Friday, October 18, 2013

Kur "Shekulli" lejon dhe mendimin ndryshe....

Tradhtarët i njohim- cila është tradhtia
Publikuar më 18.10.2013 | 13:31 (Shekulli)
 0  0
 
Jordan Jorgji/PhD për Marrëdhënie Ndërkombëtare
Ardhja e ministrit të Jashtëm grek, Evangjelos Venizelos në Tiranë, përbën fillimin e shkrirjes së akujve që u krijuan kohët e fundit në marrëdhëniet dypalëshe. Gjithashtu, kjo i paraprin një vizite tjetër akoma më të rëndësishme në vendin tonë, asaj të presidentit grek Karolos Papulias në fillim të muajit nëntor. Marrëdhëniet shqiptaro-greke, për sa i përket aspektit politik, mund të quhen komplekse. Kjo sepse ato mbartin probleme jo të lehta për tu zgjidhur. Gjithashtu, kompleksiteti i këtyre marrëdhënieve forcohet edhe nga imazhi jo tepër miqësor i opinionit publik të dy vendeve për njëri-tjetrin. Sado që thuhet se emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri përbëjnë ura bashkëpunimi, përsëri mund të themi se nuk ekziston ndonjë imazh pozitiv për njëri-tjetrin në popujt e dy vendeve. Fatkeqësisht!

  Shembuj praktikë dhe aktualë? Dëmtimi i pllakatës me emrin “Durrësi-Shqipëria”, të sapo inauguruar në Selanik. Shpejtuan të zhgarravitin emrin “Shqipëria” si dhe përshkrimin e mëposhtëm në gjuhën shqipe, ndërsa germat greke ishin lënë të paprekura. Nga ana tjetër, në Fier u hodhën fletushka ku shanin dhe ofendonin kryepeshkopin Anastas, vetëkuptohet për origjinën e tij greke, ndërsa në opinione dhe komente të ndryshme, fjala Greqi shumë herë shoqërohet nga epiteti “shovinist”.  Por “shovinisti” Venizelos shoqërohej në Shqipëri edhe nga deputeti grek Pirro Dhima. Për këtë të fundit nuk munguan epitete të tipit “tradhtar”,  “gjakprishur” apo “shqiptar i greqizuar”. Por cilin tradhtoi z. Dhima? Origjina e tij dhe e familjes së tij ka qenë greke. Gjuha që kanë folur prindërit e tij, të paktën gjyshja, siç e ka deklaruar dhe vetë, ka qenë greqishtja. Pra z. Dhima ishte shtetas shqiptar, me origjinë apo kombësi greke. Nëse ai shkoi drejt vendit mëmë, bëri karrierë të suksesshme si kampion bote duke përfaqësuar Greqinë dhe sot është deputet i parlamentit grek dhe kryetar i komisionit parlamentar të miqësisë Greqi-Shqipëri, nuk ka ndonjë gjë të çuditshme apo armiqësore. Cili gjak ju prish zotit Dhima? Ai shqiptar apo ai grek? A përbën gjaku kombësi apo kombësia vjen si pjesë e shoqërisë ku dikush jeton? A duhet ta ndjejë Pirroja Greqinë vend të huaj pas gjithë atyre viteve që jetoi atje, u diplomua, bëri karrierë dhe u martua me shtetase greke? Për më shumë, kur fliste gjuhën greke dhe dispononte të njëjtën origjinë? 

A mos duhet ti quajmë “tradhtarë” edhe ata mijëra shqiptarë që jetojnë vite në Greqi dhe përfituan shtetësinë greke, duke mbajtur paralelisht edhe atë shqiptare? Po ata shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende ku nuk lejohet dyshtetësia dhe marrin shtetësinë e re duke dorëzuar atë shqiptare, a janë “tradhtarë” dhe “gjakprishur”? I freskët është shembulli i karakterizimit “tradhtarë”, nga tifozët e kombëtares shqiptare për futbollistët me origjinë shqiptare të Zvicrës, veçanërisht kur u pa se fitorja e kësaj të fundit në Tiranë do të shuante shpresat e përfaqësimit tonë në kampionatin botëror. Gjithashtu, kur diskutohet për minoritarët grekë në Shqipëri, shpesh herë dëgjon emrin “Jorgo” që ju vihet atyre, ashtu siç nuk hezitohet që edhe shqiptarët e integruar në shoqërinë greke të quhen kështu, me humor apo dhe ironi. Për minoritarët nuk mungon edhe karakterizimi që u bëhet shpesh si “të shitur për një pension grek”. Meqenëse e paskan ndërruar identitetin kaq lehtë dhe për pak para, atëherë përse e ruajtën ata gjuhën e tyre amtare në vitet e komunizmit, kur kontakti i tyre me shtetin grek ishte zero dhe si rezultat nuk merrnin asnjë pension grek? 

Paraja është joshëse për të gjithë, por nuk mendoj se perceptimi që u bëhet minoritarëve është i drejtë. Ata nuk ndërruan identitetin, pasi edhe më parë kanë pasur të njëjtin identitet etnik. Mosinformimi dhe mospranimi për ekzistencën e popullsive jo shqiptare në etni, pra mentaliteti imponues“jemi të gjithë shqiptarë”, përbën në vetvete një nacionalizëm intolerant ndaj pjesëve të veçanta të shoqërisë. Është normale që një minoritet etnik të jetë i lidhur historikisht dhe shpirtërisht me vendin me të cilin ndan të njëjtën origjinë. Nëse minoritarët grekë në Shqipëri ndihen grekë, kjo nuk përbën tradhti ndaj Shqipërisë, ashtu si dhe minoritarët turq në Bullgari ndihen turq. Identiteti shqiptar nuk mund t’u imponohet minoriteteve, por duhet të përbëjë një proces përqafimi vlerash demokratike, tolerance, progresi dhe në harmoni me identitetin etnik të tyre, me qëllim pranimin efektiv, demokratik dhe afatgjatë të Shqiptarizmit si identitet paralel ose jo. Në këtë mënyrë respektimi i minoriteteve dhe përqafimi i vlerave të vendit do të ecin harmonikisht së bashku. Gjithashtu do të kemi më  pak “tradhtarë”.

No comments: