Unë ua dëshmoj me këtë: ortodoksët
shqiptarë nuk i keni, katolikët shqiptarë nuk i keni në Shkup. I keni
vetëm shqiptarët myslimanë”. Vetëm nji delirant mund të bajë pohime të
tilla, e në ketë rast deliri asht ndërshkimi për diçka të padukshme që i
rrin në sfond edhe vetë marrisë! E vërteta asht e idhtë e qëndron krejt
ndryshe. Mjerisht shqiptarët në Maqedoni gjithnji e ma shumë po
deshqiptarizohen, jo tue u kthye në sllav, siç mund të diktonte logjika e
afërsisë gjeografike dhe presioni i gjithanshëm, por tue u turqizue
randshëm. Përfytyroni nji rumun të Bukovinës që gjermanizohet sot, pse
deri para 100 vjetësh vendi i tij ka qenë nën Perandorinë
austro-hungareze, apo nji holandez që spanjollizohet pse në shek.
XVI-XVII vendi i tij ka qenë pjesë e Perandorisë spanjolle!!
Edhe pse
kontakti gjeografik me Turqinë mungon, mes nesh endet si nji shpirt i
keq gërmadhash nji frymë që s’asht tjetër veçse gërbula që na ka lanë
barbaria otomane. Ka 100 vjet që e tërheqim zvarrë mbas nesh ketë hije
të zezë ase kufomë që na e qelb rrugën, tue shpresue gjithnji që të
shkundet ma në fund prej jermit të etheve të liga, por më kot. Që
asimilimi i sotëm kulturor në Maqedoni dhe pjesërisht edhe në Kosovë
bahet prej emisarësh fetarë islamikë dhe ka si busull Turqinë islamike,
jo atë kemaliste, ketë gja e tregojnë edhe protestat e kinse-shqiptarëve
të atyne trevave që dalin pa pikë turpit me flamur jeshil në krah e me
shashije në krye, e tregon edhe ma gjanësisht zhdukja e zakoneve dhe e
kostumeve kombtare e ndërrimi i tyne me xhybe e me do veshje tjera që
s’i përkasin arbnorëve dhe përkatësisë sonë europiane, e tregon
poshtnimi shpirtnor përpara pushtuesve të djeshëm turq/otoman, të
djeshëm pse në histori 100 vjet janë si me qenë dje. Në Maqedoni nji
pjesë e madhe e shqiptarëve e ka humbë krejtësisht vetëdijen etnike tue u
asimilue kulturalisht e tue u ba turq e në ketë gja nji rol tejet
negativ e ka luejt mënyra e paemancipueme sesi e konceptojnë besimin e
tyne, tue mos e nda “dinin” prej kombësisë. Vetë lutjet në arabisht janë
tregues i nji unjisimi shpirtnor me nji botë që gjithnji e ma tepër po
shkatrron indin e shqiptarizmës.
Edhe ata që janë shpërgulë në katër
valët kryesore të emigracionit drejt Turqisë e kanë humbë krejtsisht
gjuhën dhe zakonet shqiptare, në nji kohë që kemi arbëreshët që tash
pesë shekuj i ruejnë me fanatizëm këto visare. Traktati i Lozanës i
vitit 1923 i trajtonte myslimanët shqipfolës të Maqedonisë si turq, e
kështu përkatësia turke u pat kthye në nji farë mburoje vetvrasëse për
ata të mjerë. Kosova e vuejti edhe ma shumë plagën e emigrimit drejt
Turqisë, tue qenë se Ahmet Zogu në vitet ‘20 e braktisi në fatin e saj
për hatër të miqsisë me Pashiqin. Mos të harrojmë se ishte Zogu ai që
ktheu mbrapa në Shëngjin nji vapor me armë të sigurueme prej Hasan
Prishtinës me ndërmjetësinë e Gabriele D’Annunzio-s për me luftue kundër
pushtuesve jugosllavë në Kosovë. Ma vonë, marrëveshtja e vitit 1938 dhe
ajo e vitit 1953 mes Turqisë dhe Jugosllavisë do ta dobësonte elementin
shqiptar tue nxitë rishtas emigracionin masiv drejt Turqisë, vend ku
nuk lejohej as mësimi i gjuhës shqipe. Në ketë rast kleri mysliman
luejti nji rol negativ tue nxitë emigracionin dhe si rrjedhojë humbjen e
identitetit etnik. Direktivat e tyne përputheshin kryekëput, me ose pa
vetëdije, me ato të Rankoviqit që kishte ndërmarrë nji spastrim të
thellë etnik në ato treva. Për këto arsye e për do tjera edhe ma të
idhta, pohimi i masipërm i shkrimtarit Kim Mehmeti asht kryekëput i
rremë. Prandaj m’u kujtue Fishta: dreqi ka qitë pushkë edhe ndër
shkrimtarë, pse herë mbas herë do si puna e Mehmetit flasin në jerm, por
jo në jerm të shenjtë frymzimit letrar, në jerm e në delir marrijet.
Në
vend të mbylljes Këto ditë asht ba publik peticioni kundër ndërhymjeve
arbitrare në historiografinë shqiptare nga ana e autoriteteve turke. Nuk
mund të pranojmë që shteti turk të na tregojë sesi duhet ta shkruejmë
historinë tonë. Për shembull s’mund të harrojmë e të heshtim para faktit
se Stambolli paguente damshpërblimet e luftës së humbun me rusët në
Kongresin e Berlinit me toka shqiptare. Plava, Gucia e Ulqini u dhanë
prej tyne pse s’iu dhimbte aspak trolli jonë; s’mund të harrojmë as
faktin se po ata nuk lejuen deri me ardhjen e xhonturqve mësimin e
gjuhës shqipe. Këto dhe shumë akte tjera mizore nuk mund t’i quejmë
ndryshe veçse krime ndaj kombit shqiptar. Mbështetja e gjanë e
peticionit, sidomos prej të rinjve shqiptarë, qe nji surprizë e bukur
edhe për vetë promotorët e tij: intelektualët kosovarë, të cilët duhen
përgëzue.
Megjithatë nuk mungoi edhe ndonji gjykim anodin e i pakrypë në
shtypin shqiptar. Ka nji markë gazetarësh që e kanë kthye cektësinë në
kult, e tue qenë logorroikë për vokacion shpalosin protagonizmin e tyne
provincial sa me ta neveritë gazetarinë. Janë po ata që marrin zjarrm si
pushka e jegvut për vogëlsina kote, por kthehen gjoja në zjarrfikësa sa
herë bahet fjalë për çështje me randësi siç asht shkrimi i historisë.
Kah ana tjetër ky peticion ishte i intelektualve të rinj dhe jo i Ismail
Kadaresë, i cili iu bashkue rrugës, ai lindi si nismë e disa të rinjve
kosovarë dhe s’i përkiste mumjeve të kohës së komunizmit që shtrembnuen
menjiherë buzët apo fytyrave të bronzta që bërtasin “gjithmonë gadi” sa
herë që u çon fjalë “shefi” apo “shefja” për me nënshkrue marrinë e
rradhës; nuk ishte peticioni i atyne që me shpirtin e llogaritarit
kalkulojnë deri në cent përfitimet dhe humbjet që mund të kenë si pasojë
e nji firme të thjeshtë; nuk ishte peticioni i do forcave politike si
AKZ-ja apo PDIU-ja që na shesin leskra patriotizmit sa herë që bahet
fjalë për Greqinë, por kur u preket Turqia e otomanizmi heshtin për faqe
të zezë tynen. Kësaj rradhe s’bahej fjalë për kashturina që i merr era e
i çon kah të dojë, kësaj here foli vetëdija kombtare e këtu s’ka asgja
për me u turpnue. Turpi asht i atyne që s’kanë rranjë e ndjeshmëní
qytetare, që janë gjithçka tue mos qenë kurrgja.
No comments:
Post a Comment