Sunday, March 03, 2013

DHIMITER LEKA DHE STRATIOTËT HIMARIOTË


Nga dr. Kristaq V. JORGJI III
Për ata që janë nga Drimadhes (apo Dhërmiu i sotëm) është një toponim i njohur kthesa e Gogo Lekës, apo kthesa që shënon kalimin nga rruga kombëtarë Vlorë-Sarandë  në pikën nga ku shfaqet tërë Dhërmiu. Pak e dinë se Leka është një familje që i ka dhënë fshatit tonë një emër të shquar në historinë e stratiotëve. Dhe pak e dinë se shkrimtari i shquar arbëresh, Jeronim de Rada. i kish kushtuar pikërisht Dhimitër Lekës, veprën e tij të famshme-Milosao-n.

Stratiotët/Stradiotët
Historia e stratiotëve, apo e trupave te kalorisë së lehtë në Europën e mesjetës, është pasqyruar pak në historinë shqiptare.(Pa dyshim që ka edhe këtu përjashtime përbëjnë një punim i botuar në revistën ANASH si dhe ai i Pëllumb Xhufit, në Konferencën III Pan-Himariote në 2011 etj.)
Le ta nisim me atë që thotë Paolo Petta, autor i një libri për stratiotët, në veprën e tij“Stradioti –Soldati albanesi in Italia (sec. XV-XVIII)”, botuar në Itali në 1996. 





Paolo Petta dhe stratiotët.
Paolo Peta ka lindur në Veneto nga një familje e Piana degli Albanesi, dhe ka punuar deri më 1999 si drejtor i Shërbimit për redaktimin dhe revizionin e teksteve legjislativë në Senatin e Republikës Italiane. Senati i Republikës italiane ne seancën e datës 14 Janar 1999 ka shprehur “dhimbjen e thellë për vdekjen e dr. Paolo Pettës, kultura e gjerë e të cilit, autonomia e fortë e gjykimit dhe displina morale e bënin një nga përfaqësuesit më të mirë të administratës së Senatit”. 
Ka shkruar  shumë punime (libra dhe artikuj) të karakterit juridik, kryesisht për historinë dhe ideollogjitë kushtetuese si dhe për historinë. Në shqip, është botuar me përkthim të P. Xhufit,  libri i tij "Despotët e Epirit". Një sallë e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë mban emrin e tij. Libri "Stradiotti - Soldati Albanesi In Italia (sec. XV-XIX)” është botuar në Itali nga shtëpia botuese Argo, Lecce, në vitin 1996.  
“Termi Stradiotti në italisht shpesh herë është ngatërruar me rrënjën e gabuar- strada, duke i dhënë një kuptim që ka të bëjë më shumë me endjen e mercenarëve. Një historian i shquar Constatin Sathas është një nga kontribues i shquar në këtë konfuzion. Për të, stradiotë përcaktojnë grupe aventurierësh që shëtisin lart e poshtë nëpër botë, praktikisht nëpër rrugë. Sidoqoftë termi "straTiotë" nga keqformimi i së cilës ka dalë edhe "straDiotë" rrjedh nga termi grek, që do të thotë ushtar. Sidoqoftë, në termin e stradiotëve, në Itali janë njohur tërë ata individë të cilët janë vënë në shërbim të princave apo feudalëve të tjerë në Itali”.

Stratiotët Himariotë janë një nga “zbulimet” kur nis e shfleton literaturën botërore të kohës. Mbase rrugëtimi për këtë kapitull të rëndësishëm në historinë mesjetare të Himarës duhet nisur me një emër të rëndësishëm si Pietro Pompilio Rodotta, i cili në veprën  “Dell’ origine, progresso e stato presente dell rito Greco in Italia” përmënd kontributin e stratiotëve himariotë në faqen 38, të botimit të tij të viti 1763.   Citojmë:
“Vetëm fshati i Drimadhes (apo Dhërmiu i sotëm KVJ) për të mos përmëndur vende të tjera nga zona e Himarës, ka qenë në kohët tona një mëmë pjellore për ushtarakë me emër. Nga këtej dolën Mërkur Bua, Jani Bixhili dhe Kristofor Nina, trimëria e madhe dhe sjelljet e lavdërueshme  sollën mirënjihjen e kurorës së Spanjes dhe të Republikës së Venedikut, morrën titujt nderi dhe pozita të shkëlqyera, që janë apanazhi natural  i meritës…” , siç mund të shihet nga origjinali i dhënë në tekst-boksin e mëposhtëm. 
Figure 1.Pjese e citimit nga Rodota.

Stradioti Dhimitër Leka
Por qëllimi i shkrimit nuk është të flasim për këto emra të shquar, që do të jenë objekt i shkrimeve të tjerë, pasi këtë radhe duam të flasim vetëm për Dhimitër Lekën, një nga bijtë e shquar të Dhërmiut.
Le të shohim se çfarë ka shkruar për të Paolo Petta, që i ka kushtuar një kapitull në librin e tij të lart-cituar nën titullin “ I fundmi, i por më fatlumi” .
“ Pas prishjes së formacioneve “maqedone”, disa prej oficerëve shqiptarë ngelën në Mbretërinë e Napolit; një prej tyre meriton të kujtohet si i fundit, dhe më fatlum indërmjet tërë ushtarëve shqiptarë që ushtruan profesionin e tyre në Itali.
            Dhimitër Leka u lind në Drimades (Dhërmi) të Himarës, në 1778; nuk e dimë në se kish të bënte me Gjon Lekën,  që në 1847 qe një nga protagonistët e një kryengritje jo me fat të shqiptarëve ortodoksë në Kurvelesh, i  cili u vra dhe u qa në këngët popullore. Dhimitër Leka, i hyrë në fund të shekullit XVIII në regjimentin “maqedon” nuk pati rastin që tregonte guximin e tij me armë: kariera e tij i dedikohet në fakt besimit të mbretit, i cili pëlqente që ta thërriste “besniku im grek ( it. Il mio fido greco)” e nuk do harronte se si në ditën e 15 majit 1848, në moshën 70 vjeçare drejtoi veprimet ushtarake në qendër të Napolit, kundër kryengritësve liberalë.
Në të vërtetë, Dhimitër Leka nuk qe përndjekës i liberalëve, bile dimë se ka mbrojtur disa prej tyre; por u gjend kundoherë në krahun e monarkisë në vitet e kryenngritjes . I ngritur në gradën e togerit të përgjithshëm në 1855, qe i pranishëm në 1856 në atentatin e bërë kundër jetës së Mbretit të kryer nga një ushtar italo-shqiptar Agesilao Milano (me të cilin, për arsye se qe shqiptar donte të bisedonte), në vitin 1860, tanimë tetëdhjetëvjeçar, qe inspektor i përgjithshëm i këmbësorisë dhe dha dorëheqjen ditën e hyrjes në Napoli të Garibaldit.
Dhimitër Lekës dhe familes së tij kjo karrierë i solli edhe një titull prestigjoz fisnik: i shoqëruar me një prejardhje të dyshimtë ... nga shoku i Skënderbeut, Lekë Dukagjini, i paraqitur si “Dukë” dhe bile edhe si pasardhës i Dukas-vetë Bizantit, ai morri një titull dukal, që u solli pasardhësve të tij martesa të shkëlqyera.
Historia personale e Dhimitër Lekës çon në ekstrem një kontradiktë që kish vazhduar në shekuj: besnikëria ndaj kurorës e ushtarëve profesionistë vinte kundërrebelimit të fshatrave italo-shqiptare, që tanimë po piqej në një afrim të n dërgjegjshëm. Ky afrim u duk qartë në vitet ’40, kur shumë italo-shqiptarë ishin afruar me konspiracionet kundër Burbonëve, duke sfiduar “Xhandarmërinë dhe kasapin” dhe më pas në 1848, kur “komunisti” Domeniko Mauro pati mbështetjen kompakte të fshatrave shqiptare. Mërguar në Korfuz pas reaksionit monarkik, Mauro bile kish tentuar të rekrutonte luftëtarë shqiptarë për të mbrojtur  revolucionin italian.  Qëndra e tërë konspiracioneve qe kolegji italo-grek i San Domeniko Korone; pas atentatit të Agiselao Milanos  u fol për njëkonspiracion të madh shqiptar, që do të kish qendrën pikërisht në kolegj, gjë e cila u mohua, por që mbase ekzistonte vërtet.  të Agesilao Milano
            Edhe tej Farit, shqiptarët u futën në masë në opozitën demokratike, që nga ana e saj kishin njëitalo- shqiptar Françesko Krispin – si një prej krerëve më me prestigj. Në 1860 Garibaldi gjeti tek shqiptarët e Piana-s – që u quajtën nga historian anglez Trevelyan “vatra e lirisë në Siçilinë perëndimore”, një mbështetje të sigurtë, që ai vetë e mbante mënd dhe e kujtonte dhe prej                                                                                shqiptarëve të Kalabrisë mundi të rekrutonte qindra luftëtarë trima.
            Italo-shqiptarë të tjerë u hoqën mënjanë e ndërmjet tyre edhe Jeronim De Rada, i cili më parë ishte afruar me rrymat e tjera liberale, dhe që pikërisht Dhimitër Lekës i kish dedikuar Milosao-n e tij- romani nëvargje që pati aq shumë rëndësi në evolucionin e literaturës dhe ndjenjën kombëtare shqiptare – si “ dëshmi – (kështu lexohet në dedikimin) – në ruajtjen (it. attacamento KVJ) e zakoneve të lashta të njerëzve të shpërndarë të Epirit (it. dispersa gente d’Epiro KVJ)”.
Kështu përfundon  mbaron përshkrimin e tij Paolo Petta në librin e tij për Dhimitër Lekën.
            Sipas pllakës përkujtimore të vendosur të Napoli nga biri i tij (Akil Leka). Kjo pllakë e vendosur në kishën e ritit ortodoks grek San Pietro e Paolo, në adresën via S.Tommasod'Aquino 51 - Napoli, specifikon se i dedikohet: 

A DEMETRIO LECCA EPIROTA
DELL'ESERCITO NAPOLETANO TENENTE GENERALE
DELL'ORDINE DI S. GIORGIO DELLA RIUNIONE
E DI QUELLI DI S. SALVATORE DI GRECIA
DI S. ANNA DI RUSSIA E DI S. MICHELE DI BAVIERA
CAVALIERE GRAN CROCE

NATO IN DRIMADES IL 28 APRILE 1779
MORTO IN NAPOLI IL 21 APRILE 1862
_______
AL PROBO E PRODE GENITORE
ACHILLE LECCA
QUESTA MEMORIA POSE

DHIMITËR LEKËS, EPIROT,
TENENT GJENERAL I USHTRISË NAPOLITANE,
I URDHËRIT TË SHËN GJERGJIT TË BASHKIMIT,
DHE SHËN SALVADORE TË GREQISË
SHËN ANËS SË RUSISË DHE SHËN MIKELIT TË BAVARISË
KALORËS I KRYQIT TË LARTË,

LINDUR NË DRIMADHES MË 28 PRILL 1779
VDEKUR NË NAPOLI MË 21 PRILL 1862
_______
ATIT TRIM DHE TË NDERSHËM,
AKIL LEKA
I NGRE NË KUJTIM
Mbishkrimi në Italisht (djathtas) i përmendores së Dhimitër Lekës në Napoli më përkthimin në shqip (majtas) nga KVJ.
Nga mbishkrimi, mësuam se Dhimitër Leka kish një djalë, Akil Leka, që i ka bërë të atit përmendoren në kishën e Shën Pjetrit dhe Paolos. Ai lindi në Napoli më 7 shkurt 1832 dhe vdiq më 9 shkurt 1900, pas një kariere ushtarake si kapiten i klasit të dytë në armën xhenjere të ushtrisë të Dy Siçilive, por nuk pranoi të hynte në ushtrinë Italiane dhe u tërhoq në pension, sikurse edhe i ati.
Akili qe djali i dalë nga martesa e Dhimitër Lekës me Maria Guevara Suardo, nje spanjolle sipas sajtit të mëposhtëm http://www.chieracostui.com/costui/docs/search/schedaoltre.asp?ID=5909
Paolo Petta në librin e tij, “Despotë të Epirit e princër të Maqedonisë”, ku analizon fatin e fisnikërisë shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, merr edhe njëherë në shqyrtim Dhimitër Lekën në faqen 215, ku thekson “se nuk ka të bëjë me Dukagjinët , një familje që në shek. XIX, në mbretërinë Napolit, pretendonte këtë emër  si dhe titullin e dukës, dhe që e kish prejardhjen nga një oficer Himariot , Dhimitër Leka, i cili kish bërë një karrierë të shkëlqyer në shërbim të Burbonëve, duke i ndihmuar në 1848  kundër barrikadave të Napolit  dhe në 1860 kundër garibaldinëve” .
Dhimitër Leka hynte në fisnikërinë napoletane dhe kish edhe nje stemë të familjes, e cila jepet në poshtë sipas http://www.ilportaledelsud.org/greco-albanesi_2.htm. Një kurorë e vendosur mbi një shqyt në të cilën është vizatuar një kështjellë dhe e tëra kjo është rrethuar me dafina mbi të cilat janë varur urdhëra të ndryshme., të cilat me sa duket janë ato të fituara nga veprimtaria stratiote e Dhimitër Lekës.
Pasqyrimi në letërsi i personazhit Dhimitër Leka.
1.                  Një vënd të rëndësishëm ku është pasqyruar Dhimitër Leka është pa dyshim
Milosao-ja i Jeronim De Radës - romani në vargje që pati aq shumë rëndësi në evolucionin e literaturës dhe ndjenjën kombëtare shqiptare ku shkruan se i dedikohet “Shkëlqesisë së Tij/ Gjeneral Brigadier Komendador/ Zotni Dhimitër Lekës/Këto kangë/që të jenë  dëshmi në afrimit (it. attacamento KVJ) ndaj zakoneve të lashta/ në gjinden e humbun (it. gente dispersa) të Epirit (it. Dispersa gente d’Epiro). (përkthimi nga Llambro Ruci “Zëra e Akrokerauneve, f.82).
Eshtë interesante të shënohet se Jeronim De Rada (apo të paktën sipas “Autobiografisë” të botuar në shqip), thotë se Dhimitër Leka është nga Mirdita, gjë që ndoshta shpjegohet me njohuritë jo të sakta të autorit të shquar, nëse marrim për të vërtetë atë që shkruhet në dedikimin e përmendores së tij të lartpërshkruar dhe të hartuar nga familja e ngushtë. Por ama duhet lexuar me interes dëshmia e de Radës, pasi konfirmohet ajo që pohon edhe Petta, pasi tregohet ndihma e madhe që u jep Dhimitër Leka Jeronim De Radës., i cili qe në atë kohë në anën e lëvizjeve liberale.  
2.Llambro Ruci në librin e tij voluminoz dhe të mirëpunuar mbi Himarën “Zera e Akrokeraunëve”, i dedikon një pjesë të madhe të kreut III të punimit të tij, pikërisht Dhimitër Lekës.    Aty gjejmë se ende ekziston një këngë dhërmiase, e cila evokon lajmin e ardhjes së mandatës së vdekjes në fshatin e tij të Lindjes ku thuhet se:
Ç‘u hap mandati në drekë,
Hajmedet o Dhimitër LEKË,
Hajmedet se ç’të ka gjetë,
gjëndërali i Bregdetë,
kapetan i mirë me fletë,
në stre edhe ndë detë.

            3. Po aty raportohet se shkrimtari Luigj THAÇI i ka kushtuar romanin e tij historik “Gjak e Zakon’ botuar në 1944 në Tiranë nga shtypshkronja Gutenberg. Z. Thaçi bën shënimin e mëposhtëm: Ngjarje të ndryshme të vllaznëve Shqiptarë Lekaj, prej të cilve : njeni Xheneral n’Oborrin Mbretnuer të Borbonve të Napolit e tjetri kapitan në Mesolungjin e Greqisë”.

            4. Kosta Dedej në librin e tij : “I Dhrimadhe stis Himara” , botim i 1978, jep një episod interesant të sjelljes së dy vëllezerve Leka – Spiro dhe Dhimitër, e cila është sjellë e përkthyer nga Llambro Ruci në veprën  e lartpërmendur.  Ne po ja lëmë lexuesit që të konsultojë veprën e cituar për të shijuar më mirë sjelljen e asaj kohe të asaj zone të caktuar, për të mos e ngarkuar më tej këtë shkrim modest.
            Por është për tu vënë në dukje se figura e Dhimitër Lekës  është mjaft e njohur dhe e cituar në fshatin e tij të lindjes  Dhrimadhes (apo Dhërmiu i sotëm). Bashkëfshatarët e mi e njihnin dhe e njohin ende si “Gjenerali”, por jo më shumë. Kalimi i  gati 150 viteve nga vdekja e tij natyrisht e ka zbehur kujtesën kolektive dhe individuale për të. Edhe familjarët e tij nuk dinin më tepër apo nuk shpreheshin për të, veçanërisht gjatë viteve të pasluftës së dytë Botërore.
Në shtëpinë e tij nuk ka (në bazë të kërkesave të bërë nga disa burime) ndonjë relike apo pamje për të. Por të afërmit citojnë se deri para luftës italo-greke (1940) në shtëpi kishin edhe një tabllo ku paraqitej gjenerali Dhimitër Leka në uniformën ceremoniale. Nga biseda e bërë me  Z. Strat Zhupa ai tregon se gjatë Luftës së Parë Botërore , kur disa italianë të ndodhur në Dhrimadhes, të shoqëruar nga z. Foto Beli (vëndas) shkuan për vizitë në shtëpitë e të afërmeve të Lekës, ata nuk ngurruan të përshtyjnë para tabllosë  të vendosur në ambientet e saj. Sqarimi i bërë nga italianët më vonë tregoi se shkaku i kësaj sjellje të tyre qe “mizoria me të cilën gjenerali kish trajtuar veçanërisht veriorët”, nga ata vinin. Sikurse duhet thënë se ka edhe të thëna të kundërta me të – sipas të cilave italianët (mbase këtë radhë qenë nga jugu i Italisë!!!!) e nderuan me respekt, që provon sa e e kontestueshme qe figura e tij në ambientin tepër të rrëshqitshëm të revolucionit që bashkoi më pas Italinë!!!!
Kjo klimë vijon edhe pas 150 vjetësh. Në një diskutim interesant të hapur në sajtin e Alb-Club Shkenca mbi daljen e librit të autorit Cris Bishop “ Divizionet e huaja të Hitlerit” dhe përmëndjen në të të pjesmarrjes së 7,000 shqiptarëve në grupin SS Waffen Gebirgs Division, nga Dashnor Kokonozi u citua edhe emri i Dhimitër Lekës. Në këtë debat, Kokonozi përmëndi Regjimentin Real Macedone si rast tipik të mercenarizmit negativ që, citoj, “drejtohej nga Dhimitër Leka e që u vu në shërbim të Ferdinandit të dytë të Burbonëve  (reaksionit) sapo nisi një revolucion në vitet 40 të shekullit 19 të në Itali, në mbretërinë e dy Siçilive. Ata vranë edhe vetë shqiptarët e tjerë që ishin bashkuar me revolucionin. Në prag të pushkatimit të një shqiptari revolucionar si Axhesilao Milani (që i bëri atentat vetë mbretit që ruante garda e Lekës) janë të njohura edhe replikat e tij me Lekën. Ju siguroj se nuk ndryshojnë shumë me diskutimin tonë; ata replikuan se cili prej të dyve që po turpëron kombin shqiptar- ai që bashkëpunon me tiranin apo ai që është ngritur kundër tij. ......”.
Nuk jam shumë i sigurtë se ç’do të thotë z. Kokonozi me frazën e tij “ju siguroj se….. ata replikuan se cili prej të dyve po turpëron kombin shqiptar…….”. Kjo mua personalish më duket tepër e vagët dhe tepër speculative pë tu besuar. Shumë tipike mbase e historiografisë së sotme shqiptare. Mbase do të ish më e udhës të pyesja se ku i bazon këto siguri? Apo më mirë a shkon kjo siguria e tij në shpjegimin se përse de Rada, i cili qe në anën e Revolucionit, i bën atë dedikim aq qartë dashamirës???   Si e shpjegon me tej faktin se përse mbreti e cilëson, se shkruan Petta, “besniku im grek”???. Unë nuk do të isha aq i sigurtë të hamendësoja se ç’është biseduar, pasi shkasim në terrenin e spekullimit.
Jemi në situatën të sjellë aq bukur nga z. Ruci në librin “Zera e Akrokeraunëve” kur krahason këndvështrimin e z. Memushaj mbi dy figura të Himarës –Ajaz Pashës dhe Spiro Milos, kur sërisht arbitrarisht dhe qartësisht në njërën anë të peshores, Memushaj arrin të përcaktojë  tradhëtarët dhe heronjtë duke u nisur nga pikëqëndrimi teleologjik i sotëm…

No comments: